Berisha: Protesta e datës 11 shkurt, jo e vetmja. Protesta të vazhdueshme para dhe pas saj. Protestë edhe para Parlamentit.

FJALA E KREUT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME KRERËT E DEGËVE 

Mblidhemi sot në një moment shumë të veçantë, në një moment kur para të gjithë shqiptarëve është bërë përfundimisht e qartë, se Edi Rama të cilin ne me të drejtë, me fakte dhe argumente e kemi shpallur prej kohësh një armik të lirisë, armik të votës, armik të qenies sonë, faktohet se nga viti 2017 e deri më sot, ky demon pushteti, njeri pa asnjë princip, pa asnjë vlerë morale, pa asnjë normë, standard, ka punuar fshehtas dhe haptas, për shkatërrimin e PD-së, në Shqipëri.

Ka mobilizuar fonde, ka blerë dhe korruptuar për faqen e zezë të tij dhe atyre, individë ndër më të fuqishmit mbi tokë, në fushën e sigurisë, siç është rasti i shefit të kundërzbulimit në FBI, Charles McGonigal.

Ky akt i turpshëm, ky akt armiqësor ndaj vendit të madh të lirisë, vendit që udhëheq NATO-n dhe është përgjegjës për sigurinë e botës së lirë, del jashtë çdo lloj imagjinimi, që të bëhet nga një fuqi tjetër, përveç se armiqve të SHBA dhe NATO-s. 

E vërteta është se, midis rekrutimit me korrupsion që Edi Rama i ka McGonigal, përdorimit të tij kundër opozitës, vendosjes së monizmit në Shqipëri, investimeve të mëdha të Deripaskës në Tiranë, ka një lidhje të pazgjidhshme. Por, ajo çka ne si forcë politike properëndimore na bie si detyrë, largimi i menjëhershëm nga pushteti i këtij njeriu që na abuzimin e tij, në thikën pas shpine që ju futi marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, më të keqen që nga ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike nga Enver Hoxha, deri më sot, është një barrë e rëndë për çdo shqiptare, qenia e tij në pushtet. Është një barrë e rëndë morale dhe jo vetëm morale.

Largimi i tij është i domosdoshëm për të distancuar çdo shqiptar, veten nga ky individ, që nuk ngurron të kryejë akte më armiqësore ndaj sigurisë së një vendi të madh, vendit që ka bërë më shumë se çdo vend tjetër për lirinë e shqiptarëve, por nuk ngurron në një hakmarrje të verbër, në kundërshtim me ligjet, kushtetutën të përdorë atë kundër PD-së.

Prova e demokratëve është provë e madhe. Është mision përmbushja e të cilit është shpëtimi i Shqipërisë. Çdo ditë që Edi Rama qëndron në pushtet është barrë, është turp për çdo shqiptar të ndershëm, çdo atdhetar, për çdo shqiptar të vokacionit perëndimor në Shqipëri. 

PD-ja që është forcë e vokacionit perëndimor është dhe do të ngrihet në këmbë e tëra gjer në largimin e tij nga pushteti. Ne në takime të tjera, kemi diskutuar së bashku dhe kemi përcaktuar si mision, largimin e Edi Ramës, për rikthimin e votës së shqiptarëve, dhe ky është zhvillimi më madhor, por me zhvillimet e reja, largimi i Edi Ramës bëhet dy herë më imperativ për shkak të veprimeve të tij antishqiptare, të veprimeve të tij, të cilat mund ti bënte vetëm Llukashenko i Bjellorusisë, një alet i Putinit, por kurrë kryeministri i një vendi anëtar të NATO-s.

Ne kemi nisur betejën në parlament, kemi thirrur protestën në datën 11 shkurt dhe hymë në një fazë përfundimtare të largimit të Edi Ramës nga pushteti. Ne do të gërshetojmë dhe kombinojmë të gjitha format e përpjekjeve në këtë betejë. Revoltat në sheshe, rrugë, institucione dhe kudo. Qëndresa në parlament, hetimi parlamentar. Koha thërret popullin opozitar të gjendet në orën e tij. Ora më e rëndësishme në misionin tonë.

Ndërkohë ne nuk shmangim, përkundrazi bashkërendojmë çdo përpjekje për 14 majin si një ditë fitoreje për kandidatët tanë të lirisë. Në pamje të parë është komplekse, por misioni kërkon të gjitha këto. Misioni kërkon që ne të bëjmë të gjitha përpjekjet për një sukses të vërtetë të PD-së me 14 maj, për largimin e Edi Ramës dhe rikthimin e votës së lirë shqiptarëve. Pra, detyrë jo e lehtë, por absolutisht e realizueshme. Jam i bindur se në këtë mision, PD do të fitojë, opozita shqiptare do të fitojë.

Koha është krejt tjetër, koha ka ndryshuar, në kuptimin që jo vetëm protesta e planifikuar që duhet të ketë përgjigjen më maksimale, me datën 11 shkurt duhet të mobilizohet çdo demokrat e demokrate. Duhet të mobilizohet si asnjëherë më parë, për protestën në Tiranë. Tirana gjithashtu duhet të derdhet e tëra në shesh, Shqipëria duhet të vërshojë drejt Tiranës. 

Por ne jemi në revoltë, jemi në protestë, ky është revolucion. 

Shqiptarët duhet ta dinë se parlamenti shqiptar është më i shëmtuar sot se kurrë, më i cunguar se kurrë. Është një parlament ku shkelet kushtetuta çdo ditë. Është një parlament ku vendoset në mënyrë banditeske nën urdhrat e Ramës çdo ditë. Është një parlament ku dhunohen çdo ditë të drejtat e të zgjedhurve nga qytetarët shqiptarë. 

Ne jemi të vendosur të mos e braktisim atë kurrë. Por ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka që zëri i qytetarëve shqiptarë të dëgjohet në parlament. Natyrisht demokrate e demokratë, duhet të jenë të gatshëm në çdo kohë për protesta të fuqishme para parlamentit. 

Nuk u dorëzohet tempulli i demokracisë kriminelëve të llojit, Taulant Balla, Edi Rama, etj. Jo ai është i qytetarëve. Nuk mund të pranojnë të zgjedhurit e popullit të shtypen të drejtat e tyre, sepse po pranuan këtë ata pranojnë shtypjen e të gjithë qytetarëve. Ju siç e shihni, ata sillen si një bandë. 

Ata bllokojnë, nuk sjellin në parlament në tërësi ligjet tona. Ata bllokojnë komisionet tona hetimore, çka nuk ndodh në asnjë parlament të botës. Deputetët tanë, ne jemi të vendosur, bllokimit të tyre ti përgjigjemi me një qëndresë dhe të pamposhtur në parlament. Degët e Tiranës duhet ta kenë të qartë se protestat para parlamentit duhet të jetë e gatshme në çdo kohë. Se parlamenti nuk mund të funksionojë si një klub i Edi Ramës, jashtë rregullave, jashtë kushtetutës. 

Ju duhet ta dini dhe shqiptarët duhet ta dinë se prej 5 muajsh ne kemi dorëzuar një rezolutë për të dënuar krimet e serbëve në Kosovë. Gjëja më normale. Prej 5 muajsh Linda e Edi Ramës në parlament refuzon të sjellë rezolutën, me urdhër të Edi Ramës. Në një aspekt ai është parlamenti Linda-Rama dhe asgjë tjetër nuk mund ti thuash. Është i turpshëm, por prap ashtu siç është ne nuk e lëshojmë, jo ne do të luftojmë aty dhe qytetarët do të jenë të gatshëm për të protestuar siç duhet para parlamentit. 

Parlamenti është i qytetarëve. Deputetët janë përfaqësues të qytetarëve. As të Edi Ramës dhe Lindës që nuk ka as parim, as princip, por zbaton verbërisht urdhrat e tij. 

Ka një përpjekje tjetër siç e dini nga Edi Rama direkt, për të përjashtuar PD-në nga zgjedhjet. Kësaj përpjekje do ti përgjigjemi me revoltë të përgjithshme. Secili prej jush dhe çdo anëtar i PD duhet ta ketë të qartë si kristali, se gjykatat e këtij vendi, në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën ka vendosur legjimitetin e kuvendit të 11 dhjetorit 2021. Dhe në çdo vend të botës, ky vendim ka vetëm një vlerë, për regjistrimin në regjistrin e partive politike dhe shoqatave. 

Ky vendim në çdo vend të lirë shërben vetëm për kaq. Edi Rama urdhëron të mos regjistrohet nga kancelari vendimi i gjykatës dhe në kundërshtim flagrant me çdo parim, shpall palë Alibashën, pa qenë palë. Çfarë jemi këtu, në këtë situatë, jemi në një përpjekje primitive hakmarrëse për të përjashtuar PD-në nga zgjedhjet. PD do të futet në zgjedhje dhe do të futet vetëm me vulën, logon dhe flamurin e saj. Absolutisht kurrë nuk do të pranojmë të na lejë njeri, të na përjashtojë nga zgjedhjet. Ndaj dhe do të organizojmë revoltën paqësore më të fuqishme që ka njohur Shqipëria. Do të përdorim të gjitha mjetet e mosbindjes civile, dhe zgjedhjet do ti fitojë PD-ja. 

Edi Rama është i pashpresë, ai është sot neveria më e madhe historike e shqiptarëve pas Enver Hoxhës. E keni parë se si është zhdukur. Ai ka frikë edhe nga njerëzit e tij tani dhe delegon interpelanca etj. Të bëjë ç’të dojë, ne kërkojmë largimin e tij menjëherë. Misioni ynë, detyra jonë është, largimi i kësaj kalbësire menjëherë nga pushteti. 

Beteja ka filluar. Protesta me 11 shkurt do të jetë protesta më madhështore që ka njohur Sqipëria, por nuk do të jetë vetëm. Protesta dhe revolta të tjera do të ketë para dhe pas saj. 

Ne jemi të gjithë në betejë. Jemi në një betejë për fitoren, jemi në një betejë për të rivendosur pluralizmin, jemi në një betejë për të rivendosur dinjitetin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, jemi në një betejë të cilën populli opozitar do ta fitojë.

Kërkoj nga ju, të gjitha strukturat drejtuese që nesër të organizoni mbledhje në të gjitha seksionet e PD-së. Të organizoni të gjithë mbështetësit tanë, të gjithë popullin opozitar, qytetarët jo partiakë, por edhe socialistë, kushdo që dëshiron të bashkohet me ne. 

Edi Rama është një e keqe për këtë vend. Asnjë shqiptar nuk mund të pranojë dhe nuk duht të pranojë një kryeministër si ky që është në vendet e lira, njeriu më i turpshëm. Me Duçkën dhe Agron Nezë, rekrutojnë me korrupsion, aleatët kryesorë strategjikë dhe udhëheqësit të NATO-s, njeriun ndofta ndër më të çmuarin në fushën  e sigurisë.

Fjalën e ka Partia Demokratike, fjalën e ka opozita shqiptare, fitorja është e jona. 

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale