Berisha: Raporti i OSBE përmbys zgjedhjet! Aktivisti dhe terroristët e kuq me petkun e patronazhistit, diktuan vullnetin e shqiptarëve

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur për gazetarët jashtë parlamentit është shprehur se raporti i OSBE-së, i përmbys zgjedhjet e 14 majit.

Berisha theksoi se, ky raport konstaton kontrollin e votës dhe një votë e kontrolluar është votë e skllavëruar, votë e diktaturës.

Sipas Berishës, raporti i OSBE-së ‘tregon se zgjedhjet u kontrolluan nga administrata, se aplikacioni Aktivisti dhe terroristët e kuq me petkun e patronazhistit, bënë gjithçka për të diktuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë’.

Për kryetarin e PD-së, Sali Berisha, asgjë nuk provon humbjen e opozitës, por të gjitha faktet në raportin e OSBE-së, provojnë vjedhjen e votës.

FJALA E PLOTE

Raporti konstaton kontrollin e votës.

Vota e kontrolluar është vota e skllavëruar.

Vota e kontrolluar është vota e diktaturave.

Vota e kontrolluar është vota e regjimeve totalitare. Ajo nuk është më votë e lirë.

Vota e kontrolluar, de facto është vota pothuaj e vdekur apo në vdekje klinike.

Raporti konstaton gjithashtu se për kontrollin e votës, u përdorën mjetet më të paligjshme, më antikushtetuese, më antiligjore.

U përdorën mjete, të cilat dhunuan Kodin Zgjedhor, Kushtetutën, standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe Kodin e Venecias.

Dëshmon se makinerisë së frikës dhe presionit, i priu direkt kryeministri shqiptar me kërcënimet e tij banditeske ndaj kandidatëve, ndaj qytetarëve, në rast se do votonin për kandidatët e opozitës.

Tregon se zgjedhjet u kontrolluan nga administrata, se aplikacioni Aktivisti dhe terroristët e kuq me petkun e patronazhistit, bënë gjithçka për të diktuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

Cilido që lexon me vëmendje këtë raport, gjen përqindje të cilat përmbysin zgjedhjet.

Cilido që lexon këtë raport, gjen se 14 maji ishte një farsë e vërtetë elektorale.

Ndaj dhe thirrja ime për shqiptarët, për 600 mijë idealistë shqiptarë, të cilët refuzuan me përçmim çdo formë kontrolli antiligjor ndaj vullnetit të tyre, të përgatitemi në protesta të qëndrueshme të fuqishme, për të larguar këtë pushtet, që qëndron i bazuar në raportin: vota shndërrohet në krim dhe krimi në votë.

Thirrja ime për të gjithë shqiptarët është: kurrë të mos përligjni një votë të vjedhur.

Vota e vjedhur apo vota me presion, apo vota e kontrolluar, nuk shpreh vullnetin tuaj, por shpreh vullnetin e atyre që u rrëmbejnë ju të drejtën e votës.

PD qëndron fuqishëm, e vendosur të udhëheqë shqiptarët drejt një përpjekje të madhe për të votuar të lirë si qytetarët e tjerë të rajonit dhe Europës.

Pyetje: Pas çdo procesi zgjedhor, ju thatë se po punoni dhe luftoni që ti keni shqiptarët me vete, por pas çdo procesi rezultatet tregojnë se nuk janë ato që pret PD. A e bën kjo zhgënjyese dhe me më pak besim për qytetarët.

Sali Berisha: Në një votë të kontrolluar, siç thotë qartësisht raporti i OSBE/ODIHR, në një votë të blerë, siç thotë qartësisht blerje masive, në një votë në terror, siç fakton raporti, nuk ka asgjë që mund të provojë humbjen e opozitës.

Të gjitha këto provojnë vjedhjen e votës.

Për ata që mendojnë se Edi Rama vodhi zgjedhjet dhe i fitoi ato, ato nuk bëjnë gjë tjetër përveçse përligjin vjedhjen dhe kjo është katastrofë.

Unë u drejtohem atyre që janë të interesuar për votën e lirë. Ata janë të paktën 600 mijë që nuk u ndikuan nga asnjë masë dhe votuan në misionin e tyre të ri.

Të ngrihemi kundër këtij regjimi dhe ne do përgatitemi për një lëvizje të qëndrueshme me qëllimin më madhor, që shqiptarët të votojnë të lirë si popujt e tjerë të rajonit.

Pyetje: Z. Berisha, kur ju bëni thirrje për protesta, jeni gati të mblidhni forumet për të diskutuar detajet dhe për ti nisur në vjeshtë?

Sali Berisha: Procesi është në vazhdim. Po bëhet një punë e madhe për bashkimin e opozitës. Ne duhet të bashkojmë të gjithë shqiptarët që janë të vetëdijshëm se Edi Rama ka vjedhur, ka konfiskuar, ka kontrolluar votën e tyre.

Së dyti, ne u drejtohemi të gjithë idealistëve dhe do u drejtohemi se misioni ynë nuk është vetëm të votojmë jashtë ndikimeve, misioni ynë është të rikthejmë të drejtën shqiptarëve për të votuar të tillë në një lëvizje të re të fuqishme.

Natyrisht PD do lëvizë në shumë plane, por drejtimi kryesor i saj duhet të jetë përmbysja e këtij qëndrimi, i cili qëndron mbi binomin: krimi-votë, vota-krim.

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale