Berisha: Sot një gjykatëse mjerane, produkt i reformës së Xhorxh Sorosit, mbajti në fuqi vendimin e diktuar nga Edi Rama

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NGA BANESA E TIJ

EKSTRAKT

Ka vijuar mbrëmjen e sotme për të 25-tën ditë radhazi protesta e qytetarëve dhe demokratëve poshtë banesës së liderit demokrat, Sali Berisha, për të kundërshtuar vendimin politik të lëshuar nga gjykata e cila mban ende në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën nën arrest kryetarin e opozitës.

Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha pasi përshëndeti qytetarët që tubojnë në ‘Rrugën e Shpresës’, tha nga dritarja e banesës së tij se, sot një gjykatëse mjerane, produkt i reformës së Xhorxh Sorosit, mbajti në fuqi vendimin e diktuar nga Edi Rama.

Berisha u shpreh para qytetarëve se, kurrë nuk është ndjerë i izoluar, por përkundrazi ndihet edhe më i motivuar se kurrë në betejën e tij, më optimist dhe më me shpresë se asnjëherë.

Berisha tha se, Edi Ramën e mbron në Shqipëri vetëm një njeri dhe ky është Altin Dumani. Berisha tha se, Dumani e ka regjistruar çështjen McGonigal vetëm për ta mbyllur atë.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, pas Edi Ramës, Dumani është njeriu më i korruptuar i Shqipërisë, pasi ky i fundit mbuloi skandalin Amant Josifi-Olsi Rama.

Berisha tha se, Altin Dumani është protagonist i krimit elektoral. Berisha tha se, ai po fle mbi dosjen ku kërkohej likuidimi i kandidatit të opozitës.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.

Mirënjohjen më të thellë, më të pakufijshme ndaj jush që mblidheni çdo natë në betejën pa kthim. Mblidheni çdo natë në betejën për lirinë e shqiptarëve, në betejën për dinjitetin e shqiptarëve, në betejën kundër diktaturës, në betejën për interesin e çdo shqiptari, interesin e kombit dhe të vendit.

Një mirënjohje të pakufijshme oratorëve, që me fjalën e tyre ndriçojnë mendjen dhe zemrat e shqiptarëve në një periudhë ndër më të vështirat në historinë e këtij vendi. Në një periudhë në të cilën mafia shqiptare, e mbështetur nga mafia ndërkombëtare, nga kartelet e drogës nga Meksika në Dubai dhe zona të tjera, nga krimi i organizuar, nga mafia e Xhorxh Sorosit, ka instaluar në Shqipëri një diktaturë shkatërrimtare për kombin shqiptar, një diktaturë që merr përmasa shfarosëse po të kemi parasysh largimin masiv për shkak të kushteve të krijuar nga regjimi i shqiptarëve nga Shqipëria.

Miqtë e mi!

Sot një gjykatëse mjerane, produkt i reformës së Xhorxh Sorosit, në verbërinë e saj, mbajti në fuqi vendimin e diktuar nga Edi Rama. Kjo mjerane nuk guxoi të shprehej dje, pasi nuk lidheshin dot me Edi Ramën jashtë vendit, por priti sa të merrte urdhrin dhe të komunikonte vendimin e saj.

Por unë jam këtu me ju, nuk ndjehem kurrë i izoluar, përkundrazi ndjehem më i motivuar se kurrë në betejën time, më optimist, më me shpresë se asnjëherë. Në emër tuaj, luftëtarë të lirisë, njerëz të emancipuar, të rinj, të reja, burra dhe gra të guximit, që po mbillni shpresë çdo natë në Tiranë dhe në Shqipëri, ftoj shqiptarët të ngrihen dhe të bashkohen me ju.

Kurrë një komb i qytetëruar nuk mund të pranojë për kryeministër një njeri, i cili akuzohet me fakte, me dokumente zyrtare nga drejtësia e një vendi tjetër, nga drejtësia e SHBA se ka korruptuar oficerin më të lartë të zbulimit të saj për të luftuar opozitën shqiptare. Ky skandal është skandal planetar, kjo është historia më e turpshme e një kryeministri, i cili lufton për një Shqipëri pa opozitë.

Unë ftoj shqiptarët të mos pranojnë të hanë turpin me bukë se nuk ka turp më të madh sesa të pranojmë kryeministër njeriun që për karrigen e tij, i korrupton partnerit kryesor, SHBA, njeriun kryesor që duhej të mbronte atë vend nga korrupsioni dhe aktet e tjera ndaj kombit amerikan. Dhe e bën këtë sikur të ishte një armik i egër i vendit të madh të lirisë.

Asnjë komb nuk mund të pranonte një kryeministër, i cili heq dhe vë licenca nafte në marrëveshje me McGonigal, vetëm se si të pasurojë veten dhe ministrat e tij.

Të dashur miq!

Sot sytë e mbarë botës janë të drejtuara me të drejtë te shqiptarët. Çfarë qëndrimi do mbajnë ata ndaj këtij akti të turpshëm, më të turpshëm? Do presin ata që Edi Ramën ta burgosë drejtësia amerikane, apo do e shporrin atë dhe regjimin e tij?

Miqtë e mi!

Edi Ramën e mbron në Shqipëri vetëm një njeri, dhe ky është Altin Dumani. Ky është Altin Damani. Ky i pavarur që përbën edhe njeriun më të korruptuar pas Edi Ramës, nga Edi Rama.

Muaj më parë, kohë më parë, u thoshte shqiptarëve se nuk hetojmë çështjen e McGonigal, se ajo ka ndodhur tani. Më vonë regjistron çështjen. E regjistron vetëm për ta mbyllur atë, vetëm për të mbrojtur atë. Unë dua të informoj shqiptarët se ky avokat i krimeve të Edi Ramës, që mashtronte sot shqiptarët se ka dy vite që ka regjistruar çështjen, e vërteta është tjetër. Por që kur ka regjistruar çështjen gjer sot, nuk ka thirrur dot, nuk ka guxuar të thërrasë ata burra që patën guxim ta denoncojnë në media grupin e strukturuar kriminal Rama-McGonigal-Neza-Duçka.

Sot u interesova, asnjë prej tyre nuk është thirrur në SKAP. Dhe i them Dumanit, turp të kesh gënjeshtar, ti do mbrosh Edi Ramën, por do të të shporrim me Edi Ramën.

Miqtë e mi!

Edi Rama është një diktator, ndoshta kurrë ndonjëherë ndonjë qeveritar nuk ka vjedhur në Shqipëri në kohëra sa vjedh Edi Rama. Të gjitha vjedhjet Edi Ramës ia mbulon një njeri, dhe ky njeri quhet Altin Dumani, i korruptuar nga Rama në çdo qelizë të qenies së tij.

Për ata të cilët kanë ndonjë skepticizëm, apo ndonjë mendim ndryshe për Damanin e partisë, po i rikujtoj pak. Të nderuar miq, kthehuni pak në kohë kur opozita kërkonte sekuestrimin e Sharrës dhe djegësit të Tiranës si vepër krimi.

Altin Damani, sikur të ishte Erion Veliaj apo Lefter Koka, na përgjigjej se nuk e sekuestrojmë dot se shkojmë në arbitrazh. A është ky prokurori apo avokati i krimeve të Edi Ramës? Gjykojeni vetë.

Më vonë, me porosi familjare të Edi Ramës, shkëput nga dosja e vjedhjes së shekullit fashikullin e Arben Ahmetajt, e heton vetë, e njofton pesë ditë para se të kërkohej në parlament arrestin. Në atë fashikull përmendej 13 herë emri i Erion Veliajt, e megjithatë në atë fashikull nuk hetohej procedura, sepse procedura ka firmën e zezë të Edi Ramës. Edi Rama është fajtori numër 1.

Çfarë ndodh me avokatin e krimit qeveritar, Altin Damani?

I them këto, jo për ju se ju i dini të gjitha, por për ata të cilët përsëri kërkojnë ta paraqesin si ndryshe. U them atyre se ky është pas Edi Ramës, njeriu më i korruptuar i Shqipërisë.

A e dini ju se në qindra faqe dosje të Bashkisë së Tiranës, emri i Erion Veliajt nuk përmendet njëherë të vetme? Sepse Altin Damani zbaton vetëm porositë e Edi Ramës, vetëm porositë e Edi Ramës.

Miqtë e mi!

Për të gjykuar vjedhjet, krimin, sot ai ka plasur për fushë. Shqiptarët e dinë mirë se Edi Rama qendron para të gjithë skandaleve të mëdha. Një nga skandalet më të mëdha në Shqipëri dhe Europë është skandali Amant Josifi-Olsi Rama.

A mund të thoni ju çfarë bëri Damani për të arrestuar Amant Josifin? Asgjë, asnjë urdhër arresti. Përkundrazi, e përcolli Olsi në Dubai. Dhe kur opozita ngriti zërin, denonconte Dumanër, Ramën me shokë, Dumani përgjigjej: Kemi probleme me Dumanin.

Ky avokat i krimeve të klanit më të rrezikshëm në Europë, klanit Rama.

Miqtë e mi!

Shqipëria sot është në diktaturën e drogës, krimit, vjedhjeve dhe kjo u realizua vetëm e vetëm nëpërmjet mekanizmit të shndërrimit të krimit në votë dhe votës në krim.

Një prokuror i ndershëm, i guximshëm, regjistroi në kohë elektorale dhe doli se Edi Rama, Damian Gjiknuri, Ulusi Manja, Vangjush Dako, Pjerin Ndreu, shefa policie, deputetë etj, vepronin së bashku si organizatë e shëmtuar kriminale kundër vullnetit të qytetarëve.

Blinin vota, terrorizonin me banda qytetarët.

Sa vite kanë dosjet 184 dhe 339? Çfarë bëri Dumani me Dumanët e tij? Asgjë, asgjë, bëri avokatin e krimit elektoral më të shëmtuar në Shqipëri.

Atëherë miqtë e mi, ç’përfaqëson Dumani? A përfaqëson ai krimin e Edi Ramës? A nuk është ai një protagonist i shëmtuar i krimit elektoral?

Një natë, unë ju thashë, ua shpjegova. Një oficer i guximshëm i Shërbimit Informativ Kombëtar, me bashkëpunëtorët e tij, regjistruan zyrtarë dhe qeveritarë në Kukës, teksa ndanin për qëllime elektorale 1 milionë euro.  Regjistruan zëra kriminelësh që kërkonin armë për të likuiduar kandidatin e opozitës. Dumani i krimit fle mbi këtë dosje dhe ka fytyrë të zotohet se ne jemi të paanshëm, se ne jemi të pavarur.

Pavarësia jote është varësi fund e krye ndaj krimit dhe ti do përgjigjesh gjithë jetën tënde për këto qëndrime.

Qytetarë dhe qytetare, të dashur miq!

Drejtësia e paanshme, drejtësia që garanton të drejtat civile të qytetarëve është themeli i shtetit ligjor, i rendit demokratik.

Por kur drejtësia ka përfunduar në duart e krimit, është emergjencë kombëtare të rivendosim drejtësinë e vërtetë, të shpëtojmë Shqipërinë nga kthetrat e kësaj bande të rrezikshme për Shqipërinë, të rrezikshme për rajonin, të rrezikshme për aleatët tanë.

Rrofshi ju! Rruga e shpresës është rruga e fitores.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale