KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së sotme për median, e cilësoi raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë si të paprecedentë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se është përgjegjësi kryesor për problemet e evidentuara dhe se po bllokon rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian. Sipas tij, në krahasim me Malin e Zi, Shqipëria paraqitet si një ‘diktaturë autoritare’ dhe një ‘autokraci elektorale’.
Lideri i opozitës Sali Berisha u shpreh se, raporti i KE-së evidenton probleme të rënda me funksionimin e demokracisë, shtetit ligjor, zgjedhjeve, parlamentit dhe institucioneve të pavarura. ‘Ky është raport i paprecedent në historinë e raporteve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Cili të dojë të krahasojë këtë raport me raportin e funksionimit të demokracisë dhe shtetit ligjor të Malit të Zi, do të gjejë se Shqipëria, krahasuar me Malin e Zi, është një diktaturë autoritare’, u shpreh Berisha.
Kryetari i PD-së Sali Berisha, theksoi në konferencë se, Komisioni Evropian i kërkon Shqipërisë 115 ndryshime gjatë vitit të ardhshëm, duke veçuar reformën zgjedhore, rikthimin e kontrollit parlamentar mbi qeverinë dhe buxhetin, si dhe heqjen e përjashtimeve nga prokurimet publike. Ai e akuzoi Ramën për ndërhyrje në zgjedhje, përdorim të administratës dhe burimeve publike për qëllime elektorale, si dhe për lidhje me krimin e organizuar.
Lideri i demokratëve Sali Berisha veçoi edhe pjesë nga raporti, dhe sipas tij, ai konstaton dështimin e parlamentit për të zbatuar vendime të Gjykatës Kushtetuese. ‘Komisioni Evropian, për shkak të dështimit të vazhdueshëm të parlamentit për të zbatuar jo një, por disa vendime të Gjykatës Kushtetuese, konstaton se ato nuk zbatohen dhe shteti i së drejtës shkelmohet nga Padrinoja’.
Berisha i kushtoi vëmendje edhe çështjeve të korrupsionit dhe prokurimeve publike që cilësoheshin në raport. Duke iu referuar shifrave të raportit, ai tha se 23.5 për qind e tenderave gjatë vitit 2025 u fituan me vetëm një ofertues, 29 për qind me çmimin më të lartë, ndërsa 38 për qind e procedurave u anuluan. Sipas tij këto të dhëna dëshmojnë për një sistem prokurimesh të cenuar nga korrupsioni dhe mungesa e konkurrencës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kritikoi gjithashtu situatën e medias, duke iu referuar konstatimeve të KE-së për garancitë e pamjaftueshme ligjore për lirinë e shprehjes, dëmtimin e pluralizmit dhe ndikimin politik në emërimet në AMA dhe RTSH. Duke folur për hetimet ndaj ish-zv/kryeministres Belinda Balluku dhe refuzimin e mazhorancës për dhënien e autorizimit për arrestimin e saj, Berisha tha se kjo përbën një tjetër goditje për besueshmërinë e qeverisë.
I pyetur se si ndikojnë këto problematika në procesin e integrimit, kryetari i PD-së Sali Berisha kërkoi largimin e menjëhershëm të kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike. ‘Ilaçi, zgjidhja, antidoti është vetëm një: largimi i menjëhershëm i Edi Ramës, dorëheqja e tij. Krijimi i një qeverie teknike apo kujdestare për të përgatitur me urgjencë reformën zgjedhore dhe zgjedhje të lira e të ndershme’, u shpreh lideri i demokratëve, Sali Berisha gjatë konferencës për mediat.

FJALA E PLOTE:
Jam sot këtu për të paraqitur para shqiptarëve e raportit më të rëndësishëm kombëtar vjetor për Shqipërinë, për shoqërinë shqiptare dhe institucionet e këtij vendi.
Së pari, më thjeshtoi shumë paraqitjen para jush, e shkurtova sepse atë që lexuan shqiptarët në fytyrën e Edi Ramës, ajo flet më shumë se vetë raporti i Komisionit.
Flet për shkallën e lartë të kryqëzimit të tij.
Nga alfa te omega, Padrinoja i Shqipërisë rezulton përgjegjës kryesor për të gjitha konstatimet e rënda të Komisionit Evropian për Shqipërinë këtë vit.
Ky është raport i paprecedent në historinë e raporteve midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.
Cili të dojë të krahasojë këtë raport me raportin e funksionimit të demokracisë, shtetit ligjor të Malit të Zi dhe do të gjejë se Shqipëria krahasuar me Malin e Zi është një diktaturë autoritare.
Raporti vë gishtin në problemet më madhore të diktaturës autoritare në Shqipëri apo autokracisë elektorale të Edi Ramës.
Unë përshëndes ata, mbi bazën e informacioneve të të cilëve është hartuar ky raport, por edhe ata që kanë hartuar raportin.
Shqiptarët duhet ta dinë se Komisioni Evropian i kërkon Shqipërisë 115 ndryshime për vitin e ardhshëm, nga të cilat disa të karakterit më urgjent siç janë reforma zgjedhore, kthimi i kontrollit parlamentar mbi qeverinë dhe buxhetin, heqjen e përjashtimeve nga prokurimet publike dhe ndalimi i dëmtimit të zonave të mbrojtur.
Që të gjitha këto kanë autor dhe krye-autor Padrinon e Shqipërisë.
Është ai, i cili me ndërhyrjet brutale në procesin zgjedhor, lejoi organizimin dhe organizoi vetë 4530 aktivitete për të ndikuar tek zgjedhësit shqiptarë.
Është ai, i cili që nga viti 2020 gjer sot, ka marrë në duart e tij të zeza mbi 90 përqind të pushteteve në vend.
Është ai, i cili për të mbetur në karrige, arrestoi në vitin elektoral liderëve e partive kryesore opozitare dhe të partisë së tretë e vendosi në ndjekje penale.
Është ai, i cili për të blerë votat, shpërndau në kulmin e fushatës elektorale 100 euro për çdo pensionist.
Është ai, Edi Rama dhe asnjë tjetër, i cili për të mbajtur me çdo kusht mandatin, vetëm dy ditë para zgjedhjeve fali 2.1 miliardë gjoba dhe kamata.
Është ai që ka organizuar ushtrinë e terroristëve politikë elektoralë.
Është ai, dhe asnjë tjetër, që aktivizoi të gjitha kartelet e drogës dhe organizatat kriminale me Gysin e tij për të futur në parlament 28 deputetë të krimit.
Është Edi Rama që vendosi të licencojë 138 licenca për mbjelljen e 29 mijë hektarë kanabis drogë për votë.
Është Edi Rama arkitekti i shkeljes së parimit më themelor të zgjedhjeve të lira, barazisë në garë.
Raporti e damkos prandaj edhe i kishte rënë një nur i zbehtë në të zi!
E dëgjuat dje apo jo? Dje tha, ky është raporti më i mirë që ka dalë nga Brukseli, por sot i kishte rënë… se nuk po dua të përdor atë fjalë që nuk më shkon mua.
Demokracia, parlamenti dhe zgjedhjet janë vënë në pikëpyetje, thotë raporti.
Ky është funksionimi i tyre.
Ndër të tjera për shkak të një mjedisi thellësisht të polarizuar, kontrollit të kufizuar parlamentar mbi ekzekutivin dhe nevojës urgjente për reformën zgjedhore.
E konstatojnë se ai nuk do reformën.
Dështimit të vazhdueshëm të parlamentit, dëgjojeni pak.
Komisioni Evropian, për shkak të dështimit të vazhdueshëm të parlamentit për të zbatuar jo një, por disa vendime të Gjykatës Kushtetuese, nuk zbatohen, shteti i të drejtës shkelmohet nga Padrinoja.
Pra, raporti ka një person në epiqendër, ka një bajloz, ka Padrinon Edi Rama.
Kontrollit të kufizuar parlamentar mbi ekzekutivin.
Ju jeni dëshmitarë, Edi Rama nuk pranon kurrë kontroll mbi veten e tij.
Njeriu i zhytur në skandalet korruptive multi miliarda siç është Porti i Durrësit, mbi 4 miliardë euro, siç janë fluturimet e tij në dy vite 140 fluturime me avion me 21 milionë, sa asnjë shtetar tjetër në botë. As sheikët apo sulltanët.
Tjetër, dështimi i vazhdueshëm i parlamentit për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
O të dashur qytetarë, rrugën drejt BE ua bllokojnë Oltat e Ramës.
E kuptoni apo jo?
Vjedh ajo me Olsi Ramën në call-centerat, vjedh ajo me këshilltarët e saj, vjedh ajo me të shoqin 10 mijë metër katrorë tokë publike dhe e shpall si private dhe Edi Rama nuk e lëshon se është bashkëaksioner me Oltën. Ja ku e keni Oltën këtu.
Nuk ka ndodhur ndonjëherë. Vetëm në diktatura autokratike nuk zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Në të drejtën kushtetuese, ata që i përmbahen Kushtetutës, ndodh që përmbaruesi i këtyre vendimeve është vetë Presidenti i Republikës dhe kjo është Kushtetuta e Austrisë.
Kushtetuta e Austrisë njeh përmbarues të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese vetë Presidentin.
Kurse këtu Padrinoja, kur vjen puna për Oltën, po pse për Oltën? Se Olta është ndrikulla e mafies Rama.
Ka qenë në Miçigan dhe ku ka qenë dhe vjen këtu e vazhdon atë aktivitet dhe shqiptarët paguajnë çmimin e damkosjes së tyre.
Raporti denoncon ligjet mafioze, pa asnjë transparencë të eksponentëve socialistë mafiozë që i paraqesin direkt për miratim.
Konkretisht, ja çfarë thotë.
Projektligjet e paraqitur shpesh në çast nga deputetët e shumicës dëmtuan cilësinë dhe transparencën e procesit legjislativ, shpesh duke anashkaluar konsultimin publik.
Urdhëroni si e përshkruan narko-parlamentin.
Politizimi i emërimeve, rrëmbimi. E rrëmbeu Avokatin e Popullit. Shkeli një traditë të krijuar prej 25 vitesh. E votoi me votat e veta, thotë.
Dhe të njëjtën gjë bëri edhe për zonjën Bunga.
E kuptoni ju? Për shërbimet e shpifura që i ka bërë gjatë procesit të vetingut.
Imagjinoni ju se çfarë besimi kanë këto dy institucione?
Që të dy këta duhet të japin dorëheqjen që sot, por para tyre duhet të dorëhiqet Edi Rama.
Me këtë raport, të ardhme evropiane nuk ka me Edi Ramën sepse ai është shkaku i të gjitha këtyre problemeve, një pjesë e të cilave nuk kanë qenë në raportin e kaluar.
Komisioni ad hoc për reformën admiistrative, projekti u miratua me votat e shumicës dhe shkoi në drejtim të centralizimit, faktikisht hidhet poshtë ajo që është bërë.
Në qoftë se një projekt për reformën administrative territoriale shkon drejt parimit të centralizimit, ky projekt është antikushtetues.
Është në kundërshtim flagrant me konventat që ka firmosur Shqipëria me Këshillin e Evropës, dhe parimet evropiane të demokracisë lokale.
Komisioni denoncon faktin që Komisionin e Integrimit të cilin në parlamentin e mëparshëm e kishte opozita, ia morën me votat e krimit, dhe pastaj bëjnë fjalë të ndahet përgjegjësia.
Po këta janë një grusht, një organizatë kriminale, të cilët përpiqen të fshehin të gjithë aktivitetin e tyre mafioz kriminal në Shqipëri.
Për zgjedhjet, e thashë.
Garuesit nuk kishin fushë të barabartë. Ky është parimi më themelor i zgjedhjeve të quhen të drejta, se në fakt në terminologjinë ndërkombëtare nuk përdoret shumë fjalë e lira, por të drejta dhe në përputhje me parimet. Parimi bazë për zgjedhje të drejta janë kushtet e barabarta.
Raporti insiston se duhet urgjentisht një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.
Çfarë do të thotë kjo? Kjo reformë zgjedhore duhet të përfshijë të gjitha partitë, të gjitha aspektet politike. Edhe ata që janë në shesh duhet t’i përfshijë para zgjedhjeve vendore të 2027-ës.
Shqipëria nuk e ka, prandaj duhet të sigurojnë përputhje me gjithë legjislacionin përkatës të Bashkimit Evropian në fushën e zgjedhjeve, përfshi rregulloren për transparencën, shënjestrimin, reklamat, gjithçka për financimin e partive politike.
Raporti ndalet tek protestat. Tek dhuna disproporcionale e narkobanditëve me uniformë, dhe qëndrimi cinik i narkodiktatorit.
Kërkon zgjidhjen e kërkesave të protestuesve. Të gjitha palët, thotë raporti, duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u përfshirë në një dialog konstruktiv.
Të kërkosh sinqeritet tek Edi Rama është njëlloj si të udhëtosh në Sahara për të gjetur eskimezë.
Gjyqësori, korrupsioni dhe politika. Dëgjoni ju. Pezullimi i një zyrtareje të lartë nga gjykata dhe SPAK-u dhe kërkesa për heqjen e imunitetit të saj, pra pezullimi i Lubi Ballukut, zëvendëskryeministres, shkaktuan reagime të forta negative nga ekzekutivi. Vetë Edi Rama pra.
Tani më thoni mua ku nuk është Edi Rama në këtë raport?
Vetë Edi Rama, prandaj kisha dalë ai si menderosur aty, gati sa s’po i binte të fikët.
Reagime të forta negative nga ekzekutivi, legjislativi përfshirë sulmet drejtpërdrejta ndaj SPAK-ut dhe institucioneve gjyqësore. E pashembullt, thotë raporti në historinë e një vendi.
Kreu i narkoshtetit, Padrinoja, bllokon rrogat e gjykatësve dhe prokurorëve. Dhe kjo s’kishte ndodhur ndonjëherë. Sikur buxheti të ishte jo i shtetit, por buxhet familjar i Surrelit. S’mund ta bllokojë kurrë qeveria buxhetin. Është i shtetit. Qeveria është menaxheri. Ato para janë të shtetit, por për Padrinon nuk ka ligj, as Kushtetutë.
Nuk ka pasur reagim, jo, jo. U vra gjyqtari i Apelit në sallën e gjyqit. Gjyqtarët dhe sistemi nuk ka masat e sigurisë për aktivitetin e tyre.
Korrupsioni. Pra në qoftë se me zgjedhjet e rrëzuara qeveria e Edi Ramës ka humbur legjitimitetin që kur u themelua, një goditje finale e legjitimitetit të kësaj qeverie ishte mbrojtja e korrupsionit të Lubi Ballukut.
Përsëri në këtë kapitull kryefjalë është Lubia. Kjo monstër që u del qytetarëve në rrugë dhe u zë rrugën drejt Bashkimit Evropian, sepse Palloshi i Gjatë është aksioner në vjedhjet e saj mbi 60 përqind.
Urdhëroni. Dhe nuk ka turp që del para shqiptarëve dhe e injoron, e fsheh.
Pretendimet për korrupsion të nivelit të lartë vazhdojnë të hetohen në tendera të shtetësisë, AKSHI-t, infrastrukturës. Shqipëria pra, është e zhytur në korrupsion të tmerrshëm.
Shqipëria duhet të rrisë ndjeshëm numrin e kallëzimeve drejt SPAK-ut nga autoritete të tjera, i cili mbetet shumë i ulët.
A e dini ju pse ndodh kjo? Do t’ju them një gjë. Ne kemi pasur një sistem tjetër, task-forcën e luftës kundër korrupsionit, i cili sipas raporteve të Departamentit të Shtetit dhe raporteve të tjera, krahasuar me SPAK-un sot, kishte dy herë, tre herë më shumë të dënuar dhe penalizuar për veprën e korrupsionit.
Kurse në atë kohë, ju them unë ju, pothuajse 98% e të gjitha dosjeve të kësaj task-force i shkonin nga departamenti antikorrupsion i Këshillit të Ministrave, i shkonin nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Shërbimin Informativ, i shkonin nga agjencitë e tjera.
Kurse tani thuhet, sepse ua kanë ndaluar, nuk mund të dërgojnë agjencitë pa marrë miratimin e Edi Ramës. Kjo është e vërteta. Ata që dërgojnë dosjet e panumërta për krimet nga më të ndryshmet është Partia Demokratike, ajo që dërgon. Vetëm për zgjedhjet janë 51 dosje, për korrupsionin janë dhjetëra e dhjetëra të tjera.
Qeveria nuk dërgon dosje, nuk i lejon, ju ka dhënë urdhër të bllokoni çdo kërkesë të BKH-së pa miratimin e tij.
Ndaj dhe del këtu kjo e dhënë, mburojë për korrupsionin. Kjo tregon se ka një mburojë për korrupsionin.
Tani vazhdojmë më tutje. Vlera e aseteve të sekuestruara dhe të konfiskuara në çështjet e korrupsionit ka mbetur e kufizuar. Gjatë vitit 2025 asetet e sekuestruara dhe të konfiskuara nga SPAK arritën në 45.4 milionë.
Asgjë, imagjinoni ju sa ka vjedhur Lubia, vetëm apartamente i ka 320.
Imagjinoni ju sa kanë vjedhur ministra të tjerë dhe këta.
Prisni se është më ndryshe kjo. Prej këtyre 45 milionë, vetëm 1.2 milionë euro lidhen me procedimet për korrupsion të nivelit të lartë dhe vlera e aseteve të konfiskuara është vetëm 100 mijë.
Sa ishte? 100 mijë. Arka që i gjetën Lubisë, më thanë që ishte nja 1 milion a sa ishte s’mbaj mend tani, duhet të shoh të dhënat.
Pra imagjinoni kanë konfiskuar gjithsej 100 mijë euro, e tmerrshme.
Nga 130 milionë euro të zhdukura për djegësin e Tiranës, nga 4 miliardë euro të portit të Durrësit, nga qindra milionë euro të rrugëve, nga 120 milionë dollarë të impiantit të ujërave të zeza në Tiranë.
Ku janë? Ka ndonjë të konfiskuar? Nuk preken.
Beqes as restorantin s’ia kanë konfiskuar. A mund ta imagjinoni ju? Restoranti ku shkoi, se ai është edhe hamës i madh, shkoi dhe u ul me paratë e Komisionit Evropian me një delegacion aty dhe e shtroi në restorantin e vet. Dhe për atë e futën në burg Beqen. Jo për sterilizimin, jo për laboratorët, jo për koncesionet, për check-up-in, jo, jo, është për këto ai.
Gjatë vitit 2025 SPAK thotë raporti, nuk mori asnjë vendim për sekuestrimin e aseteve në çështjet për vepra penale të korrupsionit të thjeshtë.
Në shëndetësi, korrupsioni është sistemik.
Sistemik do të thotë në të gjitha degët, në të gjitha nivelet. Policia e Shtetit është jo e ekspozuar, por shumë e ekspozuar ndaj korrupsionit. Pra, policia është gjer në fyt në korrupsion. Dy ndërrime radhazi të drejtuesit të agjencisë së mbikëqyrjes së policisë brenda 6 muajve, flasin vetë. Ai thotë kanë krijuar shqetësim, po në shqip duhet të përkthehet ‘flasin vetë’. Korrupsioni në fushën e pronësisë, ku prin Edi Rama, a nuk është Edi Rama që ka marrë 220 mijë metër katrorë tokë pa asnjë lidhje me familjen e tij në kanionin e Gjipesë, korrupsioni në fushën e pronësisë vazhdon të perceptohet si i përhapur dhe përbën një pjesë të madhe të ankesave dhe hetimeve.
Nuk ka raport si ky, nuk e gjeni dot. Futuni në arkiva që në vitin 1996, po gjetët një raport të tillë.
Media. Shqipëria ofron garanci ligjore të pamjaftueshme për lirinë e shprehjes. Shqipëria s’është vend i lirë. Kaq. Shqipëria është vend që cenon lirinë e shprehjes. Ndaj dhe u thashë në krye, ky raport përshkruan me germa të zeza, me ngjyrat më të zeza, një diktaturë autoritare në Shqipëri, një autokraci elektorale.
Urdhëro çfarë thotë vetë. Nuk ka garanci ligjore. Po prandaj kanë filluar ato.
I patë ju ndrikullat e AMA-s se çfarë paturpësie ekstreme? Çojnë gjoba se fyhet Sulltani në studio.
Ato nuk janë nëpunëse të shtetit. Ndjesë, nuk dua të bëj një koment tjetër. Gjobit median pse dikush tha se Edi Rama po nuk iku, do e zvarrisin, dhe ky ishte shkak për ta gjobitur.
Çfarë thotë? Pavarësia dhe pluralizmi i medias vazhdojnë të dëmtohen.
Mediat janë moniste, po shkojnë drejt monizmit, 90% e tyre në mbështetje të qeverisë. Çfarë pluraliteti ka këtu më thoni?
Dëmtohen nga depërtimi në treg i grupeve të biznesit me lidhje politike.
Ndaluni pak. Thojuani shqiptarëve, sa herë shitet dhe blihet Top Tuneli, më thoni? A ka gjë më të turpshme se para një fushate zgjedhore shkon dhe shitet diku në Sejshell apo Belize, nga këta mafiozë, për të thyer çdo ligj, dhe i marrin në xhep 9 milionë?
A janë të vërteta këto?
Vazhdojnë shqetësimet për ndikimin politik në emërimet në AMA dhe RTSH.
Ato të dyja, ndrikullat e AMA-s, ato janë për t’u bërë personazh, ato janë personazh i ndonjë eseje apo ndonjë novele. Me rekordin që kanë bërë, ato si me qenë të shkollës së talebanëve.
Urdhëro. Dy gra, dy zonja. Të dyja gazetare kanë qenë, mos gaboj. Dhe ashtu japin urdhra, të gjobitet kjo studio, të gjobitet ajo studio, se sipas tyre moderatori duhet të jetë polic i moralit.
Tjetër, nuk ka ndëshkueshmëri për sulmet ndaj gazetarëve. Mosndëshkueshmëria për sulmet ndaj gazetarëve është licencë për t’i sulmuar më shumë.
Gazetari për profesionin e tij ka një imunitet moral që shoqëria duhet t’ia respektojë. Përndryshe, pse do të rrezikojë jetën e tij ai çdo ditë? E thotë këtu, nuk ndëshkohen, impunitet.
Në disa aspekte të kujton Shën Thomain raporti. Çfarë thotë? Ndikimi i grupeve të biznesit të lidhura politikisht, sidomos para zgjedhjeve. Pikërisht para zgjedhjeve, Top Tuneli u shit në Belize apo Sejshell.
Kapitull tjetër, në të cilin aktor kryesor, përgjegjës kryesor është Padrinoja, është kapitulli i zi i prokurimeve publike, i vjedhjeve të tmerrshme.
Nuk e thotë ai këtë. I fsheh.
Çfarë thotë raporti? Dispozita kalimtare që lejon përjashtimin për marrëveshjet ndërkombëtare të konsulencës në fushat me interes strategjik, duhet të shfuqizohet. Dispozitë korruptive! Legjislacioni për prokurimin në mbrojtje dhe siguri ka ende nevojë për punë që të përputhet me Bashkimin Europian.
Kur të shqyrtojnë KAYO-n ata, do shihni ju ç’do shkruhet.
Tani ka një bilanc më dramatik, o të dashur qytetarë, për paratë e taksave tuaja që përdoren për prokurime.
Çfarë thotë, ju lutem dëgjojeni.
Nga analiza e prokurimeve të vitit 2025, 23.5% e tenderave u fituan vetëm me një kandidat. Armando Frangun, nuk e ka emrin po si puna e tij që i jepte ajo Linda e AKSHI-t, i jepte të gjithë tenderat me procedurë sekrete atij, pa garë, se përndryshe ai që merrte pjesë në garë merrej peng dhe çohej tek karteli i Suel Çelës.
Prisni! Pra 23% vetëm me një ofertues.
29% e procedurave fitoheshin me çmimin më të lartë. Ndarje parash. Fiks!
Çfarë bëjnë këta? Unë e kam denoncuar shumë herë po dihet kjo. Shkojnë ofertuesit, jo, jo, i thonë, kjo ofertë nuk mund të jetë, ta zëmë, 1 milion euro, por kjo do jetë 3 milion euro. Po, reale kjo ë! Dhe këto 3 milion euro, ti ke kaq në këto 2 milionë shtesë, po të tjerat do i çosh këtu, do m’i japësh mua ose tjetrit. Kjo është e vërteta.
Ndaj dhe dalin 29% e procedurave me vlerën më të lartë, plus 23 që ishin me një ofertues, këto bëjnë së bashku 52.5.
Tani, shkojmë pak më tutje. Mbetet i lartë numri i tenderave të anuluar. 38% e tenderave anulohen.
Pse anulohen? Pikërisht se ofertuesit nuk janë ata që mund të bëjnë pazar. Dhe anulohen absolutisht në mënyrë që në grupin e ofertuesve, të jetë personi që do ndajë para me Edi Ramën, Lubi Ballukun, apo ministrat e tjerë.
Ky është një mekanizëm shumë i njohur, ndaj dhe i përgëzoj dhe i falënderoj për damkosjen që i bënë këtij fenomeni.
Pra, siç e shihni, 90% e prokurimeve publike janë të damkosura! Ose anulohen, ose janë me një ofertues, ose me vlerën më të lartë.
Ky është procesi i prokurimit publik në narkoshtetin e Edi Ramës.
Pesha e procedurave me negocim pa shpallje paraprake, u rrit si pjesë e vlerës totale nga viti 2024 në vitin 2025, shtatë herë. Shtatë herë! Investimet strategjike dhe ligjet klienteliste, portet turistike, hidhen në kosh të plehrave si vepër korruptive e Edi Ramës, në mënyrë taksative, në mënyrë nominative!
Bizneset vënë në dyshim investitorin strategjik.
Marrëveshja e paqes fiskale ngre shqetësime të mëdha për moralin tatimor. Përmbyset pra. Kërkohet anulimi i menjëhershëm i saj. Marrëveshja e Padrinos, po kush e kishte këtë, ai e kishte, vite të tëra që e mbante këtë.
Për bizneset, shteti ligjor, korrupsioni dhe informaliteti janë shqetësimet më kryesore.
Investimet publike realizohen shumë më pak sesa planifikohen. Fakt, 90% e tyre vidhen.
Mjedisi u shkelmua! Ligji i zonave të mbrojtura hoqi nga mbrojtja territore të tëra.
Aeroporti i Vlorës u ndërtua në kundërshtim me direktivën evropiane dhe të konventave për mjedisin.
Pjesëmarrja e publikut në vendimmarrje është formale.
Strategjia për decentralizimin nuk zbatohet.
Nuk ka progres në uljen e barrës administrative.
Droga! Shiko çfarë thotë, dëgjojeni: Pavarësisht rritjes, këtu jemi ndalur disa herë për rritjen që japin, sepse kjo rritje po ta deshifrosh, kjo është një rritje që bën fatkeqë shqiptarët dhe lumturon oligarkët dhe trafikantët.
Ja çfarë thotë: Pavarësisht rritjes së fortë, aftësia e Shqipërisë për t’u afruar me BE-në kufizohet nga produktiviteti i ulët, nga narko-eurot.
Eksportet ranë me 28%, prodhimi industrial ra me 15.3%.
Ndaj edhe të gjitha këto dëshmojnë se me Edi Ramën integrim nuk ka. Se ai është, me qëndrimet, korrupsionin, lidhjet e tij me krimin, faktori më kryesor që bllokon rrugën e integrimit për Shqipërinë dhe shqiptarët.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET
Anisa Kadesha, RTSH: Zoti Berisha, sa e dëmtojnë ecurinë e procesit integrues të vendit të gjitha problematikat e parashtruara në këtë progres-raport, sikundër është edhe refuzimi i kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut, konsideruar si një mungesë e vullnetit të mazhorancës për të luftuar korrupsionin?
Sali Berisha: Ilaçi, zgjidhja, antidoti është vetëm një: largimi i menjëhershëm i Edi Ramës, dorëheqja e tij.
Krijimi i një qeverie teknike apo kujdestare për të përgatitur me urgjencë, thotë reforma zgjedhore thotë vetë komisioni, dhe procedurën me zgjedhje të lira të ndershme, shqiptarët të zgjedhin ata që duan.
Nuk ka asnjë zgjidhje tjetër. Për sa kohë Edi Rama të qëndrojë në atë zyrë, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është absolutisht prapa e kthyer.
Po ta merrni këtu, po të krahasoni këtë raport me të vjetshmin, ju do të gjeni gjëra këtu që përmbysin shtetin ligjor, përmbysin deri diku ata ku e vënë rendin kushtetues.
Marsi Korreshi, SRI TV: Zoti Berisha, po ashtu në konferencën e ditës së sotme që pati me ambasadoren e Bashkimit Europian, kreu i qeverisë Edi Rama sulmoi sërish protestuesit duke thënë se duart e regjimit iranian janë në bulevard dhe se ka fakte për këtë, dhe duke shtuar se dorëheqja e tij nuk imponohet nga rruga. Keni një koment për këto deklarata? Faleminderit.
Sali Berisha: Në fakt, ai është rikthyer në origjinë.
Po problemi është se ky rikthim nuk kuptohet nga gjenerata e re, e cila nuk ka përjetuar diktaturën e etërve të tij, të cilët nga mëngjesi gjer në darkë i terrorizonin shqiptarët me gogolin e armikut të jashtëm dhe gogolin e armikut të klasës, armikut të brendshëm.
Ky përdor pikërisht këtë skemë.
Njëherë thotë Irani, dhe sjell si shembull një zonjë, e cila deklaroi se e kisha takuar Ahmadinexhadin. Po Ahmadinexhadin e ka takuar disa herë Rama-Veliaj në Internacionalen Socialiste në Teheran. E kam takuar thotë sepse kam fituar në konkurs në leximin e Kuranit dhe kam dalë lexuesja më e mirë në rajon dhe kam qenë e ftuar.
Tani kjo, është argumenti se zonja Ikbale, mos gaboj, ishte super agjentja iraniane, pastaj gjeti dhe këtë Gonxhaj, u përpoq ta lidhte, të asaj lidhte.
Në fakt është revolta e thellë e qytetarëve shqiptarë ndaj një njeriu, ndaj një njeriu që ka ndërtuar në Shqipëri narkoshtetin, si pushtuesi më i egër që kanë njohur shqiptarët në histori. Është sundimtari më kleptokratik në historinë e Shqipërisë.
Dhe asnjë lidhje nuk kanë ato që thotë ai.
Ai përpiqet që të krijojë dhe një mirëkuptim tek drejtuesit e tjerë të cilët kanë vende të cilave kanë protesta, u përpoq shumë t’i servirë si ANTI-fa, bëri gjithçka por dështoi.
E vërteta, unë i them më mirë jep dorëheqjen se absolutisht je i pashpresë. Ke marrë fund. Ke marrë fund.
Lexo raportin, ke marrë fund. Nuk mund të pranojnë shqiptarët t’ia bllokosh ti rrugën e integrimit. Faleminderit.


