FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME KRYETARET E DEGEVE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, ka mbledhur në një takim drejtuesit e PD-së të Tiranës. Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh se, situata është kritike, dhe se kriza e narkoshtetit është thelluar.
Berisha theksoi se, Edi Rama ka urdhëruar banditët e tij policë, që të çajnë kafka dhe thyer kocka të protestuesve. ‘Edi Rama, duke urdhëruar narko-banditët e tij për çarë kafka dhe thyer kocka gjymtyrësh të të rinjve dhe qytetarëve që protestonin në mënyrën më paqësore, detyroi ata të përdorin çdo mjet rrethanor kundër kriminelëve me uniformë, dhunuesve të tyre.’, theksoi ai.
Gjatë fjalës së mbajtur në takimin me drejtuesit e PD së Tiranës, lideri i demokratëve Sali Berisha, ka akuzuar Edi Ramën për dhunë brutale ndaj studentëve protestues, duke e krahasuar ndërhyrjen e policisë me represionin e ushtruar gjatë protestave të 8 dhe 9 dhjetorit nga sampistët, forcat e Sigurimit dhe Policia e Shtetit. ‘Reagimi brutal i Edi Ramës ndaj studentëve, unë i them çdo shqiptari, tejkalon absolutisht, meqenëse kam qenë dëshmitar në atë protestë, brutalitetin e sampistëve, forcave të Sigurimit dhe Policisë së Shtetit në protestën e 8 dhe 9 dhjetorit. E tejkalon’, deklaroi Berisha.
Kryetari i PD-së Sali Berisha u shpreh në takimin me drejtuesit e PD në Tiranë, ka deklaruar se, studentët do të mbështeten me të gjitha format dhe mundësitë, ndërsa i ka kërkuar Edi Ramës dorëheqje të menjëhershme. Këto janë dy ditët e para. Sot Edi Rama, që më në fund doli nga vrima e miut ku ishte futur, filloi dhe po akuzon armiq që kanë penetruar te studentët e të tjerë me radhë. Unë në mënyrë më të prerë i kërkoj atij dorëheqjen e menjëhershme.
Dhe i bëj thirrje shqiptarëve të angazhohen me gjithë mundësinë e tyre në mbështetje të studentëve për largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.’, theksoi Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka kërkuar Edi Ramës të japë dorëheqjen, duke paralajmëruar se ata që nuk kanë ditur të largohen nga pushteti në kohën e duhur, e kanë pësuar në mënyrë fatale. Në një takim me drejtuesit e PD-së në Tiranë, Berisha u bëri thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të opozitës të rreshtohen në krah të studentëve protestues, ndërsa dënoi atë që e cilësoi si dhunë brutale dhe të paparë ndaj demonstruesve paqësorë. ‘Çdo njëri prej jush, çdo anëtar, çdo mbështetës i PD-së duhet të gjendet në anën e studentëve në këtë orë të historisë’, deklaroi lideri i opozitës Sali Berisha.

FJALA E PLOTE:
Siç e shihni ju, situata po shkon drejt një situate kritike.
Kriza e narkoshtetit po thellohet jo çdo javë, por çdo ditë.
Revolta studentore në një afat kohor gjithsej më pak se dyditor, faktikisht është regjistruar si revolta më e fuqishme studentore.
Është regjistruar si dhuna më e egër shtetërore e përdorur ndaj protestuesve paqësorë, por nga ana tjetër, edhe vendosmëria ekstreme.
Nuk kanë parë rrugët dhe sheshet e Tiranës luanë si ata studentë.
Edi Rama, duke urdhëruar narko-banditët e tij për çarë kafka dhe thyer kocka gjymtyrësh të të rinjve dhe qytetarëve që protestonin në mënyrën më paqësore, detyroi ata të përdorin çdo mjet rrethanor kundër kriminelëve me uniformë, dhunuesve të tyre.
Janë mbi 50 studentë dhe qytetarë të plagosur nga plagë të ndryshme me thyerje të femurit, me thyerje të këmbës, me çarje të kafkës në pjesën frontale që është pjesa më e fortë e saj.
Janë me dhjetëra të tjerë me plagosje të tjera në trup, pa llogaritur këtu dhjetëra e dhjetëra të cilëve iu hodhën spraj ariu në sy apo u gjuajtën me brutalitet me topa uji.
Duhet thënë se studentët janë përgjigjur me një heroizëm të vërtetë.
Reagimi i tyre lidhet me revoltën e tyre shpirtërore kundër narko-diktaturës.
Por, studentët kanë një seri arsyesh shumë të forta për t’u përballur me këtë qeveri dhe për ta arkivuar atë në banesën e turpit të historisë.
Sot në proporcion me të ardhurat, ata paguajnë qira të paktën pesë herë më të lartë se bashkëmoshatarët e tyre kudo që janë.
Ndërtesat që tradicionalisht janë të ndërtuara për strehimin e tyre, mafia shtetërore u ka ndërruar destinacionin, i përdor për përfitime të veta dhe ata i lë para pamundësisë për të paguar qiranë dhe për të ndjekur shkollën.
Studentët kanë pasur një marrëveshje me të pabesin, i cili pa u tha boja, e grisi.
Studentët po luftojnë për vendin e tyre sepse ata duan të ndjejnë Shqipërinë si atdheun e tyre dhe jo si dheun që i përzë ata, që nuk u ofron mundësi të ndërtojnë jetën për shkak të vjedhjeve të kësaj qeverie.
Studentët po përballen dhëmb për dhëmb me këtë regjim edhe në emër të familjeve të tyre, të cilat sot në një numër shumë, shumë të madh, përballen me skamje, me varfëri.
