FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATIT NË VAUN E DEJËS, ZEF HILA
Të dashur banorë të bashkisë së Vaut të Dejës, vëllezër dhe motra, zonja e zotërinj!
Përshëndetjet më të përzemërta për ju sot në këtë sallë, dhe banorëve të kësaj bashkie, kudo që ndodhen në territorin e saj, Shkodër, Shqipëri, emigracion e kudo që janë.
I dashur z. Zef Hila, deputeti i kësaj zone dhe kandidati për qytetar të parë të bashkisë së Vaut të Dejës, kryetari i ardhshëm i kësaj bashkie, i zgjedhur me votën tuaj.
I dashur kryetar Ndreca, z. Ludovik, deputeti ynë. Të dashur miq, të pranishëm në këtë takim, mirënjohje të pakufishme për këtë pritje të zjarrtë.
Unë kam një nder të veçantë, kënaqësi të madhe të vij sot për të paraqitur para jush për kryetar të bashkisë së Vaut të Dejës, qytetar të parë të kësaj bashkie, njërin nga qeveritarët lokalë më të aftë, më të shkëlqyer që ka patur dhe ka PD. Njërin nga deputetët e saj më aktivë, avokat i juaj, i interesave tuaja në parlament, i palodhur dhe i pamposhtur.
Unë kam dekada bashkëpunimi me Zef Hilën dhe ajo ç’ka mund t’ju them ju, ka qenë dhe është gjithnjë një drejtues, udhëheqës, menaxher, i suksesit, eficent. Mbi të gjitha Zef Hila është njeriu që ju do ju, njeriu që zemra, shpirti i rreh për ju. Njeri që e ndjen veten njërin prej jush dhe të detyruar pafundësisht ndaj jush.
Në këtë kontekst dorëzimi që ai i bën mandatit të deputetit për të ardhur, qendruar dhe bashkëpunuar me ju, çdo ditë, çdo javë për të rikthyer bashkinë e Vaut të Dejës në shtëpinë tuaj të parë është një akt të cilin kam bindje, se çdo njëri prej jush dhe banorët e kësaj bashkie e vlerësojnë dhe meriton vlerësim të madh.
Të nderuar banorë të Bashkisë së Vaut të Dejës!
Shqipëria sot përjeton krizën e saj më të thellë dhe përjeton rrokullisjen e saj më të madhe. Qytetarët shqiptarë sot përballen çdo ditë me varfëri në rritje, me pasiguri në rritje, me zhgënjim dhe dëshpërim. Kjo është e vërtetë në mbarë Shqipërinë, por është dy herë e vërtetë në zonat e veriut, të cilat ua them unë ju këtu, Edi Rama sapo mori pushtetin i shpalli ato me rreth të kuq, zona armiqësore, njëlloj siç i shpalli ato në 1944-45, Enver Hoxha dhe klika e tij.
Nëse ju merrni investimet që kjo qeveri ka sjellë në qarkun e Shkodër, në bashkinë e Vaut të Dejës, në Pukë janë absolutisht as 3% e të gjitha investimeve që ka dërguar të zemë, në dy bashki socialiste, as 3 % të tyre. Pak ditë më parë unë pashë banorët e Dukagjinit, duke protestuar me të drejtë për rrugën. Në vitin 2013, qeveria ka lënë të gatshme, në ndërtim e sipër rrugën Hani i Hotit-Vermosh që kishte shkuar deri në Tamarë, rrugën Shkodër-Dukagjin e cila kishte shkuar deri në Prekal, rrugën Bogë-Theth që kishte shkuar përtej Bogës dhe po shkonte për në Thethit.
Ndërtoi urën këtu. E vërteta është mjaft e kushtueshme, mbi 6 mln euro, rikonstruksionin e rrugës Vau Dejës-Koman. Ku janë? Dy të parat janë drejt fundit, e Prekalit asnjë kilometër nuk është shtruar më tej. Dhe kanë pafytyrësi të pretendojnë se ky qenka defekt i bashkisë. Në një kohë kur bashkia, nuk ka, sepse është një aks kombëtar dhe bashkia nuk ka asnjë tagër për atë rrugë, lamë gati projektin dhe fondin. Po u nis një rrugë, financimi i saj garantohet para se të nisë ndërtimi.
Çfarë ndodhi me rrugën tjetër? E filluan rrugën Vau i Dejës-Koman. Kur një ditë deputeti e ngriti ndërprerjen e punimeve, si iu përgjigj ministrja në parlament? Ajo tha: ‘Nuk është rrugë turistike, nuk ka punë me turizmin’. Sikur ajo të ishte nga Zululandi mund të fliste në këtë mënyrë, por gjë më të turpshme të thuash ti, që rruga që lidh Vaun e Dejës që kalon buzë liqenit dhe e lidh me Komanin, liqeni i të cilit përbën absolutisht fjordin më të mrekullueshëm në Europë dhe të pretendosh se ajo nuk është një zonë turistike, të pretendosh se Alpet nuk paskan potencial turistik, ti ke një urrejtje të verbër ndaj asaj zone dhe vendi dhe turpëron çdo njeri që dëgjon.
I dhashë këto shembuj për të thënë se Edi Rama është një diskriminues i veriut. Ka krijuar disa grupe të cilat iu vjedhin si shushunja, ditën dhe natën. 120 familje socialistë dhe kryesocialistësh futen në kundërshtim me çdo ligj, futi në ndihmë kryetari socialist vetëm e vetëm për të blerë vota.
Shkoni në Pukë tek kryetari, se si investimet për banesat sociale, i kishin marrë të gjithë funksionarë të PS. Një pjesë e tyre banonin në Tiranë, i kishin ndërtuar si tip vilash me 3 kate dhe i jepnin si hotele në Pukë. Po sigurisht që i ndajnë paret me Gjonin ata. Zef, këta që marrin jashtë çdo merite ndihmën sociale i ndajnë paret me kryetaren e qarkut. Nëse ti firmos në shkelje të ligjit, për paratë tuaja dhe e shef të qartë se po vidhen, ti do pjesën tënde se ndryshe kurrë nuk mund të firmosësh.
Ndaj dhe po vjen 14 maji.
14 maji është një ditë e një rëndësie të jashtëzakonshme. Këto zgjedhje janë më të rëndësishmet që nga viti 1992. Në këto zgjedhje vendoset fati i demokracisë.
Do pranojmë ne monizmin e Edi Ramës, pushtetin e tij absolut nga këshilltarët deri tek kryeministri, presidenti, gjykatat, policia apo të tjerë me radhë, apo si njerëz të besimit tek pluralizmit, demokracia, çfarë do që të jemi, demokratë, socialistë, pa parti do votojmë për pluralizmin, për demokracinë. Nuk do të harrojmë kurrë se kombet kanë patur në histori fatkeqësitë më të mëdha nga monizmat, ideologjike, doktrinarë, marksistë-lelinistë, nga monizmat teokratike, si ky që bazohet në krimin drogën dhe vjedhjen e qytetarëve.
Në këtë kontekst unë përshëndes bashkimin e demokratëve në Vaun e Dejës dhe u bëj thirrje gjithë qytetarëve të bashkohemi, se pluralizmi nuk është vetëm për demokratët, por për çdo shqiptar që i thotë dinjitetit të njeriut, dinjitet, që beson se liria krijon mundësi më të mëdha për njeriun. Që beson se Shqipëria vetëm si vend i lirë mund të zhvillohet.
Zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhje për çdo shqiptar për t’i thënë stop vjedhjes monstruoze të qytetarëve shqiptarë nga kjo qeveri.
Të dashur miq!
Kjo që them nuk është propagandë. Kjo është e vërtetë në dokumente të sotme. Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka gjetur se në 9 muaj e parë të vitit 2022 janë vjedhur dhe shpërdoruar nga qeveritarët, zyrtarët 122 miliardë lekë. Fondi i pagave në vit në të gjithë Shqipërinë arrin në 97 miliardë lekë. Nëse kjo qeveri nuk do të vidhte, nuk do të vidhte 122 miliardë lekë, atëherë çdo rrogëtar shteti dhe i ndërmarrjeve publike, do të mund të merrte një rrogë 130 % më të lartë. Po pse nuk e merr? Sepse fondet, vidhen dhe vetëm vidhen.
Sepse ato nuk shkojnë në rritje rrogash, pensionesh, por shkojnë në punë publike në të cilat dokumentet faktojnë se vjedhin gjer në 90% të shumës. Shkojnë në investime publike duke ndërtuar rrugë me 22 mln euro në fushë, në një kohë kur në të gjithë Europën, ajo ndërtohet kurrë më shumë se 2-3 mln euro.
Shkojnë duke ndërtuar rrugë anësore Lekaj-Fier me 7.1 mln kilometrin, në një kohë kur autostrada Shkëmbi i Kavajës-Fier është ndërtuar me 1.5-1.8 mln euro.
Shkojnë duke ndërtuar shkolla me 6 mln euro në Tiranë, në një kohë kur shkolla në manuale ndërtimi në Europë dhe SHBA, kushton 680-700 mijë euro maksimumi. Shkojnë pra të gjitha duke vjedhur qeveritarët në çdo tender.
Po t’i lexoni çfarë ndodh? Të gjitha tenderat jepen me fondin limit 98-99 %. Po ju tregoj një shembull.
Në vitin 2007 kur instaluam sistemin digjital të prokurimeve numri i pjesëmarrësve në 1 vit në prokurime u rrit nga 8300 në 56 mijë.
Gara e hapur uli çmimin me 25-30% në totalin e vitit, dhe tepronin para dhe ndërtonim të tjera. Kurrë nuk është ndërtuar rrugë me 5-7 apo 10 mln. Jo, asnjëherë. Është ndërtuar tuneli me 17-18 mln i Kalimashit, këto ndërtojnë rrugë në fushë me 22 mln euro. Është ndërtuar tuneli i Kërrabës me 14 mln. Këta kanë ndërtuar me 30 mln 7 km rrugë nga Iba në Farkë. Nuk ka parë toka hajdutë si këta. Nuk kanë të ndalur.
Ju jeni këtu, ngjitur me digat. Çfarë bëjnë këta, si kanë vjedhur tjetër këta? Falë asaj strategjie që shpallëm për ndërtimin e HEC-eve, njëri më të bukur, më të mirët, më ekologjikët është i ndërtuar ai i Ashtës këtu në zonë tuaj dhe falë kësaj strategjie sot HEC-et private prodhojnë 58% të prodhimit të përgjithshëm të energjisë në Shqipëri.
Sot dy vite rresht, ne prodhojmë nga 9 miliardë kilovat orë në vit. 7 miliardë kilovat orë janë nevojat tona. Si rregull ne duhet të eksportojmë në rajon 2 miliardë kilovat/orë. Çfarë bëjnë këta? Këta marrin digat verës, i zbrazin, ua shesin sekserëve të vet, kompani tregtare të njerëzve të tyre. Ua shesin me çmime qesharake, ua shesin me 30 euro, 40-45 euro.
Këta sekserët e tyre, këtë energji duke zbrazur digat e shesin në treg me 130-150-18 euro, sepse kaq kushton në bursë. Ku shkojnë para? Të gjitha ndahen mes tyre. Biznesit i rrisin energjinë ja çojnë në 220 lekë, qytetarët i kërcënojmë me 800 kilovat, elektricistët bëjnë namin duke vjedhur qytetarët. Faturojnë emigrantët që kanë vite që nuk janë në Shqipëri.
Si u vjedhin ndryshe? Vjedhin me çmime. Rroftë sebepi dhe krijoi bordet komuniste për të rritur çmimet. Rritje çmimesh kanë ndodhur kudo, por çfarë kanë bërë qeveritë e tjera. Qeveritë e tjera të gjitha paratë që janë mbledhur nga rritja e çmimeve, ua kanë kthyer qytetarëve.
Ai kryeministri i Kosovës, i ktheu çdo pensionisti 100 euro shtesë, çdo studenti 100 euro, çdo rrogëtari, 110 euro. Me rradhë e me rradhë, këto u mblodhën, por janë tuajat. Këto i kemi marrë nga xhepat tuaja, për shkak të rritjes së çmimeve këto janë paratë tuaja.
