FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA GJATË TAKIMIT ELEKTORAL NË ELBASAN ME KANDIDATIN, LUÇIANO BOÇI
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Sali Berisha, në mbyllje të fushatës në Elbasan tha se: “Rama e nisi këtë fushatë, me tritol dhe e mbylli me turp, me arrestime, vazhdon e bën një seri mashtrimesh.”
Gjatë fjalës së tij të mbajtur, Berisha tha se duhet t’i shndërrojmë këto 48 orë në 48 orë të reflektimit tonë, dhe le të ndalemi pastaj dhe të mendojmë për njerëzit që janë larguar nga familjet tona, nga farefisi, nga krushqitë, njerëz tanë të dashur.
Lideri i opozitës, Sali Berisha theksoi se, emisarët e Edi Ramës Gjiknurët, Ballat shpërndajnë si hiena para dhe blejnë vota.
Berisha iu bëri thirrje që të votojmë për Luçiano Boçin, intelektualin e shquar, njeriun që do Elbasanin, që ka hartuar projektin e një Elbasani ndryshe nga ai që kemi parë gjithë këto vite.
FJALA E PLOTË
Të dashur qytetare dhe qytetarë të Elbasanit. Vëllezër e motra. Zonja e zotërinj! Djem e vajza, burra dhe gra. Njerëz të idealeve të lirisë të mbledhur në këtë takim madhështor në të cilin ju shprehni besimin e madh, dhe vendosmërinë që të votoni më datën 14 ndryshimin, të votoni kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Elbasanit, Luçiano Boçin. Të votoni kryetarët tanë të ardhshëm në bashkitë e Librazhdit, Prrenjasit, Belshit, Gramshit, Cërrikut, Peqinit.
Miqtë e mi!
Këto dy ditë, le të ftojmë bashkë çdo qytetare dhe qytetar të Elbasanit, çdo qytetare dhe qytetar shqiptar. Le të reflektojmë për gjendjen tonë ekonomike. Të mendojmë se sa herë në dyqanet tona ne lëndohemi, rëndohemi nga çmimet gjithnjë në rritje. Të mendojmë pak listat e gjata që zgjaten e zgjaten e bëhen tërkuz, sepse shumë nga bashkëqytetarët tanë nuk kanë me se të paguajnë ushqimin e përditshëm. Të mendojmë se si i përcjellin fëmijët në shkollë, dhe si plotësojmë nevojat e tyre.
Të gjitha këto, në rast se mendojmë, kanë ardhur sepse prej shumë vitesh Elbasani dhe Shqipëria qeveriset nga i jëjti regjim, dhe është kaluar nga mandati në mandat, nga shiu në breshër.
Ndaj edhe, ju ftoj të votoni ndryshimin më 14 maj. Dhe mos harroni, se të gjitha sa thashë më sipër, Edi Rama në këtë fushatë i mbuloi me tallje për qytetarët, me sharje për kundërshtarët, me tallava për gaztorët. I mbuloi me mashtrime si zakonisht. Ai nisi këtë fushatë, siç jeni dëshmitarë, me tritol, e mbylli me turp, me arrestime. Vazhdoi me një seri mashtrimesh.
A nuk premtoi ai rritjen e rrogës mesatare në 900 euro? A nuk tallet ai në këtë mënyrë me qytetarët shqiptarë, të cilët përballen me skamje dhe varfëri? Çfarë ndihme marrin shqiptarët sot nga kjo qeveri kur vetëm 20% e tyre përfitojnë ndihmën ekonomike?
Le t’i shndërrojmë këto 48 orë, në 48 orë të reflektimit tonë. Por, le të ndalemi pastaj të mendojmë për njerëzit që janë larguar nga familjet tona, nga farefisi, nga krushqitë, njerëzit tanë të dashur, të cilët janë larguar shumica e tyre nga mospasja, të detyruar nga papunësia, të detyruar nga pamundësia, të detyruar nga dhunimet e lirive dhe të të drejtave të tyre.
Ju vetë e keni të qartë sesi dhjetëra e mijëra shqiptarë u arrestuan për faturat e dritave, si në asnjë vend tjetër. Ju e keni të qartë se si kreu i ekzekutivit në vend se të zotohet para qytetarëve dhe mbarë Shqipërinë, se do bëjë gjithçka që të rinjtë të ndërtojnë Elbasanin dhe Shqipërinë e ëndrrave të tyre, të ndërtojnë në Shqipëri familjen, ëndrrën më të bukur. Ta çojnë përpara këtë vend.
Ai bën të kundërtën. Do t’i zëvendësojë me bangladeshas, me indianë dhe cingalezë. Pra, e gjithë fushata e Edi Ramës u zhvillua me tallje cinike ndaj qytetarëve, me tallave, me sharje ndaj kundërshtarëve, me tritol nisi dhe përfundoi me arrestime.
A ka gjë të përbashkët kjo fushatë me ju, burra dhe gra të Elbasanit? Me fisnikërinë tuaj, me idelaet tuaja, çfarëdo që jeni sot demokratë, socialistë, të paparti. Po ju jeni njerëz të qytetëruar dhe nuk mund të pranoni një qytetërim të tillë.
Miqtë e mi!
Unë ju ftoj ju të reflektojmë këto 48 orë që kanë mbetur. Të reflektojmë për atë që ne si komb kemi vuajtur më shumë në tërë ekzistencën tonë, për demokracinë. Ne kemi kaluar shekuj e shekuj, e së fundmi dekada e dekada në regjime moniste, në pushtet të një njeriu.
Dhe e vërteta është se nga pushteti i një njeriu rrallë mund të gjendet një komb mbi dhe që ta ketë pësuar më shumë, seç e kemi pësuar ne shqiptarët.
Sot Edi Rama ju jeni dëshmitar, u angazhua në një luftë të egër primitive kundër opozitës. Bëri gjithçka të rrëmbejë të gjitha pushtetet në duart e tij. Bën gjithçka të shkelmojë, të dhunojë votën. Emisarët e tij, Gjiknurët, Ballat, etj., etj., shpërndajnë si hiena para dhe blejnë vota. Por kjo blerje votash konvertohet e tëra në pushtetin e një njeriu, i solli çdo familje shqiptare një fatkeqësi të madhe, i solli një varfëri në rritje, i solli një rrogë të ngrirë, një pension të ngrirë, largimin e fëmijëve nga vatrat e tyre.
Ndaj dhe koha është me këtë reflektim t’i japim atë që meriton Edi Ramës, këtë dimër të gjatë, këtë ngricë të stërzgjatur të pushtetit të një njeriu ta shndërrojmë me votën në pranverë të demokracisë.
Të votojmë për Luçiano Boçin, intelektualin e shquar, njeriun që do Elbasanin, që ka hartuar së bashku me ju projektin e një Elbasani ndryshe, Elbasani tjetër, një Elbasani qytet dinjitoz për qytetarët e vet, e një Elbasani në të cilin qytetarët e Elbasanit shkrijnë të gjitha energjitë, talentet e tyre dhe del përsëri në krye të zhvillimit të kombit.
Ndaj dhe ju ftoj më datën 14, të votoni Luçiano Boçin, të votoni 1-shin, koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’. Të voton Shefki Çotën, Servet Duzhën, Suzana Topin, Hasim Çekrezin, Behar Qypin, Mustafa Pashën. Votoni kandidatët e ndryshimit, kandidatët e lirisë, dinjitetit, kandidatët të cilët do rikthejnë vlerat, zhvillimin, të ardhmen, do iu rikthejnë qytetarëve krenarinë e të qenit elbasanas, krenarinë e të qenit shqiptarë.
Rrofshi ju, rroftë Elbasani, rroftë Shqipëria!