KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT-DENONCIMI I FARSËS ELEKTORALE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike paraqiti gjatë konferencës për shtyp, fakte të reja me pamje video për farsën elektorale të 11 majit. ‘Denoncimi i farsës elektorale kërkon që të bëhet publik mundësisht çdo fakt, çdo dokument i dhunimit. Me qindra kuti janë me një fletë votimi mangët, çka është dukuria absolute e karuzelit apo Trenit Bullgar. Edhe në tabelën e rezultateve del mangët fleta e votimit. Pra, në çdo qendër votimi, dokumentohen elementë të pakundërshtueshëm të farsës elektorale’, theksoi Berisha.
Lideri i opozitës, Sali Berisha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se, përmes Sokol Sadushit, po tenton të ndërhyjë dhe të uzurpojë edhe mandatin e fundit të mbetur në Gjykatën Kushtetuese, që sipas tij nuk është vënë ende nën kontrollin e mazhorancës. Berisha e cilëson veprimin si një “puç institucional” dhe një përpjekje të turpshme për të mbytur çdo mendim të pavarur brenda Gjykatës Kushtetuese, duke e krahasuar situatën me atë të një “narkoshteti”.
Në konferencën me gazetarët, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka marrë peng Presidentin Bajram Begaj përmes aferës së porteve të ushtrisë. Sipas tij, kjo është arsyeja pse Begaj nuk flet më publikisht. Berisha theksoi se Gjykata e Lartë nuk ka kompetencë për të ndërprerë mandate, ndërsa akuzoi Sokol Sadushin se vepron sipas urdhrave të Ramës. Ai shtoi se deklaratat e Presidencës dhe zëdhënëses së qeverisë dalin me vetëm një orë diferencë dhe vijnë nga i njëjti burim: kryeministri. “Ai nuk ekziston më si President, është i mbyllur nga frika e aferës së porteve”, tha Berisha.
Kryedemokrati Sali Berisha ka vijuar me denoncimin e farsës elektorale të 11 majit, si dhe ka theksuar se ‘nga KE rekomandohet ndarja e partisë nga shteti’. ‘Nga KE rekomandohet ndarja e partisë nga shteti. Pra zgjedhjet janë zhvilluar në kushtet e partisë shtet. Farsë’, u shpreh Berisha gjatë konferencës për gazetarët në selinë blu.
I pyetur nga gazetarët kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka komentuar edhe lajmin në lidhje me vendimin e Sekretarit të Shtetit Amerikan, Marco Rubio që u kërkon diplomatëve që të mos komentojnë zgjedhjet dhe demokracinë në vendet e tjera. Berisha tha se “Departamenti i Shtetit deklaroi se zgjedhjet nuk kanë qenë të lira. I pyetur, nga njëri prej gazetarëve më seriozë, i akredituar në Shtëpinë e Bardhë, Departamenti i Shtetit iu tha që zgjedhjet nuk kanë qenë të lira. Kaq është. Pra jo vetëm që nuk erdhi urimi, por u tha që zgjedhjet nuk kanë qenë të lira’, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët.
FJALA E PLOTE:
Tani vazhdojmë pjesën tjetër sepse mbrojtja, denoncimi i farsës elektorale kërkon që të bëhet publik mundësisht çdo fakt, çdo dokument i dhunimit.
Tani, urdhëro komisioneri me fletë votimi mbrapa, shikojeni…
Urdhëro çfarë bën me të.
Urdhëroni, del jashtë qendrës, jep fletën e votimit sepse duhet të realizojë Trenin Bullgar.
E nxjerr fletën e votimit, ia jep kryetarit, më pas e hedh përsëri në kutinë e votimit. Këta bëjnë ç’të duan me fletën e votimit.
Patronazhisti i shoqëron votuesit në dhomën e fshehtë dhe voton për ta. Ata futen formalisht, sikur të jenë manekinë.
Edhe këtu nxirret fleta e votimit jashtë për të krijuar karuzelin apo Trenin Bullgar.
Ja me fletë del ai. Tani kthehet prapë.
Me qindra kuti janë me një fletë votimi mangët, çka është dukuria absolute e karuzelit apo Trenit Bullgar.
Edhe në tabelën e rezultateve del mangët fleta e votimit.
Në Plangaricë, Elbasan.
Pra, në çdo qendër votimi, dokumentohen elementë të pakundërshtueshëm të farsës elektorale.
PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Andon Kello, AbcNews: Sot në dyert e SPAK keni folur për Gjykatën Kushtetuese. Sipas jush çfarë po ndodh me Kushtetuesen. Pyetja tjetër është se, është konstatuar përfundimi i mandatit të kryetares së Kushtetueses, dhe një tjetër anëtareje, ndërkohë që ajo gjykatë ka vetëm 8 anëtar. A duhet të largohen këto dy anëtare të Gjykatës Kushtetuese apo jo.
Sali Berisha: Konstatimi i militant Sadushit është nul, është antikushtetues, nuk ka asnjë vlerë. Fakti që ai ndërmerr një hap të tillë, ai përbën një puç kundër Gjykatës Kushtetuese, në fakt kundër shtetit.
Këtu gjithçka bëhet që të unifikohet, të shuhet përfundimisht një mendim që gjithnjë është pakicë aty, por që është në favor të Kushtetutës, dhe që nuk arrin të mposhtin, ta blejnë, ta intimidojnë zërin e saj, mendimin e saj.
Ajo që ndodh në Gjykatë pra është përpjekja e verbër e Edi Ramës që me Sokol Sadushin jashtë çdo lloj logjike të kapë … se këto Apelin e këto të tjerat i ka në grusht të gjitha, një vend që nuk e ka kapur dot falë një emërimi që ka bërë ish-presidenti Ilir Meta, e emëruar për afatin 9 vjeçar.
Pra është një komedi, e turpshme se si, një narkoshtet, se vetëm në narkoshtet mund të ndodhë kjo, mobilizon…
E keni parë ju, edhe pëllumbesha bën takime, stërtakime se si të grabisin një mandat që u ka ngelur pa grabitur në Gjykatën Kushtetuese.
Akt i shëmtuar. Që në momentin që merr në dorë në kundërshtim me Kushtetutën, çështjen Sokol Sadushi, aty ka marrë fund çdo gjë.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Ju denonconi Sokol Sadushin, kreu i Gjykatës së Lartë për rrëmbimin e mandateve në Gjykatën Kushtetuese, edhe dosja.al ka bërë disa shkrime për rrëmbimin e mandateve në Kushtetuese me aktorë kryesore Sokol Sadushin dhe presidentin Bajram Begaj. Ndërkohë progres raporti i BE-së, lidhur me Gjykatën Kushtetuese thotë hapur se, veprimet e kryetarit të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi krijuan pasiguri në Gjykatën Kushtetuese. Unë dua të ju pyes ju, a keni pasur kontakte me përfaqësues të BE-së lidhur me këtë çështje dhe cila do të jetë qasja e opozitës për të mbrojtur të mandateve në Kushtetuese, një problem dhe një përplasje e nisur me Sadushin si drejtues i KED-së.
Sali Berisha: Së pari, unë përshëndes raportin e Komisionit Europian, i cili thotë një të vërtetë. Angazhimi i Sadushit është antikushtetues, është partiak dhe është bërë me urdhër të Edi Ramës.
Asnjë tagër nuk ka Sokol Sadushi të ndërhyjë në çështjen e mandateve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Haptas ai u përdor si mercenar që është nga Edi Rama vetëm e vetëm për të uzurpuar një vend të vetëm sepse ai vend ka qenë zë pakice, nuk ka bllokuar dot asnjë vendim, por prapë është një zë që shkruan aty mendimin e vet. Kaq është puna.
Por ata nuk e duan ashtu. E duan si atë tjetrin që ia nxjerrin filmin, ma çojnë edhe mua për ta publikuar, por unë e kam bërë deklaratën time. Ua shpërndajnë edhe medieve që ta marrin peng dhe të mos guxojë të ngrejë kokën 9 vite.
Ashtu e duan ata aty.
Isa Myzyraj, OraNews: Ju thoni se Sokol Sadushi nuk ka asnjë tagër mbi Gjykatën Kushtetuese. Në fakt Gjykata e Lartë është organ emërtese i 3 anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe konstatimin e mbarimit të mandatit të Holta Zaçaj e ka konstatuar dhe vetë Gjykata Kushtetuese nga mbledhja e gjyqtarëve …
Sali Berisha: Gjykata e Lartë nuk ka asnjë tagër. Po, është e vërtetë ajo që i njihet e drejta e propozimit, por jo e mbarimit të mandateve.
Ky është problemi!
Sokol Sadushi është përdorur. Ka përdorur vendin që ka në Gjykatën e Lartë për të bërë gjithçka që të ndërpritet mandatin i gjykatëses apo gjykatësve që nuk pëlqehen nga Edi Rama.
Këtu është gjithçka.
Isa Myzyraj, OraNews: A mendoni ju që institucionet, përfshirë institucioni i Presidentit të Republikës janë duke u për të hequr në mënyrë të padrejtë anëtaren e Gjykatës Kushtetuese, Sonila Bejtja për shkak të qëndrimeve që ka mbajtur ajo ndër vite si anëtare e Kushtetuese.
Sali Berisha: Po si mund të flasësh? Po çfarë ke parë individuale ose qoftë dhe një mikronë të ndryshme nga Bajrami nga Edi Rama?
Janë një ata. A e ke marrë vesh? Mjafton të lexosh komunikatat që lëshojnë, me një diferencë një orë nga njëra-tjetra, Pëllumbesha dhe Bajrami, që i marrin të dyja nga Fuga, nga Rama. Por ata harrojnë se bëjnë skandal.
Nuk ka aty, ku ekziston ai. Ai ekziston në letër.
Ai ka humbur që e ka marrë peng me aferën e tmerrshme të porteve të ushtrisë, goja e tij nuk çelet më.
Nuk çelet më. Nuk ka këtu.
Kjo është ajo që mund të them.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Dje kryetari i Bashkisë Kavajë Fisnik Qosja ka deklaruar se, përveç fazës së denoncimeve duhet të ketë edhe një analizë të plotë të PD-së dhe një organizim të plotë të saj, pasi sipas tij kjo nuk shkohet më tej dhe nuk mundet kryeministri. Nga ana tjetër ka kritikuar dhe pjesën e primareve dhe listave, duke i quajtur se ata që u hoqën nga listat e deputetëve, janë disa gabime që sollën dhe humbjen. Si i komentoni.
Sali Berisha: Partia Demokratike është Parti Demokratike e hapur, transparente, e gatshme të analizojë të gjithë veprimtarinë e saj në dritën e të vërtetës.
Por në këtë periudhë siç e kam shprehur, PD po paraqet të vërteta të mëdha të farsës elektorale. Dhe po paraqet me dokumente zyrtare, po paraqet me dokumente të pakundërshtueshme, por të gjitha këto nuk mund dhe nuk do të pengojnë PD-në të bëjë analizën më të plotë të këtij procesi në raport me strukturat e veta dhe funksionin e saj.
Mos harro vetëm një gjë.
Këmbanat po bien për farsën elektorale.
Kaloi se nuk ke faj, se këtu bëhet një censurë e tmerrshme.
Në Këshillin e Europës, raporti i delegacionit që vëzhgoi zgjedhjet, ka si rekomandim kryesor, ndarjen e partisë nga shteti, kaq.
Kur ky rekomandim bëhet për të gjithë ata që kanë alfën e kulturës ligjore elektorale do të thotë se, aty nuk ka patur zgjedhje, por farsë elektorale.
Mjafton ky rekomandim; të ndahet partia nga shteti. Pra zgjedhjet do të thotë se, janë zhvilluar në kushtet e partisë shtet. Farsë.
Anesti Bajramemaj, A2CNN: Ditën e premte është publikuar një urdhër i ri i Sekretarit të Shtetit Marco Rubio, i cili u thotë diplomatëve në të gjithë botën të mos kenë më komente për integritetin e zgjedhjeve dhe drejtësisë së vendeve të tjera. Si e komentoni këtë urdhër?
Sali Berisha: Politikat zyrtare të administratës së SHBA, bazuar në parimin ‘America first’ janë tashmë të qarta.
Por për një vend anëtar të NATO-s, që zhvillon farsë elektorale dhe që nuk merr dot- se po ta lexosh të plotë atë udhëzim, thotë që sekretari Rubio uroi presidentin e këtij vendi për fitoren, uroi kryeministrin e një vendi tjetër për fitoren, po Edi Ramës nuk ka kush t’i shkruajë.
Nuk mori asnjë urim.
Unë e kuptova se mjafton të lexosh mediat e tij se si u gëzuan nga deklarata. U gëzuan, u hodhën përpjetë me kryeartikuj, mirëpo harruan se me atë më ndihmuan mua se ata provuan se farsa ka ndodhur por nuk do na thotë kush gjë.
Jo, nuk është e vërtetë.
I pyetur, nga njëri prej gazetarëve më seriozë, i akredituar në Shtëpinë e Bardhë, Departamenti i Shtetit iu tha që zgjedhjet nuk kanë qenë të lira. Kaq është.
Pra jo vetëm që nuk erdhi urimi, por u tha që zgjedhjet nuk kanë qenë të lira.
Kështu që ky është komenti im.