Përballen me vështirësi shumë serioze për kafshatën e gojës.
Me pamundësi reale për t’u mjekuar.
Këto ditë po lexoja të dhëna. Çfarë tregonin?
Ndërkohë që Banka Botërore thotë se mbi 40 përqind e shqiptarëve janë në rrezik varfërie, Edi Rama ka ulur ndihmën ekonomike në 3 miliardë lekë nga 4.5 që ishte.
Vendimi cinik dhe i pamëshirë.
Dhe sa është ajo? Ajo ka mbetur njëlloj, 74 euro për familje.
Ndërkohë, sipas Bankës Botërore, duhen 250 euro.
Sipas Bankës Botërore, për të mos qenë në fashën e varfërisë, duhen 250 euro.
Pra, kjo betejë studentore është një betejë për çdo shqiptar dhe për Shqipërinë.
Reagimi brutal i Edi Ramës ndaj studentëve, unë i them çdo shqiptari, tejkalon absolutisht, meqenëse kam qenë dëshmitar në atë protestë, brutalitetin e sampistëve, forcave të Sigurimit dhe Policisë së Shtetit në protestën e 8 dhe 9 dhjetorit.
E tejkalon.
Unë u mora pas asaj proteste me të plagosurit. Pata një vajzë një fisurë në një kockë. Nuk pati thyerje gjymtyrësh. Jo.
Kurse këtu, ju i patë vetë. Dhe si ia kanë thyer gjymtyrët? Ia kanë thyer duke i rënë me çizme në shkelma mbi të.
Pati shkopinj, por nuk pati çarje siç pati qytetari nga Paskuqani sot.
Atij i është çarë kafka me të gjitha ekzaminimet dhe nesër ai do ketë ndërhyrje neurokirurgjikale.
Nuk mund të shohësh ndonjëherë në skena që tjetri i shtrirë përtokë dhe pa pritur fare i fut shkelm dhe e godet.
Këta janë grupe kriminelësh që i lidh krimi me Edi Ramën.
Unë duhet të përgëzoj të gjithë drejtuesit, anëtarët, mbështetësit e PD, të cilët kanë qenë dje dhe sot kanë mbështetur studentët.
Një rol të veçantë, siç e keni parë edhe vetë, dhe i përgëzoj, në mbrojtje të studentëve kanë luajtur deputetët e PD.
Edhe në sheshbetejë, edhe në komisariate.
Mendoj se ka qenë një qëndrim i duhur, pasi ne këtë protestë, ne këta studentë do i mbështesim me të gjithë potencialin tonë.
Edi Rama nuk do ndeshet vetëm me studentët, do të ndeshet me të gjithë opozitën, me të gjithë qytetarët.
Ne studentët nuk i lëshojmë, ne do i mbështesim ata me të gjitha format dhe mundësitë.
Duhet të përgëzoj forumin rinor të universiteteve, të cilët kanë qenë shumë efiçent dhe me angazhimin e tyre kanë dhënë një kontribut vërtet të çmuar.
Këto janë dy ditët e para. Sot Edi Rama, që më në fund doli nga vrima e miut ku ishte futur, filloi dhe po akuzon armiq që kanë penetruar te studentët e të tjerë me radhë.
Unë në mënyrë më të prerë i kërkoj atij dorëheqjen e menjëhershme.
Dhe i bëj thirrje shqiptarëve të angazhohen me gjithë mundësinë e tyre në mbështetje të studentëve për largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
Ai mendon se kjo protestë nuk dallon nga protestat e tjera.
Gabon shumë rëndë.
Kjo është protesta kur është mbushur kupa.
Shqiptarët kanë katër muaj që protestojnë.
Por protesta studentore është protesta e kupës së mbushur.
Nuk ka ku të shkojë.
Studentët, siç e shihni, janë shumë të kthjellët, shumë të guximshëm.
Por studentët, Tirana dhe Shqipëria kanë nevojë që PD të bëjë çdo për mbrojtjen e tyre.
Të bëjë çdo gjë për mbështetjen e tyre.
Kjo është një orë shumë e rëndësishme e historisë.
Kjo është një orë vendimtare.
Çdo njëri prej jush, çdo anëtar, çdo mbështetës i PD duhet të gjendet në anën e studentëve në këtë orë të historisë.
Duke dënuar edhe njëherë me forcën më të madhe dhunën brutale, të paparë ndaj protestuesve paqësorë dhe shprehur solidaritetin tonë të plotë me protestën studentore, i rikujtoj Edi Ramës se nuk ka absolutisht asnjë shpresë.
Ndaj dhe jep dorëheqjen që kriza të mos të të përpijë.
Jep dorëheqjen se historia ka provuar që ata që nuk kanë ditur të japin dorëheqjen, e kanë pësuar në mënyrën më fatale.
Të rikujtoj këtu një moment, në vitin 1990, më 11 dhjetor në plenumin e Komitetit Qëndror të Partisë, Ramiz Alia u thotë anëtarëve të plenumit: Ata kërkojnë kokën time, se ata studentët kërkonin që të shkonte në qytet t’i takonte. Ata janë, thotë ai, për një skenar Çaushesku.
Por të jemi të vërtetë, Ramiz Alia e kuptoi që skenari i Çausheskut e gllabëronte atë, ndaj i priti dhe i takoi studentët.
Tani, këta studentë nuk kërkojnë takim, këta kërkojnë dorëheqje.
Kërkojnë dorëheqje dhe atij mund t’i duket si një dënim pa rekurs, por e ka mbushur kupën, ka tejkaluar gjithçka.
Ndaj dhe i them jep dorëheqjen menjëherë se sa më parë.


