FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË SPAK
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha është shprehur se, kurrë nuk do të pranojë që kthejë Kushtetutën e Shqipërisë në një DumanKushtetutë. Mesazhin e tij lideri i opozitës e la lënë në SPAK, gjatë ditës së sotme.
Duke folur për gazetarët dhe simpatizantët tek SPAK, kryedemokrati Sali Berisha ka publikuar edhe vendimin e Gjykatës së Janinës, ku Irena Gjoka ishte e dënuar me 3 muaj burg dhe 1500 euro gjobë për falsifikim pasaporte dhe vize. Në një deklaratë të fortë përpara ambienteve të SPAK, Berisha e ka cilësuar Gjokën si “delikuente të pafytyrë” dhe ka akuzuar Edi Ramën dhe regjimin e tij për keqpërdorim të saj në funksionin e kryetares së Gjykatës Speciale.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha ka kërkuar që çdo vendim i Irena Gjokës të konsiderohet i pavlefshëm, duke shtuar se ajo është përdorur për interesa të ngushta politike dhe financiare.
Pasi publikoi vendimi e dënimit të Irena Gjokës në Janinë, Greqi, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se ky dokument është mbajtur i fshehur dhe Departamenti i Shtetit të administratës Biden, nuk donte që të publikohej ky material, pasi i merr fytyrën Reformës në Drejtësi, kësaj reforme sorosiane.
‘Besoj se çfarë shërben këtu, shërben dhe tjetra që e vërteta vonon, por nuk harron. U përpoqën ta fshehin këtë të vërtetë për të mbrojtur nderin e drejtësisë Sorosiane, por morën turpin. Do marrin turpin, për çdo fshehje që do i bëjnë krimit’, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së tij para SPAK.
FJALA E PLOTE
Para se të paraqes para shqiptarëve një provë tronditëse që zbulon fytyrën e shëmtuar kriminale të eksponentëve të kësaj drejtësie të Edi Ramës, unë dua të informoj se lashë këtë shënim në zyra e Skapit të partisë.
Amnisti elektorale është krim i shëmtuar antikushtetues i Altin Dumanit, shërbëtorit të Edi Ramës, i cili në fakt ndaj dhe kërkon që të shndërrojë kushtetutën në DumanKushtetutë.
Kurrë.
Dhe firma e Sali Berishës.
***
Të dashur, qytetare dhe qytetarë shqiptarë.
Ju do të mësoni se, njeriu që kryesonte Gjykatën Speciale të shqiptarëve, ishte një delikuente e pafytyre, e pa moral, e pa karakter, e dënuar me burg në vendet fqinj, dhe përdorej si skllave nga Edi Rama dhe regjimi aktual.
Irena me 5 mbiemra, e përfolur për ryshfete gjysëm milionëshe, jo në një por në disa raste, rezulton se në vitin 2005 është dënuar nga kolegji penal i Janinës, me burg dhe gjobë.
Kjo monstër, në vend që të vuajë dënimet, është lartësuar në kryetaren e Gjykatës Speciale, nga Edi Rama, Taulant Balla dhe është keqpërdorur në shkallë ekstreme nga Altin Dumani.
Nga viti 2005, vit i dënimit të saj, të cilin e ka fshehur në kolektiv, bën të pavlefshme absolutisht çdo vendim të saj, në përputhje me vendimet e Gjykatës së Strasburgut.
Pyetje: Zoti Berisha ju keni bërë shpesh akuza, a keni një dokument që i mbështet këto akuza.
Sali Berisha: Dokument zyrtar dhe me vulë dhe me firmë nga Gjykata e Janinës së Greqisë, që tregon se; Për këto arsye e dënon të pandehurën të shpallur fajtore me burgim 3 muaj dhe gjobë 1500 euro si dhe shpenzimet gjyqësore prej 73 eurosh.
Falsifikim pasaporte a vize, por është dënuar për falsifikim dhe është dënuar nga Kolegj Penal dhe jo administrativ.
Është turpi i turpit të Ulsi Manjës, të këtij ministri i cili në regjistrimet telefonike rezulton se përveç 500 mijë euro nga emigranti, i kërkon edhe çantë Luis Vuiton. Dhe emigranti i thotë, për kë e do atë çantë, e dua për zonjën thotë, jo, jo e dua në intimitet, por nuk po hyj në intimitete.
Pra, kjo Irena me 5 mbiemra, me 5 fytyra po asnjë njerëzore, kjo vesh togën e zezë të kryegjykatës së Tiranës për të mbuluar dënimin e saj penal, për të mbuluar falsifikimet e saj.
Kjo është Gjykata Speciale e Tiranës.
Dua të jem i sinqertë.
Dua të falënderoj autoritetet greke të cilat e bënë publik këtë dokument. Por dua të dënoj ndërhyrjen e bërë nga këto autoritete, nga administrata nga Departamenti i Shtetit të administratës Biden që ky dokument të mos shihte dritën se ja merr fytyrën reformës në drejtësi.
Ata kishin hallin e Sali Berishës dhe jo të reformës në drejtësi. Turp e mafie.
Ju garantoj se fatin e kësaj do të ketë pas zgjedhjeve, secili prej tyre që ka kryer dhe ka fshehur krime.
Secilin prej tyre, reforma do ti nxjerrë të gjithë ata që fshehin krime ne sistemin e drejtësisë.
Pyetje: Është hera e parë që vini sportiv në SPAK, çfarë ka ndryshuar.
Sali Berisha: Tani po shkoj drejt fushatës. Me këtë ndryshimin klimatik mu imponua sportiviteti, që unë nuk është se e kam qejf, nuk e kam shumë qejf, por natyra të imponon, është forcë madhore.
Pyetje: Sot gjykata do të dalë në shqyrtim edhe për kërkesën e prokurorisë për çështjen tuaj. Çfarë prisni nga gjykata? A do e dorëzoni këtë provë të re.
Sali Berisha: Kësaj pyetje mund ti japë një përgjigje, më mirë avokati Gjokutaj.
Avokati Genc Gjokutaj: Kjo nuk është provë e re. Kjo është provë e vjetër që ju e quani të re sot. Kjo është prova që gjyqtarja ka falsifikuar edhe formularin e dekriminalizimit, duke thënë se nuk jam e dënuar nga gjykatat e huaja dhe shqiptare. Pra dënimi grek, pasjell si pasojë dënimin dhe këtu marrim përgjegjësi penale për falsifikimin e formularit të kriminalizimit, sepse ka thënë që nuk jam dënuar. Ndërkohë që vendimi provon të kundërtën.
Sali Berisha: Besoj se çfarë shërben këtu, shërben dhe tjetra që e vërteta vonon, por nuk harron. U përpoqën ta fshehin këtë të vërtetë për të mbrojtur nderin e drejtësisë Sorosiane, por morën turpin. Do marrin turpin, për çdo fshehje që do i bëjnë krimit.