FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA PARA SPAK
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha lexoi para Spak, pasi u paraqit në organin e akuzës, letrën drejtuar kryeprokurorit, Altin Dumani, ku e akuzon si lider të një “organizate kriminale” të ndikuar nga Xhorxh Soros dhe “kukulla” e tij në Tiranë, Edi Rama. Berisha u shpreh se kësaj politike në SHBA i erdhi fundi, dhe se të njëjtin fat do të ketë edhe në Shqipëri.
Kryedemokrati, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun nën arrest Erion Veliaj për një akt puçist, duke thënë se ata morën peng gjykatës dhe prokurorët, duke krahasuar veprimin me sulmin e Eskobarit ndaj një gjykate në vitet ’80. Berisha e cilësoi këtë si një grusht shteti brenda shtetit dhe paralajmëroi ndëshkimin e tyre për këtë akt antikushtetues.
Lideri demokrati, Sali Berisha kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës për vjedhjen e parave të taksapaguesve amerikanë dhe europianë, duke akuzuar atë dhe Erion Veliajn për krijimin e kompanive fiktive për të vjedhur fonde. Berisha i lidh këto vjedhje me shkelje të parave të dhëna nga SHBA dhe BE dhe i kërkon Ramës të kthejë paratë e vjedhura. Ai e cilësoi këtë një bandë hajdutësh dhe premton të zbulojë të vërtetën për këto abuzime.
Kryetari i PD, Sali Berisha publikoi një përgjim ku akuzohet Taulant Balla për krime dhe përpjekje për të pastruar komisariatin nga ata që janë të lidhur me “Boerët”, një grup që ai e quan bandë. Berisha u shpreh se Balla ka marrë përsipër të pastrojë komisariatin me kërkesë të bandës, duke e akuzuar atë për përfshirje në krime dhe mbështetje të grupeve kriminale. Berisha gjithashtu theksoi se Balla ishte për t’u arrestuar, por u mbrojt nga Edi Rama dhe vazhdon të jetë i paprekur, duke u shembëlltyrë e krimit.
Lideri demokrat, Sali Berisha iu bëri thirrje shqiptarëve që të dërgojnë çdo dokument që tregon bashkëpunimin me krimin në adresën e tij, duke premtuar se do t’i bëjë publike. Berisha tha se nuk do të ndalet së denoncuari krimin, pavarësisht kërcënimeve dhe përpjekjeve për ta detyruar të heshtë. Berisha gjithashtu reagoi edhe ndaj deklaratave të Edi Ramës dhe Altin Ballës, duke u betuar se do të zbardhë çdo informacion që lidh qeverinë me krimin.
Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoI Zef Brozin dhe Kreshnik Spahiun si figura të turpshme të drejtësisë shqiptare. Berisha akuzoi mënyrën se si Brozi, si kryetar i Gjykatës së Lartë, lëshonte “pusulla” për të ndaluar zbatimin e vendimeve gjyqësore, duke vepruar në kundërshtim me ligjin. Berisha i cilësoi ata si “çakej të Ramës” dhe tha se janë turpi i sistemit të drejtësisë, duke u bërë vegla të ekzekutivit në vend që të përballen me drejtësinë për veprimet e tyre të paligjshme. Berisha i akuzoi ata për korrupsion dhe për shkatërrimin e integritetit të drejtësisë në Shqipëri.
Krydemokrati, Sali Berisha foli për Arbër Veliajn, vëllain e Erion Veliajt, duke thënë se dhe ai është i përfshirë në veprime të paligjshme dhe se ka shumë informacione për të. Berisha tregoi para gazetarëve se po pret për të parë çfarë do të ndodhë me të dhe shtoi se do të nxjerrë të vërtetën një nga një, duke e akuzuar Arbër Veliajn për veprime të ndyra, për të cilat ai është thellësisht i përfshirë.
Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi Taulant Ballën dhe SPAK-un për lidhje me bandat kriminale. Berisha u shpreh se në SPAK ka prokurorë që kanë ardhur nga bandat e Taulant Ballës. Berisha hodhi akuza të rënda, duke përmendur raste si lirimin e vrasësve dhe mbështetje për kriminelë të tjerë. Berisha akuzoi Taulant Ballën për përfshirje në aktivitete kriminale dhe për lidhje me bandat, duke theksuar se këto janë dokumente që janë në duar të drejtësisë, por nuk po merren hapa.
Lideri opozitar, Sali Berisha ka paralajmëruar Edi Ramën që të mos ndërmarrë veprime të natyrës puçiste, duke i theksuar se do të përballet me një revoltë popullore nëse tenton të ndjekë këtë rrugë. Berisha tha gjithashtu se 11 maji do të sjellë një audit të plotë të abuzimeve financiare dhe vjedhjeve gjatë 12 viteve të qeverisjes së Ramës, duke i premtuar atij se do të ndëshkohen me forcën më të madhe të ligjit. Berisha e akuzoi Ramën për veprime të padrejta dhe shpreh bindjen se çdo tentativë për veprime puçiste do të ndeshkohet nga populli.
Kryedemokrati, Sali Berisha ka treguar para gazetarëve se paratë për kontratën e Chris LaCivita janë të pastra si kristali, duke premtuar se do t’i bëjë të njohura shumën dhe burimin e këtyre fondeve sapo të depozitohet në KQZ.
FJALA E PLOTË
Pasi u paraqita, i lashë Altin Lalës letrën që vijon:
Kreut të kësaj organizate kriminale, Altin Dumani, që zbaton politikën e Shqipërisë pa opozitës të monstrës Xhorxh Soros dhe kukullës së tij në Tiranë.
Por kjo politikë dështoi në SHBA dhe të njëjtin fat do ketë në Shqipëri.
Firmosur, Sali Berisha.
Kjo është kopja!
Por unë sot do të dënoj me forcën më të madhe aktin puçist, banditesk të narkoqeverisë dhe narkobashkisë Rama, të cilët morën peng për orë të tëra gjykatës dhe prokurorë të çështjes Veliaj.
Rikthyen në Tiranë skenat e viteve ’80, kur Eskobari sulmoi gjykatën dhe aty pati viktima të tëra.
Pas 40 e sa vitesh, Ediskobari kreu të njëjtin akt ndaj gjykatës dhe prokurorisë.
Në historinë e botës ka pra vetëm dy raste, ka rastin Eskobar dhe rastin Ediskobar.
Në historinë e botës ka me qindra raste protestash opozitare apo grupe interesi para gjykatave dhe prokurorive në çdo kryeqytet të botës.
Por protestë shtetërore, protestë e organeve shtetërore, ajo përbën një grusht shteti brenda shtetit.
Dhe e garantoj Edi Ramën dhe Erion Veliajn se ky krim antikushtetues do u regjistrohet atyre dhe do ndëshkohen në mënyrë shembullore që kujt të mos i shkojë mendja në pushtet të sulmojë pushtetin tjetër.
Miqtë e mi, unë e kuptoj se çështja kryesore sot është çështja e Lali Vjedhësit apo Erion Faqeziut.
Po bëhet gjithçka nga propaganda qeveritare për ta katandisur çështjen tek të brendshmet dhe të jashtmet e Jolkës.
Kjo është një mashtrim i madh që u serviret shqiptarëve.
Unë u them dhe njëherë këtu se gardëroba e Ajolës, e barabartë me të Lajla Asadit…
Lajla Asadi kur zbriti nga avioni, dogana e Moskës i numëroi të gjithë garderobën dhe nxori 1 milion garderobë që ajo kishte marrë me vete.
Pra, 1 milion gardëroba e Ajolës është e ndërtuar e tëra me vjedhjen e tmerrshme të taksave të qytetarëve të Tiranës.
Erion Veliaj, çfarë do të fshehë propaganda e qeverisë?
Propaganda e qeverisë do të fshehë dhjetëra kompani të krijuara nga familjarët e Ajolës dhe Erionit.
Ai vëllai i tij si u zhduk? U bë i penduar? A e keni parë se nuk përmendet më vëllai i Erion Veliajt?
Ku është zhdukur ai? Po të jetë bërë i penduar ai, është punë tjetër, nuk ndërhyj.
Pra me dhjetëra kompani, BYLI, Eventi, Muza, Shizi, çfarë emrash që nuk mund t’i imagjinoni, që të gjitha vinin, merrnin paratë për Ajolën dhe Erionin në Bashkinë e Tiranës, në drejtorinë e qeverisë, në Ministrinë e Kulturës.
Pa lëre, kanë vjedhur paratë e taksapaguesve të SHBA dhe BE.
Tani unë i them Edi Ramës jep urgjent dorëheqjen për të gjitha paratë që u keni vjedhur.
Paratë e taksapaguesve amerikanë që keni vjedhur ju, soji juaj nuk do i paguajnë taksapaguesit shqiptarë, por do i paguani ju me pasuritë e vjedhura.
Ndaj të ktheni urgjent paratë, se atje po bëhet një audit dhe ju dilni më të nxirë, vendi më i lakmuar për vjedhje nëpërmjet Xhorxh Sorosit dhe USAID është Shqipëria, Edi Rama, Erion Veliaj dhe klani i tyre.
Kështu që, Edi Rama ktheji mbrapsht paratë e vjedhura, të plaçkitura USAID-it dhe BE.
Ju nuk e dini që këto që ju keni dëgjuar janë vetëm maja e ajsbergut me ato që kanë vjedhur me paratë e taksapaguesve europianë.
Dhe në mënyrë absolute të gjitha do i bëjmë publike. Ja këtu jemi
E dini ju që ato të IPARD-it kanë historinë e tyre.
Dhe nuk është vetëm IPARD-i.
Kështu që, kemi të bëjmë me një bandë hajdutësh kombëtarë dhe ndërkombëtarë të pashembullt dhe këta do ndëshkohen.
Të dashur miq, ka kriminelë sot që fshihen në bodrume, ka të tjerë në vila luksoze, por më kriminelë se gjithë të tjerët janë ata të cilët fshehin krimet e tyre në zyra ministrash.
Dhe i tillë është Taulant Balla.
Tani kam sjellë këtu për ju, për gazetarët, një copëz, një dëshmi tjetër të krimeve të tij të shëmtuara,
Më datën 13.04.2020, Targeti, e kuptoni vetë që ky është kodi, informoi pinin 1FA806 se Tao ka thënë se do pastrojë plotësisht komisariatin dhe do të dëbojë të gjithë të lidhur me Boerët.
E kuptoni ju, pra Tao pasi mori përsipër arrestimin me prokurorë dhe gjykatës, pasi me Alfred Shehër dhe Pajtime Fetahë, dhe avoketër mbrojtës të tyre, Enkelejda Fetahu dhe të tjerë, tani Tao merr përsipër të pastrojë komisariatin me kërkesë të bandës nga Boerët.
Tani Boerët janë ose policë të ndershëm që luftojnë krimin ose janë mbështetës të bandës tjetër, njëra nga këto të dyja.
Pra, informon pinin Tao se do pastrojë plotësisht komisariatin dhe do të dëbojë të gjithë të lidhurit me Boerët.
Boerët, po të nisemi me veprimet e tyre, i bie të jenë banda rivale ose mund të jenë policë të ndershëm që nuk i nënshtrohen bashkëpunimin me bandat dhe bëjnë detyrat.
Por kjo është një dëshmi tjetër e asaj që unë akuzoj këta prokurorë të Skapit, një pjesë të tyre si anëtarë të organizatës kriminale që flenë mbi dosjet e krimit.
E vërteta është se 4 muaj më parë, Taulant Balla ishte për t’u arrestuar, se këto janë vetëm disa.
Por Taulant Balla u mbrojt nga Edi Rama dhe ai vazhdon shëtit si simbol i krimit nga një sallë në një tjetër, kur mbi të rëndojnë të gjitha llojet e krimeve.
Natyrisht sot u mjaftova me këtë, dhe pastaj, dëgjojeni pastaj se është e bukur, Edi Rama bërtet: Altin, po del sekreti.
Shiko, edhe Altini lëshon komunikata.
Por u them unë atyre, për këto Altin dhe Edi do shkoni atje ku e keni vendin se nuk ka gjë në botë që të më imponojë mua të mos denoncoj krimin para shqiptarëve që mbroni ju.
Asgjë në botë nuk më detyron mua.
Dhe ftoj shqiptarët, çdo dokument të bashkëpunimit të krimit të të cilitdo, ta dërgojë në adresën time me të gjitha mënyrat që unë t’i bëj publike.
Pra, se edhe ky Targeti u bë si punë personi.
Por do pyes se kush është.
Tani, se kjo këtu duhet t’u lëmë edhe gazetarëve kohën që të komunikojnë se e kemi si konferencë shtypi.
Pyetje: Z.Berisha, ju e nisët fjalën tuaj për një grusht shteti ndaj institucioneve të drejtësisë, Gjykatës së Posaçme dhe Prokurorisë së Posaçme. Në fakt, siparin e protestave kundër këtyre institucioneve e keni hapur ju i pari. Pse e konsideroni protestën në mbështetje të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj puç shteti?
Berisha: Dallimi i protestës opozitare me protestën qeveritare, para një institucioni shtetëror, është dallimi midis ushtrimit të të drejtës demokratike të protestës dhe ushtrimit të grushtit të shtetit.
Kjo është esenciale, të themi atë që është.
Për protesta, ju po të bëni një ‘replay‘ gjeni me qindra protesta, para Gjykatës së Lartë në SHBA, para Gjykatës së Apelit, protesta të njerëzve që janë të pakënaqur me një gjykim apo me një çështje apo që duan të dëgjohet zëri i tyre, janë një gjë e zakonshme, nuk kanë lidhje me asnjë lloj përmbysje.
Kurse protestat e administratës shtetërore, të ekzekutivit kundër pushtetit gjyqësor, janë shprehje absolute e përpjekjes për grusht shteti për të marrë pushtetin e drejtësisë.
Pyetje: Po ne e kemi një precedent ën Shqipëri, rastin e Gjykatës së Lartë me drejtuesin Brozi, ju keni qenë në atë kohë në pushtet, a nuk është e njëjta situatë?
Berisha: jo, më vjen keq. Meqenëse u riktheve te një person si Zef Brozi, unë mund t’u them ju se ai ishte turpi i njeriut dhe turpi i drejtësisë.
Çfarë ishte ai?
Merrej një vendim, vendoste gjykata, dhe pasi kishte vendosur trupa gjykuese, jo në një, por në shumë raste, kryetari lëshonte pusullën, ky vendim të mos zbatohet.
Pra, kryetari ishte një delinkuent i paimagjinueshëm.
Kryetari i Gjykatës të Lartë, që duhej të ishte njeriu që të insistonte për zbatimin e vendimeve të gjykatës, ky lëshonte pusulla ‘mos zbatoni këtë vendim’, kundrejt pagesave ose jo, nuk mund të them, por pusullë të tillë nuk mund të lëshonte kurrë.
Pra, ishte ky person që kryente një akt antikushtetues dhe nuk është bërë asnjë protestë para tij, por është nxjerrë jashtë dhe është bërë me prokurori, është ndjekur procesi për ta çuar atje ku e kishte vendin.
Një këshillë, të investoni në tipa si Zef Brozi apo Kreshnik Spahiu, duhet të ndjeheni të turpëruar po të ndodheni afër tyre.
Pse? Në kohën kur kishte Këshillin e Lartë të Drejtësisë ky turp-njeri, Komisioni Europian bënte raportin se për t’u transferuar nga Durrësi në Tiranë, duhet të paguajë gjykatësi 200 mijë euro.
Se për t’u emëruar në Tiranë, duhet të paguajë gjykatësi 300 mijë euro.
Prandaj dhe këta turpe, në vend që të shkojnë dhe të përballen me drejtësinë atje ku duhet, rrinë dhe plotësojnë, bëhen çakej të Edi Ramës nga ekrani në ekran tjetër.
Nuk ka figura më të zeza në historinë e drejtësisë se këta të dy që thashë. Janë të faktuara.
Pyetje: Z.Berisha, u drejtuat dhe personalisht se pse SPAK nuk po heton vëllain e Erion Veliajt, z.Arbër Veliaj? A mund të na thoni çfarë di Sali Berisha për pretendimet apo dyshimet për korrupsion për Arbër Veliajn?
Berisha: Kam shumë të dhëna për Arbër Veliajn, por po pres njëherë se ç’po bëjnë me të.
Edhe unë kam ato limitet e mia, kufizimet e mia në funksion të strategjisë së marrëdhënieve publike që përdor.
Po, normalisht, jo vetëm ju, edhe unë kam të drejtë.
Por absolutisht ai është gjer tek veshët.
Dhe do ia nxjerr një nga një!
Në këtë prokurori janë 6 prokurorë që kanë ardhur nga bandat e Taulant Ballës këtu.
Ndër të cilët, famëzi Shehaj, që për mashtrim publik duhej të ishte në burg.
Enkelejda Fetahu, që simotrën e vet Pajtime, e ekzoneroi, në një kohë kur ajo ishte, siç e dini vetë, ishte një mafioze e papërmbajtur. Ç’t’i thuash asaj.
Pra, në dijeninë time, pas Edi Ramës, Taulant Balla është personi me pushtet që del më shumë se të gjithë të tjerët në veprimtari kriminale me bandat.
Del i regjistruar në lirimin e dy vrasësve, kjo është e tmerrshme dmth, të cilët i vendosën nën shalën e biçikletës tritolin Lulzim Kullës për ta hedhur në erë, mes qytetit, mes sheshit.
Dhe ata janë të lirë me Vath Stakën.
Vath Staka është një kriminel në KLP.
A mundet shteti të jetë ky?
Narkoshteti natyrisht që është ky.
Së dyti, del para nesh të gjithëve, kur shkoi dhe kapi sadistin e Rrahman Rrajës, që e kishte djegur me cigare vajzën, dhe e nxori nga komisariati dhe e çoi në shtëpi.
A është e vërtetë kjo? Kjo është e vërtetë. Nuk është mohuar.
Del me dhjetëra regjistrime tek banda e tij dhe banda të tjera.
Unë nuk po përsëris këtu Taulant Ballës akuzat që i kam bërë që kalonte drogë me pasaportë diplomatike para shumë vitesh në doganën e Qafë Thanës. Me një fjalë ka me dhjetëra, por unë po nxjerr këtu vetëm ato dokumente që janë në duart e drejtësisë dhe drejtësia nuk vepron. Dhe ai qarkullon si ministër.
A ka gjë më të shëmtuar se kjo? Absolutisht nuk do kursej asnjë njeri, por gjer tani, të jem i sinqertë, nuk kam asnjë ministër tjetër që del sa ky. Ky del kudo. Po të dalin, unë i gatshëm jam.
Pyetje: Ju deklaruat që Taulant Balla, ish-ministri i Brendshëm ka emër 6 prokurorë të SPAK. Pse i denonconi tani, sepse prokurorët e SPAK kanë vite që janë emëruar, dhe cilat jaën provat që keni për këtë fakt. A mund t’i bëni publike?
Berisha: Tani, së pari unë nuk bëj denoncime pa fakte.
Dhe unë mbledh fakte, ua kam thënë dhe po ua them këtu, disa vite më parë, unë po shqyrtoja, si ka mundësi që vriteshin njerëzit dhe nuk arrestohej njeri.
Duke shqyrtuar këtë gjë, gjeta se ata rekrutonin policinë, prokurorinë dhe gjykatën, prishnin çdo provë dhe ata nuk dënoheshin.
Kjo është e vërteta.
Ata del se këta kishin policë, prokurorë, gjykatës dhe dikë sipër që ishte Taulanti. A mund të sillet Afred Shehu, më thoni ju mua?
A doli para jush Alfred Shehu dhe tha se në veturën e Mehmet Grecës nuk kishte asnjë material elektoral, ndërkohë që vetura e tij e trafikantit me 50 kg kokainë në Londër, ishte plot me materiale zgjedhore dhe plot me euro. Vetëm ata që janë si Mehmet Greca mund të lartësojnë Alfred Shehun në prokurori.
Kush e ekzoneroi Pajtime Fetahun? Cili prokuror? A është këtu ajo tani?
Këto janë gjëra që sigurisht janë ditur, por janë vendosur që të gjitha nga Edi Rama, Taulant Balla dhe janë në mbrojtje të krimeve të tyre.
Të njëjtin fat me bandat do kenë prokurorët që janë të lidhur me bandat. Absolutisht, ky institucion nuk do të ekzistojë.
Unë ndjej keqardhje se rrëmbeheni nga momente, por një institucion që është jashtë çdo kontrolli, është një institucion për t’u shuar me çdo kusht.
Së pari, ky institucion nuk mund të kontrollonte kurrë gjykatësit.
Që në momentin që ky kontrollon telefonat e gjykatësve speciale, ke krijuar atë drejtësi që as Enveri dhe Hitleri nuk e kanë pasur ndryshe. Si mund t’i japësh prokurorit kontrollin e gjykatësve tek i cili çon dosjet? Merr fund që këtu.
Dhe ju, njerëz të mediave, duhet ta denonconi këtë në mënyrën më të fuqishme.
Ekziston një akt i tillë, prandaj dhe ju thotë ai ju ai afërmendsh. Aty pati një shpërthim sinqeriteti Altini. Afërmendsh gjykatësi vendos atë që i themi ne.
Fatmirësisht mbështetja kryesore ndaj kësaj organizate kriminale, atje ku i iniciua, atje ka rënë përtokë.
Por ne e luftuam edhe në atë kohë kur ata e mbështesnin gjer në qiell.
Mos harroni këtu kur Antoni Blinken vinte dhe takonte Altin Dumanin për të falënderuar se kishte arrestuar Sali Berishën.
Tani Antoni Blinken nuk hyn dot më në ndërtesat qeveritare të vendit të tij, sepse ishte një Edi Ramë në Uashington.
Pyetje: Z.Rama, pas 12 vitesh në pushtet ka një gjuhë tjetër dhe një retorikë tjetër ndak Spak. Pak a shumë, po sulmon Spak dhe po vë nën presion prokurorët dhe gjyqtarët. Sipas jush, çfarë e prek Edi Ramn që ka ndërruar qendrim?
Berisha: Edi Ramën, e sulmoi nuk e sulmoi, e garantoj se 11 maji do sjellë një audit të përgjithshëm të të gjitha vjedhjeve, shpërdorimit të tmerrshëm të 67 miliardë eurove në 12 vite të shqiptarëve. Një.
Dy, të gjitha vjedhjet familjare, personale të Edi Ramës do ndëshkohen me forcën më të madhe të ligjit.
Tre, Edi Ramën, e paralajmëroj të mos marrë asnjë veprim puçist. Veprimet puçiste janë të dënueshme dhe do të përballet me një revoltë popullore në qoftë se ndërmerr veprime puçiste.
E provoi Edi Rama, i provoi të gjitha.
Tani është shkallmuar, atë që patë ju në një episod, ato episode janë ciklike, periodike.
Aty ndërrohen karriget çdo dy ditë se thyhen karriget, e vërteta kjo. Por, Zoti ia shtoftë!
Pyetje: Pse PD nuk po bën transparente edhe kontratën që ka me këshilltarin amerikan LaCivita?
Berisha: Pse e bëj këtu këtë?
E bëj këtu sepse atje në seli do merrem me qytetarët, do merrem me problemet, me prorhamin, me pensionet, me rrogat, me shkollat, me spitalet, me hallet e qytetarëve.
Këtu para Skapit të partisë do merrem me aktivitetin kriminal të organizatës kriminale të Edi Ramës dhe të kësaj organizate.
Tani, për sa i përket kontratës, të garantoj se sapo të depozitohet në KQZ, ju do mësoni çdo gjë, do mësoni shumën e asaj kontrate dhe burimin e pastër si kristali të parave të paguara për atë kontratë.
Tani u them unë ju, nuk janë pseudopollet ato që më udhëheqin mua, por ata që flenë mbi krimin, ata duhen të dënohen si kriminelë.
Me këtë nuk nënkuptoj kurrë çdo punonjës dhe punonjëse të këtij institucioni, ka prej tyre që zbatojnë ligjin dhe janë të nderuar dhe të vlerësuar shumë. Por ata që flenë mbi këto dosje janë më keq se Tao dhe padronët e Taos.
Pyetje: Z.Berisha a e keni identifikuar ju personin me epitetin ‘bundra’ në dosjen që ju dispononi?
Berisha: Atë nuk e di. Nuk e di.
Do gjendet, do gjendet. E kuptoni vetë. Do gjendet Elon Musk që do ekzaminojë fondet në Shqipëri. ku ka një Donald Trump, ka edhe një Elon Musk.