FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË FOLTOREN E SUKTHIT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha duke folur në ‘Foltoren’ e organizuar në Sukth, ka uruar besimtarët myslimanë në prag të nisjes së Ramazanit. ‘Zoti ua pranoftë dhe agjërim të lehtë’.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha e vuri theksin në situatën kritike ku ndodhet Shqipëria sot. ‘Ne vijmë sot si një komb pa të ardhme’, duke argumentuar se mungesa e mundësive ekonomike dhe varfëria kanë shkaktuar largimin masiv të shqiptarëve. ‘Nga viti 1990 gjer sot, lindjet në Shqipëri janë ulur 74 përqind… u larguan vetëm në hapësirën e Shengenit 1 milionë e 100 mijë shqiptarë’. Ai shton se ky fenomen është më i theksuar te të rinjtë. ‘Nga këta u larguan për në BE, 720 mijë janë të moshës ndën 40 vjeç. Askush nuk lind me dëshirën për të ikur nga vendi i tij. Ndodh sepse së pari mundësia ekonomike vjen gjithnjë duke u zvogëluar… sepse kjo qeveri ka vjedhur në mënyrën më të papërmbajtur’.
Lideri i opozitës Sali Berisha foli edhe për portin e Durrësit dhe atë të peshkimit. ‘Portin e Durrësit si port, prej 5 vitesh e kanë Troplinët. Portin e peshkatarëve… e mori Luca, një trafikant që ndiqej nga 5 shtete për trafik’. Ai denoncoi gjithashtu investimet publike të dështuara, të cilat sipas tij shkojnë në kontot personale të qeveritarëve. ‘90 deri në 100 përqind e investimeve zhduken dhe nuk kryhen, – dhe duke sjellë shembullin e djegësit të Tiranës Berisha u shpreh se, – 130 milionë euro keni dhënë ju për të. Po nuk është vetëm djegësi, janë kështu të gjitha investimet, të cilat janë vjedhur në masën 90 gjer 100 përqind’.
‘Sa ç’kanë vjedhur tre drejtorë të bashkisë të Tiranës, të marrësh të gjitha vjedhjet e Byrosë Politike me në krye Enver Hoxhën, për 46 vjet, janë më shumë të drejtorëve’, u shpreh kreu i PD-së, Sali Berisha ndërsa akuzoi gjithashtu Edi Ramën për keqmenaxhimin e taksave dhe përdorimin e tyre për interesa personale dhe politike. ‘Në 12 vite, Edi Rama ka pasur në dorë me firmë 67 miliardë euro taksa tuaja. Në mënyrë absolute përveç rrogave, 90 gjer në 100 përqind e tyre janë vjedhur nga qeveria dhe klanet e veta’, tha Berisha.
Gjatë fjalës në ‘Foltoren’ e Sukthit, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha vuri theksin dhe tek rrëmbimi i pronave nga ndërmarrja e investimeve strategjike të ngritur nga Edi Rama dhe të drejtuar nga Elira Kokona. ‘Sot po shihja unë se ç’është një Elira Kokona, pronarja e të gjitha pronave të shqiptarëve në emër të Edi Ramës, e cila kudo që të vërë lapsin, u merr shqiptarëve pronën, njëlloj si në vitin 1946. Por ua merr pa asnjë dokument’.
Lideri i opozitës, Sali Berisha përmendi edhe depozitimin e mbetjeve të rrezikshme nga qeveria në Durrës, që janë rrezik i madh për shëndetin e qytetarëve: ‘Kanë depozituar në Durrës mijëra tonelata helme më të rrezikshme për qytetarët’, duke bërë thirrje për veprim ndaj Lubi Ballukut dhe institucioneve përgjegjëse: ‘kërkesa ultimative, largo Lubi Ballukun, hiqi imunitetin dhe të shkojë atje ku e ka vendin’.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në fund të fjalës së tij, u shpreh se protesta e opozitës dhe betejat e fundit të PD-së i kanë shpëtuar faqen kombit. ‘Protestat tuaja gjatë javëve të fundit kanë qenë protestat më të rëndësishme që kemi bërë ndonjëherë… është misioni i shpëtimit të Shqipërisë’, tha Berisha ndërsa theksoi se fitorja e tyre është e pritur jo vetëm në Shqipëri, por dhe ndërkombëtarisht: ‘Por edhe njerëzit e lirë në mbarë botën… janë me ne dhe presin fitoren tonë’.
URIMI PËR BESIMTARËT MYSLIMANË
Të dashur demokrate e demokratë, qytetare e qytetarë të Sukthit, zonave përreth, i nderuar zoti kryetar i degës, të nderuar zotërinj deputetë, veprimtarë, kandidatë për deputetë, veprimtarë të PD.
Së pari, duhet ta filloj fjalën time me një urim nga zemra për të gjithë ata, të cilët nisin nesër muajin e madhnueshëm të Ramazanit, urimi im është: Zoti ua pranoftë dhe agjërim të lehtë.

FJALA E PLOTE
Të dashur miq, ne jemi sot në një situatë më kritike se asnjë herë tjetër.
E keqja më e madhe e njeriut, për njeriun dhe shoqërinë, është ajo e cila gradualisht pushton qenien tënde apo pushton shoqërinë.
Dhe e vërteta është se këto 12 vite, po bëhet viti i 13, në një aspekt, shqiptarët dhe Shqipëria nuk kanë pasur kurrë një të keqe si kjo, në kuptimin, nuk po të them të shfarosjes, por në kuptimin e zbrazjes, boshatisjes së këtij vendi të bekuar më shumë se në çdo kohë tjetër që nga vitet 1300, vitet e Murtajës së Zezë, që përgjysmuan Europën.
Miq, ne vijmë sot si një komb pa të ardhme.
Realisht, nuk ka të ardhme kombi që mplaket me shpejtësi të madhe.
Nuk ka të ardhme kombi që humbet rininë me shpejtësi të rrufeshme.
Unë do t’u jap vetëm dy shifra.
Nga viti 1990 gjer sot, lindjet në Shqipëri janë ulur 74 përqind. Në një gjeneratë pra.
Nga viti 2014 deri në vitin 2023, në 10 vite, nga Sukthi, Durrësi, Tirana, Shqipëria, u larguan vetëm në hapësirën e Shengenit 1 milionë e 100 mijë shqiptarë.
Në qoftë se shtojmë ata që shkuan në Kanada, Meksikë, SHBA, vende të tjera, bëhet më shumë se 45 përqind e popullsisë.
Nga këta u larguan për në BE, 720 mijë janë të moshës ndën 40 vjeç.
Çfarë ndodh? Pse kjo braktisje dhe boshatisje masive?
Kjo nuk ndodh kurrë pa shkaqe.
Askush nuk lind me dëshirën për të ikur nga vendi i tij.
Ndodh sepse së pari mundësia ekonomike vjen gjithnjë duke u zvogëluar. Hapësirat ekonomike vijnë gjithnjë duke u ngushtuar.
Nga viti 2013 gjer sot, çdo pensionist në çdo vend tjetër përveç Shqipërisë do të merrte tre herë më shumë.
Çdo rrogëtar, nuk po them katër, se ka edhe katër mundësi, por po them, çdo rrogëtar duhet të merrte të paktën tre herë më shumë.
Çfarë ka ndodhur?
Ka ndodhur që rrogat, pensionet, ndihma ekonomike janë rritur shumë më pak se çmimet.
Çmimet janë rritur, në Shqipëri çmimi i ushqimeve bazë është 17 përqind më i lartë se në mesataren e vendeve të BE.
Pra, kjo është.
Dhe çfarë ka sjellë?
Ka sjellë zhytjen e ngadaltë të shqiptarëve në varfëri.
Atëherë ik bir, ik bijë, gjej fatin tënd rrugëve të botës se këtu nuk e shtyjmë dot, këtu nuk ushqehemi dot, këtu nuk jetojmë dot.
Pse kjo?
Absolutisht vetëm për një arsye kryesore, sepse kjo qeveri ka vjedhur në mënyrën më të papërmbajtur.
Ka vjedhur në mënyrën më të pakufishme pasuritë tuaja.
Taksat që ju paguani në çdo gotë ujë që pini.
Ka vjedhur në mënyrën më të pakufishme pasuritë tuaja publike.
Vetëm porti i Durrësit, meqë e kemi këtu afër, ka një vlerë prej rreth 4 miliardë euro me truall dhe të gjitha.
Ç’po ndodh me portin e Durrësit?
Portin e Durrësit si port, prej 5 vitesh e kanë Troplinët.
Portin e peshkatarëve, që e ndërtuam me taksat tuaja, e mori Luca, një trafikant që ndiqej nga 5 shtete për trafik.
Bashkë me një Dorian Beu a si quhet.
E ndërton shteti, u jepet trafikantëve. Merreni tani edhe portin e peshkimit.
Portet me radhë.
6 milionë metër katrorë bajlozëve të drogës.
Investimet, 90 deri në 100 përqind e investimeve zhduken dhe nuk kryhen.
Kjo do të thotë se vendi shkatërrohet.
Kjo do të thotë se ato para të përcaktuara për investime, nuk prodhojnë punësim, ato përfundojnë në kontot e qeveritarëve.
Përfytyroni për një moment, ku është djegësi i Tiranës?
Asnjë tullë nuk ekziston aty.
130 milionë euro keni dhënë ju për të.
Po nuk është vetëm djegësi, janë kështu të gjitha investimet, të cilat janë vjedhur në masën 90 gjer 100 përqind.
Janë vjedhur edhe ato punime që janë bërë. Ju e shihni sikur janë rrugë kartoni, sikur janë mure kartoni.
Bien të gjitha, rrugët shemben.
Kurrë ndonjëherë nuk janë vjedhur shqiptarët si këto vite.
Ua them unë.
Drama jonë miq, se ky është një vend i bekuar, por në socializëm, çfarë bënte xhelati, i merrte paratë dhe i kthente në bunkerë dhe tunele dhe njerëzit numëronin kafshatën.
Tani nuk ndërtohen bunkerë dhe tunele, tani ndërtohen vila dhe hotele të qeveritarëve, ndërtohen parajsa, fryhen kontot bankare në qindra e qindra milionë dhe qytetarët, të rinjtë marrin rrugët e dheut.
Bëhet një përpjekje, jeni dëshmitarë, për ta lënë vendin pa opozitë, për të shkatërruar opozitën. Për të pasur opozitën që duan.
Po pse sot ne jemi në pikën më kritike?
Jemi në pikën më kritike se sot, pasi para jush, para mbarë shqiptarëve, para mbarë BE-së dhe partnerëve tanë, zëvendëskryeministrja është kapur në flagrancë me vjedhje, filloi me 50 milionët e tunelit të Llogarasë, por ai ishte asgjë çfarë erdhën të tjera.
Që të gjitha në bashkëpunim me Edi Ramën.
Tani, këta kriminelë, se çdo epitet meritojnë, këta na thonë se do bëjmë ligjin për të mbrojtur ata për vjedhjet që kanë bërë.
Këta guxojnë si askund në botë, në vend se të paraqiten para drejtësisë, tani na thonë jo, do vjedhim, do u vjedhim sa të mundemi.
Nuk ka provokim më të rëndë.
Nuk ka akt më të ulët.
Meritojnë çdo përgjigje.
Nuk ka akt më armiqësor kur kujton Shqipërinë që po tretet.
Kur kujton të sëmurët tanë që japin shpirt në spitale pa ilaçe, pa mjekim.
Kur kujton shkollat në rrënim.
Dhe tani këta, tani që janë kapur, thonë do bëjmë ligjin.
Nuk ka ndodhur në botë. Janë bërë përpjekje, por kurrë të kësaj natyre.
