KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Në një konferencë për gazetarët, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, denoncoi me forcë përpjekjet e kryeministrit Edi Rama për të asgjësuar institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë përmes një projektligji të ri që, sipas tij, synon centralizimin total të pushtetit në duart e qeverisë.
Berisha theksoi se me këtë projektligj të shpërndarë gjatë muajit gusht, qeveria po ndërhyn në mënyrë të paprecedentë mbi institucione të pavarura kushtetuese si forcat e armatosura, universitetet publike dhe përfaqësitë diplomatike, duke i vendosur nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Këshillit të Ministrave. Ai e cilësoi këtë një ‘paçavure juridike’ dhe një akt flagrant të uzurpimit të pushteteve në kundërshtim me Kushtetutën.
Gjatë konferencës, kryedemokrati Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për një tentativë të rrezikshme për të shkatërruar institucionet kushtetuese përmes një projektligji të ri për administratën shtetërore. ‘Me këtë ligj, Edi Rama po përfshin ushtrinë, diplomacinë dhe universitetet në ombrellën e administratës së Këshillit të Ministrave. Ky është një uzurpim i pastër dhe një përpjekje për të marrë në kontroll çdo pushtet me autonomi kushtetuese,’ u shpreh ai.
Ai theksoi se përfshirja e forcave të armatosura ka si qëllim kontrollin e pronave të ushtrisë, të cilat, sipas Kushtetutës, janë të mbrojtura dhe të paprekshme. ‘Ky është një atentat mafioz, një akt i rrezikshëm që kërcënon sigurinë kombëtare dhe integritetin kushtetues të vendit,’ tha Berisha.
Kreu i opozitës vijoi denoncimin e projektligjit, duke e cilësuar atë si një përpjekje të re të Edi Ramës për të kapur çdo hallkë të shtetit dhe për ta kthyer në vegël të interesave të tij personale e mafioze. Ai akuzoi gjithashtu qeverinë për lidhje të drejtpërdrejta me kartelet kriminale në aferën e portit të Durrësit, një objekt strategjik që, sipas tij, është përdorur për pastrimin e miliardave eurove në emër të oligarkëve dhe grupeve mafioze. ‘Ky është një vend anëtar i NATO-s, dhe Edi Rama po tenton ta përfshijë Aleancën në një aferë mafioze. Fatmirësisht, NATO ka refuzuar kategorikisht,’ theksoi ai.
Në bisedë me gazetarët, kreu i PD-së, Sali Berisha kritikoi ashpër përfshirjen e universiteteve publike në strukturën e re të administratës shtetërore të parashikuar nga projektligji i qeverisë, duke e cilësuar këtë një akt të hapur kundër autonomisë universitare dhe lirisë akademike. Sipas tij, ligji i ri nuk është reformë, por një ‘shgarravinë juridike’ që synon të përqendrojë të gjitha kompetencat dhe vendimmarrjen tek një person i vetëm – kryeministri. Ai akuzoi qeverinë për eliminim të decentralizimit, heqje të kompetencave nga ministrat dhe përqendrim të pushtetit në duart e drejtorëve politikë. ‘Universitetet që heshtin përballë kësaj, po bëhen bashkëfajtorë në shuarjen e lirisë akademike. Konformizmi në këtë rast është vetëvrasje institucionale,’ theksoi Berisha, duke cituar Albert Ajnshtajnin: ‘Rreziku i konformizmit është më i madh se rreziku nuklear për një shoqëri.’
Berisha e cilësoi regjimin aktual të Edi Ramës si një diktaturë autoritare, që ndonëse e pranon pluralizmin me ligj, e shtyp atë në praktikë përmes institucioneve që i ka vënë në shërbim të partisë-shtet. Berisha përmendi rastet e arrestimit të deputetëve opozitarë, si dhe uzurpimin e pushtetit vendor nëpërmjet vendimeve të paligjshme që, sipas tij, i japin favore klientelës së qeverisë. Ai paralajmëroi se zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë një garë mes partive, por mes partisë-shtet dhe qytetarëve të zhveshur nga çdo mjet mbrojtjeje demokratike.
Kryetari i PD-së deklaroi se Edi Rama nuk ka asnjë legjitimitet për të qeverisur vendin, pasi zgjedhjet që sollën këtë ‘pseudomazhorancë’ ishin një farsë e mirëorganizuar. ‘Nuk është çështje emrash, është çështje themeli: a ka Edi Rama legjitimitet për të qeverisur me një proces farsë? Kurrë! Mazhoranca e tij është produkt i një procesi të manipuluar, i ndërtuar mbi presionin, frikën dhe vjedhjen e votës,’ u shpreh Berisha.
Gjatë fjalës së tij, lideri i demokratëve Sali Berisha u zotua se Partia Demokratike do ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për t’i bërë ballë regjimit aktual, të cilin e cilësoi si ‘narkodiktaturë’. ‘PD do të ripërtërihet, do të riorganizohet dhe do të rezistojë me të gjithë forcën e saj kundër këtij narkoshteti të ndërtuar mbi krimin, korrupsionin dhe drogën,’ u shpreh ai. Sipas tij, strukturat kriminale që kanë kapur shtetin, janë më të rrezikshme se çdo ideologji represive e së shkuarës.
Duke folur për zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike, kryedemokrati Sali Berisha vlerësoi kontributin e Gazment Bardhit në krye të grupit parlamentar, duke theksuar se funksionet në PD përcaktohen përmes proceseve demokratike dhe respektimit të rregullave të brendshme. ‘Unë nuk po prononcohem mbi vendimmarrjen, sepse kjo është në dorën e grupit parlamentar, por mund të them qartë se Gazment Bardhi e ka kryer me dinjitet dhe përgjegjësi detyrën e tij,’ tha Berisha. Ai shtoi se të gjitha funksionet në PD do të përcaktohen në vazhdim përmes procedurave të rregullta dhe transparente.
Në fund, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se nuk do të marrë pjesë në një parlament që, sipas tij, nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve, por është produkt i manipulimeve dhe kontrollit të partisë-shtet. Berisha theksoi se rezultatet elektorale janë e vetmja mënyrë e drejtë dhe transparente për ndarjen e përgjegjësive, duke përjashtuar çdo formë tjetër pa bazë zgjedhore. Ai i bëri thirrje ndërkombëtarëve dhe opinionit publik që të lexojnë me kujdes raportet që theksojnë nevojën për ndarjen e partisë nga shteti, siç përmendet edhe në rekomandimet e Këshillit të Europës.

FJALA E PLOTE:
Për ata, të cilët duke parë një grup të vogël opozitar në parlament, në këshilla dhe një grup të vogël gazetarësh që në diktaturë autokratike, qëndrojnë kundër saj, shqiptarëve u rikujtoj se sot nga 220 mijë rrogëtarë që paguhen me taksat e qytetarëve shqiptarë, 98 përqind e tyre i përkasin partisë shtet, emërtesë e partisë shtet, emërtesë e Edi Ramës, në të gjithë vendin.
Pra, nuk është një monizëm total, por është pothuaj një monizëm i plotë.
Megjithatë duhet pranuar se dallimi esencial midis diktaturës totalitare dhe diktaturës autoritare është se e para me ligj nuk e pranon pluralizmin, e dyta e pranon, por e shtyp atë me institucione.
Së dyti, tipari më kardinal i çdo diktature është përqendrimi i të gjitha pushteteve në një dorë.
Nuk ka përqendrim më të madh pushteti se të kesh emëruar 98 përqind e të gjithë piramidës shtetërore dhe administratës publike, duke filluar nga presidenti i Republikës, tek kryegjykatësit, kryeprokurorët, etj., me radhë.
Por siç është në natyrën e diktatorëve, qoftë autokratë, qoftë autoritarë, etja për pushtet e tyre është e pakufishme. Nuk njeh kufi.
Edi Rama ka shpërndarë këto ditë gushti një projektligj për administratën shtetërore, një paçavure e vërtetë, i cili në rrafshin e teknikës juridike përfaqëson një mjerim total, një shkarravine të vërtetë.
Por shumë më e rëndë është në parimet që këto ndryshime të ligjit ekzistues për administratën shtetërore sjellin.
Administrata aktuale shtetërore funksionon mbi bazën e ligjit 90 të shtatorit të vitit 2012, ligj i cili pa mëdyshje mund të amendohet si çdo ligj tjetër, mund të abrogohet, mund të zëvendësohet.