Ku i çoi ky paratë? Ky paratë i ndau me klientelën e tij, i çoi në rrugë sepse atje i vjedh pa marrë vesh kush.
Pra në 2013, në një arritje historike ne dolëm njerëzit me rrogat më të larta në rajon. Me pensionet më të larta në rajon. Njerëzit më të keqpaguar ishim ne diku, jo veç në Europë, por edhe në botë. Arritëm me mundin, djersën, përkushtimin të dalim në krye të vendeve të Rajonit. Sot ku jemi, jemi në fund. Jemi 30-40 % mbrapa Kosovës. Sot nga Shkodra shkojnë e punojnë në Mal të Zi, se ai kryeministri i Malit të Zi vjen këtu dhe thotë, unë thotë i rrita 200 euro rrogat. E ky me cinizëm, meqë ja tha në Tiranë dhe e mori si hosten, i tha atje: Atë urën bëjeni ju se keni rritur rrogat.
Po pse kjo? A ka fonde? Unë ju them ju me përgjegjësi absolute si ish-kryeministër, me fondet e këtyre 8 viteve, rrogat pa asnjë lloj vështirësie do ishin rritur të paktën 3 herë, pensionet të paktën 3 herë. Ato nuk rriten sepse vidhet, sepse hidhen para në punëra nga të cilat 90% futen në xhepa dhe punët nuk përfundojnë, ecin vite e dhjetëra vite. Ndaj dhe këto zgjedhje janë zgjedhjet për t’i dhënë fund kësaj vjedhje poshtëruese, varfëruese, shkatërruese për ekonominë tonë. Nuk duhet ta pranojmë ne një gjë të tillë. Nuk është problemi këtu vetëm vota për Zef Hilën, por është vota për ndryshimin e madh për çdo shqiptar. Nuk duhet të trajtojmë veten në këtë mënyrë.
Çfarë ndodh, si ka mundësi? Shtrojeni pyetjen ju, pse këta qeveritar sillen në këtë mënyrë ndaj jush. Pse ky kryeministër, i cili një njeri normal, një njeri me shpirt dhe zemër normal si të tjerët, nuk do të kishte kënaqësi më të madhe se sa rritjen e rrogave, pensioneve dhe të ardhurave për qytetarët e tij, se sa begatimin e tyre, se sa krijimin e mundësive që ata të kenë përmirësim të vazhdueshëm ekonomik. Si ka mundësi? Ka vetëm një mundësi ta dini ju.
Ai që të vjedh, ai të urren! Ai që ka moralin e hajnit dhe vjen të të vjedhë ty, ai për të justifikuar aktin e atij kriminal, thotë ky është i keqi, ky është hiçi, ky e meriton këtë, e meriton atë. Pra, kanë psikologjinë e hajnave kundër jush, kundër qytetarëve. Ndaj dhe çfarë bën ky? As që pyet se ekzistojnë qytetarët, se ekzistojnë njerëzit me halle, që nuk mjekohen dot, që numërojnë kafshatën, përkundrazi; fryn çdo ditë e më shumë kontot bankare.
Ka futur në xhep drejtësinë. Me vjedhjet që ka bërë me djegësat, janë qindra milionë. Janë të gjitha firmë e parë e tij, që të gjitha shkelmim i ligjeve të vendit. Vazhdon të vidhet, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ka bërë një fushë të depozitimit të mbetjeve këtu. Paguhet 16 euro për ton më kanë thënë. Në Tiranë 29 euro, se gjoja digjet dhe nuk digjet asnjë kilogram.
E ka shndërruar fushën e Sharrës bashkë me Erion Veliajn në një minierë floriri. 54 mln euro janë vjedhur gjer tani.
Në Vlorë kanë sjellë anijet gjeratorë. I kanë sjellë në një kohë kur ne prodhojmë 2 miliardë kilovat orë vit më shumë se nevoja. I kanë sjellë rrangallë të cilët prodhojnë me një kosto 3-4 herë më të lartë se në çmimin e bursës. Dhe qytetarët paguajnë çdo ditë. Ata nuk kanë prodhuar asnjë kilovat orë dhe qytetarët paguajnë çdo ditë 90 mijë dollarë dhe paguajnë brenda dy vitesh, 64 milionë dollarë gjoba për Belindën dhe tigrat e saj. Sepse Belinda ndan paratë, se Edi Rama ndan paratë njëlloj si i ndajnë këta që përmendi Zefi këtu me tendera.
Përveç kësaj, sot vendi është në një krizë tjetër. Edi Rama është i tmerruar dhe ai do përsëri të mbajë me çdo kusht monizmin. Ai kapet tek pengjet tek individë që i ka marrë peng dhe bën lojën më të shëmtuar. Lojë të tillë ua them unë këtu, nuk e bëri as diktatori i fundit komunist. Ai e dinte se humbja e pushtetit, mund t’i kushtonte vite burg, siç i kushtoi, sepse kishte firmosur, por ai nuk luajti me pluralizmin siç luajti Edi Rama, siç u përpoq Edi Rama të lejë jashtë zgjedhjeve PD-në.
Ja ku jemi ne me Zef Hilën , kandidatin e lirisë , i dalë nga vota e juaj dhe e mbështetësve të Partisë Demokratike. Kështu i kemi në gjithë Shqipërinë të vendosur të marrin pjesë dhe me 14 maj të firmosim fitoren, të firmosim një goditje dhe ta bëjmë të pashpresë monizimin e Edi Ramës dhe të firmosim fitoren e pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri.
Vota për 14 maj është një votë për sigurinë tonë, ky regjim mbështetet kryekëput te krimi. Në paguajmë një polici dy herë më numerike se në 2012-tën. Por ajo është e infiltruar nga krimi, raporti i shërbimit të inteligjencës tregonte se 127 komisarë ishin marrë me mbjellje droge. Edi Rama doli me parimin ‘t’i hanë kokën njëri –tjetrit.
Çfarë është kjo? Së pari ne jemi një vend pa dënim me vdekje dhe duhet të krenohemi që e kemi hequr me Kushtetutë dënimin me vdekje, dhe çfarë do thotë kjo? Shteti nuk ekzekuton, dilni dhe ekzekutoni ju të tjerët rrugëve, ky është makabritet. Por dhe më keq. Ju thotë kriminelëve ‘rendi është në duart tuaja, nuk kam punë me rendin’, se nëse thuhet ‘t’i hanë kokën njëri-tjetrit’, t’i jep licensa për të vrarë njëri-tjetrin.
Jep licensa për vrasës. Çfarë ndodhi parmbrëmë? Një nënë, një gjyshe, që punonte për të mbajtur mbesën e vet, që bënte dy punë dhe qytetarët e tjerë që pinin kafe u bënë objekt i breshërive të palidhur me asnjë lloj krimi, për fajin e vetëm, që Edi Rama autorizon vrasësit ‘hani kokën e njëri-tjetrit’ dhe ata arrijnë deri aty sa qëllojnë pa nishan pas asgjë, nga jashtë me breshëri dhe mund të kishim gjashtë të vdekur.
Kjo është politika e tij, kjo është lidhja e tij me krimin, ky është dorëzim para krimit. A e meritojnë shqiptarët këtë!? Kurrë nuk e meritojnë. Ndaj dhe ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, demokratë, socialistë dhe pa parti, me 14 maj të votojnë Zef Hilën, të votojnë ndryshimin. Ju bëj thirrje socialistëve, asnjë votë kandidatit, kryetarit tuaj, të cilin Edi Rama ja dha me koncesion Tom Doshit.
A keni dëgjuar ndonjëherë të jepet kryetari i partisë me koncesion? Kjo është e vërteta. Se Toma vjen dhe i sillet rrotull atij, vjen i shtron dreka dhe darka dhe i bën fushatë. Por ju jeni shumë më afër me Zef Hilën, jeni shumë më afër me demokratët, ju bashkojnë sakrificat dhe vuajtjet që po ju krijojnë këta hajdutë. Ndaj të bashkohemi me datë 14 maj dhe t’u japim atyre ndëshkimin e merituar.
Rroftë populli i Vaut të Dejës, rroftë Shqipëria!
Fitore, fitore, fitore!