Berisha: Shqiptarët nuk duhet të harrojnë se përpara me Edi Ramën, është përpara drejt varfërisë. 14 maji datë e madhe, votojmë të ardhmen tonë

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATIT NË ROSKOVEC, ERDIT HAZIZAJ

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë prezantimit të kandidatët Erdit Hazizaj të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në Roskovec, ka akuzuar kryebashkiaken aktuale si njeriun e rikandiduar nga paratë e drogës.

‘Ti me drogën, ajo me drogën. Se të ndjek ai, e ke parasysh ai nipi i burrit që e kishe edhe shofer yt, që shkoje dhe e nxirrje. Sigurisht, është droga që të rikandidon ty përsëri këtu sepse për shërbimet që i ke bërë Roskovecit duhet të kishe dhënë dorëheqjen të paktën 2 vite para. Ndaj dhe nuk vjen dot’, tha Berisha gjatë fjalës së tij.

Kryedemokrati Sali Berisha në fjalën e tij tha se të rinjtë shqiptar po largohen çdo ditë e më tepër nga vendi, për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike në të cilën qeveria ka futur Shqipërinë. Sipas tij arsyeja se përse vendi jonë është në këtë gjendje lidhet drejtpërdrejtë me qeverinë me vjedhjet që kryhen.

Nga Roskoveci, kryetar i PD-së Sali Beriha tha se vendi u ‘katandis kështu sepse Rama udhëton me avion që kushton 22 mln euro, sepse Majlinda Bufi shkon në Antalia me interesat e pensioneve, dhe sepse Belinda Balluku porosit biftekun 1 mijë euro’.

FJALA E PLOTË

Të dashur banorë, qytetare dhe qytetarë, banorë të Roskovecit, një përshëndetje të përzemërt për të gjithë ju këtu, banorët e Roskovecit kudo që janë sot dhe një lloj falënderimi të veçantë Majlinda Bufit që na nxori në shesh, se pallati nuk do të na nxinte, e jemi të gjithë bashkë.

I dashur zoti Luan Baçi, deputet dhe drejtues politik i shtabit të qarkut të Fierit.

I nderuar zoti Emels Xhaxhaj, kryetari i PD-së së Roskovecit.

I dashur zoti Erdit Hazizaj, kryetari ynë i ardhshëm i bashkisë së Roskovecit.

Të dashur kandidatë për qytetarë të parë të bashkisë së Fierit, Evdar Kodheli, zoti Resmi Shanaj, Mallakastrës, i dashur zoti Gjika kryetar i PD-së së Fierit.

Vëllezër dhe motra, zonja e zotërinj!

Ju përshëndes përzemërsisht dhe ju falënderoj për këtë pritje të zjarrtë. Shpreh kënaqësinë e madhe që kam, të paraqes para jush kandidatin për kryetar të ardhshëm të Bashkisë së Roskovecit, Erdit Hazizajn, një nga bijtë tuaj më të mirë, më të aftë, më të ndershëm, kandidat i cili së bashku me 60 kandidatët e tjerë të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ në mbarë vendin nuk janë më kandidatë të kryetarit të partisë, të kryesisë së partisë, por janë kandidatë të votës tuaj, të besimit tuaj, janë kandidatë të lirisë dhe kjo përbën një risi të një rëndësie të jashtëzakonshme me të cilën ne lamë mbrapa dhe shkëputemi nga një praktikë përfaqësimi dhe vendosim standardet më moderne të përfaqësimit të qytetarëve.

Vendosim dinjitetin e tyre, vullnetin e tyre në piedestalin që meriton.

Unë ju garantoj ju se Erdit Hazizaj, me përkushtim të madh, me ndershmëri, aftësi do të bëjë çdo gjë për të ndryshuar jetën tuaj, për të përmirësuar kushtet e jetës tuaj. Do të përdorë me transparencë të plotë para secilit prej jush, çdo qindarkë të taksave tuaja.

Do të bëjë gjithçka në përputhje me programin e partisë që i përket, për suksesin e femrave dhe të biznesit në këtë bashki. Ne jemi parti e taksave të ulëta, ndaj dhe me fitoren e tij, barra fiskale për të gjitha bizneset në këtë zonë, do të pësojë rënie shumë të madhe.

Ne jemi parti e besimit tek familja.

Ne besojmë se një familje e suksesshme, një familje e begatë, një familje e gëzueshme është kushti i të gjitha kushteve që shoqëria jonë të zhvillohet, të ecë e sigurtë drejt të ardhmes. Ju garantoj se në epiqendër të përpjekjes së Evdarit do të jenë familjet dhe fëmijët e Roskovecit. Do të jenë shkollat, kopshtet, shërbimet sa më të mira.

Miqtë e mi!

Ju e shifni se Edi Rama me ekipin e tij ka marrë lopatat për të mashtruar qytetarët. A e dini ju se pse paraqitet duke hapur ato gropa para jush.

Së pari ai e di se kandidatët e tij që kanë dalë nga bodrumet dhe shpellat e mafies, nuk mund të ballafaqohen kurrë me Erdiz Hazizajn. Megjithatë në qoftë se të ka mbetur minimumi i përgjegjësive para qytetarëve të Roskovecit, hajde në këtë shesh dhe bën debat me Erditin, shpjegojuani qytetarëve se çfarë do të bëni për 4 vitet që vijnë.

Por ti nuk vjen dot, sepse aq sa mund të dalë simotra jote në Tiranë, Olta Xhaçka, apo Ballukja, aq mund të dalësh ti të ballafaqohesh me rivalin tënd që vjen nga vota e lirë. Po dole ti në debat me Erditin, të dalin llogaritë bankare që merrje bashkë me një Avni Cjapin, pensionet e invalidëve i fusje në bankë, merrje fitimet dhe pastaj i lije ata pa pensione dhe ja mbathje për Antalja apo për pushime të tjera. Kurse hallexhinjtë i lije të numëronin kafshatat.

Nuk del dot, thashë edhe njëherë, je si motër siameze me Olta Xhaçkën. Ti me drogën, ajo me drogën. Se të ndjek ai, e ke parasysh ai nipi i burrit që e kishe edhe shofer yt, që shkoje dhe e nxirrje. Sigurisht, është droga që të rikandidon ty përsëri këtu sepse për shërbimet që i ke bërë Roskovecit duhet të kishe dhënë dorëheqjen të paktën 2 vite para. Ndaj dhe nuk vjen dot.

U ke prishur shtëpitë demokratëve, vetëm për hakmarrje. Ju garantoj se do të shkosh për ndjekje penal për çdo shtëpi të prishur për hakmarrje.

Nuk vjen dot për Erditin, se i preve Novruzit pensionin, dhe djali 14-vjeçar shkoi në parajsë duke peshkuar për të mbajtur familjen e tij.

Më mirë jep dorëheqjen, mos kandido se ke probleme serioze me qytetarët e Roskovecit. Këta janë të gjithë njëlloj. Ku ti kapësh njëlloj dalin, edhe ajo bën këshilltare, burri i saj bos kryesor i drogës, ajo e çonte drogën në Ministri të Jashtme me pasaportë diplomatike.

Miqtë e mi!

14 maji është një datë shumë e madhe. Është një datë në të cilën ne, vërtetë votojmë për qytetarët vendorë, por votojmë më shumë se kurrë për veten tonë, për të ardhmen tonë, votojmë më shumë se kurrë për të ardhmen e Roskovecit, të Fierit dhe mbarë Shqipërisë.

Ne jemi në këtë shesh sot në një moment kur vendi po shpërbëhet, në një moment kur Roskoveci tokë e të gjitha pasurive përrallore, vend i njerëzve punëtorë, vendi i burimeve të mëdha të naftës, i fermerëve të shkëlqyer, nuk begaton banorët e vet, nuk i prosperon ata, përkundrazi ata detyrohen të largohen, ata detyrohen të përcjellin fëmijët e vetë jashtë vendit.

Shkojnë dhe punojnë në vende të tjera. Pse kjo, çfarë ndodh. Unë ftoj çdo socialist, çdo demokrat, çdo paparti të shtrojnë pyetjen çfarë po ndodh me ne dhe nëse shpjegojnë, i japin përgjigje të drejtë, të ndershme këtyre pyetjeve atëherë jam i sigurtë se do të marrim vendimet më të drejta.

Pse po ikin fëmijët tanë. Fëmijët tanë po ikin sepse rrogat tona janë aq të ulëta sa nuk plotësojnë dot askërkund nevojat e tyre. Pse po ikin fëmijët tanë, fëmijët tanë po ikin se shkolla, dyert e universitete praktikisht janë pothuajse të mbyllura. Pse po ikin të rinjtë tanë, po ikin sepse edhe kur marrin diplomën nuk gjejnë punë dhe e kanë diplomën vetëm si biletë për të ikur nga Shqipëria.

Pse po ikin shqiptarët? Po ikin sepse pasuritë e tyre, nafta, pyjet, minierat, ujërat janë shndërruar në një mallkim për ta. Nafta kishte rentën, akti i parë që bëri Edi Rama hoqi rentën, por renta ishte e juaja, ishte e komuniteteve lokale. Në të gjithë botën, përveç se në sistemet koloniale, renta u takon komuniteteve lokale. E hoqi, sepse e blenë sipërmarrësit e naftës.

Pse po ikin, pse ka varfëri. Ka varfëri sepse u katandisëm me rrogat më të ulëta në rajon. Nuk kemi qenë të pasur ndonjëherë, por problemi është se në vitin 2013 ne kishim rrogat më të larta në rajon dhe ajo ishte shpresë, ishte ngjitje, kurse tani na vidhisi në fund të tjerëve dhe natyrisht nuk shohin dritë në tunel njerëzit.            

U kujtua të flasë për rrogat vetëm pasi e denoncova nga salla në sallë, nga mitingu në miting tiraninë e tij me varfërinë. E si foli? Nxori presidentin, ja rrita rrogën 4 milion e 600 mijë lekë. Po cili shqiptar e kishte problem rrogën e presidentit, more zotëri, me gjithë respektin po nuk ishte rroga e presidentit problemi i qytetarëve shqiptarë.

I rrita rrogat thotë, nxorri Admiralin, por cili ushtar kishte problem rrogën e Admiralit, sa merr e nuk merr Admirali. Gjysma e ushtarëve kanë dhënë dorëheqjen, i mbajnë me detyrim se kanë firmosur kontratat. Rrogat që marrin janë qesharake dhe tani tallet, kalon nga takimi në takim, do rris rrogat, mashtron, tallet me varfërinë e njerëzve.

Nuk mund të rritet rroga minimale kurrë në 900 euro brenda 1 viti, sepse po ta çosh 900 euro rrogën minimale, të paktën minimumi 90% e sipërmarrjeve falimentojnë menjëherë. Shet injorancë, shet pashpirtësi kudo që shkon, sikur njerëzit nuk dinë asgjë se çfarë ndodh në këtë botë. Ka hall të mashtrojë, të marrë ato vota dhe të vazhdojë siç ka vazhduar.

Ndaj dhe të bashkohemi, çfarë jemi, socialistë, demokratë, të paparti që të gjithë së bashku.

Nuk është çështja këtu vetëm për kryetarin e ri të bashkisë, është çështja për mesazhin e fuqishëm të ndryshimit të Shqipërisë. Ndryshimi është në duart tuaja, është në votën tuaj.

Po pse u katandisëm ne kështu? Sepse zotëria Edi Rama udhëton me avion, 22 mln euro shpenzime. Sepse Bufi shkon në Antalja me interesat e pensioneve të invalidëve. Sepse Balluku porosit biftekun 1 mijë euro. Këta ju urrejnë ju, ju përçmojnë ju. Për këta qytetarët janë inferiorë, janë qenie të dorës së dytë.

Sepse këta në çdo punë publike vjedhin 80-90% të çmimit. Ndërtojnë rrugë si kërkund në botë, në fushë 24 mln euro kilometrin. Ndërtojnë shkolla, 6 milionë euro.

A e morët ju vesh se çfarë ndodhi në Tiranë.

Na doli pylli 1 milionë pemë. Vjedhja e tyre ka kufi vetëm qiellin. Dhe në ato 1 milionë pemë, do të thotë të bësh një rresht me 3-4 radhë nga Buna në Kepin e Stillos, do të thotë një pyll 6 deri në 9 mijë hektarë. Po pse e shpall 1 milionë thoni ju. Jo, jo është 1 milionë vjedhje. Vjedh paratë e fidanëve, dhe prandaj thotë unë i mbolla. Po ku i mbolle? Çfarë ti thuash.

A mund ta imagjinoni ju. Duke ardhur këtu mu kujtua një rast. Një shofer taksie i thotë një miku tim. I thotë, si je, si të del hesapi, do iki thotë, do ik sepse në vitin 1993 bleva një traktor, solli qeveria 2 mijë traktorë. Sollëm në atë kohë traktorë të vegjël kultivatorë. I shitëm me 2 mijë dollarë. Tani i kërkojnë pas 30 vitesh, i kërkojnë të paguajnë, kur ato janë falur me dekret të presidenti të republikës, i kërkojnë të paguajnë kredinë dhe ja kanë shumëfishuar dhe thotë të ikë të fitoj para se nuk kam rrugë tjetër.

Pra shiko si ua nxijnë jetën, nuk lejnë gjë pa bërë për ti përzënë nga Shqipëria. Ndërkohë për vete Edi Rama blen 4 milionë euro vazo druri për në oborrin e kryeministrisë.

Ndërkohë Erion Veliaj blen pishën me 5600 euro, fidanin e pishës. Po ai fidan floriri të ishte nuk mund të shkonte aq. Por këta janë ato që janë.

Këta nuk kanë asnjë kufi në vjedhje.

Çfarë bënë më çmimet. Naftën, Shqipëria prodhon 1 milionë tonë naftë. Kosova prodhon zero litër naftë, Maqedonia zero litër naftë, ata e kanë naftën 30-40% më lirë se ne. Ne e kemi naftën më shtrenjtë, baras me Zyrihun, baras me suedezët, baras me gjermanët. Por ne rrogat i kemi 8 herë më të ulëta dhe kjo vetëm e vetëm për të mbushur arkën Edi Rama.

E njëjta gjë me çmimet. Këtu shitet qepa me 1600 lekë kilogrami, sepse prodhimin vendas e ka zhdukur dhe vjen import nga Kina. Këtu ushqimet janë absolutisht mbi mesataren e ushqimeve në BE.

Nga mos të ikin njerëzit atëherë.

Ndaj dhe thirrja; të votojmë ndryshimin, ndryshimi është në duart tuaja. Dhe ne do të fitojmë.

Ju bëj thirrje, garantoj, të gjithë fermerët e Roskovecit dhe Shqipërisë, se akti i parë i qeverisë së ardhshme do të jetë vendosja e subvencioneve për çdo sipërfaqe, për çdo prodhim, çdo shitje, për çdo përpunim, në mesataren e vendeve të Ballkanit.

Sot Shqipëria i ka 6 herë më të ulëta se Kosova. I ka 8 herë më të ulëta se mesatarja e Ballkanit.

Zotimi ynë është solemn, përgjysmimi i taksave për bizneset, sepse ne besojmë se para në kontot e biznesmenëve janë më të dobishme për shoqërinë se sa në arkën e qeverisë.

Zotimi ynë është energjia të rikthehet në çmimet që ka qenë. Të ju pyes unë ju, çfarë ndodhi gjatë këtyre viteve. Nga strategjia e ndjekur për ndërtimin e HEC-eve, në 2 vitet e fundit, nga HEC-et e reja të ndërtuara janë prodhuar 2 miliardë kilovat orë energji elektrike më shumë.

500 milionë euro ka importuar Rama-Balluku, energji me paratë tuaja e tëra për shkak të

vjedhjeve.

Çfarë bëjnë miqtë e mi. Digat që janë rezervat energjetike i zbrazin gjithë verën, shesin me çmime simbolike sekserëve të tyre në Shqipëri dhe ata e rishesin në bursë me çmime 5,6 herë më të larta, dhe ndajnë para. Pasi zbrazen digat, kthehen e blejnë energji me paratë tuaja. Por këta janë vjedhje monstruoze.

Ndaj dhe rrogat tuaja nuk rriten, ndaj dhe varfëria shtohet, ndaj dhe qytetarët largohen nga Shqipëria.

Kështu që në datën 14 maj, çdo shqiptar nuk duhet të harrojë se përpara me Edi Ramën, është

përpara drejt varfërisë, është përpara drejt plaçkitjes, është përpara drejt vjedhjes, është përpara drejt shkretimit të popullatës, është përpara drejt largimit të rinisë shqiptare nga Shqipëria.

Edi Rama duhet të marrë ndëshkimin që meriton për të gjithë këtë dramë, këtë krizë ekzistenciale që i shkaktoi Shqipërisë.

Ndryshimi është në duart tuaja, të votoni ndryshimin, bashkë fitojmë.

Rroftë Roskoveci, rroftë fitorja.

Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale