FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATIT NË DEVOLL, ELVIS HAJDËRLLI
EKSTRAKT
Nga Devolli ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për kryetar bashkie, Elvis Hajdërlli, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha denoncoi tenderat që Edi Rama i jep baxhanakut dhe vajzës së bashkëshortes së tij.
‘Po Edi Rama çfarë bën thoni ju? Edi Rama i jep baxhanakut jo 10-20-30, por 80 dhe 100 tendera. Dhjetëra qindra milionë euro. I jep thjeshtrës dhjetëra e dhjetëra tendera’.
Duke komentuar fushatën e Edi Ramës, me lopatë në dorë, kryedemokrati u shpreh se ai po hap gropën e tij politike, pasi në 14 maj do të marrë faturën që meriton.
‘I thoni të heqë lopatën dhe të sjellë kandidatin këtu, bashkë me Elvisin të dalin para jush. Por kanë frikë se i del kunati rrogë madh, se del vetë me dy rroga. Nuk dalin dot në asnjë ballafaqim. E kërkoj, i them unë hajde në ballafaqim Edvin, hajde të të tregoj pak tenderat e baxhanakut, tenderat e thjeshtrës, të tregoj pak vjedhjen që po bën djegësat 420 milionë euro. Të të tregoj pak ç’po bën me Portin e Durrësit.
Jo, jo nuk vjen, me lopatë duke hapur një gropë. E vërteta është, dua ta them sot, se s’po bën gjë tjetër, vetëm gropën tënde politike, me 14 maj do të marrësh faturën që meriton’, theksoi kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë fjalës së tij në Devoll.
FJALA E PLOTË
Të dashur qytetare dhe qytetarë, banorë të Devollit.
Së pari dëshiroj të përulem me nderimin më të madh, të shpreh mirënjohjen time më të pakufishme për mbështetjen e jashtëzakonshme që banorët e këtij rrethi të bekuar i kanë dhënë PD-së në 32 vite.
Unë mbetem pafundësisht mirënjohës, pafundësisht, borxhli ndaj jush, ndaj dhe dua të përshëndes përzemërsisht të gjithëve ju këtu, të gjithë devollinjtë, kudo ku ndodhen sot në Devoll, në mbarë Shqipërinë në Devoll dhe diasporë, urimet më të përzemërta.
I nderuar zoti Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë. Të nderuar deputetë të kuvendit të Shqipërisë, Edmond Spaho dhe Bledion Nallbati.
I dashur kandidati ynë për qytetarë të parë dhe kryetar i ardhshëm i Bashkisë së Devollit, zoti Elvis Hajdërlliu.
Është një nder i veçantë, kënaqësi e jashtëzakonshme të paraqes sot para jush, një bir tuajin, një djalë që e do shumë Devollin, i cili në 32 vite është kandidati i parë që del, vjen në këtë shesh si kandidat i votës tuaj, i vullnetit tuaj, i dinjitetit tuaj dhe jo kandidat i kryetarit, kandidat i kryesisë.
Qytetare dhe qytetarë. Kjo përbën një ndryshim shumë të madh, sepse ne me këtë proces, vendosëm ju në piedestalin që meritoni, vendosëm vullnetin tuaj, vendosëm dinjitetin tuaj dhe ju garantoj se ky proces do njohë vetëm zhvillime dhe forcime të mëtejshme.
Sot kudo që shkojmë, shkojmë ballëhapur para qytetarë, të cilët kanë për rival kandidatë të bodrumit të Edi Ramës.
Po vija nga Maliqi, kishte 20 vite ai, në mënyrë absolute asnjë socialist i Maliqit nuk ishte pyetur për kandidaturën e tij dhe si shpërblim u kishte premtuar qytetarëve trenin elektrik tek pylli i fazanëve. Se kur humbet lidhjen me njeriun, humbet lidhjen me qytetarin, kur humbet respektin për ta, atëherë i lejon vetes të thuash çdo gjë, të bësh çdo gjë dhe të mos pyesësh për asgjë për ta.
Të njëjtën gjë është kreu i bashkisë së Tiranës. U thotë qytetarëve të Tiranës se, tani sapo mbolla pemën e 1 miliontë, sapo vodha çmimin e pemës së 1-miliontë. Se 1 milionë pemë janë nja tre radhë shko e hajde në Tiranë nja 3 herë, apo janë një pyll 9 mijë hektarësh. E thashë këtë se çfarë specie janë këta rilindasit e Edi Ramës.
E vutë re, filluan lojën me dritat. Do ti them Edvin mos luaj me dritat më, sepse tani ka një dritë tjetër, dritën e fitores që po ndriçon çdo rrugë, çdo shesh, çdo zemër, çdo mendje të shqiptarëve. Shiko Devollin, po dridhesh atje ku je.
Miqtë e mi!
Me 14 maj, pra, ne votojmë ndryshimin. Ne sjellim këtu njërin prej jush, sjellim këtu një njeri i cili me dashuritë, respektin, përulësinë para jush do të jetë një shërbëtor i vërtetë, një menaxher i shkëlqyer, një drejtues i vendosur i bashkisë suaj, i Devollit.
Miqtë e mi!
Çdo vend në Shqipëri është i bekuar, por vendi i mbiprodhimit është vetëm Devolli më shumë se gjithë të tjerët, është më i bekuari se gjithë të tjerët. Devolli është treva e punëtorëve të shkëlqyer, e fermerëve të mrekullueshëm, e potencialeve të jashtëzakoshme të gjithanshme.
Devollijtë janë zotërit më të mirë, të tokave, të trojeve të tyre.
Por çfarë ndodh sot me Devollin. Një dramë e vërtetë. Devollijtë largohen, e largohen. Vajza që çeli mitingu, me të drejtë tha; unë kam studiuar, por nuk gjej punë. Imagjinoni pse na ikin ne të rinjtë, sepse diploma nuk u shërben për vend pune, sepse të tjerëve u ka vendosur mesataren si satër për të mos hyrë në universitet, sepse edhe ai që mbaron universitetin një shtëpi nuk e blen dot. Sepse qeveritarët me vjedhjet e tyre të pakufishme, bëjnë që çmimet e apartamenteve të jenë më të lartat se në Belgjikë.
Pak kush e di se një apartament në Tiranë është 30% më shtrenjtë se në Bruksel. Thoni ju si ka mundësi? Po, po, sepse ai kryetar dhe ky kryetar, dhe këta sekti i rilindjes nuk ka mendjen tjetër kund, veç se si vjedhin vetë, të pasohen vetë. Nuk kanë gjë tjetër, marrin 2-3 rroga, kunatit i jep rrogën më të madhe.
Po Edi Rama çfarë bën thoni ju? Edi Rama i jep baxhanakut jo 10-20-30, por 80 dhe 100 tendera. Dhjetëra qindra milionë euro. I jep thjeshtrës dhjetëra e dhjetëra tendera.
Ky përmendi shkatërrimin e klubit nga kunati. Po Olsi mos e zbardhi klubin Partizani. Jo mor jo, këta mendojnë vetëm për veten. Këta janë një rracë, një sekt që si shushunja po vjedhin pasuritë tuaja.
Po pse ikin devollinjtë? Sepse përdoret politika armiqësore ndaj fermerëve të Devollit. Sepse ata kanë një sistem fiskal kundër tyre, në blerje zero TVSH, në shitje 20%. Sepse ata kanë një subvencionim, 6 herë më të ulët se Kosova, 8 herë më të ulët se Maqedonia.
Sepse hapën kufijtë, hapën trarët e doganave për kontrabandistët dhe mbeten mollët, mbeten prodhimet e Devollit në fushë, priten pemët, sepse kjo qeveri, këta qeveritarë nuk kanë asnjë interes tjetër, përveç pasurimit të tyre.
Të dashur devollinj!
Është koha të ulemi me çdo socialist të diskutojmë çfarë ndodhi këto 8 vite, pse po ikin, pse nga viti 2007-2014, njerëzit po shtoheshin në Devoll dhe në Shqipëri. Pse tani kanë ikur 35%. Sepse rrogat ranë në mënyrë të tmerrshme, sepse nga vjet gjer sivjet, për shkak të bordeve komuniste të çmimeve, çdo qytetar shqiptar ka shpenzuar më shumë për ushqimet dhe naftën, 430 mijë lekë. Ka shpenzuar më shumë, dy pensione, pensionisti, ka shpenzuar më shumë një rrogë, rrogëtar. Nuk po them në 8 vite, por në dy vite. Dhe tani çfarë bën Edi Rama?
I demaskuar tani thotë, do të rrisim rrogat dhe deklaron se ja bëra rrogën 4 milionë e 600 mijë presidentit. Më thoni o pensionistë të Devollit dhe të Shqipërisë, çfarë ju hyn ju në punë rroga e presidentit. Ç’punë keni ju me rrogën e presidentit të Republikës? Ai tallet me ju. Nxjerr tre punonjës të kryeministrisë dhe thotë se Rezartit ja rrita rrogën 2.6 milionë, Dritës ja rrita rrogën, kaq e aq.
Juve ju duhen rrogat tuaja, mësuesit i duhet rroga e tij, mjekut i duhet e vet, infermieres rroga e vete, fermerit pensioni, subvencioni.
Tani çfarë bën, çfarë bën. Mashtrime, mashtrime dhe vetëm mashtrime. Ka kapur lopatën, të cilën e përçmon, ai përçmon njeriun e punës, sepse po të kishte respekt për ju, po të kishte respekt për fermerin, po të kishte respekt për biznesmenin, po të kishte respekt për mjekun, për mësuesin, nuk i katandiste në këtë gjendje.
Jo dhe jo, por tani me lopatë vetëm për të ju mashtruar ju.
I thoni të heqë lopatën dhe të sjellë kandidatin këtu, bashkë me Elvisin të dalin para jush. Por kanë frikë se i del kunati rrogë madh, se del vetë me dy rroga. Nuk dalin dot në asnjë ballafaqim. E kërkoj, i them unë hajde në ballafaqim Edvin, hajde të të tregoj pak tenderat e baxhanakut, tenderat e thjeshtrës, të tregoj pak vjedhjen që po bën djegësat 420 milionë euro. Të të tregoj pak ç’po bën me Portin e Durrësit.
Jo, jo nuk vjen, me lopatë duke hapur një gropë. E vërteta është, dua ta them sot, se s’po bën gjë tjetër, vetëm gropën tënde politike, me 14 maj do të marrësh faturën që meriton.
Duhet pra, të bëjmë një dialog, të bëjmë një bisedë, të bëjmë një muhabet me njëri-tjetrin, të ja themi këto të vërteta në sy. Nuk janë thjeshtë për një karrige, për një pushtet, janë për fatin e Devollit, janë për fatin e Shqipërisë.
Kush ka qenë jashtë, të më thotë mua, ka parë kund një tokë më pjellore se Devollin, ka gjetur kund njerëz më punëtor se në Devoll, askërkund, ju them unë. Absolutisht askërkund.
Ka gjetur një territor me resurse të jashtëzakonshme si Devollin, turistike, bujqësore e të gjithanshme. Jo mor jo, nuk ka gjetur.
Por Devolli është i vjedhur, Devolli është i shitur, është i braktisur nga qeveria. Ndaj duhet të ndërrojmë pushtetin. Nuk i jepet pushteti më tutje, një njeriu që ka futur të gjitha pushtet në duar. Një njeriu që urdhëron drejtësinë, një njeriu që urdhëron policinë, urdhëron ushtrinë, urdhëron presidentin, urdhëron parlamentin, urdhëron çdo gjë.
Nuk shkohet në këtë mënyrë.
Është thirrje për mençurinë tonë, për karakterin tonë, për atdhedashurinë tonë. Nuk lejohet më një njeri të gjitha pushtetet. Një njeri që abuzon nga mëngjesi në darkë me pushtetet dhe që thotë me cinizmin më ekstrem, dje nxori zëdhënësen; do sjellim jo vetëm punëtorë, por edhe familjet e punëtorëve nga India, Sri Lanka dhe Bangladeshi. Ikni shqiptarë, ikni sa më shumë sepse ata nuk votojnë dhe unë qëndroj në pushtet. Ky është morali i Edi Ramës dhe rilindësve të tij.
Duke përfunduar edhe njëherë ju shpreh mirënjohjen më të pakufishme për këtë takim madhështor, për mbështetjen tuaj dhe ju ftoj me 14 maj të votoni Elvis Hajdërliun, votoni birin tuaj, qytetarin tuaj të parë dhe ju garantoj se Bashkia e Devollit do të jetë shembullore, do të jetë shtëpia e parë e çdo devolliu.
Rroftë Devolli, rroftë Shqipëria.