Berisha: Skavica do të kushtojë 1 miliardë euro, porti i ri në Porto Romano do shkojë 800 milionë euro. Të gjitha do i paguajnë qytetarët shqiptarë!

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NGA TUBIMI NË “RRUGËN E SHPRESËS”

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalës së tij në ditën e 77-të të tubimit qytetar ka theksuar se Skavica do t’iu kushtojë shqiptarëve 1 miliardë euro. Berisha tha se, këto para janë aq sa duhet për të rritur 130 përqind rrogën shqiptarëve.

Kryetari i PD, Sali Berisha, në fjalën e tij në tubimin qytetar të organizuar tashmë në atë që quhet “Rruga e Shpresës”, tha se edhe tek porti i ri në Porto Romano që do t’iu kushtojë shqiptarëve të paktën 800 milionë euro. Porti i ri do të ndërtohet, pasi Edi Rama ka vendosur të shndërrojë portin e Durrësit në pronë të tij, të Olsit dhe të klaneve afër tij.

Berisha, tha se Edi Rama iu dha trafikantëve të tij 70 mijë hektarë publikë, që në 2013, qeveria e PD e la për pronarët. Në tubimin qytetar, Berisha u shpreh se në 2013 lamë 70 mijë hektarë tokë publike të përzgjedhur vetëm për të kompensuar pronarët, të cilët duhet të marrin me kthim ose kompensim pronën e tyre.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar deputetët e PS-së se nuk lejuan inspektimin e djegies së spitalit të ri. Berisha tha se, e fshehin, sepse ish-kunata e Ramës është drejtoreshë.

Berisha gjatë fjalës së mbajtur në tubimin qytetar, ka bërë thirrje për përballje me Edi Ramën, Dumanët dhe fundërrinat e tjera, që sipas tij, mendojnë se do të bëjnë parzmoren e krimit elektoral.

FJALA E PLOTË

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të zjarrta, më vëllazërore misionarëve të të vërtetës, shpresës, dinjitetit dhe lirisë.

Ju përshëndes përzemërsisht ju, përulem me mirënjohje të pakufishme para sakrificës suaj, qëndresës dhe vendosmërisë.

Falënderoj me mirënjohje oratorët, përfaqësuesit tuaj në parlamentin e lirisë, të cilët me të vërtetat që shpalosin dhe mbrojnë para jush dhe shqiptarëve, janë një frymëzim i vërtetë dhe kanë shndërruar këtë platformë në parlamentin e vërtetë të qytetarëve shqiptarë. Në tribunën e mbrojtjes së interesave më jetike të çdo qytetari, mbrojtjes së interesit kombëtar të shqiptarëve dhe të ardhmes sonë.

Miqtë e mi!

Çdo ditë situata përkeqësohet me veprimet e qeverisë, pasi çdo ditë miratohen akte madhore të tmerrshme të vjedhjes, varfërimit, përçmimit të qytetarëve shqiptarë.

Pak ditë më parë iu informova se Skavica, çmimi i saj, që do paguajnë qytetarët shqiptarë ka arritur nga 400 milionë në 1 miliardë euro. Dhe kjo është një gjobë e tmerrshme për çdo qytetar të këtij vendi.

1 miliardë euro të Skavicës janë të barabarta me rritjen të paktën 130 përqind të rrogave të shqiptarëve.

Sot, Edi Rama dërgon në parlament ligjin për të përfshirë në buxhetin e shtetit me 400 milionë euro dorë të parë, ndërtimin e portit në Porto Romano, pasi ka shndërruar në pronë të tij, të Olsit, të klaneve rreth tij dhe Alabarit, portin mijëravjeçar të shqiptarëve, Portin e Durrësit.

Pasi ka përvetësuar 1.4 milionë metër katrorë, me një vlerë reale 4 miliardë euro, pronë publike e qytetarëve shqiptarë, me të cilën me Alabarin e tij, do të ndërtojë 12 mijë apartamente dhe prona të tjera për t’u bërë supermiliarder, kurse qytetarëve u thith palcën, u thith gjakun me taksat dhe paratë e tyre.

Të dashur miq!

Vetëm fjala juaj, vetëm revolta juaj, vetëm mosbindja juaj civile janë shpëtimi i Shqipërisë. Të ngrihemi se kurrë nuk mund të qëndrojmë si njerëz të pashpresë, se kurrë nuk do i besojmë fatin tonë atyre që shkelmojnë mbi të. Të ngrihemi sa më parë në këtë betejë!

Mos harroni një gjë, demokrate dhe demokratë, shqiptare dhe shqiptarë, se të gjitha arritjet e 32 viteve i përkasin të shkuarës, kurse sot Shqipëria është para ekzistencës apo mosekzistencës së saj. Para shkatërrimit të saj. Para boshatisjes së saj.