Por kur amendohet duke shkelmuar parimet e funksionimit të administratës shtetërore, duke shkelmuar parimet kushtetuese të ndarjes së pushteteve, kjo përbën një atentat të ri ndaj asaj ndarje pushteti që ka mbetur në letër dhe përpjekje demoniake e Edi Ramës për të futur në duart e tij çdo pushtet që ka mbetur me sadopak autonomi.
Po ju rikujtoj, po ndalem tek kjo.
Në nenin 1 të ligjit 90, 2012, thuhet: qëllimi i këtij ligji është krijimi i një kuadri ligjor të njëjtë për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore nën përgjegjësinë e këshillit të ministrave.
2. Institucionet e arsimit të lartë publik, përfaqësitë diplomatike jashtë vendit dhe forcat e armatosura nuk janë pjesë e fushës së veprimit të këtij ligji.
Po pse? Sepse ato janë institucione kushtetuese, të cilat kanë një vartësi kushtetuese, të cilat kanë një bashkëndarje të pushteteve, pra në këto institucione, në qoftë se studion statusin e tyre, ka një kompetencë presidenti i Republikës, ka një kompetencë shefi i shtabit të përgjithshëm dhe shtabi i përgjithshëm, ka një kompetencë bordi i universiteteve.
Pra, çfarë thuhet në ligjin që sjell Edi Rama?
Pika 2 e nenit 1, e ndryshuar si vijon: Institucionet e arsimit të lartë publik, përfaqësitë diplomatike jashtë vendit si dhe forcat e armatosura janë pjesë e administratës që rregullohen me ligj të posaçëm.
Prisni.
Në kuptimin më të gjerë, administratë shtetërore është çdo rrogëtar i këtij shteti.
Por fusha e veprimit të ligjit për administratën publike ka të bëjë me këshillin e ministrave.
Fusha e veprimit për institucionet e arsimit të lartë është një ndarje mes këshillit të ministrave, presidentit të Republikës dhe bordeve.
Fusha e veprimit mes forcave të armatosura është një ndarje midis shefit të shtabit të përgjithshëm, presidentit të Republikës dhe kryeministrit.
Në qoftë se ti merr dhe i fut këto dinakërisht në ligjin për administratën shtetërore, por që kanë për zot kryeministrin e vendit, ti faktikisht asgjëson këto si institucione kushtetuese dhe merr atribute që Kushtetuta nuk t’i njeh, por që ky nuk e ka për gjë që të marrë policinë ushtarake dhe ta çojë të bllokojë një televizion në një akt antikushtetues. Në një keqpërdorim absolut antikushtetues të forcave të armatosura.
Por ka një president që për bëmat e tij dhe gjëmat e tij është i paqenë.
Pra, tani me këtë ligj Edi Rama kërkon të përligjë post-factum dhe të hapë rrugën për vendime dhe akte të tilla në rastin e forcave të armatosura.
Theksoj se në Kushtetutë, shtabi i përgjithshëm është institucion kushtetues.
Se në buxhetin e shtetit është institucion me buxhet të veçantë nga ministria.
Inkludimi i forcave të armatosura në ombrellën e këtij ligji, legjitimon keqpërdorimin e tyre në çdo rast për interesa mafioze apo të pushtetit të Edi Ramës.
Por ka edhe një qëllim tjetër madhor. Qëllimi madhor tjetër janë pronat e ushtrisë.
Siç jeni në dijeni, pronat e ushtrisë, të cilat ndahen në dy grupe, njëri grup i pronave të ushtrisë që është në funksion të planit të shpërndarjes, ato janë të paprekshme. Janë të patjetërsueshme. Për sa kohë mbahen në planin e shpërndarjes.
Plani i shpërndarjes së forcave të armatosura përbën sekretin më të rëndësishëm aktual të forcave të armatosura. Ai plan firmoset nga presidenti dhe mbahet nga ai dhe shefi i shtabit.
Siç është faktuar, gjatë këtyre viteve të fundit janë dhuruar nga Edi Rama biznesmenëve të afërt me të dhe ortak me të, porte ushtarake, prona ushtrie të panxjerra nga presidenti i Republikës, pa u pyetur fare presidenti i Republikës.
Përbën një krim të rëndë që mbrohet nga Altin Troplini.
Tani, i gjetur para këtij fakti, që ka një ligj, i cili ndalon tjetërsimin e një prone ushtrie që është në planin e përhapjes së forcave të armatosura, Edi Rrama kërkon që këto atribute t’i marrë vetë.
Interesat e tij qëndrojnë pikërisht në një nga shkaqet më themelore në përfshirjen në ombrellën e këtij ligji të forcave të armatosura. Ky është një atentat ndaj Kushtetutës. Ky është një akt mafioz shumë i rrezikshëm që kërcënon sigurinë kombëtare, sepse ata të cilët ndërtojnë planin e përhapjes së forcave të armatosura, ata kanë parasysh mbi të gjitha rreziqet potenciale të sulmeve dhe pikat më të rëndësishme strategjike që ushtria duhet të ketë në dispozicion në çdo rast për të përmbushur misionin e saj.
Për Edi Ramën, mbrojtja dhe siguria e një vendi anëtar të NATO-s, është e parëndësishme në krahasim me ambiciet e tij mafioze për pasurimin e vet dhe të klaneve afër tij.
Pra, shikoni forcën e mafies në legjislacion, se si mafia, droga sulmon Kushtetutën.
I njëjtë është rasti i Alabar në Durrës.
Ju besoj e keni të qartë që në Durrës, Edi Rama me kartelet e tij po lan miliardat në emër të Alabarit, të Çopjave, Troplinëve etj.
Asnjë vendim për të nxjerrë portin e Durrësit, i cili, duhet ta dini, në planet e deritanishme ka qenë pikëmbështetje kryesore detare, port kryesor detar edhe për ushtrinë.
Dhe ushtria ka pasur pjesën e vet të portit.
Ky mafioz bën çdo gjë për të tërhequr NATO-n në një afërë mafioze, por unë e përshëndes NATO-n që refuzon në mënyrë të përsëritur të përfshihet në këtë aferë, prapa të cilës qëndrojnë miliarda euro të karteleve shqiptare më të fuqishme në Europë, dhe që ky ka gjetur një prestanome për t’i larë ato në Durrës.
Pra, e kuptoni ju se çfarë bëhet me përfshirjen e forcave të armatosura në administratën shtetërore të Edi Ramës?
Natyrisht do thoni ju pse nuk ka futur edhe Haramin? Atë e ka në xhep Bajramin, e lë formalisht sepse aq sa është shefi i shtabit të përgjithshëm, aq mund të ishte edhe presidenti. Vend pa president ka, por vend pa shef shtabi të përgjithshëm nuk ka.
Tjetër punë se si i bën ky organizimet.
Pra, këto janë interesat mafioze dhe etja e pashuar për pushtet për të përqendruar çdo kompetencë në duart e narkodiktatorit Edi Rama.
Tani, përfaqësitë diplomatike, ato kanë marrë fund, janë shndërruar në organizata elektorale të PS.
Por me këtë ndryshim ligjor, Edi Rama përligj dhe krijon pikërisht bazën ligjore të funksionimit të përfaqësive diplomatike si seksione të partisë së krimit, PS-së.
Kjo është një gjë… për arsye se edhe ato në çdo vend janë një ndarje pushteti.
Edhe vendet, të cilat janë republika të mirëfillta parlamentare apo monarki kushtetuese, përsëri emërimet e ambasadorëve bëhen nga kryetari i shtetit dhe ky është një përcaktim ligjor në mënyrë që aty t’u jepet një lloj hapësire për të përfaqësuar shtetin dhe jo vetëm ministrin dhe qeverinë sepse ato vijnë dhe shkojnë.
Kështu që kjo është…
Kurse për sa u përket universiteteve, që kur Edi Rama shpalli veten shkencëtar i parë i vendit, atëherë u pa puna se ato janë institucione tërësisht formale.
Keni parasysh se para një viti, Edi Rama krijoi këshillin kombëtar të shkencës me në krye veten e tij, dhe pastaj Lubi Ballukun me diploma si ato, etj si Lubia, pra këtyre universiteteve, të cilat konfirmohen, u them se konformizmi juaj është një akt suicidal për lirinë akademike, dhe i rikujtoj çdo pedagogu dhe intelektual se rreziku i konformizmit, thotë Albert Ajnshtajni, është më i madh se rreziku nuklear për një shoqëri.
Ligj nuk është ligj, është një ese e keqe, një shkarravine.
Por nga fillimi në fund është se si të zhdukë parimet e dekoncentrimit, parimet e decentralizimit, si të zvogëlojë dhe të ngushtojë hapësirat dhe se si të çojë të gjitha fijet tek Edi Rrama.
Është bërë… nuk po ndalem sepse është skandaloz…
Institucionet e vetme që do mbeten në varësi të institucioneve kushtetuese, ose ato prioritare, po të cilat janë ato prioritare, ato i gjen vetë…
Ai i merr bashkive të gjitha kompetencat, ka hequr delegimet tek pushteti vendor.
Pra, de facto të gjitha vendimet shkojnë në një dorë.
Çfarë ka ndodhur?
Ministrat nuk kanë të drejtë vendimi.
Tani Shqipëria bëhet vendi i drejtorëve. Drejtorët e kanë të drejtën e vendimit.
Ministrat duhej t’u hiqej me kohë, siç nuk e kishin, e drejta e vendimeve për prokurimet publike. Por ndryshimi i parë i ligjit që bënë kur erdhën në pushtet, ishte rikthimi i kompetencës si kryetarë të autoriteteve kontraktuese.
Dhe ju e shihni çfarë kanë bërë këta me miliardat që kanë vjedhur këto vite.
Natyrisht heqja e kësaj kompetence nga ministrat është, për mua e domosdoshme, por heqja e kompetencave për të tjerat, atëherë Shqipëria nuk ka ministra, por ka kryeministër dhe drejtora.
E kuptoni vetë si janë drejtorët, si liliputët rreth tij.
Pra, ka një deformim dhe të gjitha këto në emër të pushtetit të Edi Ramës shpallen sikur po bëhen për t’u pajtuar me standardet e BE, por në të vërtetë kjo shkon absolutisht në drejtim të kundërt me Kushtetutën, me parimet bazë të funksionimit të vendeve anëtare të BE dhe një shteti demokratik.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Isa Myzyraj, OraNews: Në fillim të konferencës tuaj, bëtë një përkufizim të dy llojeve të diktaturave. Në fakt për të mos arritur në diktaturë është një kush i rëndësishëm që duhet një opozitë e fortë, ose kalohet në diktaturë, siç e thatë ju, opozita është e kontrolluar nga qeveria. Ku jemi?
Sali Berisha: Opozita nuk është e kontrolluar nga qeveria. E shtypur nga qeveria.
Diktaturat totalitare, ato me ligj ndalohet formimi i forcave të tjera politike dhe kjo forcë politike është hegjemone. E thotë Kushtetuta.
Forcë udhëheqëse politike e sistemit është kjo parti politike. E emëron kushtetuta atë.
Në diktaturat autoritare ato e pranojnë pluralizmin, por ato e shtypin pluralizmin. Problemi është, kemi të bëjmë me një koncept themelor, sepse shume njerëz nuk e kanë të qartë se, ekzistenca e pluralizmit, ekzistenca e mediave që mund të flasin, mund të shkruajnë pavarësisht nga presionet, mendojnë se kjo e përjashton diktaturën? Jo absolutisht.
Por kjo quhet diktaturë autoritare, jo totalitare, autoritare. Kjo e pranon pluralizmin, por çfarë bën? Kjo e shtyp pluralizmin.
Për një moment, një shoqëri që hyn në zgjedhje elektorale. Në një vit elektoral tre liderët e partive opozitare, njëri në arrest shtëpie, tjetri në arrest qelia, tjetri në proces politik të rihapur pas 20 vitesh. Që të dy këta të parët si persona në hetim.
Kjo përbën një shtypje, përdorim të institucioneve për shtypjen e pluralizmit, ose me deputetë të saj në burg, sepse denoncuar vëllanë e Fatmir Xhafajt si trafikant, ose mandat kryetari bashkie të marrë si në rastin e Belerit.
Prandaj kemi të bëjmë me pluralizëm, por me pluralizëm të shtypur. Dhe ndaj po të lexoni rezolutën e Valencias dhe thotë; regjimi i Tiranës përdor institucionet për të shtypur pluralizmin.
Nëqoftëse ndodh kjo, atëherë opozita është e shtypur.
Janë fatkeq ata që nuk e kuptojnë këtë. Por kjo është absolute.
Në një vend tjetër, në Tunizi, Zayedi gjatë vitit elektoral i arrestoi njëri pas tjetrit 3 liderët e opozitës dhe u zgjodh me 91%. Pastaj i liroi.
Zayedi thotë se, unë e pranoj pluralizmin si Edi Rama, por një pluralizmën që kur duhet e godas dhe e nënshtroj. Kjo është.
Opozita duhet të jetë shumë e qartë. Po marr vetëm këtë aspekt.
Unë dje fola këtu, paraqita këtu para jush angazhimin e rrogëtarëve të shtetit, shndërrimin e tyre në operator elektoral. Nuk ka më zgjedhje midis partie. Ka zgjedhje mes partisë shtet dhe forcave të tjera, që nuk kanë as 1/20 e potencialeve financiare, njerëzore, logjistike, vendimmarrëse që ka partia shtet. Nuk i kanë.
Ai vërtetë e angazhoi me të gjithë potencialin e vet, kartelin Troplini, por Fatmiri mori ‘Niko Dovanën’ me 5 kulla. Edi Rama shkoi njëherë në Manchester dhe tha se, do të sjell Manchesterin në Durrës, Manchester Club, dhe çfarë na doli, Manchester Club na doli Fatmir Troplini që merr 38 mijë metër katror tokë publike, pa tender pa asgjë dhe të ndërtojë 5 kulla njëra 54 katëshe, sa është ‘MontPranas’ në Paris që mos gaboj është kulla më e lartë, e ndërton Fatmiri tek ‘Niko Dovana’ në Durrës.
Fytyra e vërtetë e diktaturës autoritare në shumë aspekte është identike me totalitaren, por nuk ka kampe përqendrimi, ka burgje politike, ka të burgosur politik, por nuk ka kampe përqendrimi dhe e dyta në ligj e kushtetutë e pranon pluralizmin por e shtyp atë.
Isa Myzyraj, OraNews: Rama këto ditë është duke menduar për kabinetin e ri qeveritar. A ka emra nga PS që janë të papranueshëm për PD që të bëhen ministra. Ju nuk do ti votoni të gjithë, por a ka emra që janë vija e kuqe në mund ta quajmë.
Sali Berisha: Çështja që ju shtroni nuk mund të jetë kurrë çështje emrash, por çështje legjitimiteti. A ka legjitimitet Edi Rama të krijojë qeveri me farsë elektorale, unë të them kurrë.
Kurrë nuk ka legjitimitet, mbasi pseudomazhoranca e tij përfaqëson mbi të gjitha interesat e Edi Ramës, karteleve të drogës, partisë-shtet në të cilën nuk ka zgjedhje normale.
Pra këtu nuk është çështja e personave, këtu është çështja e themelit. Këto zgjedhje ishin një farsë e vërtetë elektorale.
Daniela Maloku, ReportTv: Teksa priten emrat e qeverisë së re, nga ana tjetër dhe PD, ju vetë personalisht keni deklaruar se, do të mblidhni forumet e PD. Parashikon Partia Demokratike që të bëjë ndryshime në forumet drejtues të saj.
Sali Berisha: PD do ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshme për t’i rezistuar kësaj narkodiktature, këtij narkoshteti, duke i ripërtërirë, duke i riorganizuar.
Por një gjë duhet t’u them ju dhe çdo shqiptari, se në qoftë se në diktaturën e parë, ideologjia marksiste leniniste ishte shpallur forcë lëvizëse dhe e vërteta është se me luftën e klasave, ajo diktonte, përcaktonte fuqishëm në shumë aspekte, përcaktonte jo vetëm në dhunën dhe opresionin, por jo më pak në indoktrinimin e njerëzve.
Ju jeni të rinj, nuk i keni arritur, por kur ne kemi përmbysur shtatoren e Enver Hoxhës, me mijëra shqiptarë rrëmbyen armët kundër nesh dhe donim që shtatorja të vendosej aty ku ishte.
Kjo ishte dëshmi e indoktrinimit të tyre, po ata ishin njerëzit më të varfër të kësaj toke.
Njerëzit që absolutisht për shumë vite nuk kishin asgjë në tavolinën e tyre përveçse bukë e kripë, bukë dhe sherbet me sheqer.
Indoktrinimi është një fenomen i njohur.
Sot është droga. Sot nuk është më ideologjia marksiste leniniste.
Sot forca misterioze lëvizëse e kësaj shoqërie është droga.
Ti thua Suel Çela, ky është bandit, ka vrarë, rri fshehur. Por ai ka 6 miliardë euro mbrapa me atë Çopjen.
Dhe kjo është vetëm njëra shumë që mësuam rastësisht këto ditë nga regjistrimet.
Doli që në vitin 2021, Çopja me këtë Çelën, këta kishin qarkulluar 28 tonelata kokainë në një vit.
Tani a e imagjinoni ju këtë fluks të tmerrshëm krimi që vërshon në mbështetje të këtij pushteti dhe kundër interesave të qytetarëve?
Emëron ministrat, emëron gjykatësit, emëron drejtorët e policisë, emëron deputetë, ekzekuton cilindo.
Pra, forcë lëvizëse sot nuk është doktrina marksiste leniniste, por është droga, kryesisht kokainë.
Elda Menga, TCH: Folët për ripërtëritje dhe riorganizim. Do të ndodhin tani në shtator, apo kur të vijnë zgjedhjet në PD, në 2026.
Sali Berisha: Në vazhdim. Partia Demokratike do i ketë në vazhdim proceset.
Elda Menga, TCH: PD do të jetë në shtator me të njëjtin kryetar grupi, Gazment Bardhi?
Sali Berisha: Do i përcaktojë grupi të gjitha. Unë nuk po prononcohem, por unë kam vlerësim qartësisht për detyrën që Gazment Bardhi ka kryer si kryetar grupi.
Por një gjë, funksionet ne i përcaktojmë në mënyrë demokratike.
Ka rregulla aty dhe do zbatohen ato rregulla.
Por Gazment Bardhi, meqë po më pyet mua, gjykoj se e ka kryer me dinjitet dhe e përmbush me dinjitet atë detyrë. Do jetë grupi që përcakton se kush do jetë kryetari i grupit.
Elda Menga, TCH: Ju do e votonit Gazment Bardhin meqë keni shumë vlerësim, do e votonit si kryetar grupi.
Sali Berisha: A ka mundësi që sekretin e votës të ma respektosh? Të vetmen gjë.
Elda Menga, TCH: Ditët e fundit ka pasur dy aleatë që kanë rikonfirmuar se keni rënë dakord për ti ndihmuar me deputet për të formuar grup parlament, pra Ilir Metën dhe Fatmir Mediun e aleatët e vegjël. Ndërkohë ka shumë anëtarë të PD apo të Këshillit Kombëtar që ju kritikojnë dhe mendojnë se ju keni dhënë shumë më tepër partive aleate se sa demokratëve. A është e vërtetë se po shpërbleni më shumë seç duhet aleatët?
Sali Berisha: E vërteta është që, çdo njeri ka të drejtë që të ketë mendimin e tij. Por koalicioni është bërë mbi bazën e rekordeve elektorale. Unë nuk di ndonjë teknikë tjetër më të drejtë, më të ndershme, se sa rekordin elektoral për të bërë koalicionin.
Gjithmonë në eksperiencën e gjatë, koalicionet kanë pasur në bazë rekordin elektoral.
Natyrisht koalicioni i ardhshëm do të ketë në bazë, rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Pra, nuk di ndonjë mënyrë tjetër, nëse do të bësh koalicion. Përndryshe mos bëj koalicion, ec vetë.
Elda Menga, TCH: Duke qenë se nis parlamenti. Si deputeti më i vjetër ju takon të hapni seancën plenare, do pranoni që ta hapni ju seancën e 10 shtatorit?
Sali Berisha: Një parlament jo legjitim, nuk mund ta hap kurrë, kurrë. Nuk mund ti bëj vendit tim unë një antishërbim të tillë. Harroje.
Po të ishte legjitim, me kënaqësi do ta bëja, do ta kisha patur kënaqësi, por ky është një parlament jo legjitim. Nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë, sipas të gjitha dokumenteve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Është rekomandim i Këshillit të Europës që thotë; në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti. Kaq mjafton kjo frazë për të treguar se ky është parlamenti i partisë-shtet. E si mund ta hap unë atë? Si mund të ja lejoj vetes të ulem unë aty? Kurrë.
Isa Myzyraj, OraNews: Pas jush i dyti që i takon për të hapur seancën është Tritan Shehu. Keni biseduar ju me të, nëse do ta refuzojë?
Sali Berisha: Nuk kam biseduar me asnjë njeri, por unë shpreha mendimin tim. Nuk kam biseduar. Pas Tritanit vjen Edi Rama, apo kush vjen?
Isa Myzyraj, OraNews: Vasil Llajo …
Sali Berisha: Thashë mos ishte Edi…