Kurrë një kryeministër nuk ka dalë të thotë tani me ligj unë nuk lejoj këtë veprim apo atë veprim të drejtësisë.
Asnjë zgjidhje nuk ka përveç forcës tonë.
O sot o kurrë.
Ne duhet të përballemi gjer në rrëzimin e kësaj qeverie.
Nuk ka ndodhur kurrë.









Miq, ne e rrëzuam një diktaturë dhe nuk ka pasur diktaturë më mizore.
Po ua them këtu, me mijëra e mijëra të pushkatuar, me dhjetëra mijëra të internuar, por për sa i përket vjedhjes, sa ç’kanë vjedhur tre drejtorë të bashkisë të Tiranës, të marrësh të gjitha vjedhjet e Byrosë Politike me në krye Enver Hoxhën, për 46 vjet, janë më shumë të drejtorëve.
Po, ja ku e ka shtëpinë ai që ndërtoi. 3 apo 4 sa është shtëpia. Nuk e regjistroi në emër tij, e regjistroi në emër të shtetit. Nuk ua la fëmijëve të tij. Kishin lehtësira, por të gjitha lehtësirat e tyre të marra së bashku nuk bëjnë sa hoteli 20-katësh në qelq i drejtorëve të Tiranës.
I drejtorëve të Tiranës që nuk konfiskohet se aksioner aty është Olsi Rama me Erion Veliajn.
Kjo është vetëm një gjë e vogël që duket.
Po imagjinoni ju se ku kanë shkuar miliarda e miliarda të vjedhur në 12 vite.
Një gjë, në 12 vite, Edi Rama ka pasur në dorë me firmë 67 miliardë euro taksa tuaja.
Se këta i dyfishuan taksat.
Në mënyrë absolute përveç rrogave, 90 gjer në 100 përqind të tyre janë vjedhur nga qeveria dhe klanet e veta.
Nuk ka pasur në Shqipëri, ua them unë ju dhe ua them me dhimbje, nuk ka pasur drejtues më të pamëshirë, nuk ka pasur drejtues gjakpirës siç janë këta të sotmit.
A e keni parë ju?
Sot po shihja unë se ç’është një Elira Kokona, pronarja e të gjitha pronave të shqiptarëve në emër të Edi Ramës, e cila kudo që të vërë lapsin, u merr shqiptarëve pronën, njëlloj si në vitin 1946.
Por ua merr pa asnjë dokument.
A mund të ecim ne në këtë mënyrë? Jo, kurrë.
Ndaj dhe ne jemi njerëz politikë.
Jemi përballur me një diktaturë, e kemi shembur atë në vitin 1990.
Më e egra ishte.
Tani kemi një të keqe të madhe përpara. Më e keqja e të gjitha të tjerave.
Kurrë nuk ka pasur Shqipëria një regjim më shkatërrimtar se ky.
Dhe thirrja është, të përballemi me të.
Ky zgjedhje nuk bën, ne jemi për zgjedhje.
Ky zgjedhje nuk bën sepse për të marrë me çdo kusht mandatin e katërt, burgosi në vit elektoral drejtuesit e opozitës.
Për të marrë me çdo kusht mandatin e katërt, ky organizoi në kohën kur e ndalon ligjin 4300 aktivitete për të mashtruar shqiptarët.
Ky, për të marrë me çdo kusht mandatin e katërt, vetëm dy ditë para zgjedhjeve fali 2 miliard euro gjoba dhe kamata.
Ky nuk bën zgjedhje.
Ky përdor të gjithë pasuritë tuaja, taksat tuaja për të rrëmbyer zgjedhjet.
Atëherë, ky ka vetëm një rrugë, ta largojmë dhe vetëm ta largojmë.
Të përballemi me të dhe vetëm të përballemi.
Ju jeni dëshmitarë.
PD kaloi në një kalvar të pamerituar dhe do mbetet në nderin tuaj gjithë jetën vendimet që ju
morët për të qëndruar opozitarë të vërtetë, në një kohë kur u bënë përpjekje të
jashtëzakonshme për një opozitë fasadë.
Jo, ju qëndruat si njerëz idealistë, mbrojtët të vërtetën.
Ndaj dhe sot, çdonjëri prej nesh është në një mision të ri dhe ky është misioni i jetës tonë.
Ky është misioni më i rëndësishëm që secili prej nesh ka pasur në jetën e tij, të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe.
Kemi arritur, në qoftë se dy vite më parë besuan dhe menduan se jemi në gropë, gabuan.
Ne u ngritëm si Feniksi, ju u ngritët si Feniksi dhe sot ne kemi mbështetjen më të madhe ndërkombëtare që kemi pasur ndonjëherë nga çdo parti e qendrës së djathtë në botë, 7 rezoluta.
Jo vetëm kaq, Edi Rama ka shpenzuar qindra milionë euro lobingje kundër nesh, mashtrime,
blerje opinionesh, blerje deklaratash, blerje raportesh, por të gjitha po i përfundojnë në kosh të
plehrave.
Zhvillimet e fundit shënojnë fundin e tij politik.
Sa kohë që të qëndrojë në karrige dhe ai jep dorëheqjen, ai qëndron si kufomë politike.
Është në detyrimin tonë madhor ta largojmë një minutë e më parë.
Miq, dy javët e fundit, kërkesa ultimative, largo Lubi Ballukun, hiqi imunitetin dhe të shkojë atje ku e ka vendin.
Jo, se është vetë.
A mund të imagjinoni ju një njeri që depersonalizohet në shkallë ekstreme vetëm e vetëm si të mund të bindë njeri se Lubi Balluku është e ndershme, është korrekte.
Dhe çdo fjalë që thotë, ata që e dëgjojnë, e kuptojnë që ky është vetë Lubi Balluku se Lubia është thjesht një shërbëtore e tij që ka zbatuar urdhrat.
Po, po.
Nuk shkoi sot në Mynih, nuk shkoi se mesazhi është një, largo, mos pengo drejtësinë, largo Ballukun.
Kanë depozituar në Durrës mijëra tonelata helme më të rrezikshme për qytetarët e Durrësit.
U bënë analizat në Itali.
Çfarë doni? Doli helme nga më të rrezikshmet dhe prokurori veproi.
Ndërhyri sikur të ishin grurë apo tulla.
I papërgjegjshëm, pa asnjë interes tjetër përveç pasurimit të tij.
Ndaj dhe 20 shkurti është dita jonë.
Është dita në të cilën shqiptarët kanë triumfuar duke zvarritur figurën më të urryer të historisë së tyre kombëtare, Enver Hoxhën.
Edi Ramën nuk e kanë për asgjë.
Edi Rama nuk ka të ardhme.
Fatin e tij do të pësojë.
Të dashur miq, protestat tuaja gjatë javëve të fundit kanë qenë protestat më të rëndësishme që kemi bërë ndonjëherë.
Në qoftë se ka pasur protesta për t’i shpëtuar faqen këtij kombi, në qoftë se ka pasur protesta ndonjëherë për të mbrojtur dinjitetin e këtij kombi, kanë qenë protestat që ne bëmë javët e fundit.
Dhe ua them këtu, janë përcjellë me admirimin dhe dashamirësinë më të madhe, më të jashtëzakonshme.
Pra, e drejta është me ne.
Shqiptarët në Shqipëri dhe kudo që janë presin nga demokratët të përmbushin misionin e tyre.
Presin nga opozitarët të përmbushin misionin e tyre.
Por edhe njerëzit e lirë në mbarë botën, për të cilët qeveri legjitime nuk ka pa votë të lirë, për të cilët qeveria legjitime nuk ka kur mbron korrupsionin, janë me ne dhe presin fitoren tonë.
Ndaj dhe u ftoj të vazhdojmë këtë betejë, të vazhdojmë misionin tonë, duke pasur vetëdijen e plotë se është misioni më i rëndësishëm i jetës tonë.
Se është misioni i shpëtimit të Shqipërisë.


