BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA, ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit të përjavshëm me qytetarët në rrjetet sociale, e cilësoi revoltën studentore dhe të gjimnazistëve si një nga zhvillimet më shpresëdhënëse për vendin, duke akuzuar qeverinë e Edi Ramës për korrupsion, manipulim zgjedhor dhe dhunë policore ndaj protestuesve. Berisha u bëri thirrje qytetarëve, prindërve, bizneseve dhe demokratëve që t’u bashkohen të rinjve, ndërsa garantoi se PD do të vijojë t’u ofrojë mbështetje dhe mbrojtje maksimale.
Në fjalën hyrëse, Berisha tha se protesta, e cila nisi me studentët dhe gjimnazistët e Tiranës dhe u përhap më pas në disa qytete të vendit, dëshmon se të rinjtë nuk pajtohen me situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri. Sipas tij, ata po luftojnë jo vetëm për të ardhmen e tyre, por edhe për fëmijët e çdo familjeje shqiptare, me synimin që të ndërtojnë jetën në vend dhe të mos detyrohen të emigrojnë.
Lideri opozitar akuzoi qeverinë për ndërtimin e një sistemi të bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e pasurive publike. Ai akuzoi gjithashtu mënyrën se si janë trajtuar proceset zgjedhore dhe skandalet e korrupsionit, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos qëndrojnë indiferentë ndaj protestës. Berisha iu drejtua edhe biznesit, duke kërkuar solidarizim me studentët dhe gjimnazistët, përfshirë mbylljen simbolike të bizneseve në shenjë proteste.
Një pjesë e rëndësishme e bashkëbisedimit iu kushtua dhunës së raportuar gjatë protestave. Berisha akuzoi policinë për përdorim të tepruar të forcës, sasi të mëdha gazi lotsjellës dhe goditje ndaj protestuesve të rrëzuar në tokë. Ai theksoi se në protesta është përdorur edhe gaz i skaduar, me pasoja më të rënda, si dhe se janë marrë sasi gazi nga ushtria. Këto deklarata i shoqëroi me akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzoi se ka urdhëruar shtypjen e protestës.
Gjatë sesionit të pyetje-përgjigjeve me qytetarët, Berisha iu përgjigj shqetësimeve për kostot e larta të studimeve universitare dhe mungesën e mbështetjes financiare për studentët. Ai prezantoi propozimet e PD-së për arsimin e lartë, duke përfshirë tarifa zero për hyrjen në universitete, subvencionimin e 50% të qirasë për studentët, heqjen e mesatares si kriter pranimi, programe të posaçme punësimi për të diplomuarit dhe kredi me zero interes për çiftet e reja. Sipas tij, këto masa synojnë të krijojnë më shumë mundësi për të rinjtë, të frenojnë emigracionin dhe të nxisin kthimin e profesionistëve nga diaspora.
Duke iu përgjigjur pyetjeve për reagimin e policisë ndaj protestuesve dhe mundësinë e denoncimit të dhunës në institucionet ndërkombëtare, Berisha deklaroi se skenat e raportuara gjatë protestave tejkalonin ato që kishte përjetuar gjatë protestës studentore të vitit 1990. Ai përmendi gjithashtu rastet e pedagoges dhe anëtares së Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilirjana Kuçana, si dhe të sekretarit organizativ të degës së PD-së në Vlorë, Arlind Baja, për të cilët theksoi se ishin shënjestruar për shkak të pjesëmarrjes në protestë.
Një tjetër temë e diskutimit ishte besimi i të rinjve te politika dhe opozita. Berisha ia atribuoi një pjesë të pakënaqësisë së tyre propagandës qeveritare dhe ndikimit të mediave, ndërsa argumentoi se gjuha publike përdoret për të paraqitur si normale procese që opozita i konsideron të parregullta. Në këtë kuadër, ai përsëriti akuzat për manipulim të zgjedhjeve të fundit, duke përmendur aktivitetet e qeverisë gjatë fushatës, faljen e gjobave dhe kamatëvonesave, licencat për kultivimin e kanabisit medicinal dhe përdorimin e administratës publike.
Berisha u ndal edhe te kostot e arsimit në Shqipëri, duke e krahasuar situatën me Kosovën dhe disa vende të Bashkimit Evropian. Ai tha se studentët shqiptarë përballen me shpenzime më të larta dhe më pak mbështetje, ndërsa kriteri i mesatares kufizon, sipas tij, mundësitë e shumë maturantëve, veçanërisht jashtë Tiranës.
Në përgjigje të pyetjeve për rolin e PD-së në protestë, Berisha theksoi se opozita do të vijojë të jetë pranë studentëve dhe gjimnazistëve në sheshe, komisariate, spitale dhe gjykata. Ai mohoi se protesta është krijuar nga PD-ja, duke e cilësuar atë si një revoltë studentore, por nënvizoi se PD do ta mbështesë me të gjitha mundësitë e saj. Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për përpjekje për të diskredituar protestën dhe për infiltrimin e provokatorëve.
Berisha bëri thirrje për solidaritet edhe ndaj socialistëve që duan të distancohen nga korrupsioni dhe të mbështesin studentët.
Në përfundim të bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, lideri demokrat u riktheu thirrjen qytetarëve që t’i bashkohen lëvizjes studentore, duke e cilësuar atë si një betejë për ndryshimin e vendit. Ai garantoi se Partia Demokratike do të qëndrojë në mbështetje të protestuesve deri në përfundim të kësaj lëvizjeje.

FJALA HYRËSE
Java ishte java e eksplozionit të revoltës më të fuqishme studentore që ka njohur vendi.
Ishte java në të cilën studentët e universitetit të Tiranës, gjimnazeve të Tiranës dhe më pas gjimnazeve të qarqeve Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, universitetet e këtyre qarqeve dhe gjimnazet e këtyre qyteteve, dhe së fundmi dje greva e përgjithshme dhe gjimnazistëve në mbarë vendin, ishin zhvillimet më shpresëdhënëse, me jehonën më të madhe ndërkombëtare.
Ishin zhvillimet që dëshmuan, se rinia shkollore e Shqipërisë nuk pajtohet kurrë me narkoshtetin shqiptar, diktaturën autokratike të bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Se rinia e universiteteve dhe gjimnazeve të vendit nuk pranon më tutje piramidën e mashtrimit mediatik dhe propagandist që iu është bërë atyre në vite e vite.
Duke paraqitur farsën zgjedhore si votë të lirë.
Duke paraqitur produktet e drogës si suksese.
Duke mashtruar me idealet evropiane të cilat në të vërtetë rrënoheshin çdo ditë e më shumë.
Duke korruptuar shtetin në çdo qelizë, gjuhën dhe mendimin.
Rinia studentore dhe e gjimnazeve të vendit u ngrit mbi këtë gërmadhë, e vendosur të luftojë për të ardhmen e saj të vërtetë në Shqipëri.
Në këtë kuadër, këta të rinj po luftojnë në të vërtetë për çdo shqiptar, për fëmijët e çdo shqiptari të ndershëm, po luftojnë që ëndrrat e tyre t’i ndërtojnë në Shqipëri.
Besoj se çdo qytetar, çdo prind, çdo burrë dhe grua, kudo që punon duhet të ndjejë përgjegjësinë reale ndaj tyre sepse narkoshteti nuk zbriti nga qielli.
Narkoshteti dhe Padrino që vrau, që dogji si zjarrvënësi më i egër i shqiptarëve, dogji ëndrrat e qindra mijëra të rinjve dhe i detyroi ata të largohen nga Shqipëria, nuk zbriti nga qielli, por ishte këtu midis nesh.
Edhe si një akt reflektimi që u pranua de facto të ndërtohet para syve tanë shteti i drogës.
U pranua de facto që zgjedhjet të shndërrohen në farsë të turpshme zgjedhore dhe përsëri të quhen zgjedhje.
Edhe për faktin se kanë shpërthyer me dhjetëra e dhjetëra skandale, të cilat faktojnë vjedhjen e miliarda e miliarda eurove nga pronat publike dhe buxheti i shtetit, u vazhdua me të njëjtën tolerancë.
Pra, në njëfarë mënyre këta djem dhe vajza të mençur dhe guximtarë po përballen sot me egërsinë më të madhe të sistemit të bazuar në drogë që u ndërtua para syve tanë.
Të sistemit që u bazua në vjedhjen e shqiptarëve, ndaj të cilit nuk u reagua siç reagon çdo komb i qytetëruar kur ndjehet i vjedhur.
Pra, ka një detyrim madhor ndaj këtyre të rinjve nga shoqëria shqiptare që të derdhet në rrugë dhe t’i mbështesë.
Unë kam dëgjuar këto ditë zëra, të cilët nuk janë kundër studentëve, janë pro studentëve, por që piskasin gjer në qiell se u prek kjo pronë apo ajo pronë.
Jam absolutisht kundër prekjes së pronave, por u them këtyre miqve të mi se hajduti më i madh i të gjitha kohërave i pronave që shenjtëroni, është Edi Rama dhe do bënit mirë të bashkoheni me studentët.
Nuk jam për të prekur pronat, por nuk mund të injoroj kurrë se shkatërrimtari më i madh i pronave, grabitësi, plaçkitësi më i madh i pronave të shqiptarëve është Edi Rama, narkodiktatori që ju nuk ia thoni dot narkodiktator.
Se vërtet u prek diku një dyqan dhe u thye një vitrinë, po Porti i Durrësit 4 miliardë euro pasuri e juaja që vidhet nga Edi Rama me një grup, ku e keni zërin?
Bashkohuni me studentët sepse janë në një mision shpëtimtar, njëlloj siç ishin në vitin 1990.
Kërkojnë përmbysje të sistemit, kanë 100% të drejtë.
Sistemi i bazuar në drogën, e cila shkatërroi ekonominë tonë, i bazuar në vjedhjen e miliarda e miliarda eurove, i bazuar në vjedhjen e miliarda e miliarda aseteve publike, duhet të përmbysur një minutë e më parë.
Ndaj dhe çdo shqiptar duhet të dëgjojë këtë zë që buron nga thellësia e ndërgjegjes më të pastër të shoqërisë shqiptare dhe kombëtare, të bashkohemi me ta si prindër, si gjyshër, si bashkëmoshatarë sepse po bëjnë betejën më të fuqishme për shpëtimin e këtij vendi.
Të bashkohemi me ta sepse po shohim çdo ditë skenat më horror që kemi parë gjer sot.
Studentë të shtrirë përdhe dhe narkobanditë shqiptarë, serbë apo çfarë janë, u vërsulen si kafshë me çizmet e tyre mbi gjymtyrë për t’u thyer kockat, i gjuajnë me shkelm në kokë.
Shndërruan Ministrinë e Arsimit në ministrinë e krimit më të shëmtuar.
A e patë ju sallën e asaj ministrie të mbushur me trupa që gjallonin, të hedhur përdhe në çimento, kush me ndërgjegje, kush pa ndërgjegje nga barbaritë e narkobanditëve?
Çfarë mund të pritet më?
Çdo orë është humbje e madhe për ne.
Ndaj dhe ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetar shqiptar, çdo biznesmen të solidarizohet me studentët.
Të përdorë forcën e biznesit të tij kundër kësaj qeverie dhe në mbështetje të studentëve. Të ulë qepenin, të vendosë tabelën se jam në grevë, siç janë ata që po lënë mësimin dhe po përballen dhëmb për dhëmb me armiqtë e egër të qenies tonë.
PD, që në minutën e parë është rreshtuar e vendosur në mbështetje të plotë dhe totale, dhe në mbrojtje maksimale që mund të japë të studentëve.
Me këtë rast unë përshëndes të gjithë studentët, të gjithë gjimnazistët për vendimin e tyre historik për të dalë në sheshin e mejdanit, në sheshin e burrave për t’u përballur më këtë bandë të pashpirt.
Falënderoj të gjithë qytetarët që i kanë mbështetur ata, të gjithë demokratet dhe demokratët dhe garantoj se sikundër deri sot, PD do t’u japë mbështetje totale dhe mbrojtjen maksimale që mund t’i japë kësaj lëvizje, kësaj revolte shpëtimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët.

SESIONI PYETJE-PËRGJIGJE ME QYTETARËT
Bruna Gega: Studentët ankohen për kostot e lartë të studimeve dhe mungesën e mbështetjes. Cilat janë masat konkrete që PD do propozonte për ta bërë arsimin e lartë më të përballueshëm dhe për t’u dhënë të rinjve një jetë më të mirë në atdhe?
Sali Berisha: PD propozon, së pari, zero tarifa për hyrjet në universitet. Së dyti, subvencionim të qirasë me 50 përqind të saj.
PD garanton heqjen e mesatares si kriter për hyrjen në universitete.
Garanton programe të veçanta për punësimin e të rinjve që mbarojnë universitetin.
Kredi me zero interes për çiftet që martohen.
Pra, programi i PD do të jetë një program i gjerë dhe kompleks, i cili do të synojë mbajtjen e trurit në Shqipëri dhe rikthimin e trurit nga diaspora.
Ndaj dhe ne, thirrja jonë është, të mbështesim studentët.
Igli Dorëzaj: Ka pasur përplasje mes të rinjve dhe policisë dhe raportime për përdorim të tepruar të gazit lotsjellës dhe të topave të ujit. Policia po vepron si amatore e papërgatitur për këtë situatë dhe nuk po e menaxhon atë në përputhje me ligjin. Do e denoncojë PD përdorimin e dhunës nga policia ndaj të rinjve në institucionet ndërkombëtare?
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Kurrë ndonjëherë një egërsi e tillë ndaj protestuesve nuk është dëshmuar në rrugët e Tiranës. Kam qenë dëshmitar i protestës studentore në mëngjesin e datës 9 dhjetor të vitit 1990, ndaj të cilës vepruan me egërsinë më të madhe forcat e Sigurimit të Shtetit, policisë, gardës dhe sampistët.
Si mjek, jam marrë me të gjithë mundësitë e mia, kam ndjekur të plagosur në atë fushëbetejë.
Unë mund t’u them me përgjegjësi se, ndonëse nuk kisha parë skena më horror, por skenat që pamë ne ndaj këtyre studentëve, tejkalojnë shumë.
Nuk pati çarje kafke në atë batërdi që bënë.
Pati një vajzë me një fisurë të kockës së baçinit, por nuk pati thyerje kockash, duke hipur mbi shkelm mbi trupin e protestuesit të rrëzuar përdhe për t’i thyer kockën, për t’i thyer krahun, për t’i thyer kërcirin.
Nuk pati skena të tilla.
Ju folët për gazin. Askush nuk mund të imagjinojë sasitë kolosale të gazit që janë hedhur. U garantoj se nuk është çështje profesionalizimi, por shtazëri e urdhëruar nga Edi Rama dhe zbatim nga narkopolicë, nga njerëz që nuk meritojnë të quhen njerëz.
Të gjitha rezervat e gazit u nxorën dhe është përdorur gazi i skaduar me efekte shumë më toksike dhe negative.
Janë marrë nga ushtria sasi kolosale gazi.
Është hedhur gaz në këto dy protesta më shumë se gjatë 30 viteve në protesta të marra së bashku.
Nuk ka pasur ndonjëherë qëndrim kaq shtazor policia e Edi Ramës, që përpiqet të mbrojë një narkodiktator të urryer, i cili nuk do ketë vrimë miu të shpëtojë, po nuk dha dorëheqjen.
Armando Rushaj: Një pjesë e të rinjve shprehin pakënaqësi jo vetëm ndaj qeverisë, por edhe ndaj alternativave politike. Çfarë duhet të ndryshojë PD brenda vetes për të fituar besimin e kësaj gjenerate?
Sali Berisha: Armando, një pjesë e madhe e të rinjve, ose pjesa më e madhe e të rinjve dhe shoqërisë, është viktimë fatkeqe e propagandës qeveritare dhe 90 përqind të medieve të kontrolluara nga qeveria.
Do të jap vetëm një shembull.
Ku shprehet më egër kjo propagandë?
Më egër se çdo gjë tjetër nuk shprehet në glorifikimin e kultit të Edi Ramës, e bëjnë edhe atë, por jo më egër.
Më egër kjo shprehet në korruptimin e gjuhës, kështu quhet ky term i përdorur prej shumë dekadash, në korruptimin e gjuhës dhe korruptimin e mendimit.
Korruptimi i gjuhës është kur fjala nuk thotë atë që duhet të thotë, atë për të cilën është fjala.
Do më lejosh pak të marr vetëm një moment, një fjalë të vetme, fjalën zgjedhje.
Të bëj një pyetje për ju dhe çdo shqiptar: kur e keni dëgjuar nga propaganda dhe mediat e qeverisë fjalën farsë? Asnjëherë.
Po, a ishin zgjedhjet, po marr zgjedhjet e fundit se janë më të freskëta, a ishin zgjedhje ato kur liderët e tre partive kryesore opozitare, në vit elektoral, dy u arrestuan si persona nën hetim dhe i treti u vu në ndjekje penale?
A ishin zgjedhje ato kur për të marrë mandatin e katërt Edi Rama, në kundërshtim me parimet themelore ndërkombëtare, organizoi sipas vëzhguesve ndërkombëtarë 4530 ceremoni, ngjarje për të ndikuar në vota, që të gjitha në kundërshtim me ligjin, kur ligji elektoral nuk i lejonte?
A ishin zgjedhje ato në të cilat Edi Rama dy ditë para fushatës elektorale fali, fshiu 2.1 miliardë euro gjoba dhe kamat me impakt në 210 mijë familje, nga të cilat 84 mijë biznese aktive?
A ishin zgjedhje, i dashur Armando, zgjedhje në të cilat Edi Rama firmosi 138 licenca për mbjelljen e 29 mijë hektarë kanabis në mbarë vendin nga 200 hektarë që lejon ligji si kanabis medicinal?
A ishin zgjedhje ato kur kartelet e drogës futën në parlament dhjetëra deputetë të Kodrës së Kuajve, të Hakmarrjes për Drejtësi, të karteleve të drogës?
A ishin zgjedhje ato ku një pjesë e madhe e administratës u shndërrua në patronazhistë, terroristë politikë?
Ku u dhanë me dhjetëra mijëra leje ndërtimi, legalizimi dhe certifikata pronësie?
Tani, janë të gjitha këto.
Kreu i Parlamentit Evropian që vëzhgoi zgjedhjet u kthye në Bruksel dhe tha, në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rotacionin e pushtetit.
Armando, në qoftë se ti merr të gjithë diskurset e zhvilluara për zgjedhje nga data 11 maj gjer sot, po të garantoj që 99.999 përqind të tyre ke vetëm fjalën zgjedhje.
A ka mashtrim më të madh për qytetarin në një kohë kur ato ishin farsë?
Dhe janë tepër të rralla kur qytetari dëgjon në këto media se ato ishin një farsë ose që u vodhën zgjedhje.
Dhe kur Sali Berisha me bashkëpunëtorët e tij denonconte me mijëra fakte, dokumente të paraqitura në këtë vëllim prej 1500 faqesh, ata kishin një refren, zgjedhjet i humbi Saliu.
A është kështu apo jo?
A është e vërtetë kjo?
them këtyre zotërinjve sot, kur shihni këta protestues që u thyen këmbë dhe kockat kundër narkodiktaturës, qoftë dhe ata që kanë votuar nën presion e të mashtruar, a ju vret ndërgjegjja për këtë që thoni?
Ky është korrupsioni i gjuhës, kur fjala ‘zgjedhje’ në Shqipëri maskon farsën më të tmerrshme të një procesi zgjedhor.
Por nuk është vetëm i gjuhës, është dhe i mendimit, sepse duke e përsëritur çdo ditë njeriu i thjeshtë mendon se vërtet ka pasur zgjedhje.
Merrni ju serialin e vrasjeve të pafundme. Ato paraqiten me tam-tame si me qenë një shoë dhe jo për gjëmën e madhe që u bëhet qytetarëve.
Do t’ju jap një shembull tjetër, korrupsioni i gjuhës.
Sigurisht që problemi numër një dhe më i tmerrshëm i shqiptarëve është narkoshteti. Sa e përdorin këtë term mediat e qeverisë? Kur ato e përdorin, e kanë përdorur për të sulmuar Sali Berishën sepse flet për narkoshtet. Lexoni shkrimet e tyre, editorialet, se po turpëron Shqipërinë.
Sipas tyre, të thuash të vërtetën dhe të përpiqesh ta ndryshosh, turpërohet Shqipëria. Po nuk turpërohet Shqipëria kur droga dhe paratë e drogës e bëjnë Shqipërinë epiqendër botërore të larjes së parave të krimit!
Nuk turpërohet Shqipëria kur për shkak të zhvlerësimit më të madh në botë, sipas EUROSTAT, të euros dhe dollarit, eksportuesit shqiptarë falimentojnë në seri dhe qindra mijëra vende pune shkatërrohen.
Nuk turpërohet Shqipëria sipas tyre, kur 15% e prodhimit industrial bie vetëm për këtë shkak.
Shikoni pra çfarë korrupsioni të tmerrshëm të gjuhës dhe mendimit.
Një filozof i madh me origjinë austriake, Ëittgenstein thotë diku: ‘kufijtë e botës sime janë në gjuhën time’. E ka fjalën për fjalën.
Unë ndjej dhimbje të madhe kur shoh ata studentë se si masakrohen vetëm në krime masive, vetëm në masakra kam parë dhoma si ajo që pamë në Ministrinë e Arsimit, të mbushur me trupa, gjysmë me ndjenja, gjysmë pa ndjenja, në një sallë të Ministrisë së Arsimit.
Imagjinoni ju se çfarë ndjesie krijon ajo tek nxënësit dhe sikur të ishte ministri e masakrës, ministri e terrorit.
Luan Ibrahim Xhaferi: Studenti i Kosovës paguan 350 euro për një vit akademik. Studenti i Shqipërisë paguan 2270 euro për një vit akademik. Për të kuptuar ndryshimin mes studentëve të Kosovës ku kryeministër është Albin Kurti dhe studentëve në Shqipëri ku kryeministër është Edi Rama, ju jap vetëm dy shifra. Studenti i Kosovës në fakultetin publik paguan në vit gjithsej 350 euro për një vit akademik ose më pak se 1 euro në ditë, ku përfshihen regjistrimi, biblioteka, fjetja, ushqimi dy herë në ditë. Studenti në Shqipëri në fakultetin publik paguan për një vit akademik 2270 euro, pa llogaritur që qeveria e Kosovës ndan shpesh nga 100 euro ndihmë për studentë. A e kuptuat tani ndryshimin mes Albin Kurtit dhe Edi Ramës, mes studentit të Kosovës dhe studentit të Shqipërisë?
Sali Berisha: Faleminderit z. Xhaferi për ndërhyrjen.
Është e vërtetë kjo që thoni, se Kosova ka standardet më të mira evropiane të trajtimit të studentëve.
Ju besoj e dini që Gjermania, Franca, Italia dhe shumica e vendeve të Evropës, përveç Britanisë së Madhe, garantojnë tarifat më të ulëta, 100 euro, 150 euro, 300 euro, 200 euro. Kjo për studentët vendas. Por në Austri, edhe për shqiptarët që shkojnë studiojnë në Austri, tarifa në mos gaboj është 300 e ca euro. Pra në Austri, në universitetet e Austrisë në qoftë se pranohen, shqiptarët paguajnë 4-5 herë më pak sesa në universitetet e Shqipërisë.
Ky është një qëndrim i qëllimshëm i Edi Ramës që kërkon largimin e tyre sa më shumë nga Shqipëria.
Në rast se në universitetet e tjera nuk ka një mesatare që të ndalojë studentin, por është konkursi që përcakton, këtu mesatarja, të cilën nuk e arrijnë 90% e gjimnazistëve të gjimnazeve jashtë Tiranës, nuk i lejon të futen në universitet. Kosova është shtet demokratik, Shqipëria është një narkoshtet i parë dhe i vetëm në Evropë.
Por për hir të së vërtetës, me të dhënat e fundit që dha EUROSTAT, ku pas krahasimit të 40 monedhave të planetit gjeti se leku shqiptar ishte monedha më e fortë në botë në raport me euron dhe dollarin, ndërkohë që në Shqipëri ky lek sot ka më pak se 50% të forcës që kishte në vitin 2013, kur euro ishte jo 91 lekë me një euro, por ishte 140 lekë me një euro.
Mira Hoxha: Doktor Berisha, si e komentoni shkrirjen në një me policinë e kësaj rinie studentore dje në mbrëmje?
Sali Berisha: Mos harro, ka rryma të ndryshme aty. Ka rryma të cilat janë absolutisht në funksion 24 orë mbi 24 orë me Policinë e Shtetit dhe Edi Ramën.
Ju e dëgjuat aktin e rrugaçërisë ndaj deputetit Klevis Balliu, i cili që nga dita e parë e protestës është në protestë me studentët.
Çfarë ishte ajo që t’ua them unë ju?
Ajo u ndërmor nga një person që para syve të tij u bëri thirrje studentëve të largoheshin nga bulevardi. Thirrje të tillë bën me megafon policia që ta dini ju, kush ka qenë në protestë e ka parasysh.
Dhe kur e pa që u kuptua, ndërmori aktin. Ai ishte me mision sigurisht, sepse Edi Rama u hakmor në mënyrë primitive për vezët që hëngri në Parlament.
Po i them Edi Ramës se me rrugën e hakmarrjes mund të paguash çmimin më të tmerrshëm.
Prandaj, hiq dorë nga hakmarrja!
Pra, nuk përfaqëson asgjë nga studentët e vërtetë.
Petrit Matlia: Përshëndetje Doktor, mbrëmë në darkë në një studio televizive ishte një nga organizatorët e protestës student dhe ai deklaroi se z. Berisha është i mirëpritur të marrë pjesë në protestë. A jeni i gatshëm të merrni pjesë?
Sali Berisha: Tani e siguroj atë edhe publikisht se z. Berisha nga mëngjesi gjer në orët më të vona i përmbahet zotimit të tij publik për të siguruar mbështetjen më të madhe dhe mbrojtjen më të mirë të mundshme ndaj atyre studentëve.
Dhe degët e Partisë Demokratike në Tiranë dhe në rrethe janë non-stop të organizuara.
Le të bërtasë të çirret në qiell e në tokë Edi Rama, se asgjë nuk na ndalon ne për të mbështetur fuqimisht dhe për të mbrojtur studentët. Këto të dyja janë zgjedhjet tona.
Ju besoj e keni parë që deputetët e Partisë Demokratike kanë qenë me studentët në sheshe, në komisariate, në spital, në gjykatë dhe kudo, dhe do të jenë të pandarë.
Ne do bëjmë mbrojtjen tonë.
Edi Ramës kjo i ka djegur dhe përpiqet ta paraqesë protestën studentore si një krijesë të Partisë Demokratike.
Revolta studentore është revoltë studentore, po ta mësojë që Partia Demokratike do ta mbështesë atë me të gjithë forcën e saj, me të gjitha mundësitë që ka.
Dhe dje ishte dita e grevës së përgjithshme për herë të parë në historinë e Shqipërisë, e grevës së përgjithshme të universiteteve, të gjimnazeve dhe ne qëndrojmë në mbështetje të plotë të këtyre protestave.
Alban Tirana: Përshëndetje doktor Berisha. Studentët janë ngritur fuqishëm kundër narkoshtetit të Ramës. Por, si e shpjegoni ju zoti Berisha se përfaqësitë diplomatike në Tiranë janë në heshtje të plotë?
Sali Berisha: Alban, kjo është relative.
Në qoftë se ju keni dëgjuar dje zëdhënësin qeverisë gjermane, ai ka dhënë një përgjigje të plotë mashtrimeve të Edi Ramës.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane deklaroi dje se kërkesat nga Bashkimi Europian për Shqipërinë janë lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe po këto, tha, janë kërkesat e qytetarëve shqiptarë.
Pra, çfarë tha zëdhënësi i qeverisë gjermane?
Ai u tha shqiptarëve se zëri juaj kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar…nuk e përdori termin narkoshtet sepse nuk e di pse, në fakt ky është narkoshteti më i konsoliduar në botë, po avash-avash… pra, ai u tha shqiptarëve se protesta dhe lufta kundër këtyre dy fenomeneve i hapin rrugën Shqipërisë për në Bashkimin Europian.
Sepse Edi Rama pretendon se këto po e pengojnë, siç e di ti, edhe dje u betua se unë do ta çoj Shqipërinë në Europë.
Edhe unë po i betohem sot se ti do shkosh në kokërr të burgut, se je një kryehajdut i Shqipërisë dhe i ke bërë Shqipërisë dhe Europës gjëmën me narkoshtetin që ndërtove.
Por e falënderoj shumë zëdhënësin e qeverisë gjermane, ju garantoj se ambasada gjermane nuk mund të ketë mendim tjetër përveç mendimit të ministrisë së tij.
Natyrisht, ambasadat kanë dënuar dhunën policore disproporcionale. Pra, çfarë do të thotë? Kanë dënuar fytyrën çnjerëzore të narko-policisë.
Kanë bërë thirrje për të mos përdor dhunën. Por problemi i protestuesve është ky: ata agresohen dhe reagojnë me mjete rrethanore në vetëmbrojtje. Çdo njeri po u qëllua, dy duar për një kokë janë, do reagojë.
Po kur policia gjuan me gurë, policia legjitimon gjuajtjen e saj me gurë.
Kur policia përdor mjete piroteknike kundër demonstruesve, kur policia merr dhe rrëzon tjetrin, ju e patë se si ishte ai në mes të rrugës, po qëndronte pa asnjë lloj aktiviteti, shkojnë e rrëzojnë, dhe pasi rrëzojnë edhe i shtypin, i kanë thyer kockat, është në gjendje të rëndë sot Muhameti.
Shkon arreston pedagogen, anëtaren e Këshillit Kombëtar Ilirjana Kuçana. Pse? Për faktin se ishte midis studentëve të vet, ishte aty ku duhet të ishte.
Sepse duhet të ndante fatin me studentët.
Dhe pa asnjë akt dhune, e marrin edhe e arrestojnë dhe psikologjikisht përpiqen ta terrorizojnë.
Arrestojnë sekretarin organizativ Arlind Baja të degës së Partisë Demokratike në Vlorë. Pse? Sepse merr pjesë në protestë, dhe përpiqen t’i intimidojnë, të bëjnë terror.
Pra, unë mund të them se mbështetje më të madhe mund t’i japin protestës, por përsëri mos harro pastaj shtypin botëror me titujt më të zgjedhur në mbështetje të studentëve.
Para se të vija këtu po lexoja një artikull që publikohet në një media që publikohet në Britani, ku thuhej se Edi Rama merr mercenarë për të shtypur protestën. Dhe sipas tij, burime ndërkombëtare i kishin konfirmuar se ka të dhëna që mund të jenë mercenarë serbë.
Unë nuk e di, po fytyrat e maskuara totalisht që i kemi paraqitur edhe ne dhe i kemi shprehur që janë mercenarë, lënë të kuptosh se janë ata të cilët shkelmojnë dhe thyejnë gjymtyrë, janë ata që gjuajnë në kokë, në ballë. Është me kafkë të shpuar ajo vajza në në spitalin ushtarak.
Pra, sidoqoftë, unë besoj plotësisht se kjo protestë do të përmbushë misionin e saj.
Emanuel Mani: Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Ramës. Ky i fundit ka deklaruar se nuk ikën. Shumë njerëz mendojnë se Rama nuk e lëshon karrigen e tij pasi ka shumë pisllëqe mbi supe. Doktor, a mendoni se Rama largohet me protesta apo me garanci që nuk përfundon në burg?
Sali Berisha: E vërteta është që Rama me protesta nuk do të ikë kurrë. Por dhe garanci që nuk do futet në burg, do të jetë tradhtari më i madh i këtij kombi ai që guxon të mendojë t’i japë garanci.
Do t’ju them një gjë zoti Emanuel. Si protagonist i ndryshimit të pushtetit në vitin 1990, diktatori i fundit komunist, i cili, siç e ka thënë vetë, me 11 dhjetor, në plenumin e Komitetit Qendror se studentët kërkojnë kokën time, ata kërkojnë për skenar Çaushesku, për skenarin rumun, por ai bëri zgjidhjen tjetër, pranoi kërkesat e studentëve dhe në fund tha dorëheqjen.
Tani një gjë do ta them këtu, ai ishte një armik i yni në mënyrë të padiskutueshme.
Ai ishte një diktator, dhe unë e kam treguar edhe njëherë këtë, në pritjen që ai dha më 30 mars darkën para zgjedhjeve në Pallatin e Brigadave kushin 300-400 vëzhgues, kam pasur një dialog me një mik amerikan, i cili më thotë në atë pritje se ky është një politikan i mrekullueshëm, për Ramiz Alinë.
Ai e thoshte sepse nuk ndoqi skenarin rumun, ma thotë mendja mua.
I kthehem dhe i them: zotëri, ky është një kriminel që ka kryer krime kundër njerëzimit.
Ky burrë i shquar i kombit amerikan mbeti. Dhe unë ndjeva për detyrë t’ia faktoj se pse ia thashë.
I them se unë do ndalem vetëm në një moment. Në vitin 1951, me porosi të Stalinit që tregojuani vendin intelektualëve, Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe Byroja Politike bëjnë listën prej 27 intelektualëve në Tiranë jokomunistë dhe vendosin me listë të pushkatohen.
I marrin dhe i ekzekutuan në një varr të përbashkët në një periferi të Tiranës dhe gjykata vendosi pas dy ditësh me gjyq pushkatimin e tyre.
Ai pastaj, jam bërë shumë mik me të më vonë, dhe mik i Shqipërisë.
Ta dhashë këtë shembull, pavarësisht nga kjo, Ramiz Alia nuk e kushtëzoi me kokën e tij dorëheqjen e tij apo mosdorëheqjen. E ndoqi procesin. Duhet t’i themi gjërat siç janë.
Edi Rama nuk e ndjek.
Po pse nuk e ndjek?
Edi Rama ka psikologjinë çnjerëzore të Spiro Kolekës, dajës së tij.
Edi Rama është i aftë të kryejë çdo lloj krimi për të qëndruar në pushtet.
Shiko çfarë bën? Deshi të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, por i thanë se je vend anëtar i NATO-s dhe nuk shtypen protestat me gjendje të jashtëzakonshme.
Çfarë bën tani? Ndryhet tek Vila e Kuqe me Lubi Ballukun, Ervin Demon, Oltion Bistrin dhe ka ngarkuar Oltion Bistrin si shef të bandave, ka zëvendësuar Ergys Agasin dhe me bandat tani, thuhet prore dhe për mua është plotësisht e besueshme, ai ka veshur banditë me uniforma kundër studentëve.
Ola Kepi: Kryeministri ka fajësuar opozitën për dhunën ndaj protestave, ndërkohë në një epokë të rrjeteve sociale të rinjtë që kanë dalë në protestë denoncojnë mercenarë serbë dhe civilë të infiltruar mes protestuesve për rrëmbim dhe shkatërrim biznesesh. Dhe pronarët e bizneseve kanë deklaruar të njëjtën gjë. A mundet PD të nxjerrë në terren njerëzit e vet dhe t’u hapë direktiva që të mbrojnë çdo protestues?
Sali Berisha: PD, të garantoj që i ka njerëzit e vet në terren, në protestë dhe do t’i ketë gjer ditën e fundit të fitores së saj.
Për këtë nuk ka asnjë dyshim.
PD i ka njerëzit e vet në terren për të mbështetur protestën dhe për të mbrojtur protestuesit.
Kështu që nuk ndahemi ne nga kjo protestë.
Protesta është studentore dhe ata që duan të bëjnë Makbethin e saj, do ta pësojnë dhe nuk do mund të luajnë rolet që luajtën në protestën tjetër.
Kjo është protesta e idealeve dhe do mbetet e tillë gjer në fund.
Aty, për fat të mirë, është edhe një pjesë e shkëlqyer idealiste e atyre që protestuan 150 ditë apo më shumë.
Ata janë aty.
Ka prapë midis tyre provokatorë, agjentë të policisë kriminale, ka ekstremistë të majtë të cilët janë në mision korrigjimi të Edi Ramës, por nuk mund ta dëmtojnë protestën.
Muharrem Kurti: Doktor, dorëheqjen e Ramës kanë filluar ta kërkojnë edhe zëra brenda së majtës. Elisa Spiropali është një ndër deputetët, por flitet se ka edhe zëra të tjerë që nuk kanë dalë hapur. Ju mendoni se ka një përçarje brenda të majtës për mandatin e Ramës?
Sali Berisha: Muharrem, ajo që mendoj sot unë me sinqeritet si shqiptar dhe jo si partiak, sot të jesh socialist nuk është turp, por është edhe krim.
Të jesh socialist për t’u ndarë nga krimi, do të thotë mbështesësh studentët.
Ky është qëndrimi im.
Ai parlament është krim, është mbështetës kryesor i krimit të Edi Ramës dhe i krimeve të tyre, i vjedhjeve të tyre, i vilave të tyre, i pasurive të tyre, i jahteve të tyre.
Të jesh socialist dhe të mbështesësh Edi Ramën do të thotë mbështesësh Neronin e ëndrrave të shqiptarëve.
Do të thotë të mbështesësh njeriun që boshatisi Shqipërinë.
Do të thotë të mbështesësh njeriun që me organizatën e tij kriminale ka vjedhur 12 miliardë euro nga buxheti i shtetit në këto vite.
Do të thotë të mbështesësh njeriun që e shndërroi Shqipërinë në logun e drogës.
Që e shndërroi Shqipërinë, tokën më të pasur, në shtetin më të konsoliduar të drogës.
Të jesh socialist sot nuk është turp, por është krim, është krim ndaj fëmijëve të tu, është krim ndaj familjes tënde, është krim ndaj shoqërisë shqiptare, është krim ndaj të ardhmes së Shqipërisë, ndaj vendit tënd.
Andi Malaj: Dje u tha se u fikën dritat në Rinas. Mos ndoshta bëheshin prova për ditët e ardhshme të largimit të Ramës?
Sali Berisha: Në fakt Andi e dyshova shumë, thashë se ia mbathi. Po të flas të vërtetën.
Thashë se ia mbathi, për më tepër kur u përpoqa ta verifikoj, më thanë se aeroporti brenda kishte drita, por vetëm jashtë.
Atëherë m’u forcua dyshimi më shumë.
Mirëpo më vonë më dërgoi një qytetar mesazhin se aeroporti kishte edhe brenda errësirë.
Kështu që nuk mund të them, por në qoftë se kanë munguar dritat vetëm jashtë, të garantoj që është prova e sigurt që përgatitet t’ia mbathë bashkë me disa nga anëtarët e organizatës nga Shqipëria.
Por e garantoj që kudo të shkojë në botë, ligji dhe vetëm ligji do ta ndjekë nga mbrapa.

FJALA PËRMBYLLËSE
U falënderoj shumë për komentet dhe pyetjet dhe u ftoj dhe njëherë nga thellësia e zemrës si qytetar, si prind, si gjysh, si politikan, si ish-president, ish-kryeministër, të angazhohemi me të gjithë forcën tonë, me të gjithë potencialet tona, me të gjithë mundësitë tona të mbështesim revoltën studentorë dhe të mbrojmë studentët dhe nxënësit e gjimnazeve, të cilët kanë qenë të shkëlqyer, me një guxim të jashtëzakonshëm në këtë protestë.
Çdo minutë e tyre në protestë është shpresë për çdo shqiptar për të dalë nga ky regjim.