Asnjë nga ato arritje nuk ka vlerë për shqiptarët në qoftë se nuk përmbysim diktaturën shkatërrimtare të Edi Ramës. Shqipëria kurrë nuk ka qenë pronë siç është sot, e një grupi kriminal në pushtet.

Urdhëroni ç’bëhet, hiqet porti mijëravjeçar, për të ndërtuar parajsën Edi Rama të veten dhe të Olsi Ramës. Porti i ri do shkojë të paktën 800 milionë euro, të gjitha do i paguajnë qytetarët shqiptarë. Skavica do kushtojë 1 miliardë euro, të gjitha do i paguajnë qytetarët shqiptarë. Dhe ata nuk do kenë mundësi kurrë të ndryshojnë me votën e tyre pushtetin, në qoftë se nuk përmbysin Edi Ramën dhe nuk krijojnë qeverinë teknike.

Përulem para jush, shembull frymëzimi për shqiptarët jeni ju. Shembull i madh frymëzimi.

Ndaj dhe u bëj thirrje shqiptarëve të bashkohen në betejë, se Shqipëria nuk ka qenë kurrë në kthetrat e një klike grabitëse.

Miqtë e mi!

Në vitin 2013, lamë 70 mijë hektarë tokë publike të përzgjedhur vetëm për të kompensuar pronarët, të cilët duhet të marrin me kthim ose kompensim pronën e tyre. Dhe ky ishte një veprim i drejtë, i ndershëm. Ky ishte një detyrim që shteti ligjor u njeh qytetarëve.

Çfarë bëri Edi Rama? Të gjitha këto i shndërroi në prona të trafikantëve, të investitorëve të tij strategjikë. 6 milionë metër katrorë në të katër anët e vendit, në të cilat vetë është jashtë çdo dyshimi, aksioner kryesor.

Përndryshe nuk ka njeri të verbër, nuk ka njeri të pangopur, nuk ka njeri që mund të veprojë në këtë mënyrë, të falë 6 milionë metër katrorë troje publike për ndërtime me narko-euro, narko-trafikantë dhe banda kriminale.

Miqtë e mi!

Gjendja është emergjencë, Shqipëria po trajtohet si pronë e krimit. Sot deputetët kërkuan në komision të inspektojnë djegien e spitalit të ri. I sapondërtuar, u dogj dy herë. Deputetët socialistë votuan kundër sikur të ishte bazë e armëve më sekrete.

Turp, turp, turp!

Shikoni se si duan të mbijetojnë, të fshehin kudo krimet e tyre.

Po në qoftë se zjarri nuk kishte autor, pse e fshihni?

E fshihni se ju jeni zjarrvënësit e vërtetë. E fshihni se është ish-kunata e Ramës drejtoreshë. E fshihni se ministra është favoritja e tij. E fshihni sikur të ishte pasuri personale e juaj dhe jo pasuri e qytetarëve, pasuri publike.

Miqtë e mi!

Beteja pa kthim është jetike, vendimtare.

Mos harroni, çdo demokrate dhe demokrat, por çdo qytetare dhe qytetar i këtij vendi, që beson se qytetarët shqiptarë duhet të votojnë të lirë, se pushteti duhet të ndërrohet me votën e lirë, të mos harrojë se përveç hajdutëve të votës, përveç Edi Ramës dhe bandës së tij kriminale, ka edhe një bande tjetër, armike të egër të votës së lirë dhe kjo është banda e SKAP-it.

Banda që mbyll dosjet e krimit monstruoz elektoral, njëlloj siç mbyll dosjet e vjedhjeve të qindra e qindra milionë eurove nga qeveritarët.

Miqtë e mi!

Më thoni mua, a mundet që kriminelët e dosjeve elektorale të mos dënohen?

Ndaj dhe koha është të përballemi me Edi Ramën, të përballemi me Dumanët dhe fundërrinat e tjera që mendojnë se do të bëjnë parzmoren e krimit elektoral, të vjedhjeve të qeverisë.

Vetëm përballja jonë, vetëm beteja pa kthim është përgjigjja e shqiptarëve, është shpëtimi i Shqipërisë, është shpëtimi i të ardhmes tonë.

Fatin në duart tona, ne jemi zotër të fatit tonë, ne do fitojmë.

Edhe njëherë ju falënderoj dhe ftoj shqiptarët të bashkohemi se fitorja është me ne, se e ardhmja është me ne, se ne jemi të armatosur me të vërtetat e çdo individi, me të vërtetat e shoqërisë dhe kombit.

Jemi të pathyeshëm. Jemi fitimtarë. Jemi zotër të kësaj toke dhe ne do fitojmë.

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale