FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PROTESTËN KOMBËTARE PARA PARLAMENTIT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë protestës kombëtare të zhvilluar para Parlamentit, falënderoi qytetarët për pjesëmarrjen dhe i cilësoi ata si mbrojtës të Kushtetutës, dinjitetit dhe interesave të shqiptarëve.
Në fjalën e tij, Berisha akuzoi kryeministrin Rama se po përdor pushtetin për të mbrojtur korrupsionin dhe abuzimet e qeverisë. Sipas tij, vendimi i fundit në Parlament për votimin kundër heqjes së imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku është një përpjekje për të mbrojtur veten dhe aferat e qeverisë.
Berisha deklaroi se kjo situatë përbën fundin politik të Ramës dhe e cilësoi atë si një nga qeveritarët më të diskredituar në historinë e vendit. Ai tha se veprime të tilla dëmtojnë procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe akuzoi qeverinë për vjedhje të pasurive publike dhe fondeve të qytetarëve.
Lideri demokrat, Sali Berisha u bëri thirrje qytetarëve të vazhdojnë protestat paqësore deri në largimin e qeverisë nga pushteti. Ai njoftoi gjithashtu protestën e radhës më 22 mars në Tiranë, duke theksuar se opozita synon të vazhdojë protestat deri në fitoren përfundimtare.
FJALA E PLOTË
Së pari, një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, burra dhe gra guximtarë që keni lënë çdo gjë për të përfaqësuar zërin e shqiptarëve në një ditë të zezë të historisë sonë.
Keni ardhur këtu në mbrojtje të Kushtetutës, në mbrojtje të dinjitetit njerëzor, në mbrojtje të interesave të çdo qytetari shqiptar nga një organizatë kriminale, e cila përdor pushtetin e grabitur për të mbrojtur vjedhjet dhe krimet e veta.
Të dashur miq, sot Edi Rama, kreu i organizatës kriminale, shënoi vetëvrasjen e tij politike.
Shënoi fundin e tij politik.
Firmosi të drejtën e shqiptarëve për ta nxjerrë me të gjitha mjetet nga pushteti i tij i krimit.
Sot, ai nuk votoi për Lubi Ballukun, votoi për veten e tij, votoi për të mbrojtur vjedhjet që ka bërë, krimet e shëmtuara që ka kryer.
Miq, në historinë kombëtare nuk ka pasur njeri me standarde më të ulëta njerëzore se ky njeri.
Por theksoj sërish se është puna juaj, është qëndresa juaj, është protesta juaj, kryengritja juaj që bëri që sot ai të dalë para mbarë shqiptarëve si qeveritari më i poshtëruar në historinë kombëtare.
Si qeveritari më i poshtëruar në Europë.
Nuk ka sot një qeveritar në Europë që të bëjë ligje, që të votojë për mbrojtjen e vjedhjeve të tij siç bëri Edi Rama.
Nuk ka një qeveritar tjetër në Europë që të ketë firmosur në dhjetëra dhe qindra herë vjedhjen e pasurive të qytetarëve shqiptarë dhe fondeve të tyre.
Nuk ka një qeveritar tjetër në Europë, që për të mbrojtur krimet e tij, të mbyllë dyert e procesit të integrimit për qytetarët shqiptarë.
Kjo që ndodhi sot është autorizim i plotë për kryengritjen më të fuqishme të qytetarëve shqiptarë kundër tij.
Është kushtrim i plotë të vazhdojmë të pamposhtur kryengritjen tonë paqësore gjer në largimin e tij nga pushteti.
Kjo që ndodhi sot është apel për ndërgjegjen e çdo shqiptari që e do këtë vend të bashkohet për të larguar një minutë e më parë qeveritarin më të poshtëruar që kanë pasur në historinë e tyre, Edi Ramën.
Ndaj dhe le të vazhdojmë ne këtë betejë.
Edi Rama mendon se mbylli dosjen e tij duke votuar kundër heqjes së imunitetit.
Por dosja e tij nuk mbyllet kurrë dhe do ta ketë si gur varri, edhe pas vdekjes në varrin e tij do i vendoset, hajdut, këtu prehet një kryehajdut do shkruhet për të.
Ndaj dhe le të vazhdojmë ne kryengritjen tonë paqësore.
Kjo është pranvera jonë.
Kjo është pranvera në të cilën ne duhet të fitojmë, do të fitojmë.
Kjo është pranvera në të cilën ne do i rikthejmë shpresën e madhe Shqipërisë.
Do rivendosim Shqipërinë në rrugën e dinjitetit, në rrugën e integrimit, në rrugën e lirisë.
Ju falënderoj me shumë mirënjohje për ardhjen tuaj sot.
Ata i tmerruat sot aty.
Ju nuk mund ta imagjinoni, njëri kishte marrë rojen, e mbante aty tek karrigia.
Të tjerët, meit të bërë dhe dolën andej nga mbrapa, nuk ua mbajti me dalë nga këndej.
Por do vijë dita që ata do largohen përfundimisht nga ai parlament dhe aty do jenë përfaqësuesit e qytetarëve shqiptarë.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Me 22 mars, e gjithë Shqipëria në Tiranë.
E gjithë Tirana në rrugë.
Të vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore gjer në fitoren përfundimtare.
Fitore, fitore, fitore!


