DEKLARATË PËR MEDIA KRYETARI I PD, SALI BERISHA
ESKTRAKT
Kryetari i Partisë Demkoratike, Prof. Dr. Sali Berisha e cilësoi sistemin shëndetësor në Shqipëri katastrofik dhe të ngjashëm me vendet e botës së tretë. Berisha u shpreh për gjatë deklaratës së tij për media se shqiptarët paguajnë taksa të larta për shëndetësinë, ndërkohë që premtonte shëndetësi falas. Vdekshmëria nga sëmundjet e zemrës dhe malinje është shumë më e lartë se në BE, dhe vdekshmëria foshnjore është shumë më e lartë se në vendet fqinje. Spitalet, përfshirë Spitalin Onkologjik, kanë mungesë ilaçesh dhe aparaturash. Buxheti për shëndetësinë është shumë i ulët dhe nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar nevojat e qytetarëve, tha ndër të tjera lideri i Opozitës.
Berisha deklaroi se PD do të dyfishojë buxhetin për shëndetësinë dhe do të rrisë rrogat e mjekëve dhe infermierëve për të parandaluar ikjen e tyre nga Shqipëria. Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi se do të garantohet furnizimi me ilaçe të cilësisë së BE-së dhe do të ndalohen medikamentet që nuk përdoren në dy vende të BE-së. PD do të ndërmarrë hapa për të rritur numrin e mjekëve, do të ndërtojë spitale të reja dhe do të krijojë një fakultet të dytë mjekësie. Po ashtu, Berisha foli për reforma në marrëdhëniet midis sektorit publik dhe privat, dixhitalizimin e sistemit shëndetësor dhe uljen e barrës financiare që qytetarët paguajnë për kujdesin shëndetësor, që aktualisht është shumë më e lartë se në vendet e tjera të BE-së. Ai premtoi anulimin e partneriteteve korruptive dhe luftën kundër korrupsionit në sektorin shëndetësor.
Ndër të tjera, Berisha tha se kontrata me Chris LaCivita do të bëhet publike, siç e kërkon ligji, dhe se ai nuk është si Edi Rama, i cili, mashtron dhe flet me vete. Lideri demorkat, Sali Berisha theksoi se do t’i përgjigjet çdo pyetjeje dhe do të respektojë detyrimin ligjor për të publikuar kontratën në KQZ, duke siguruar transparencë për burimet e financimit.
Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministri Rama se ka mbrojtur Altin Dumanin për çdo krim dhe vjedhje që ka bërë, duke e quajtur atë një mburojë për korrupsionin e qeverisë. Ai theksoi se Dumani ka mbuluar veprime të paligjshme, duke përfshirë dyshimet për vjedhje të mëdha, dhe ka ndihmuar që Edi Rama dhe Erion Veliaj të shmangin përgjegjësinë për skandale dhe pastrim parash. Berisha kritikoi sistemin që, sipas tij, kontrollohet nga një individ që përcakton gjithçka, dhe akuzoi se Dumani mbron ata që janë përgjegjës për korrupsionin. Berisha përfundoi duke shtuar se Rama duhet të “fshijë këpucët” e Dumanit për mbrojtjen që i ka bërë.
DEKLARATA E PLOTË
Shqipëria në raport me shërbimin shëndetësor, që u garanton qytetarëve të saj, renditet me vendet e botës së tretë.
Renditet ndër vendet në të cilin qytetarët paguajnë gjobën më të madhe në Europë, por edhe një nga më të lartat në botë për kujdesin e tyre shëndetësor, ndërkohë që Edi Rama, i cili 12 vite më parë, erdhi në pushtet me premtimin solemn për shëndetësi falas, sot merret me çdo gjë tjetër, por jo me dështimin madhor me pasoja shumë të rënda, qindra mijëra jetë njerëzish në kujdesin shëndetësor.
Sot shqiptarët vdesin nga sëmundjet e zemrës dy herë më shumë se mesatarja e BE.
Të njëjtat shifra janë për sëmundjet malinje.
Vdekshmëria foshnjore në Shqipëri është tre herë më të lartë se në Mal të Zi dhe vendet përreth.
E vërteta është se Shqpëria përballet me një furnizim me ilaçe të cilësisë më të dobët dhe më të paefektshme, më të pavlerë.
Rikujtoj këtu se një ligj që u garantonte shqiptarëve ilaçe të një cilësie me vendet anëtare të BE, ligj sipas të cilit në Shqipëri nuk mund ët tregtohen ilaçe që nuk tregtoheshin së paku në dy vende të BE, pra të miratuara nga enti evropian i kontrollit të barnave, ky ligj u zhduk dhe u zëvendësua me ligjin Nushi-Doshi dhe sot shqiptarët blejnë në farmacitë e tyre ilaçe jashtë të gjitha standardeve.
Kompanitë e mëdha braktisën Shqipërinë.
Dëshmira tragjike kanë ardhur në mënyrë të vazhdueshme për gjendjen katastrofale në Spitalin e Onkologjisë.
Ky spital, në vend që të ishte një institucion shprese për të sëmurët që me heroizëm luftojmë forma të ndryshme të këtyre sëmundjeve, faktikisht është një strehë ku njerëzit nuk vdesin nga sëmundja, por nga mungesa e ilaçeve për kurimin e sëmundjeve.
Në këtë spital për tre vite janë lënë jashtë funksioni aparaturat jetike.
Në këtë spital, aparaturat e tjera jashtëzakonisht të rëndësishme janë lënë për vite jashtë funksionit.
Në këtë spital, siç është raportuar, të sëmurëve u jepen ilaçe që nuk janë të përshtatshme për sëmundjet që kanë. Ose e njëjta dozë ndahet në disa doza sepse ilaçet mungojnë masivisht.
Kjo gjendje nuk është vetëm në Spitalin Onkologjik. Për fat të keq, kjo gjendje është edhe në spitalet e tjera publike, ku një i sëmurë, i cili pëson një trombozë karotide në arterien që ushqen trurin, diagnozën mund ta bëjë në spital publik, por kurimin detyrohet ta bëjë në spital privat.
Është krijuar një marrëdhënie çnjerëzore në dëm të të sëmurëve midis sektorit publik dhe privat.
Ligjet janë miratuar në përputhje me interesa mafioze dhe në kundërshtim me interesat e shëndetit të qytetarëve.
Buxheti për shëndetësinë është 14 herë më i ulët se në Gjermani. Por Gjermania nuk është një vend me rroga 14 herë më të larta se Shqipëria.
Është një buxhet krejtësisht i pamjaftueshëm.
Është 2-3 herë më i ulët se në vendet përreth.
PD e konsideron emergjencë programin për kujdesin shëndetësor të shqiptarëve.
Në këtë kontekst, ajo në aktin e parë, në buxhetin e parë, do dyfishojë buxhetin për shëndetësinë.
Në programin e saj, PD do garantojë në mënyrë të padiskutueshme ilaçe të cilësisë që përdoren në vendet anëtare të BE, duke ndaluar me ligj futjen në Shqipëri të çdo medikamenti që nuk përdoret në dy vende të BE.
PD konstaton se sot, numri i shtretërve për frymë është dy herë më i ulët se në vendet e BE.
Numri i mjekëve për frymë po shkon katër herë më i ulët.
Në këtë kontekst, shtimi i mjekëve, hapja e një fakulteti të dytë mjekësie me qëllim për të kapur sa më shpejt standardin evropian në mjekë për frymë, rikonstruksioni apo ndërtimi i spitaleve të reja do jenë objektiva imediate të PD.
Por, sistemi shëndetësor, i cili nga të gjitha sistemet ka pësuar hemorragjinë më të madhe, nuk do mund të qëndrojë pa dyfishuar rrogat e mjekëve dhe infermierëve në Shqipëri si kusht themelor që në Shqipëri, mjekët të qëndrojnë.
Që në Shqipëri të ndalohet kjo rrokullisje e madhe e sistemit shëndetësor.
Ndaj dhe dyfishimi i rrogave do jetë objektivi i parë dhe kryesor në ndërhyrjen tonë për sistemin e shëndetësisë.
Raporte të reja ligjore do vendosen midis sektorit privat dhe sektorit publik.
Qeveria do ruajë marrëdhëniet vetëm me sektorin privat jopërfitues.
Ndërsa me sektorin tjetër, sigurisht që do lejojë aktivitetin e tyre, por nuk do mund të përfitojnë nga aktivitetet, prokurimet në sistemin shëndetësor.
Kartela dixhitale dhe dixhitalizimi i saj do jetë themel i reformës që ne ndërmarrim.
Shqipëria është vendi i vetëm ku nuk ekziston kartela dixhitale, por ekziston kartela njëlloj si në fillim të shekullit të njëzetë.
Çdo gjë ishte e përgatitur, u la vetëm zbatimi i saj. Gjithçka u rrokullis këto 12 vite dhe u kthyem mbrapa.
Pra, një reformë e thellë, e shpejtë dhe e gjithanshme në të cilën ka një synim dhe vetëm një synim, rritja e shpejtë e cilësisë së shërbimit shëndetësor për qytetarët shqiptarë dhe ulja drastike e barrës financiare të tyre në kujdesin shëndetësor.
Kjo barrë sot shkon në 60 përqind, në një kohë kur në Gjermani është 12 përqind, në Itali është 21 përqind. 60 përqind është ndër më të lartat në botë dhe e tëra është korrupsion.
Do anulohen menjëherë të gjitha partneritetet qeveritare në shëndetësi, fund e krye korruptive.
Do vihen para ligjit të gjithë ata që u pasuruan mbi jetët e të sëmurëve shqiptarë.
Unë jam optimist se me vendosmëri, me dyfishim të buxhetit, me përfundim të reformës, me zbatim të reformës, ne do e ndryshojmë, vërtet do realizojmë një shërbim shëndetësor me cilësorin që ka njohur Shqipëria në historinë e saj.
Faleminderit!
Andon Kello, Abc News: Z.Berisha, prej 6 javësh na keni premtuar vet se do e zbuloni kontratën e nënshkruar me konsulentin amerikan, Chris LaCivita. Pse nuk po e zbuloni ende kontratën me konsulentin?
Berisha: Unë, natyrisht nuk bëj Edi Ramën që flet me vete, që shpik edhe fansat dhe i bën pyetje vetes duke mashtruar publikun se mora këto pyetje, në një kohë kur ato pyetje i nxjerr nga defteret e veta.
Kështu që unë nuk kam si të mos i përgjigjem pyetjes tuaj, ndonëse do preferoja shumë që pyetjet tuaja të përqendroheshin tek problemet e mëdha të shëndetësisë tonë dhe programin që ne paraqesim këtu.
Sepse siç e konstatoni, në krahun tjetër, Edi Rama ka mashtruar aq shumë, sa më ngjet me njeriun që është stërngopur me mashtrimet e tij dhe tani nuk ka guxim të nxjerrë më mashtrime të tjera dhe tani nuk ka më guxim të nxjerrë mashtrime të tjera dhe nga mëngjesi gjer në darkë shndërrohet në një banor të parkut zoologjik të avertebrorëve, të zhabave, zhapikëve, reptilëve, etj, etj, dhe nuk flet një fjalë për përgjegjësitë që ka para qytetarëve qoftë në ato që ka bërë, qoftë për ato që do bëjë.
Po unë nuk jam ai. Unë do përgjigjem.
U garantoj se ajo kontratë, me të gjitha burimet se ku është marrë çdo qindarkë, do bëhet publike ditën që do përmbushet detyrimi ligjor i dorëzimit të saj në KQZ, siç na detyron ligji.
Kjo është përgjigja ime për këtë.
Marsi Korreshi, Syri Tv: Duke qenë se thatë pak më herët se Rama merr pyetje të para pregatitura në rubrikën e tij sy më sy, pyetja e qytetarit lidhet me akuzat e Opozitës dhe tuajat publikisht se, ai ka marrë de facto në dorëzim Bashkinë e Tiranës. Rama është përgjigjur se në fakt nuk është në krye të Bashkisë së Tiranës. A keni një përgjigje për këtë deklaratë? Dhe deklaratën tjetër, sipas tij për sulmet kafshërore që ju i keni bërë kreut të SPAK, Altin Dumani, duke e marrë në mbrojtje dhe duke shprehur solidaritetin për të.
Berisha: Lidhur me pjesën e parë të pyetjes, se kush qeveris bashkinë e Tiranës, kjo është e faktuar.
Është një zonjë që quhet Anuela Ristani, e cila u shkarkua nga kryetari në qeli i detyrës, se duhet të pranojmë se pavarësisht se është në qeli, ai është kryetar.
Dhe u shkarkua, u emërua një zonjë tjetër, e cila u thirr dhe u kërcënua nga Edi Rama në mënyrë më pak dinjitoze.
Jo vetëm u kërcënua ajo zonjë, por ajo u dëbua nga puna sepse Erion Veliaj e emëroi atë nënkryetare bashkie dhe i delegoi firmën si një njeriu që i besonte të kryente veprimet që duhej të kryente në vend të kryetarit.
Pra, këto akte janë publike, nuk janë të fshehta.
Është Edi Rama ai që ka ndërhyrë në mënyrë brutale në shkarkimet dhe emërimet në bashkinë e Tiranës.
Por, meqë jemi këtu dhe ligji e ndalon në mënyrë kategorike çdo akt dhe veprim të pushtetit qendror mbi pushtetin vendor. Ato, thotë ligji dhe Gjykata Kushtetuese, mund të bëhen vetëm nëpërmjet padive në gjykata.
Kryeministri, nëse ka një aprovim, nëse konstaton se qeveria vendore bëri një akt të paligjshëm, ai mund t’i adresohet gjykatës dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim ekzekutiv ndaj tij. Këto janë shumë të prera.
Tani, sigurisht rroftë e qoftë Altin Dumani thotë ai.
Po të mos qe Altin Dumani, para se të ishte Erion Veliaj në qeli, duhej të ishte për djegësin Edi Rama.
Po të mos qe Altin Dumani, njëlloj siç është McGOnigali në burg duke vuajtur për ryshfetin që ka marrë nga Edi Rama, duhet të ishte Edi Rama.
Po të mos ishte Altin Dumani, nuk do pastrohej Olsi Rama që mashtronte publikisht se ka udhëtuar vetëm një herë me makinën e bosëve të trafikut, në një kohë kur unë kam dokumente se ka udhëtuar pesë herë.
Po të mos ishte Altin Dumani, natyrisht Linda Rama, e regjistruar se ka ndërhyrë në tendera për kunatin e saj, Armand Fangu, duhej të ishte para drejtësisë.
E si të mos thotë ai, rroftë e qoftë Altin Dumani.
Natyrisht ka të drejtë.
Po të mos ishte Altin Dumani, Lubi Balluku do ishte 5 kate më thellë se Erion Veliaj. Se Erion Veliaj ka përdorur gjithsej 5-6 miliardë euro. Lubia 12 miliardë euro.
Dhe ku janë? Absolutisht qindarkë për qindarkë investimi i tyre me objektet që janë ndërtuar, kostoja e tyre nuk shkon më shumë se 1.3 miliardë euro. Të gjitha të tjerat janë vjedhur.
Po të mos ishte Altin Dumani, Edi Rama që shkon i paguan tjetri biletën 28 mijë euro në stadium, në kundërshtim flagrant me ligjet e Shqipërisë dhe konfliktin e interesit.
Dumani ia numëron Arben Ahmetajt 6 mijë eurot apo 4 mijë eurot apo sa janë të hoteleve që ia ka paguar dikush, po nuk ia numëron 29 mijë eurot për biletën në ndeshjen e basketbollit amerikan.
Po të mos ishte Altin Dumani, Edi Rama do ishte aty ku e meriton pasi siç kanë faktuar dokumentet, për pagesat që i janë bërë për çarterin, ka dhënë leje ndërtimi në konflikt të hapur interesi.
Ai duhet të bëjë nga mëngjesi gjer në darkë lavde, elozhe dhe t’i lëpihet Altin Dumanit aty pikërisht se Altin Dumani është bërë mburojë e këtyre vjedhjeve, e këtyre krimeve të paimagjinueshme, të gjitha të dokumentuara këto që thashë.
Po të mos ishte Altin Dumani, a mund të ndodhte që një vepër publike siç është djegësi i Tiranës 130 milionë euro, që nuk ekziston as nam as nishan, të mos u faturohet njerëzve kryesorë, por dy drejtorëve. Në një kohë kur pronarët kryesorë janë Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Po të mos ishte Altin Dumani, Edi Rama dhe Erion Veliaj do ishin të akuzuarit më kryesorë për djegësin e Tiranës.
Por Dumani akuzon njeriun që e refuzoi 5 herë, Arben Ahmetajn, dhe mbron Veliajn, jo për këtë, se ai e çoi me një dosje tjetër, por jo për vjedhjet më të mëdha.
Po të mos ishte Altin Dumani, 5D nuk u faturohej vetëm drejtorëve, por u faturohej Erion Veliajt dhe Edi Ramës.
Pra, po ta marrësh kështu, Shqipëria ka një sistem në të cilin një njeri përcakton çdo gjë.
T’u bëj një pyetje unë. Si u duket ju, marrin të burgosurin, e ndryjnë aty dhe pastaj shkojnë e publikojnë statusë në emër të tij.
Dhe ato statuse, sipas burimeve që duhen hetuar, janë të shkruara nga dora e Edi Ramës.
Ju jeni gazetarë dhe unë ftoj çdo gazetar të marrë statuset e pretenduara si të Erion Veliajt dhe të lexojë artikujt që Edi Rama publikonte nën emrin e gazetarit Blendi Mane. Ato janë të ngjashme si dy pika ujë.
Po të mos ishte Altin Dumani, krimi elektoral do ishte ndëshkuar.
Ai nuk ndëshkon dosjet se ato të çojnë te Edi Rama, të dokumentuara dhe të regjistruara në përputhje me procedurast ligjore të vendit. Qoftë dosja e Durrësit, qoftë dosja e Peshkopisë, që të dyja përfundojnë tek Edi Rama.
Atëherë me thuaj mua?
Ai, edhe këpucët duhet t’i fshijë Altin Dumanit.