Berisha: Revolucionin sot do e fitojnë vetëm ata që i besojnë revolucionit të vitit 1990!

FJALA E KREUT TË PD-së, SALI BERISHA NË KONVENTËN E ‘GRUPIMIT DHJETOR ‘90’


Të dashur delegate e delegatë të ‘Grupimit Dhjetori ‘90’. 

Bislim, Belind Këlliçi, Besart, është një kënaqësi e jashtëzakonshme të shpreh nderimin tim, të përulem me nderimin më të thellë para jush, para mijëra bashkëmoshatarëve tuaj, studentë, që me një guxim epik dolët në rrugë, të udhëhequr nga një bashkëmoshatar i juaj, student, të udhëhequr nga AzemHajdari dhe u përballët dhëmbë për dhëmbë me diktaturën.

Protesta juaj në rrugët e Tiranës, kundër diktatorit dhe diktaturës, ishte një kulm i guximit njerëzor.

Diktatura e Ramiz Alisë, që ishte diktatura e Enver Hoxhës, ndonëse e lodhur, përsëri ekzekutonte moshatarët tuaj në kufi, ndonëse e lodhur, po përsëri i zvarriste kufomat e tyre në qytete për të mbjellë terror, për të mbjellë frikë.

Askush atë që bëtë ju, nuk mund ta bënte. Ishte guxim, ishte mençuri, ishte taktikë, ishte vendosmëri!

Nisët një revolucion demokratik, që përbën faqen më të ndritur të lëvizjes paqësore të shqiptarëve për liri, më të suksesshmen!

E nisët atë revolucion karshi një regjimi që mbante të shtypur për mbi 45 vite kombin e tij, në një diktaturë si asnjë tjetër në Europë dhe botë, në një kasaphanë të luftës së klasës, në një tirani të mjerimit, varfërisë dhe urisë, në një izolim të plotë dhe total. Në një indoktrimin ekstrem!

Nuk kishte pra kushte më të vështira, por forca juaj ishte mbinjerëzore, ishte e jashtëzakonshme.

Revolucioni triumfoi sepse ju patët mençurinë të besonit në forcën e lëvizjes paqësore. U provokuat me dhjetëra herë në mbarë Shqipërinë, se në fakt PD-në ju e themeluat. Shqiptarët ju lartësuan ju në zenit, u quajtën ju me të drejtë engjëjt e demokracisë, u quajtët ju me të drejtë, studentët liberatorë. Ju u shpërndatë në katër anët për të themeluar PD-në, pra ju i sollët Shqipërisë pluralizmin, e themeluar pluralizmin dhe kjo është e verteta.

Të gjitha këto, ju i realizuat në lëvizje paqësore. Edhe kur u vërsulën me plumba, me banda të Sigurimit kundër mitingjeve me antimitingjet e tyre, ju vazhduat programin tuaj, qëndruat.

Lëvizja juaj paqësore ishte një revolucion i jashtëzakonshëm.

Ndalem këtu për disa arsye, por dua të them se ai ishte një revolucion i jashtëzakonshëm. 

Para se ju të mendonit të rrëmbenit armët, ju vendosët vetëflijimin në një akt madhështor sa vetë historia. U ngujuat për të shpëtuar universitetin tuaj dhe shqiptarët nga kulti i satanit, nga kulti i Enver Hoxhës.

U ngujuat në një grevë me vendosmëri ekstreme dhe ia dolët që ti hiqni emrin universitetit, dhe ja dolët që Shqipëria të vërshojë drejt jush dhe të përmbysnit bustin e diktatorit.

Ky revolucion në rrugën e tij njohu rëniet dhe ngritjet, por ky revolucion nuk u lëkund kurrë nga parimet dhe idealet e tij, në atë periudhë ndaj dhe në mënyrë të pashmangshme, bëri të pashpresë dhe përmbysi me votën e lirë diktaturën staliniste.

Cilat ishin tiparet e revolucionit që ju bëtë dhe drejtuat? Ishin të ngjashme me revolucione të tjera të vendeve ish-komuniste, por edhe dallonin me shumë prej tyre.

Të gjitha ato ishin revolucione dhe janë që përmbysën klikat komuniste, por asnjë vend tjetër, asnjë rini tjetër, asnjë revolucion tjetër nuk operoi si ne në kushtet e një izolimi të plotë dhe total.

Disidencat kalonin nga njëri vend në tjetrin, lëvizjet ndiqnin njëra-tjetrën në vendet lindore, lëvizjet ndiqnin njëra tjetrën, marshimet e gjermano lindorëve kalonin nga Hungaria, Çekia, kurse në Shqipëri, pasi përcolli kryengritësit e 2 korrikut nëpër botë, Ramiz Alia arriti të rivendosë përsëri Perden e Hekurt.

Pra, ishte një revolucion në kushtet e një izolimi të plotë. Ky revolucion ishte revolucion për vokacionin perëndimor të kombit. Kombet e tjera, sado që në diktaturë nuk kishin njohur izolimin që njohën shqiptarët, nuk u shkëputën nga qytetërimi evropian, pati kufizime, por jo shkëputje. Kishte prej tyre që lëviznin pa viza nga këto diktatura komuniste, ose me një sistem fare liberal vizash. Kurse në Shqipëri, viza ishte tmerr dhe ferr.

Pra, në kushtet tona, ne ia dolëm të çajmë edhe këtë izolim. Ne ia dolëm me ato parime të ecim drejt të ardhmes. Flamujt që valëvitëm në 90-tën ishte flamur amerikan, parulla e studentëve ishte ‘Xhorxh Bush’.

Revolucioni ynë ishte edhe revolucion jo vetëm i vokacionit perëndimor të kombit, por ishte revolucion i interesit kombëtar.

Në 90-ën, shqiptarët kudo që jetonin në Ballkan, jetonin të pushtuar. Në Shqipëri të pushtuar nga një regjim i egër barbar, në Kosovë nga serbët e kështu me radhë.

Por ne se shmangëm, ne deklaruam se ylli polar i këtij revolucioni do jetë çështja kombëtare. Natyrisht me këtë deklaratë, ne morëm zemërimin e të gjithë atyre, të cilët kishin shfrytëzuar, mbanin të pushtuar trojet shqiptare. Por e vërteta ishte ajo që na frymëzonte ne. Ne nuk mund të devijonim kurrë. Një çështje e cila ishte tradhtuar për 45 vite, ajo çështje donte zgjidhje, përndryshe pse do të eksitonim ne. Çfarë i duheshim ne kombit, nëqoftëse ne nuk përballeshim me problemin numër një të tij, atë të lirisë së tij aty ku ishte. Ne e bëmë këtë. Ju e bëtë këtë. 

Ndaj dhe e them këtu se ndër lëvizjet paqësore të këtij kombi, ky ishte revolucioni më i ndritur dhe fitimtar.

Ato ditë, shumë nga ju, ju kujtohet data 11 dhjetor. Sheshi i Qytetit Studenti ishte plot me qytetarë. Të gjithë prisnin çfarë vendimi do të marrë plenumi i Komitetit Qendror, do pranojë ultimatumin tuaj apo jo? Që i dërguar në datën 10. Do i pranojë pikat apo jo?

Plenumi u mblodh. Në plenum pati anëtarë progresistë të tij, të cilët morën anën e studentëve, anën e pluralizmit. Por pati të tjerë që bënë thirrje hapur për tanke e armë kundër studentëve. Dhe këto janë të filmuara, e kjo është e vertëta. Në krye të atyre që kërkuan tanke dhe armë ndaj jush ishte xhelati Spiro Koleka.

E përdor termin xhelat, pse e përdor? Po qe se marrim diktaturën, diktaturat mund ti shtrezojmë, kanë spektrin e tyre. Në njërën anë janë të përndjekurit, martirët, rezistentët, janë ata të cilët për vlera nuk mposhten, pranuan burgjet, kapmet, por në anën tjetër janë xhelatët e tyre, që i çuan ata në burgje, kampe apo para skuadrave të pushkatimit. Ky është realiteti.

Sot mund të duket shumë i ashpër termi xhelat, por term tjetër nuk mund të ketë, për atë që i bën gjëmën tjetrin duke përdorur, ideologjinë, shpifjen, terrorin etj.

Ky anëtar byroje politike kërkoi tanket, por Ramiz Alia iu përgjigj duke i thënë se ata kërkojnë kokën time, jo tënden Koleka, po futa tanket do të lë kokën. Kjo është me procesverbal. Nuk vendosën të përdorin tanket, por pranuan ultimatumin tuaj.

Pse po ndalem tek këto. Po ndalem sepse sot është një situatë më kritike, ose po aq kritike sa atëherë.

Pse është më kritike? Nuk mund ta mohojmë se revolucioni ynë në vitin 1990 ishte zinxhir. Diktaturat ranë njëra pas tjetrës.

E vërteta ishte se për Shqipërinë ishin jo të paktë, po të shumtë ata që mendonin që të qëndrojë siç është, të mos i përzihemi, të mbetet një muze i socializmit, të mbetet një Kubë në Adriatik. 

E thotë shumë bukur ish-ambasadori gjerman që luajti një rol shumë të jashtëzakonshëm, Verner Daum në kryengritjen e 2 korrikut, jo thotë se qeveritë tona nuk ishin dakord që të destabilizohej Shqipëria, por unë vazhdoja të bëja punën time, gjersa më mbështeti një zv/ministër e kështu me radhë. 

Në revolucionin tonë atëherë, ishte vetëm një ambasador që na erdhi, ai ishte ambasadori i republikës mike të Hungarisë. Ju kujtohet, ishim vetëm, por nuk u ndalëm, shprehëm besimin. 

Sot ku jemi? Sot jemi në kushtet ku nuk kemi këtë kaskadë.

Por a kemi sot një narkoshtet apo një monokraci, një diktaturë krimi nga më të fuqishmet dhe më të rrezikshmet që ka njohur bota ndonjëherë? Sot kemi një faktor tjetër.

Për fatin tonë, në 9 vite, PD u denervua, e humbi nervin

Dhe mos mendoni se e kemi fituar plotësisht akoma. PD-ja ka nevojë të frymëzohet nga revolucioni i 90-ës.

Revolucionin sot do e fitojnë vetëm ata që i besojnë revolucionit të vitit 1990.

Ku jemi ne, ku ishim në 90-ën? Ishim në grevë urie, në marshime, të ngrënë dhe të pa ngrënë, në qytete e fshatra për të çuar dritën e të vërtetës. Na gjuanin me gurë, na gjuanin me dru, por vazhduam rrugën tonë.

Qëndruam 9 vite, duhet të ndjejmë përgjegjësinë për këtë, secili nga ne. Një regjim që kaloi nga skandali në skandal. Sepse them këtu, kur një qeveri performon, kur një qeveri konsolidon funksionimin e shtetit ligjor dhe të ekonomisë së tregut, ajo mund të qeverisë o zotëri, edhe 8-9, edhe 16 vite dhe opozita kur të bëhet më e aftë se ajo, ndërron.

Por këtu një qeveri ka vjedhur votën, nuk lë qytetarët për të votuar. 

Çfarë po ndodh para syve tanë? Shqipëria po tretet, Shqipëria po shuhet, Shqipëria po vdes. 

Nëse një kombi i ikin në 8 vite 937 mijë vetëm në hapësirën evropiane dhe mbi 1 milion në botë, ku është e ardhmja e tij?

Kush do qëndrojë? Do ngrelen ata që nuk ka kush t’i varrosë.

Këto janë sirena të tmerrshme alarmi që duhet të bien dhe të ushtojnë nga mëngjesi deri në darkë, në shpirtin dhe ndërgjegjien e çdo shqiptari. Pse ta lëmë këtë vend të mahnitshëm, të rrokulliset, të vdesë në këtë mënyrë?

Çfarë ndodh, po ju them këtu. 

Më kujtohet në vitin 1991 në parlament, ngrihet një ish-sekretar i Komitetit Qendror dhe thotë se: nuk më shkonte mendja kurrë që Enver Hoxha kishte tre dynymë qilima në shtëpi.

Po Edi Rama mor, nipi i Spiro Kolekës dhe i nipi i xhelatit që firmosi varjen në litar të Havzi Nelës, po blen 4 milionë euro instilacion për të blerë influenca, për të bërë korrupsion, për të blerë mbështetje, për të blerë deklarata, me paratë e atyre që ikin me gomone.

Ai përmendi tre dynymë qilima, por Edi Rama bën 22 milionë euro fluturime me avion, sikur të ishte biri i sulltanit, apo i Arabisë Saudite.

Ai përmendi tre dynymë qilima, por Edi Rama që vjedh nga mëngjesi deri në darkë dhe në çdo akt mbron vjedhjen e tij.

A mundemi ne të pajtohemi me këtë situatë? A mundet shqiptarët të pajtohen me këtë situatë?

Të mos filozojmë, revolucion, revolucion dhe vetëm revolucion. 

Revolucioni nuk kryhet me një ditë. Partia humbi nervin, po nervi janë idealet për të cilat ke luftuar, u ke besuar. 

Çfarë ndodhi me ne? Opozitë për të tretën herë, pasi shpallëm masakër zgjedhore edhe ishin absolutisht ishin zgjedhjet më të këqija në vend, shkuam si dele në shtrungë dhe votuam borxhin e Edi Ramës në parlament. Po kishte gjë më të turpshme? Ia votuam borxhin atij që vjedh çdo qindarkë nga ai borxh. Por ju dhashë këtë shembull. 

Pra, është e domosdoshme, kërkohet një rimendim i thellë i situatës, kërkohet një vendosmëri dhe një besim për ta larguar këtë regjim.

Ndërkohë që firmosen vjedhje të pafundme buxheti, ndërkohë që qytetarëve të Tiranës u vendoset taksa e arsimit, kushtetuta shndërrohet në një letër pa vlerë nga një njeri që mund ti vejë çdo epitet, por është hajdut dhe kaq. 

U vë taksë qytetarëve të Tiranës për arsimin, ti del mbi kushtetutën, ti meriton çdo gjë, por këtu shtet nuk ka. Atëherë këtu ka dhe duhet të ketë revolucion. 

Po pse e bën atë, sepse ndan paratë që vjedh me Edi Ramën. Sepse ndërton shkollën që kushton 690 mijë euro, e ndërton 6 mln dollarë. Po pse e bën atë, sepse e ka shndërruar fushën e Sharrës në minierë floriri, i ndan paret me Edi Ramën, i cili thotë, se në kundërshtim me kontratën e cila shkruan, se për plehrat e depozituara, për djegien do të paguhet 29 euro. Të tjerat 11 euro. Kurse Edi Rama për të mbrojtur vjedhjen e tij, shpik çmimin e ponderuar që nuk ekziston në kontratë. Çfarë duhet këtu. Drejtësi nuk ka, këtu duhet revolucion dhe vetëm revolucion. 

Nëse nuk guxojmë t’i shohim gjërat drejt në sy, ne nuk fitojmë. Nëse trembemi nga të vërtetat, ne nuk fitojmë.

Ne duhet t’i mbrojmë të vërtetat me forcën më të madhe.

Ku jemi ne sot? Jemi para një agresioni, natyrisht jo ushtarak, por politik për të zhdukur opozitën shqiptare.

Por përse për ta zhdukur opozitën shqiptare? Që Edi Rama të sundojë me peqelepe sa të dojë.

Sigurisht një njeri ka luajtur rolin më kryesor dhe ky është Xhorxh Soros, që ndan një ideologji të ekstremit të majtë, armiqësore kryekëput ndaj partive dhe vlerave konservatore. I cili ndan qëndrime armiqësore ndaj kombit shqiptar si ndarja e kufijve apo Ballkani i Hapur që emërtohej në nder të tij.

Por nuk ishte vetëm kaq. U përdorën të gjitha mjetet që ne të mos jemi.

Po ndalem te skandali i fundit! U faktua se Edi Rama, i biri i xhelatit që vari kundërshtarin politik, poetin disident, kontraktoi vrasës me pagesë: kryezbuluesin e institucionit më kryesor në SHBA, një tradhtar i vendit të tij.

Me grupin e tij, i paguar nga Edi Rama, shpallte në televizionet shqiptare, Sali Berishën si kukull të Putinit. Gjithçka për narrativën e shkatërrimit të opozitës.

Çështja McGonigal është një çështje shumë e thellë dhe ne do ia themi shqiptarëve.

Çështja nuk përfshin vetëm McGonigal. Sot në botë ushtojnë skemat e tij e gjobëvënies. Po kush mori pjesë në këtë skemë? Unë i bëj thirrje Kongresit dhe FBI të hetojë rolin e Edi Ramësdhe Yuri Kim në këtë gjobëvënie.

Konkretisht unë u them kaq, Edi Rama u thoshte të tjerëve se zoti Escobar më ka dorëzuar listën e biznesmenëve që do sanksionohen. Kjo është e vërteta.

Yuri Kim thërriste një e nga një biznesmenët në zyrë, pse financoni Foltoren se do sanksionoheni. A ishte kjo një skemë që të shkonin dhe të paguanin te Mark Rossini dhe McGonigalgjobat?

Çfarë ishte kjo skemë?

Pra, kjo ishte një skemë në të cilën Edi Rama po fuste në dorë, në skllavërim të plotë, biznesmenët me lista, kësaj radhe, ua them unë ju, të dorëzuara nga Lulzim Basha. Po!

Po të mos ishte skema McGonigal, nuk kisha të drejtë të bëja asnjë lidhje para jush këtu. Por duhet të jesh naiv të mos bësh këtë lidhje. Prandaj i bëj thirrje Kongresit të SHBA, FBI, Departamentit të Shtetit të hetojë.

A ju kujtohet kur në televizionet shqiptare flisnin për 150 të sanksionuar? Çfarë ishte kjo? Bëhuni klientë të McGonigal, përndryshe jeni të sanksionuar.

U ndal në këtë aspekt, nuk është e lehtë kjo betejë, por është absolutisht triumfuese dhe fitimtare nëse ne vazhdojmë të vendosur revolucionin tonë.

Kështu që edhe njëherë ju bëj thirrje ju, i bëj thirrje çdo shqiptari, të bashkohet me këtë revolucion. Të shpëtojmë Shqipërinë.

Nuk është një lëvizje e PD.

Por është një lëvizje së pari për fëmijët tanë, për veten tonë, për të shpëtuar Shqipërinë nga kjo monokraci, nga ky regjim kriminal.

Është lëvizje për tu ngritur vigan kundër mafies shqiptare dhe ndërkombëtare.

Njerëzit që guxojnë, ata fitojnë.

Njerëzit që ndjehen të ndershëm nuk dorëzohen kurrë.

Ndaj ju ftoj përsëri, kudo që jeni, sado që sot jeni gjyshër, por në shpirt jeni të rinj, jeni ata që keni qenë në ’90, të bëjmë gjithçka për të çuar përpara këtë kauzë shpëtimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Edhe njëherë, faleminderit shumë dhe nderimet më të mëdha.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale