Berisha: Shqiptarët presin me padurim 14 majin për të votuar fitoren, për të votuar ndryshimin

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ELEKTORAL NË POGRADEC

EKSTRAKT 

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka zhvilluar sot takimin elektoral në Pogradec për zgjedhjet e 14 majit, ku ka prezantuar kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ZihniTollozhina.

Në fjalën e tij Berisha u shpreh se Edi Ramës i intereson vetëm vjedhja e qytetarëve, ndërsa është ndalur tek rruga Qafë Plloçë- Qukës e cila nuk ka përfunduar edhe pas 12 viteve. Ai shtoi se Rama është i tmerruar nga rezultati i 14 majit, ndaj ministrat e qeverisë po bëjnë presione për të ndikuar tek qytetarët. “Kalon nga sheshi në shesh me një fjalor të padenjë për një njeri të civilizuar. Ky vend nuk ka njohur kurrë ndonjëherë një përfaqësim më të shëmtuar të një force politike si kësaj radhe Rilindja me Ramën’.

Sali Berisha ka paralajmëruar sot kohën kur pretendon të mbahen zgjedhjet parlamentare, ndërsa tha se kryeministrit Edi Rama duhet” t’i jepen duart” në shtator. “Siç është ajo shprehja ‘gusht e gunë’, në vjeshtë t’i japim duart Ramës. Edhe atëherë e ka gjatë në fakt”, tha Berisha.

FJALA E PLOTË

Të dashur demokrate e demokratë, qytetare e qytetarë, banorë të Pogradecit. 

Përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë, përulem me nderim të madh.

Ju vini sot këtu si qytetarët e fitores së merituar. 

I nderuar zoti Ilir Meta, kryetari i Partisë së Lirisë.

I dashur zoti Edmond Spaho, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, drejtues politik i fushatës në Pogradec. 

I dashur miku im, Arjan Starova, kryetar i Partisë Liberale. 

I dashur zoti Florjan Mima, anëtar i kryesisë së PD-së. 

I dashur zoti Genti Çela, kryetari i PD-së së Pogradecit. 

Dhe i nderuari ynë kryetari i ardhshëm i bashkisë së Pogradecit, Zihni Tollozhina.

Miqtë e mi! 

Është një kënaqësi e madhe dhe privilegj i vërtetë të sjell tek ju, mesazhin e fitores nga e gjithë Shqipëria. Kam udhëtuar këto ditë nga jugu në veriun e Shqipërisë dhe kudo kam takuar djem e vajza, burra e të rinj, idealistë, të cilët në një kohë të shkurtër vendosën epërsinë e madhe morale në këtë fushatë, vendosën epërsinë e fitores dhe presin me padurim 14 majin për të firmosur ndryshimin, për të firmosur rivendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri, për të firmosur rikthimin e qytetarit shqiptar në epiqendër të interesit të qeveritarëve vendorë.

Kudo qytetarët opozitarë janë në këmbë të sigurtë për fitoren. Përballë tyre janë hijet e natës të cilët qarkullojnë kryesisht natën që të shpërndajnë ndonjë para, të bëjnë ndonjë kërcënim. Njerëz që i përkasin botës që ikën dhe kjo është e vërteta.

Miqtë e mi! 

Sot shqiptarët shohin atë që quhet kryeministër që nuk meriton kurrë asnjë lloj detyre, përveç  se atje ku e ka vendin, të kalojë nga sheshi në shesh, nga takimi në takim me një fjalor të padenjë për një njeri të civilizuar. Me një fjalor të varfër në ekstrem, me 4 fjali, zorra qorre, zorra e hollë, je çun i mirë, por motër nuk kam, mos votoni se nuk u jap para. 

Kurrë ndonjëherë ky vend nuk ka njohur një përfaqësim më të shëmtuar të një force politike si kësaj radhe, rilindja me Edi Ramën. 

Nga ana tjetër kandidatët e tyre, pasi kanë vjedhur dhe rrjepur qytetarët, nuk pranojnë, refuzojnë në mënyrë kategorike ballafaqimin. Nuk pranojnë sepse po të dalin para jush, akti i parë u duhet të kthejnë xhepat njëherë, të tregojnë xhepat e tyre, por ata xhepat nuk i tregojnë se i kanë të mbushur, xhepat dhe kontot me paratë që u kanë vjedhur ju.

Së dyti duhet të tregojnë me çfarë rrethohen. Po sikur të dalë Ilir Deçolli këtu para Zihni Tollozhinës, në një kohë kur Ilir ka vjedhur të gjithë hajdutët në bashki dhe vjedhin bashkë me ta. Vjedhin dhe ndihmat gjermane për komunitetin e Pogradecit.

Si mund të dalë ai, kur merr shoferin dhe e emëron drejt ujësjellësi dhe drejtor të tenderave, si mund të dalë ai. Ndaj dhe ikën.

Demokrate e demokratë. Merrni portretin e tij stamposeni dhe vendoseni ‘Kërkohet’ në të 4 anët e Pogradecit. Kështu e meritojnë, këta nuk kanë përgjegjësi.

Po pse Edi Rama kalon nga sheshi në shesh me një fjalor banal, vulgar, pa projekte, pa premtime përveç se gënjeshtra, duke zeruar qytetarin dhe kërkesat, nevojat e tij. Sepse për të, qytetarët janë rëndësia e fundit, janë dora e dytë dhe e tretë. Ndaj dhe ai u flet në atë mënyrë qytetarëve.

Ai pikërisht se ka këtë koncept për qytetarët në 8 vite bëri gjithçka që ti varfërojë ata. Do më falni, por nuk ka një kryeministër tjetër në Europë, nuk ka kurrë që 10 vite të sundimit të tij, ti ketë varfëruar qytetarët e tij, si Edi Rama. 

Ngriu rrogat, ndërkohë që çmimet vraponin me galop, çmimet rriteshin në stratosferë dhe kur nuk u rritën, vuri dhe bordet që të rriteshin dhe më shumë dhe bëri që çdo shqiptar të ketë 1 rrogë më pak, seç kishte disa vite më parë. Çdo pensionistë të ketë 2 pensione më pak. Dhe bëri që të ndërtohet rruga, 24 mln euro në fushë. Bëri që rrugët të shkojnë në tërkuzë ndërtimi i tyre.

Ju jeni dëshmitarë, sa vite u desh për të mbyllur rrugën Buqezë-Pogradec. Akoma pas 12 vitesh nuk ka përfunduar rruga Qafë-Plloçë-Qukës. Përkudrazi siç e keni marrë vesh ju, në Trebinjë segmentet nuk puqen, që nuk ka ndodhur kurrë, veç se me këta hajdutë. Ndjekin kuota të ndryshme dhe atë avantazh që sillte rruga, atë shkurtim kohe, e zgjatën dhe zgjatën për të vjedhur vetë.

Për Edi Ramën qëllimet më madhorë të qeverisjes së tij janë, të vjedhë taksat e qytetarëve, të fluturojë me avion 137 herë me avion në dispozicion privat, me dhomë gjumi. Të shpenzojë 22 mln euro me avion. Po çfarë tregon. Ai tregon se as nuk e ndjen fare, se ka qytetarë në varfëri, në mjerim. Atij duhej ti ngelte kafshata, udhëtimi në fyt, po të mendonte për qytetarët dhe jo të shkonte në këtë mënyrë.  

Për atë, mjafton të thotë, në Shqipëri nuk vdes kush për buk. Nuk është kjo motoja e një qeveritari, nuk është vdekja për buk, por jetesa si njerëz, jetesa normale, kjo duhet të jetë objektivi kryesor i qeveritarëve. 

Largimi i shqiptarëve nga Shqipëria është projekti i tij më makabër. Ju garantoj se jo në 10-50, por në 500 vite nuk gjendet një sundimtar i këtij vendi, vendas apo i huaji që të ja ketë dalë të largojë në 9 vite 1 mln banorë, apo 35% të popullatës shqiptare.

Cila është përgjigja e tij për këtë largim masiv të shqiptarëve nga Shqipëria, cila është përgjigja e tij për këtë largim masiv të tërinjve tanë nga vendi ynë. Do marrë indianë, nga Bangladeshi. Por a ka qëndrim më cinik dhe më antishqiptar se ky. A ka dëshmi me flagrante të qëndrimit armiqësor ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. 

Nuk jemi racist, por detyra jonë më kryesorë është që të rinjtë tanë të ndërtojnë ëndërrën e tyre, në vendin e tyre. Të ndërtojnë vendin e tyre, siç kanë të bukur ëndërrën e tyre, por jo, jo, thotë ikni ju. 

Kudo që kaloj, gjej gjurmët e një regjimi që sillet si pushtues ndaj Shqipërisë. 

Isha dje në Sarandë dhe ju e dini, Saranda ka një nga parqet më mahnitëse mbi tokë. Butrinti 

është një mrekulli e jashtëzakonshme, edhe e civilizimit edhe natyrore. Çfarë bëri, Butrinti është kompleks, aq sa ka qytezën antike, po aq ka kepin e Stillos, biodiversitetin më të lartë në Europë, peizazhet dhe të gjitha.

Gjatë gjithë viteve në pushtet, fondacioni ‘Rotchild’ tregonte një kujdesje shumë të madhe që 

të mos i merrej parkut qoftë dhe një metër katror. Por çfarë ndodhi tani. Ndodhi copëtimi i parkut. Shkëputi qytezën nga pjesa më e ruajtur, zona më e mbrojtur dhe atë e mori për të ndërtuar hotele dhe pallate, Edi Rama. 

Të njëjtën gjë po bën me Drilonin. Driloni është një mrekulli natyrore. UNESCO e regjistroi si një park natyror, si një pasuri të njerëzimit. Po çfarë do ti bësh ti Drilonit mor, Drilonin Zoti e ka bërë, natyra një mrekulli të veten. Larg duart e zeza nga Driloni. Nuk ka nevojë Driloni për betone, që të mbushës ti me Ilir Deçollin xhepat. Nuk ka nevojë Driloni. 

Driloni ka nevojë të mos preket, të mos preket, të mos preket dhe të kalojë siç është mrekulli nga brezi në brez. 

Miqtë e mi! 

14 po troket, ka një epërsi të jashtëzakonshme morale populli opozitar. Edi Rama po dridhet, ministrat e tij hajdutë janë vërsulur të tërbuar nëpër rrethe me mashtrime, kërcënime, dhe presione. Por ne jemi të sigurtë në fitore. Rëndësi të jashtëzakoshme ka së pari, të bindni çdo qytetar të Pogradecit të dalë atë ditë në votime. Të votojnë ndryshimin. Rëndësi të jashtëzakonshme të ftojmë të gjithë qytetarët e Pogradecit, kudo që janë, në Pogradec, Shqipëri, jashtë vendit, në Europë, të vijnë të votojnë për ndryshimin, për shpëtimin e Pogradecit, për shpëtimin e Shqipërisë, për shpresën dhe një të ardhme tjetër. 

Të vijnë të votojnë sepse ndryshimi është jetik, ndryshimi është një projekt i madh i Zihni Tollozhinës dhe i të gjithë bashkiakëve të cilët në mbarë vendin kanë hartuar një projekt të qeverisjes vendore, transformuese. Një projekt të qeverisjes vendore, ku në epiqendër është qytetari. Një projekt të qeverisjes vendore, pasi kanë dëgjuar të gjithë problematikat. Një projekt të qeverisjes vendore,  me të cilën në radhë të parë çlirohen qytetarët nga taksat e tepërta të rënda, çlirohen bizneset nga tarifat e rënda. Do bëjmë transparencë për çdo qindarkë të parave tuaja. Japin llogari para jush. 

Por ky ndryshim është rivendosja e pluralizmit, çel dyert, siç thotë ajo fjala; gusht e gunë, ti japim duart Edi Ramës në vjeshtën që vjen. Edhe gjer atëherë e ka gjatë. 

Pogradeci, Shqipëria është në peshën e rëndë të një regjimi që qëndron si një pushtues i vërtetë, që të ardhurat i vjedh dhe i plaçkit, pasuritë publike i grabit për klientelën e vet. 

Dhe ka një rëndësi të jashtëzakonshme që në 14 maj të marrim pushtetin vendor.

Miqtë e mi! 

Nuk ka Shqipëria asnjë shkak që të braktiset nga qytetarët e saj, nuk ka një vend tjetër në rajon që të ketë pasuritë e saj përrallore. Nuk ka një vend tjetër në rajon që të ketë njerëzit më punëtorë dhe që e duan vendin e tyre, më shumë se shqiptarët. Ndaj dhe të bëjmë gjithçka.

I garantoj biznesmenët se rikthimi i PD-së dhe opozitës shqiptare në pushtet, do të thotë taksa të ulëta, shanse të barabarta, do të thotë energji me 6 lekë kilovati, aq sa e keni pasur.

E keni marrë me 6 lek në një kohë kur 1 vit e prodhonim atë që na duhej, por 1 vit tjetër kishte raste që importonim edhe 2 miliardë kilovat orë. Dhe megjithatë biznesi e merrte me 6 lek kilovatin. 

Sot falë një strategjie që u ndoq, për ndërtimin e HEC-eve ne prodhojmë 2 miliardë kilovat orë energji më shumë se nevojat dhe biznesi paguan 220 lekë kilovatin. A ka gjobë më të madhe se kjo, paguan se Edi Rama me atë zëvendësen e tij vjedhin në mënyrë të tmerrshme me energjinë. 

E shesin gjithë verën energjinë tek sekserët e tyre, ata e rishesin jashtë dhe marrin paratë për vete. Kjo merr fund. Por çlirimi i bizneseve nga barra e rëndë e energjisë është një çlirim i vërtetë. Është dyfishim i punësimit, është dyfishim i të ardhurave për ata, është dyfishim i të ardhurave për komunitetin prej tyre.

E njëjta gjë do të jetë me fermerët. Sot fermerët janë më të braktisurit në Ballkan dhe Europë. Më thoni ju mua, çfarë investimesh janë bërë në fshat këto vite. Çfarë subvencionesh merr fshati sot, 3 euro për hektarë. 400 euro merr në Kosovë për hektarë, 400 euro. 

Subvencionohet çdo prodhim, çdo kokë bagëti, çdo faturë shitje. Por kjo është në qoftëse se ti do të tregosh respekt për njerëzit e tokës, punëtorët e tokës, djersën lumë që derdhin  ata, por edhe të mirat e mëdha që krijojnë ata për veten e tyre dhe për shoqërinë.

Pra çdo fermer, kudo që ndodhet  duhet të vijë të votojë në datën 14, të votojë ndryshimin, të votojë për Zihni Tollozhinë dhe e garantoj se vota e tij do të shndërrohet në subvencione për ta. 

Duke përfunduar. 

Edhe njëherë, ju ftoj ju, ftoj të gjithë qytetarët e Pogradecit dhe Shqipërisë, me 14 maj të votojnë fitoren, të votojnë ndryshimin. 

Rroftë fitorja, rroftë ndryshimi. Ndryshimi në duart tuaja. 

Rroftë Pogradeci, rroftë Shqipëria! 

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale