FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATËVE NË GJIROKASTËR
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar mbrëmjen e sotme kandidatët për deputetë në qarkun e Gjirokastrës. Gjatë fjalës së tij, Berisha u shpreh se, vendi është zhytur në mjerim dhe familjet shqiptare nuk u japin dot 3 vakte fëmijëve. ‘Nuk mund të themi se kemi ende të ardhmen madhështore të Gjirokastrës. Nuk mund ta themi këtë sepse sot në Gjirokastër dhe mbarë Shqipërinë, sipas burimeve të pavarura të UNICEF, 21 përqind e familjeve shqiptare nuk u japin dot tre vakte ushqim fëmijëve të tyre, nuk kanë’, tha Berisha.
Gjatë fjalës së mbajtur në Gjirokastër, lideri i opozitës Sali Berisha ka premtuar për rikthimin e ‘Gjirokastrës Madhështore’. ‘Respekti ynë, i të gjithë këtyre qytetarëve për mësuesit dhe mësueset është i pakufishëm. U garantoj se vendosja e mësuesit në piedestal, pagesa e tij minimimalisht me 1500 euro, do jetë objektiv që do mbahet si kusht për të ngritur arsimin’, nënvizoi kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Kryedemokrati Sali Berisha, gjatë takimit në Gjirokastër, prezantoi programin ekonomik të PD, të cilin e cilësoi “të thjeshtë e me dy objektiva”: kthimin e parave qytetarëve dhe krijimin e mundësive për të gjithë shqiptarët. Ai premtoi lehtësime të ndjeshme fiskale për bizneset e vogla dhe të mesme, përfshirë rritjen e pragut të TVSH-së .Sipas tij, energjia do të shitet me 6 lekë dhe uji do të kushtojë përgjysmë më pak. Berisha shtoi se qeveria e tij do garantojë kredi të buta për bizneset përmes bankave. Ai akuzoi kryeministrin Rama për keqpërdorim të fondeve publike dhe ndarje të pasurive me një rreth të ngushtë. “Po të ishin investuar 60 milionë euro në Gjirokastër, qyteti do ishte transformuar”, theksoi Berisha.
Gjatë fjalës së mbajtur në prezantimin e kandidatëve në Gjirokastër, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka publikuar të tjera detaje nga dosja Rama-McGonigal në ShBA, ku ky i fundit u korruptua me 225 mijë dollarë nga kryeministri shqiptar.
‘Rama thotë, ja thotë, nuk ka një fakt për mua. Po a nuk je ti që i ke dhënë McGonigalit 220 mijë dollarë, për ta korruptuar kundër opozitës dhe këtë e fakton gjykata amerikane? Çfarë fakti do? A e keni vënë re miq, i kanë ardhur lajmet, dhe tani çdo ditë rroftë e qoftë Altin Dumani. U garantoj se edhe Nuredinit do i thurte poema në qoftë se ia kërkon Nuredini këtë gjë se do të shpëtojë nga dosja McGonigal’, tha gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha.

FJALA E PLOTE
Gjirokastrite dhe gjirokastrite, mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta për ju në këtë shesh, për të gjithë qytetarët e këtij qyteti, për të gjithë banorët e qarkut të Gjirokastrës kudo që ndodhen sonte, në Shqipëri, emigracion e diasporë.
Mirënjohje të pakufishme për këtë pritje fantastike, mesazhi më i mirë që u përcillni sot shqiptarëve.
Por unë u sjell ju sonte përshëndetjet e qytetarëve të një turi që nisi në Vorë, vazhdoi në Fier, Himarë, Borsh, Sarandë dhe që qëndroi këtu në Gjirokastër, turi i vërtetë i shpresës, optimizmit dhe fitores.
I dashur zoti Tritan Shehu, udhëheqës politik i qarkut të Gjirokastrës, të dashur kryetarë të degëve të PD të këtij qarku, të dashur dhe të nderuar kandidatë tanë për depuretë të PD, përfaqësues dinjitozë të qarkut të Gjirokastrës, krenari e veçantë për këtë qark dhe Shqipërinë.
Miqtë e mi, sonte jam para jush për të paraqitur projektin tonë të Gjirokastrës madhështore, të Shqipërisë madhështore.
Cilido që njeh alfën e këtij qarku, e këtij qyteti, e këtij rrethi, gjen madhështi, trashëgimi madhështore të kësaj treve, gjen lashtësi, gjen gjeni të letrave shqipe siç është Ismail Kadare, gjen burra të mëdhenj, luftëtarë të pamposhtur.
Gjen Antigonenë, një nga trashëgimitë më të mëdha kulturore.
Por gjen shpirtin e madh, tolerant të banorëve të këtij qarku, në të cilin shqiptarë, grekë, arumunë jetojnë vëllazërisht, jetojnë në mirëkuptim të plotë njëri me tjetrin.
Pra ne kemi një trashëgimi madhështore, kemi dhe një shpirt madhështor tek qytetarët e Gjirokastrës.
Por prapë ne nuk mund të themi se kemi Gjirokastrën e sotme madhështore.
Nuk mund të themi se kemi ende të ardhmen madhështore të Gjirokastrës.
Nuk mund ta themi këtë sepse sot në Gjirokastër dhe mbarë Shqipërinë, sipas burimeve të pavarura të UNICEF, 21 përqind e familjeve shqiptare nuk u japin dot tre vakte ushqim fëmijëve të tyre, nuk kanë.
Miq do kërkoj ndjesë t’u rrëfej një moment nga jeta ime e mjekut. Në vitin 1988 u bë një plenum dhe për turpin e atij regjimi vendosën që fermerit t’i japin një kec dhe një qengj. Kecin do ia merrnin, qengjin do ia linin.
Në atë mbledhje e mora fjalën, dhe Sali Berisha në atë mbledhje, bëri apoteozën e lopës.
Mbajtja një fjalim për lopën ku kërkova t’u kthehet dhe gjithçka e argumentova me minimumin proteinik që ishte një bazë e minimumit jetik.
Mungesa e tij i mbante njerëzit në uri, i mplak para kohe dhe u shkurton jetën.
Vite më vonë vjen në Shqipëri një delegacion francez, një mik i imi me një grup deputetësh.
Më pyet, Sali si i keni punët?
Probleme kemi, jemi të varfër.
Jo, Sali, jeni mirë. Se kishin shkuar në Prezë, kishin parë sytë e fëmijëve. Ishin të ushqyer. Nuk kishin uri.
Sot UNICEF thotë se 21 përqind e familjeve shqiptare nuk u japin dot tre vakte fëmijëve të tyre.
Sot 760 mijë pensioniste kanë pensione qesharake.
Sot 57 përqind e 760 mijë pensionistëve marrin një pension nën 160 euro.
Sot fshati ka një pension 120 euro.
Sot ndihma ekonomike është qesharake.
Ja pra o miq.
Mirëpo në qoftë se do ndiqeshin rritja e çmimeve, të gjithë pensionistët sot nuk do mund të kishin një pension nën 390 euro për të jetuar siç jetonin në vitin 2013.
Ndërsa qeveria i përjashtoi ata, i la në atë që klasifikohet si varfëri ekstreme.
Varfëria ekstreme është tirani mjerimi. Është tirani, është shtypje, është topitje, është poshtërim, është zhvlerësim.
A mund të jetë kjo Gjirokastra madhështore? Kurrë.
A mund të jetë kjo Shqipëria madhështore? Kurrë.
Miqtë e mi, nuk krahasoj sot me diktaturën staliniste, por në vitet ’70, një poet i madh, i pavdekshëm, shkruan një poemë, Saharaja dhe ai krahason Shqipërinë me Saharanë.
Ndër të tjera thotë se Saharaja nuk shikon ëndrra se ishin të shtypur.
Po ne ku jemi me ëndrrën sot? Ëndrra jonë sot janë të rinjtë. Por të rinjtë po ikin.
Ne sot jemi një vend pa ëndërr. Çfarë ëndrre mund të kemi ne kur 600 mijë të rinj kanë ikur 10 vitet e fundit?
Çfarë ëndrre mund të kemi ne kur në shkollat e Gjirokastrës dhe të mbarë Shqipërisë janë reduktuar në maksimum nxënësit?
Kur në Labovë, në Maleshovë, në zonat e tjera, klasa me dy nxënës, klasa pa nxënës?
Çfarë po ndodh me Shqipërinë dhe me Gjirokastrën?
A nuk po zvogëlohemi ne në mënyrë të tmerrshme.
Nuk ka një komb në histori që në 10 vite të ketë humbur, siç thotë statistika evropiane, 1 milion e 99 mijë shqiptarë vetëm në hapësirën e BE.
Atëherë, a ka një thirrje të brendshme nga shpirti i këtij kombi?
A ka një thirrje nga thellësitë e kësaj toke, të shpëtojmë Shqipërinë, t’i japim Shqipërisë madhështinë që i takon.
Dhe ne jemi këtu me këtë program.
Ndaj dhe ne programin tonë e nisim në radhë të parë tek dhembshuria njerëzore.
Ne jemi komb bamirës. Ne e kemi virtyt bamirësinë.
Por është i pashpirt shteti që i lë burrat dhe gratë që kanë shkrirë jetën e tyre të numërojnë kafshatën, të mos marrin dot ilaçet, me një pension qesharak.
Është i pashpirt shteti kur merr prej tyre taksa 8 miliardë dhe 760 mijë qytetarëve u jep 16 milionë.
Është i pashpirt shteti që nuk mendon se ato familje të cilat u japin dy vakte ushqim fëmijëve, ato janë subjekt sëmundjesh dhe shumë e shumë të këqijash të tjera.
Atëherë ne do e fillojmë këtu me programin tonë.
Ne kemi përcaktuar minimumin jetik si emergjencë të emergjencave.
Çdo shqiptar 200 euro.
Çdo pensionist 200 euro.
Nga 760 mijë pensionistë, mbi 560 mijë marrin më pak se 170 mijë lekë se janë me pension të pjesshëm. Do marrin 200 euro.
Të gjithë të papunët, 200 euro.
Të gjithë personat në ndihmë ekonomike, 200 euro.
Të gjithë burrat dhe gratë që nuk kanë asnjë lloj sigurimi, do marrin 200 euro.
Të gjithë jetimët do marrin 200 euro.
Të gjithë studentët me bursë do marrin 200 euro.
Miqtë e mi, secili nga ju, pyet se ku do gjenden këto para?
Unë u garantoj ju se këto para janë që të gjitha.
Unë po përgjigjem si ish-kryeministër.
Së pari, atë buxhet, morali dhe ligji të detyron që më së pari paratë t’ua kthesh atyre që ua ke marrë, dhe ai buxhet i tëri përbëhet nga taksat tuaja.
Dhe se kemi parasysh këtë parim, dyfishuam rrogat, dyfishuam pensionet e ulëta, dyfishuam ndihmën ekonomike.
Pra, nuk është parim shqiptar ky, nuk është parim i Sali Berishës ky, ky është parim i çdo qeverie të përgjegjshme.
Në vitin 2013, pensioni në Shqipëri ishte 143 mijë lekë. Pensioni në Mal të Zi ishte 138 mijë lekë.
Sot Mali i Zi pensionin e ka 450 mijë lekë. Po pse e ka? Sepse kryeministri i Malit të Zi, dhe po kështu i Maqedonisë, Serbisë, Kosovës, çdo kryeministër zbaton parimin, paratë qytetarëve, rroga dhe pensione.
Kurse kjo qeveri nxori teorinë se fondi i pensioneve aq është, dhe se po të marrim nga buxheti për pensionistët, biem në greminë.
Po si nuk ra Mali i Zi, Serbia, Maqedonia në greminë?
Jo miq, këta i vjedhin paratë.
Dhe u them unë ju, në ato miliarda që kanë vjedhur në veprat publike që nuk i kanë ndërtuar, apo i kanë vlerësuar 10 herë më shtrenjtë se kushtojnë, janë paratë e pensioneve tuaja, rrogave tuaja. Dhe kjo merr fund.
Përparësi absolute kthimi i parave tek ju.
A mund të bëhet fjalë për Gjirokastër madhështore kur shkollat mbyllen njëra pas tjetrës, kur universiteti bie çdo vit, kur spitali që ka pasur mjekë të shquar, mjekë të zot, mjekë të shkëlqyer, sot për apandesit duhet të shkosh në Tiranë të operohesh.
Jo miq, ne do bëjmë gjithçka që qytetari të ketë shërbimin shëndetësor që meriton.
Do bëjmë çdo gjë që ju ilaçet të mos u mungojnë.
Dhe të keni ilaçe të të njëjtit standard që ka Greqia, që ka Italia.
Qëndrojmë përsëri tek ata që janë më në nevojë. Karta e konsumatorit, rrogëulëtit dhe nuk do ketë rrogë më të ulët se 500 euro, pensionistët, të papunët do të marrin kartën e konsumatorit me të cilën do blejnë 20 përqind më lirë se të tjerët. Ato para do u kthehen në vit dhe janë rreth 450 euro.
Pra a nuk është ky një çlirim nga varfëria ekstreme e këtyre qytetarëve?
Shoqëria bëhet më e drejtë.
Ilaçet, lista e republikës italiane do jetë lista që do firmoset muajin e parë të qeverisë së ardhshme.
Pra, në këtë mënyrë ne ndahemi nga mjerimi, nga varfëria e skajshme.
Ne do rivendosim arsimin si kusht që të rinjtë shqiptarë të shkollohen në shkolla të mira.
Vojsava të falënderoj shumë për guximin që tregove.
Respekti ynë, i të gjithë këtyre qytetarëve për mësuesit dhe mësueset është i pakufishëm.
U garantoj se vendosja e mësuesit në piedestal, pagesa e tij minimimalisht me 1500 euro, do jetë objektiv që do mbahet si kusht për të ngritur arsimin.
U garantoj ju se brenda 4 viteve, nuk do ketë klasë në Shqipëri me më shumë se 25 nxënës. Nuk do ketë turne. Po vij nga Saranda, shkollat me dy turne. Kudo.
Nuk ka sepse arsimi dhe shëndetësia, rrugët u bënë objekte të vjedhjeve më të papërmbajtura.
Ndaj dhe vetëm duke rivendosur arsimin në piedestalin e vet, Shqipëria, Gjirokastra do ecin në rrugën e madhështisë.
Të rinjtë, nuk do ketë mesatare për në universitet.
Me përfundimin e studimeve, punësimi juaj do të jetë përparësi absolute.
Çdo punëdhënës do i paguhen sigurimet shoqërore për ju një vit dhe ju do u garantohen kredi të buta për të ngritur startupe, grante për të siguruar çatinë. Çdo çift do marrë kredi. Për çdo çift një çati.
Do paguhet bonus 70 euro për fëmijën e parë.
60 euro për fëmijën e dytë.
Çdo shpenzim nga lindja gjer 23 vjeç për fëmijën e tretë.
Ne do bëjmë gjithçka t’i rikthejmë kombit rininë.
Ne do bëjmë gjithçka të sjellim kombin shqiptar në moshën e rinisë së tij.
Miqtë e mi, ky program është shumë i thjeshtë.
Ka dy objektiva. Së pari kthimin e parave atyre që ua merr.
Së dyti, një mundësi për çdo shqiptar.
Një mundësi të re për çdo shqiptar.
Përndryshe udhëtimi ynë drejt madhështisë që meritojmë është i vështirë.
Garantoj çdo biznes të vogël se tavani i TVSH-së do kalojë në 180 mijë euro.
Se tavani për tatim fitimin do kalojë në 180 euro.
Se hapësira publike do pjesëtohet me 5.
Se bashkia nuk do mund vendosë kurrë taksa më shumë se 1 përqind të xhiros.
Se energjia do blihet me 6 lekë dhe jo 18 si sot.
Se fatura e ujit do përgjysmohet.
Se banka do financojë me kredi të buta të mbuluara nga qeveria investimet në biznesin e vogël.
Miqtë e mi, biznesi i vogël është gjenerator punësimi, por ne nuk injorojmë kurrë biznesin e mesëm dhe të madh.
Ndaj dhe kemi vendosur të kemi barrën fiskale më të ulët në Europë. Taksa 10 përqind mbi tatim fitimin.
TVSH-ja bie në 15 përqind.
Vetëm me uljen në 10 përqind të tatim fitimit mbi të ardhurat personale, rrogat mbi minimale rriten automatikisht 13 përqind.
Përveç kësaj, jam për t’u zotuar këtu para jush se rritja e rrogave e pensioneve është një nga qëllimet më madhore gjersa ne të dalim përsëri në krye të vendeve të rajonit për rroga dhe pensione.
Ne ishim, do dalim përsëri.
Asnjë vend nuk ka pasuritë e Shqipërisë.
Ato duhet t’i gëzojnë qytetarët shqiptarë.
Këto pasuri duhet të shndërrohen në mirëqenie për qytetarët shqiptarë.

Cili është dallimi i këtij programi me aktualin?
Edhe tani, buxheti, u mburr, i rrahu gjoksin Edi Rama, 8 miliardë. 8 miliardë të marra të gjitha nga taksat tuaja.
Edhe tani pasuritë ja ku janë.
Po çfarë ndodh me to? I ndan një grup i vogël njerëzish, i ndajnë qeveritarët.
Mund të rrish net të tëra t’i rikujtosh, por çdo ditë, çdo orë del një skandal.
E morët vesh ju, Tërmeti, 60 milionë euro drejtorëve të vet. 5D e Tiranës.
A e dini mor miq çfarë janë 60 milionë euro?
U garantoj se po të ishin investuar 60 milionë euro në Gjirokastër, do kishin transformuar në shumë aspekte këtë rreth.
Vidhen.
Po me kë i ndan Tërmeti? Po Tërmeti natyrisht i ndan me Kumbaron, i ndan me Edi Ramën.
Miq, nuk është vetëm Tërmeti, por Rama i ndan me xhinsin e tij. Dhe thotë nuk ka një fakt për mua.
Po a nuk je ti që i ke dhënë McGonigalit 220 mijë dollarë, për ta korruptuar kundër opozitës dhe këtë e fakton gjykata amerikane?
Çfarë fakti do?
A e keni vënë re miq, i kanë ardhur lajmet, dhe tani çdo ditë rroftë e qoftë Altin Dumani. U garantoj se edhe Nuredinit do i thurte poema në qoftë se ia kërkon Nuredini këtë gjë se do të shpëtojë nga dosja McGonigal.
Gjeni fakte për mua, thotë se dardhat i kanë ngrënë të tjerët.
Po ato 224 mijë metër katrorë të manastirit të Skutarisë dhe në Gjipe, kush i mori ato? Çfarë lidhje ke ti me to?
Lexoni, Spiro Koleka, Nushët kanë deklaruar se nuk kanë pasur toka, kanë deklaruar se kanë pasur 3 dhi dhe 5 derra, kanë deklaruar se kanë qenë më të varfrit të Vunoit dhe tani na dalin me dhjetëra hektarë prona të gjitha të grabitura nga Edi Rama.
Po ai kopshti 8 mijë metra në Surrel nga mbiu ai, apo ma bëri gruaja. Dhe tani po t’i thuash, ja tani ky më përmend edhe gruan. Po atë e ke thënë vetë ti.
Po 130 milionë euro të djegësit të Tiranës. Shkoi në gjykatë dosja, dy drejtorë aty, kanë shkelur ligjin, por para nuk kanë marrë ata. Ata kanë firmosur tenderin, por është Edi Rama prapa tij. Dhe ajo që duhej të vëzhgonte çdo muaj punimet, nuk ka bërë asnjë raport Lubi Balluku. Pse? Se e shihte se dardhat i hante Edi Rama. Jo vetëm dardhat, por edhe ftonj të prishur.
Dhe përpiqet tani të justifikohet. Po ja ata ministrat. Prisni, avash kur ta dëgjoni të thotë lavdi hajdutëve të mi.
Sepse për të qytetarët janë dembelë, shqiptarët janë dembelë, ikin dhe nuk punojnë.
Në të vërtetë shqiptarët janë punëtorë, por ti ke ngushtuar komplet rrethin.
Ndaj dhe ne me projektin tonë një mundësi për çdo shqiptar.
Miq, kjo betejë pra është shansi më i madh i jetës tonë.
Është shansi më i madh i jetës tonë që ne bashkërisht të ndahemi, ta shpëtojmë Shqipërinë nga kjo e keqe që po e shkreton.
Është shansi më i madh i joni për të rivendosur këtë vend në rrugën e madhështisë.
Ndaj të shndërrohemi ne në misionarë.
Nuk është program për një parti, është program për çdo shqiptar që do të jetojë me djersën, mundin e tij në këtë vend.
Që do të ndërtojë ëndrrën e tij në këtë vend.
Ndaj dhe ju ftoj mençurinë tuaj, dhembshurinë tuaj, forcën bindëse ta përdorni me çdo gjirokastrite që me 11 maj të votojmë për veten tonë, të votojmë për rrogat tona, pensionet tona, për shkollat, për spitalet.
Të votojmë për fëmijët tanë, nipërit, mbesat tona.
Të votojmë për njerëzit tanë të sëmurë që të trajtohen si njerëz.
Të votojmë për shkollimin, punësimin.
Ftoj të gjithë nënat, motrat, zonjat të përçmojnë propagandën vulgare, të pacipë të një njeriu, i cili beson se bëhet interesant duke u sharë bashkëshortin dhe burrin e vet.
Që beson se me batuta do mund të mbulojë vjedhjet që bën.
Se me batuta do mund të mbulojë largimin e njerëzve nga Shqipëria.
Se me batuta do mund të mbulojë vdekjen e të sëmurëve për ilaçe.
Ndaj dhe 11 Maji është dita e nënave, motrave, grave, bashkëshorteve shqiptare, në nderin, dinjitetin e tyre t’i japin përgjigjen që meriton këtij mizogjeni të pashpirt i cili për karrige është i aftë të bëjë çdo gjë, të thotë çdo gjë.
Rroftë Gjirokastra, rroftë Shqipëria.
Votoni njishin.
Njisha jeni të gjithë ju.
Shqiptarët janë të gjithë njisha.
Fitore, fitore, fitore!