Berisha: Reforma në Drejtësi në Shqipëri është eksperimenti më i shëmtuar i ekstremit të majtë në Europë! Drejtësi e shndërruar në armë politike në duart e regjimit kundër Opozitës

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TRYEZËN E ORGANIZUAR NGA APC DHE FONDACIONI ‘KONRAD ADENAUER STITFUNG’

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tryezën e organizuar nga Albanian Policy Center dhe Fondacioni ‘Konrad Adeanuer Stitfung’ me temë ‘Vlerësimi i Reformës në Drejtësi të Shqipërisë. Sfidat, Pasojat dhe Rruga e Drejtë’ këtë të premte, shprehu kritika të forta ndaj Reformës në Drejtësi në Shqipëri, duke e quajtur atë “eksperimentin më të shëmtuar të ekstremit të majtë në Europë”.

Berisha u shpreh se reforma është hartuar në mënyrë të fshehtë dhe akuzon që ajo ka sjellë një sistem që mohon të drejtat e shqiptarëve për një proces ligjor të drejtë, duke theksuar se ky proces ligjor, i cili ishte i pranueshëm deri në atë kohë, ka lejuar progresin e Shqipërisë në institucione ndërkombëtare si Këshilli i Europës, NATO dhe në marrëveshjet me BE-në. Kryedemokrati kërkoi që ky realitet të studiohet dhe të mos trajtohet si tabu, pasi reforma dhe riformat janë elemente të domosdoshme në një sistem të lirë dhe demokratik.

Lideri opozitar, Sali Berisha kritikoi me tone të ashpra Reformën në Drejtësi për krijimin e një kontrolli policesk të prokurorit mbi gjykatësin, duke e quajtur këtë një shkelje të rendit demokratik dhe kushtetues. Berisha theksoi pasojat negative të kësaj reforme, si bllokimi i çështjeve civile, humbja e sigurisë juridike dhe bllokimi i investimeve të huaja në Shqipëri. Sipas kryedemokratit, kjo ka sjellë një situatë të dëmshme për qytetarët dhe ekonominë.

Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në tryezën e organizuar, akuzoi sistemin e Drejtësisë në Shqipëri, duke e quajtur atë një “armë politike” në duar të regjimit kundër Opozitës. Berisha tha se ky sistem ka zhdukur prezumimin e pafajësisë, duke u fokusuar në numrin e lartë të të paraburgosurve (62%), shumica e të cilëve nuk duhet të ishin atje. Berisha tha gjithashtu se Drejtësia është shndërruar në një vegël për të mbështetur pushtetin politik, duke përmendur amnistinë e krimit elektoral dhe përdorimin e drejtësisë për të arrestuar opozitarët në vitet elektorale. Berishatha se kjo situatë minon demokracinë dhe është një mënyrë për të manipuluar zgjedhjet dhe të drejtat e qytetarëve.

Kryetari i PD, Sali Berisha shprehu shqetësimin se Reforma në Drejtësi është shndërruar në një armë politike për të mbajtur pushtetin dhe bllokuar opozitën. Ai theksoi se, ndërkohë që prokuroria ka dënuar disa zyrtarë të lartë, ajo nuk guxon të merret me figura të pushtetit, si kryeministri, të cilët kanë një numër të madh akuzash. Berisha e konsideroi këtë një dështim të reformës dhe theksoi se ata që kanë investuar miliona për këtë reformë, si përfaqësues të ekstremit të majtë, e kanë të vështirë të pranojnë dështimin. Berisha falënderoi Komisionin e Venecias që e kishte paralajmëruar këtë situatë, duke theksuar krijimin e një “korporate” të Drejtësisë që nuk mund të jetë e drejtë.

FJALA E PLOTË

Do ta nis këtë fjalë me një falënderim dhe mirënjohje për drejtuesin e fondacionit Adenauer në Shqipëri, zotin Tomas Kunc, mbështetjen e tij të çmuar në shumë fusha, por edhe angazhimin e këtij fondacioni për të ndihmuar shqiptarët në një nga problemet më të rëndësishme dhe më të komplikuara me të cilat përballen sot.

Dua të falënderoj zonjën Nagler për misionin që ka marrë nëpërmjet fondacionit Adenauer, për një shqyrtim të asaj që u quajt reformë në drejtësi, por që de facto është eksperimenti më i shëmtuar i ekstremit të majtë në Europë dhe me disa ngjashmëri me disa elementë në SHBA dhe pastaj në vende ku demokracia nuk ekziston.

Unë dua të falënderoj Editin dhe Dianën, të cilat me guxim morën përsipër të trajtojnë me fondacionin Adenauer këtë çështje jashtëzakonisht të rëndësishme, e cila mbart në vete disa të vërteta realisht të pabesueshme për një vend anëtar i NATO-s, që aspiron të integrohet në BE.

Reforma në drejtësi në Shqipëri, të jemi të hapur, u projektua në mënyrë të fshehtë në një dokument të fshehtë të fondacionit Shoqëria e Hapur.

Dokument, i cili u bë publik në një nga këto likat e njohura, në të cilat ne pamë se ky fondacion kishte hartuar një strategji në të cilën përcaktonte ndryshime të thella, reformën e Kushtetutës, reformën e sistemit të drejtësisë dhe reformën elektorale.

Unë nuk do ndalem këtu tani në historikun 10-vjeçar, por është normale dhe ne kemi kërkuar ndihmën e miqve tanë, e fondacionit Adenauer që të studiohet ky realitet, që të mos pranohet si tabu, se tabutë janë fenomene tipike për diktaturat dhe autokracitë.

Për sistemin e lirë e demokratik janë reformat, ato të cilat janë konstantja e tij.

Por, në rast se bëjmë bilancin 10-vjeçar të kësaj reforme të realizuar nga ekstremi i majtë, cili është?

E para, është mohimi i të drejtës së shqiptarëve, jo me ligj, por me fakte dhe realitet, për të pasur një proces ligjor të drejtë.

Shqiptarët, kurrë që nga vitet ‘90 gjersa u zbatua ky proces, nuk kanë pasur një proces ligjor të përsosur, por kanë pasur një proces ligjor të pranueshëm.

Ky proces ligjor i pranueshëm, i ka bërë të mundur Shqipërisë, të anëtarësohet në Këshillin e Europës, të firmosë Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit, të firmosë marrëveshjen e liberalizimit të vizave, të marrë rekomandimin e KE për statusin e kandidatit dhe të bëhet anëtare e plotë e NATO-s.

Cilido që lexon raportet e KE, që unë i kam vlerësuar gjithnjë ato, këto raporte, për një vend që të progresojë, kishin dy kërkesa madhore, shteti ligjor funksionues, ekonomia e tregut funksionuese.

Të dashur miq, ajo që ndodhi nga një procedurë e papërdorur kurrë më parë në ndonjë vend, nga një eksperiment unik në botë që u bë në Shqpëri, është se është krijuar një stok i madh dosjesh që rritet nga viti në viti, që para 3 vitesh ishte 132 mijë, sot është 150 mijë dosje.

Dhe, ata që flenë mbi dosje, ata që flenë mbi të drejtën e qytetarëve për të pasur një proces ligjor të ndershëm, ata nuk bëzajnë më.

Ata lëshojnë deklarata në mbrojtje të këtij dështimi madhor me pasoja katastrofale për Shqipërinë, sepse bllokimi apo asgjësimi i çështjeve civile, de facto i kushton vendit miliarda euro humbje.

Nga ana tjetër, ky bllokim ka zhdukur sigurinë juridike në këtë vend.

Aq e rëndësishme dhe aq jetike për shtetin e të drejtës.

Siguri juridike këtu nuk ka më.

Kjo situatë ka bllokuar tërësisht investimet e huaja në këtë vend.

Ka privuar vendin nga miliarda.

Ato që ju keni lexuar, ato janë që të gjitha të TAP-it, të Devollit dhe të Fanit. Të tjerat janë blerje banesash nga emigrantët shqitparë, që këtu i regjistrojnë si të huaj.

Sepse nuk ka të huaj që mund të vijë të investojë në një vend kur e sheh që një çështje civile duhet të presë 15 vite.

Pra, kjo është një pasojë jashtëzakonisht e rëndë për qytetarin shqiptar.

Por, tani marrim disa aspekte të tjera të kësaj reforme.

Një aspekt tjetër dramatik, antidemokratik, antikushtetues i saj, është kontrolli policesk i prokurorit mbi gjykatësin që i dorëzon dosjen.

Kjo nuk ka qenë as në diktaturë.

Jo!

Se si mundet në një vend të lirë të pretendohet që të vësh gjykatësin në survejim të prokurorit, që i çon atij dosjet, nuk ka mendje më të mbrapshtë përveçse ekstremi i majtë, i cili kërkon me çdo kusht të kërkojë drejtësinë me mekanizma antikushtetues, mund të vendosë një ligj të tillë.

Dhe ju e shihni se çfarë mbrojtje i bëjnë me propagandë këtij sistemi.

Ndaj del edhe kreu i prokurorisë speciale e thotë se afërmendsh gjykatësi do bëjë atë që i themi ne.

Sigurisht sepse segmente të regjistrimeve që u bëjnë gjykatësve, shpërndahen në të katër anët, gjer edhe te telefoni im si qytetar dixhital. Po, po.

Atëherë ta heqim, pse të kemi gjykatës, kemi prokurorin dhe kaq.

Ky është një kontroll policesk i paimagjinueshëm.

E treta, po kaq e rëndësishme.

Është zhdukur në këtë sistem prezumimi i pafajësisë, parimi themelor i prezumimit të pafajësisë.

Po të shkoni në popullatën e burgjeve, 62 përqind e të burgosurve në këtë vend janë të paraburgosur, persona nën hetim, persona që absolutisht shumica e tyre nuk duhet të ishin aty ku janë.

Por ky është një sistem strikt policesk, të arreston polici dhe të lënë aty, nuk flet më kush me ty.

Dhe aty janë bërë 62 përqind të burgosurve janë të paraburgosur.

As diktaturat më të ashpra nuk kanë këtë përqindje.

Po kjo ekziston se këtu nuk ka prokurorë dhe gjykatës.

Për të zbardhur vendimin i duhen 4 apo 5 muaj apo të fusësh mik për të zbardhur vendimin.

Tani, këto janë konsekuencat e rënda për qytetarin shqiptar.

Kemi edhe një problem tjetër të dokumentuar, faktik.

Kjo drejtësi ka krahun e saj politik të pamohueshëm.

Krahun politik, i cili në një moment të caktuar, në një vit elektoral, së pari në mënyrë antikushtetuese bën amnistinë e krimit elektoral.

Dosjet që ju i dini të gjithë, janë dosje të bazuara në regjistrime zyrtare, konform procedurave ligjore, 100 përqind të vlefshme. Dy dosjet, e Peshkopisë dhe e Durrësit.

Por ato, kreu i afërmendshit i hedh në kosh sepse aty del kryeministri në të dy dosjet. Del kryeministri si kapo i krimit elektoral në ato dosje.

Mirëpo nuk ka akt më të rëndë se sa amnistimi i krimit elektoral.

Sepse ajo faktikisht përbën licencë për bllokimin e rotacionit të pushtetit.

Përbën licencë për përdorimin e krimit dhe manipulim të vullnetit të zgjedhësve.

Së dyti, e thashë edhe më sipër, një drejtësi e cila në vitin elektoral, arreston si persona nën hetim drejtuesit e tre partive kryesore opozitare.

Sjellje identike me Zajedin e Tunizisë. Por Zajedi, në dallim me Zajedin e Tiranës, asnjërin prej tyre nuk e dhunoi publikisht në mes të rrugës siç veproi Lukashenko i Tiranës me Ilir Metën.

Apo siç vepruan me marrje mandatesh të Fredi Belerit dhe Ervin Salianjit.

Pra, është shndërruar në një armë politike e fuqishme në duart e regjimit.

Tani ku është vështirësia jonë? Ndaj dhe i jam shumë mirënjohës fondacionit.

Vështirësia jonë është se kjo prokurori ka dënuar edhe disa zyrtarë të lartë, ish-ministra dhe së fundmi Erion Veliajn, për korrupsion.

Po, i ka penalizuar.

Por të nderuar miq, ne që kemi përjetuar diktaturën komuniste, ne e kemi të qartë se prokuroria e diktatorit çonte para skuadrës së pushkatimit, si disidentin apo armikun politik, e vërteta është edhe kriminelin ordiner nuk e kursente.

Bile e kishte të njëjtën rreptësi.

Dhe sot, u them ju këtu, vendi që dënon më ashpër se çdo vend tjetër, në dijeninë time, korrupsionin, është Republika Popullore Komuniste e Kinës.

Prokurorët në Kinë janë jashtëzakonisht të rreptë ndaj veprave politike të zyrtarëve të lartë dhe shumë të lartë, sikundër ndaj kundërshtarëve të regjimit.

Çfarë dua të them me këtë? A mundet një mendje e lirë të justifikojë shndërrimin e drejtësisë në një armë politike pse kjo drejtësi dënon 3, 4 apo 5 zyrtarë, por që nuk guxon kurrë t’i afrohet kreut të Meduzës, kryeministrit, me gjithë serialin e veprave penale të faktuara nga mediat, të faktuara nga institucione të ndryshme që rëndojnë mbi të.

Pra, kjo reformë ishte produkt i ekstremit të majtë, dhe mundësisht një Shqipëri që t’i garantojë pushtetin, duke bllokuar opozitën dhe rotacionin.

Ne kemi një vështirësi serioze, sepse ata që kanë shpenzuar dhjetëra milionë në këtë reformë, ata e kanë të vështirë të pranojnë dështimin.

Por një gjë, unë dua t’i shpreh nderimin më të madh Komisionit të Venecias që e paralajmëroi këtë situatë.

Në analizën që bëri, në problemet e krijuara mes Presidencës, Gjykatës Kushtetuese dhe KED-it, ai paralajmëroi që po krijohet një korporatë, e cila sigurisht vetëm sistem drejtësie nuk mund të jetë.

Ndaj dhe ne e nisëm këtë me fondacionin Adenauer dhe e nisëm jo pa qëllim. Gjermania ka kontribute të jashtëzakonshme. Gjykata Kushtetuese gjermane ka kontribute të jashtëzakonshme në të drejtën evropiane. Ka kontribute historike në konceptin e sigurisë ligjore.

Dhe unë rikujtoj sot këtu, ka qenë viti 2016, kur profesor Frolajn, një jurist i shquar gjerman, kur u njoh me elementët fillestarë të kësaj reforme, foli i revoltuar dhe denoncoi me forcën më të madhe ato hapat e para që ishin parashikuar për të krijuar këtu një FBI që duhej të varej nga kryeministri.

Dhe unë kam besim të madh.

Ne e kemi nisur këtë përpjekje së pari për të bërë të njohur këto të vërteta para opinionit publik zyrtar evropian dhe ndërkombëtar.

Së dyti, natyrisht për të ecur drejt një reforme e cila iu rikthen shqiptarëve të drejtën e procesit ligjor të drejtë.

E cila iu rikthen shqiptarëve të drejtën e prezumimit të pafajësisë.

E cila u jep një drejtësi të standardeve që nuk kthehet në armë politike.

Sot janë qindra, në mos mijëra, shqiptarë të shkolluar në shkollat më të mira të Shqipërisë, Europës dhe botës, por që nuk futen dot në sistemin e drejtësisë.

Jo, sepse duhet të kalojnë shkollën Rakipi.

Se ç’përfaqëson shkolla Rakipi, unë ndjej keqardhje kur detyrohem të flas për këtë shkollë.

Por ajo është simboli i një mafieje në sistemin e drejtësisë i pashoq. Jo në Shqipëri, por as në Europë.

Dhe tani duhet që këta qindra e mijëra djem dhe vajza, të shkolluara në shkollat më të mira, po nuk hynë në atë shkollë, nuk mund të punojnë as prokurorë, as gjykatës.

Atëherë çfarë duhet të bëjmë ne?

Do rrimë kështu të presim?

Jo mor zotëri. Dosjet po rriten nga viti në viti. Kanë qenë 130 mijë, janë 150 mijë.

Dhe e fundit, zbulimi i fundit i marrëveshjes Delina Fico me Juri Kimin dhe institutin e saj, a e dini ju se atyre militantëve të fondacionit Qemal Stafa të PS, iu është besuar plotësisht detyra e këshilltarit ligjor, pavarësisht se ata nuk plotësojnë asnjë kusht ligjor.

Në një kohë kur në shoqërinë tonë ka me qindra juristë shumë të mirë të shkolluar që i plotësojnë ato kushte.

Por duhet të jenë militantët që në dhomë këshillimi t’ia cojnë atij dhe ai të japë vendimin pa takuar asnjë njeri. As avoketërit nuk i takojnë tani.

Pra janë gjithë këto probleme.

I marrim me durim, i marrim me vendosmëri.

Ne kemi besim që e vërteta do prevalojë.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale