FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË KONFERENCËN ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, u ka bërë thirrje maturantëve dhe nxënësve në të gjithë vendin të bojkotojnë mësimin në shenjë solidariteti me protestën studentore, ndërsa ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Rama.
Në konferencën me gazetarët ditën e sotme, Berisha e cilësoi protestën studentore si një revoltë çlirimtare për Shqipërinë dhe dënoi dhunën e ushtruar ndaj protestuesve. Ai u bëri thirrje mësuesve, pedagogëve, bizneseve, mjekëve dhe infermierëve që t’u bashkohen studentëve, duke theksuar se indiferenca ndaj protestës është zgjedhja më e keqe.
Lideri demokrat akuzoi kryeministrin Rama për keqqeverisje, korrupsion dhe varfërimin e shqiptarëve, ndërsa deklaroi se kërkesa për dorëheqjen e tij është ultimative. Berisha paralajmëroi gjithashtu se tentativat për të kërcënuar studentët dhe nxënësit nuk do të mbeten pa ndëshkuar.
I pyetur nga gazetarët për deklaratën e Ramës për Reuters se nuk do të largohet nga detyra dhe për rrezikun e destabilitetit, Berisha u shpreh se kryeministri i ka humbur betejat dhe e paralajmëroi të mos përdorë policinë si “mish për top”.
Në përfundim, ai u bëri thirrje punonjësve të Policisë së Shtetit që nuk janë të përfshirë në krim dhe drogë, të japin dorëheqjen, ndërsa kërkoi nga policia në qarqe që të mos ndërhyjë ndaj studentëve protestues.

FJALA E PLOTË
Universitetet e vendit si kurrë ndonjëherë ,nga dhjetori i vitit 1990, janë hedhur të gjitha në grevë të përgjithshme.
Studentët shqiptarë, në të katër anët e Shqipërisë, janë në protestën më të fuqishme studentore që ka njohur vendi.
Bashkë me studentët janë dhjetëra mijëra gjimnazistë, të cilët kanë dalë krah tyre dhe kërkojnë largimin, dorëheqjen e menjëhershme të personit që trajtoi Shqipërinë si një Padrino. Të armikut të egër të ekzistencës së shqiptarëve.
Të zjarrvënësit të pamëshirë të ëndrrave, idealeve demokratike.
Të zjarrvënësit të pamëshirë të shpresave të shqiptarëve.
Kurrë në historinë e këtij vendi, një regjim, një person, kryeministër, mbret, president apo sulltan, qoftë dhe guvernator i pushtuesve nuk ka shtypur, nuk ka rrënuar ekonomikisht, nuk ka vjedhur miliarda e miliarda me organizatën e tij kriminale siç ka bërë Edi Rama.
Edi Rama ndërtoi parajsën e tij mbi drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Ndërkohë, theksoj dhe njëherë, hodhi në flakë, në zjarr ëndrrat e mbi 47% të shqiptarëve që u detyruan të marrin rrugët e dheut nga varfëria dhe skamja e këtij vendi.
Hodhi në zjarr, dogji me zjarr shpresat e një kombi, e shqiptarëve që vendi i tyre të bëhet.
Dogji në flakë dhe zjarr qenien, vetë qenien shqiptare, e dëmtoi sa askush tjetër.
Në reagimin e tij, pak të thuash shtazor, ndaj protestës paqësore të studentëve, theu kocka dhe çau kafka si askush tjetër ndaj tyre.
Ndaj dhe, duke përshëndetur me përzemërsi këtë revoltë çlirimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët, dënuar me forcën më të madhe dhunën, terrorin, egërsinë shtazarake të narkobanditëve, të urdhëruar nga Edi Rama, u bëj thirrje të gjithë nxënësve, maturantëve në mbarë Shqipërinë të bojkotojnë mësimet, shkollën për të shpëtuar ëndrrën e tyre më të bukur.
Për të shpëtuar të ardhmen e tyre.
Jo vetëm të tyren, por të familjeve, të shoqërisë dhe vendit nga ky zjarrvënës që nuk e kanë parë kohërat.
U bëj thirrje mësuesve, pedagogëve të bashkohen me nxënësit dhe studentët e tyre, të mos harrojnë se mësimi i parë, neni i parë i misionit të tyre është që ata në çdo rrethanë duhet të jenë me nxënësit dhe studentët e tyre.
Duhet të jenë në anën e tyre.
Asnjë tentativë, siç po ndodh në disa raste, për të kërcënuar studentët dhe nxënësit, nuk do mbetet pa ndëshkuar.
Mësueset, mësuesit dhe pedagogët janë idhuj për nxënësit, nxënëset dhe studentët, për virtytet dhe figurën e ndritur të tyre. Nuk duhet ta nxijnë këtë figurë, nuk duhet ta errësojnë këtë figurë.
U bëj thirrje biznesmenëve të bashkohen me studentët.
Mos bini viktimë e narkopropagandës.
Këto vajza dhe djem, që po përballen si luanë me narkopolicinë, nuk e kanë vetëm për veten e tyre, e kanë për shoqërinë, por edhe për bizneset tuaja, për shtetin ligjor, për suksesin tuaj.
Nuk është e drejtë që në Tiranë dhe në rrethe të derdhen dhjetëra mijëra të rinj kurse ti të mos shpallësh një grevë në solidaritet me ta.
Sigurisht ke frikë nga sanksionet, por atij po i thyhen kockat, po i çahet kafka dhe po e bën për ty.
Është e pafalshme indiferenca e bizneseve të vogla ndaj tyre, nuk mund të keni kurrë aleatë si ata.
U bëj thirrje mjekëve, infermierëve që të solidarizohen me studentët.
Ju jeni dëshmitarë se ku e katandisi narkoregjimin sistemin shëndetësor.
Ndërgjegjja juaj profesionale nuk mund t’u lejojë ju të jeni kurrë as indiferentë, as edhe kundër studentëve.
Ndaj dhe, në këtë orë të historisë, çdo shqiptar midis narkoregjimit të urryer dhe studentëve, realisht liberatorë duhet të bëjë zgjedhjen e tij.
Indiferenca është zgjedhja më e keqe.
Ndaj bashkohuni me protestuesit.
PD mbështet fuqishëm kërkesat e lëvizjes studentore.
Dhe njëherë, i kërkon Edi Ramës të japë menjëherë dorëheqjen.
Është tërësisht i pashpresë.
Por në qoftë se i ka mbetur qoftë edhe një nanogram arsye njerëzore, të gjejë kurajë dhe të japë dorëheqjen.
Të mos pësojë atë fat që diktatorët që nuk kanë dhënë dorëheqjen kanë pësuar nga verdikti, nga drejtësia e bërë nga qytetarët.
Jep dorëheqjen është kërkesa ultimative e protestës studentore, e opozitës shqiptare, e mbarë shqiptarëve.
Anisa Kadesha, RTSH: Z. Berisha, pavarësisht thirrjeve për dorëheqje, kryeministri Edi Rama ka deklaruar për agjencinë Reuters se nuk do të tërhiqet dhe do vazhdojë detyrën e tij. Në një situatë të tillë a rrezikon vendi të shkojë në destabilitet?
Sali Berisha: Në një situatë të tillë, u garantoj se Edi Rama ka të humbur çdo betejë.
Por Edi Rama ka trashëgiminë e nxirë të xhelatëve Kristaq Rama dhe Spiro Koleka, daja i tij, që në vitin 1990, në 11 dhjetor në plenumin që u organizua për qëndrimin që do mbahej ndaj studentëve, bënte thirrje për futjen e tankeve, mitralozave dhe ushtrisë.
Ka këtë trashëgimi Edi Rama.
Ndaj dhe të bëjë zgjidhjen më mirë.
E pa mbrëmë se kush ishin luanët e sheshbetejës. E pa!
Mos të përdorë policinë si mish për top.
U bëj thirrje anëtarëve të Policisë së Shtetit që nuk janë të përlyer me drogë dhe krim të japin dorëheqjen.
Në të gjitha qytetet e mëdha të vendit janë protestat studentore.
U bëj thirrje qytetarëve dhe bizneseve t’i mbështesin ato fuqishëm.
I bëj thirrje policisë në ato qarqe, të mos guxojë të prekë studentët.
Forca e tyre është e jashtëzakonshme pastaj.


