Berisha: Programi ynë është ‘çdo çift, një çati’! Do japim 30 mijë euro grant, do ulim të paktën 10 herë taksat mbi sipërfaqen e ndërtimit. Kjo fushatë po karakterizohet nga një besim i padiskutueshëm në programin e PD

KRYETARI I PD-së, SALI BERISHA BASHKËBISEDIM ME QYTETARËT NË RRJETET SOCIALE

EKSTRAKT

Kryetari Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale, ku foli për fushatën e PD-së dhe atë të Edi Ramës. Ai e cilësoi fushatën e tij si një moment entuziazmi dhe besimi të padiskutueshëm, ndërsa akuzoi kundërshtarët për një fushatë të detyruar, pa premtime të realizueshme dhe pa llogaridhënie për 12 vitet e qeverisjes.

Gjatë bashkëbisedimin me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se Edi Rama po refuzon të përballet në debat publik me të, duke i shmangur përballjeT direkte për të diskutuar për programet dhe sfidat që shqetësojnë qytetarët shqiptarë. Kryedemokrati theksoi se refuzimi i Ramës për debat është një përpjekje për të fshehur veprimet dhe vendimet e tij nga publiku, duke nënvizuar se kjo është një praktikë e rrezikshme që rrezikon të çojë në një sistem autokratik.  Ai gjithashtu e ftoi edhe një herë kryeministrin Rama për një debat, jo për interes personal, por për transparencën dhe për interesin e qytetarëve shqiptarë.

Lideri i opozitës, Sali Berisha, në bashkëbisedimin me qytetarët, u shpreh se gjatë mandatit të ardhshëm çështja e pronësisë do të marrë përgjigje përfundimtare. Ai theksoi se gjatë 12 viteve të kaluara janë zgjidhur vetëm 800 dosje pronësie, por në 4 vitet e ardhshme garanton që çdo pronar do të marrë tokën e tij, ose do të kompensohet me tokë tjetër apo me vlerën e tregut të saj. Berisha shtoi se të gjitha proceset e legalizimit do të jenë falas, pa asnjë kostot për qytetarët, dhe se lejet e legalizimit do të shndërrohen në tapitë përkatëse brenda 11 ditëve të para të qeverisë së ardhshme. Ai theksoi gjithashtu se legalizimi do të bëhet para urbanizimit, duke garantuar se çdo dokument legalizimi do të njihet si tapi me një dekret të veçantë.

Kreu i PD, Sali Berisha në një bisedë online me qytetarët, u shpreh se administrata shtetërore po jeton në një terror real, e detyruar të marrë pjesë në takime të pa interesa të Edi Ramës për të mbrojtur vendin e punës. Ai garantoi se punonjësit që punojnë në përputhje me ligjet dhe shërbejnë qytetarët do të mbështeten, duke theksuar se ndryshimi i pushtetit do të jetë pozitiv për ta, duke i lejuar të kryejnë detyrat e tyre pa presion. Berisha i bëri thirrje punonjësve të administratës të votojnë për ndryshimin dhe për të ardhmen e Shqipërisë në 11 maj.

Gjatë bisedës online me qytetarët lideri i demokratëve, Sali Berisha, u shpreh se programi i partisë së tij do të bëhet realitet për çdo çift, duke ofruar mbështetje për strehimin e familjeve shqiptare. Ai theksoi se, përveç projektit “Çdo çift, një çati”, do të ofrohen grante prej 30 mijë eurosh për të mbuluar interesat e kredisë, dhe kredia do të paguhet tërësisht nga shteti në rast se çifti ka fëmijën e tretë. Berisha u angazhua gjithashtu për uljen drastike të taksave mbi sipërfaqet e ndërtimit dhe për ndërtimin e ndërtesave sociale me çmime të arsyeshme për qytetarët.

Kryedemokrati Sali Berisha, në bashkëbisedimin e tij me qytetarët, u shpreh se fëmijët me diagnozë autizmi do të përjashtohen nga detyrimi për t’u paraqitur çdo vit në KEMP. Ai theksoi se një diagnozë e tillë nuk duhet të jetë pengesë për fëmijët, duke i dhënë mundësinë për të ecur përpara, përfunduar shkollën dhe u integruar në shoqëri. Berisha shtoi se mbështetja e familjes, shkollës dhe komunitetit është e nevojshme për të arritur këtë, dhe se ka një moment në të cilin fëmijët autik mund të festojnë normalitetin e tyre, duke iu afruar bashkëmoshatarëve.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar në lidhje me një nga masat më të rëndësishme që do të marrë qeveria e ardhshme, duke theksuar se amnistia ndaj gjobave dhe kamatave abuzive do të jetë një nga aktet e para të ekzekutivit të tij. Ai njoftoi se të gjitha gjobat e vendosura mbi qytetarët para datës 11 maj dhe deri në vitin 1992, përfshirë gjobat dhe kamatat e çdo lloji, do të falen dhe do të bëhen zero. Berisha gjithashtu garantoi se kjo amnisti do të përfshijë edhe bizneset e vogla, duke eliminuar kështu një barrë të madhe për qytetarët dhe bizneset që kanë vuajtur nga një sistem gjobëvënës abuziv.

Në bashkëbisedimin me qytetarët, lideri i opozitës, Sali Berisha është shprehur se, rilindja po bën gjithçka për të mbajtur pushtetin, duke qenë të vetëdijshëm për urrejtjen e thellë që shqiptarët ndiejnë ndaj tij. Ai theksoi se partia e tij është angazhuar fuqishëm për transparencën e procesit të votimit dhe se vitin 2025 do të jetë momenti i ndryshimit të madh, kur qytetarët do të përcaktojnë fatin e Shqipërisë. Berisha gjithashtu shtoi se po merreshin me shqetësimet që vijnë nga diaspora, duke siguruar se janë duke punuar për të garantuar një proces të sigurt dhe të besueshëm zgjedhor.

Kreu i demokratëve, Sali Berisha, u shpreh se çmimet e larta të ndërtesave dhe qirave në Tiranë janë pasojë e ndikimeve të korrupsionit dhe trafikut të drogës, duke theksuar se këto faktorë kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme. Ai garantoi se, me implementimin e një sistemi të ri fiskal për ndërtimet dhe ndërtimet sociale, do të ketë një ulje të ndjeshme të çmimeve, si në blerje ashtu edhe në qira, duke mundësuar kështu një lehtësim për qytetarët dhe një trajtim më të drejtë të tregut të pasurive të paluajtshme.

Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka theksuar rëndësinë e çështjes së drejtësisë për shqiptarët, duke e cilësuar atë si një nga problemet më të mëdha që ka përjetuar ky popull. Berisha, ka denoncuar Arben Rakipin, duke e cilësuar atë si një individ që ka shfrytëzuar Shkollën e Magjistraturës për të përfituar përfitime personale dhe biznesesh të paligjshme. Ai shprehet se, Rakipi është një personazh i lidhur me mafian, që ka përdorur këtë institucion për të kontrolluar dhe përvetësuar burime financiare, duke krijuar një sistem të dyfishtë për ata që kërkojnë të hyjnë në sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Berisha premtoi se këto praktika do të marrin fund pas zgjedhjeve të 11 majit, duke premtuar një reformë të thellë dhe të drejtpërdrejtë në drejtësinë shqiptare.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se një nga prioritetet e qeverisë së ardhshme do të jetë ndihma për studentët dhe rinisë shqiptare. Sipas tij, një seri masash do të ndërmerren për të përmirësuar kushtet për studentët, duke filluar me heqjen e mesatares si kriter për pranimin në universitet. Berisha shtoi se do të vendoset një bursë 200 euro për studentët dhe tarifa universitare do të përgjysmohet ose eliminohet, në varësi të fakultetit. Po ashtu, ai theksoi se pas diplomimit, punësimi i të rinjve do të jetë prioritet, me mbështetje shtetërore për sigurimet shoqërore dhe grante për strehim dhe zhvillim biznesi për të rinjtë.

Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, kryedemokrati Sali Berisha, ka shprehur solidaritetin e tij të thellë për fëmijët e spektrit autik dhe për familjet që përballen me këtë sfidë. Ai pranoi publikisht se nuk kishte arritur të bënte gjithçka që mund të kishte bërë për këtë kategori, duke theksuar se ka pasur një angazhim të vazhdueshëm nga ana e bashkëshortes së tij, Lili Berisha, që drejton qendrën rajonale të autizmit në mënyrë vullnetarizmi. Sipas tij, kjo çështje ka qenë një prioritet i rëndësishëm për familjen e tij dhe ai ka shprehur angazhimin e tij për të siguruar një mbështetje më të fuqishme për fëmijët autik dhe për trajtimin e çrregullimit që po bëhet gjithnjë e më i pranishëm në shoqërinë botërore.

Lideri i PD-së Sali Berisha, i pyetur nga qytetarët, ka kritikuar ashpër kodin aktual zgjedhor, duke e cilësuar atë si “më absurdin e planetit” dhe ka premtuar se do të ndërmarrin një reformë për ta ndryshuar atë. Berisha e ka konsideruar këtë kod si antikushtetues dhe ka theksuar se ai dëmton partitë e vogla, duke nxjerrë në pah se për këtë arsye ai kishte propozuar bashkimin e forcave politike për një ndryshim të këtij kodi. Po ashtu, ai ka kritikuar reformën territoriale, duke thënë se ajo ka sjellë pasoja të rënda për qytetarët shqiptarë, duke i larguar ata nga shërbimet dhe duke penguar investimet, duke i kthyer administratën në një makineri që ushqehet vetëm me taksat e qytetarëve.

Gjatë bashkëbisedimit online me qytetarët kryetari i PD, Sali Berisha, theksoi shqetësimin e tij për rritjen e dhunës në shkollat shqiptare, duke përmendur vrasje dhe plagosje të ndodhura gjatë muajve të fundit. Ai kërkoi një qëndrim të fortë dhe pa tolerancë ndaj dhunës në shkolla, duke propozuar një sistem orari të ri që do t’u mundësojë fëmijëve të qëndrojnë në shkolla për 8 orë, ku do të ushqehen dhe bëjnë detyrat. Sipas Berishës, familjet nuk duhet të pranojnë që fëmijët e tyre të shkojnë në shkolla të armatosur dhe duhet të punojnë së bashku për të eliminuar çdo motiv për dhunë.

FJALA E PLOTE:

Është një fushatë që karakterizohet nga një besim i padiskutueshëm në programin e PD, në entuziazëm dhe momente elektrizuese siç janë takimet.

Vlerësim real për alternativën tonë, për kandidatët tanë.

Në krahun tjetër ka një fushatë të detyruar me punonjës rrogëtarë të cilët merren me detyrim në takimet e Edi Ramës, të kërcënuar se përndryshe humbasin vendet e punës.

Ka një fushatë pa fryt, pa asnjë lloj llogaridhënie për atë që është bërë në 12 vite dhe një fushatë pa asnjë lloj premtimi pasi premtimet 12-vjeçare janë provuar të gjitha kallp dhe të gënjeshtërta.

Kësaj here Edi Rama ka zgjedhur banalitetin, ka zgjedhur të themi aspekte të Big Brother për të mashtruar sërish shqiptarët dhe për të mbuluar me to të gjitha dështimet e njëpasnjëshme, vjedhjet e mëdha që ka kryer në 12 vite dhe rrokullisjen e madhe të vendit.

PYETJE PËRGJIGJET ME QYTETARËT:

Vis Bejleri: Doktor, në Shqipëri nuk zbatohet Neni 23 i Kushtetutës, e drejta Informimit është e garantuar. As Ligji 119/2014 për të drejtën e informimit! Të gjitha veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë bëhen në mungesë të informimit, transparencës dhe llogaridhënies dhe për këtë punon dhe Komisioneri për të drejtën e informimit…ky na censuron!

Do t’a fitojmë këtë të drejtë universale më 11 Maj?! Është baza e lirive dhe të drejtave të njeriut me Konventën Europiane…

Sali Berisha: Keni shtruar një çështje shumë madhore. Censura dhe hapat drejt saj, janë hapa drejt diktaturës. Autokratët nuk durojnë dot kritikat, bëjmë gjithçka për të fshehur vendimet dhe veprimet e tyre.

U garantoj se data 11 maj, i jep përgjigjen më përfundimtare dhe më të mirë kësaj praktike të ekstremit të majtë, por në që në fakt në rastin e Shqipërisë, është të narkoshtetit shqiptar në raport me transparencën dhe komunikimin.

Ju e shifni se si, Edi Rama refuzon në mënyrë të prerë debatin publik me Sali Berishën. Unë përsëri e ftoj atë, jo se kam ndonjë dëshirë të veçantë të përshëndetem me të, por e bëj këtë pikërisht për hir të transparencës para qytetarëve shqiptarë dhe interesit të tyre.

Ai ka bllokuar jo vetëm veten e tij, por ka bllokuar të gjithë kandidatët e tij që nuk lejohen të dalin me rivalët e Aleancës për Shqipërinë Madhështore, mbasi nuk kanë asgjë çka tu servirin shqiptarëve si program, dhe nuk kanë asnjë justifikim për dështimet vjedhjet dhe abuzimet masive që kanë bërë në 12 vite.

Besnik Kala: Çfarë do të bëhet me administratën shtetërore që Edi Rama i ka terrorizuar që të votojnë për dështimet e tij, pasi ju të merrni qeverinë, pasi shumica e tyre do të votojnë për koalicionin Shqipëria Madhështore.

Sali Berisha: Është e vërtetë që administrata shtetërore është vendosur në një terror real.

Ajo është e detyruar për të mbrojtur vendin e punës të marrë pjesë në takime pa asnjë interes, bajate të Edi Ramës.

Unë garantoj çdo punonjës të administratës që punon në përputhje me ligjet e vendit, që u shërben qytetarëve në përputhje me ligjet e vendit, se ai konsiderohet nga ne një shërbëtor i çmuar i shtetit shqiptar dhe se ndryshimi i pushtetit do të jetë një zhvillim pozitiv edhe për atë vet pasi do të vazhdojë të kryejë detyrat e tij pa asnjë lloj presion tjetër përveçse të zbatimit të ligjit.

Koha është që të gjithë këta punonjës të mos e japin votën për atë që i detyron të marrin pjesë në takimet e tij bajate, por të votojnë më 11 Maj për ndryshimin, të votojnë për rotacionin, të votojnë për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj.

Mobileri Igli: Ne kemi dy fëmijë autik, a mundet qe ne mos ti paraqesim çdo vit në KEMP, se është sëmundje e pashërueshme.

Sali Berisha: Së pari, do ta ndaj pyetjen tuaj në dy përgjigje. Natyrisht një diagnozë e tillë, përjashton plotësisht detyrimin për tu paraqitur çdo vit në KEMP, në vlerësimin tim.

Së dyti, ana tjetër pozitive është se me mbështetjen tuaj, të babait, nënës, familjarëve, dhe të shkollës, këta fëmijë ecin dhe arrijnë të përfundojnë shkollën, të sistemohen si të tjerët. Ka një kohë në të cilën vërtetë është i nevojshëm KEMP dhe mbështetja dhe një kohë tjetër, kur ju dhe ata do festoni normalitetin e tyre në raport me bashkëmoshatarët.

Klotilda Mane: Jam një e re jetoj në Tiranë. Kam të ardhura të mjaftueshme për një jetesë të mirë në Shqipëri, por shqetësimi im është se nuk kam akses në strehim, pra me çmimet që kanë shkuar në stratosfherë nuk mund ta blej dot një shtëpi, pasi të ardhurat e mija mujore do shkonin të gjitha për të paguar kredinë dhe si unë janë gati me shumë se 90% e te rinjve që punojnë dhe mungesa e një shtëpie na e bën të ardhmen e zymtë. Qeveria Gjermane, dhe konservatoret ne Evrope e kanë  shpallur strehimin emergjencë kombëtare, ndërkohë që ne nuk kemi as emigracion si ata dhe vendi është shpopulluar, sërish çmimet e papërballueshme. Mua nuk me duhet pasaporta e BE se po të doja do kisha gjetur mënyrën për të ikur, mua më duhet një strehë dhe të krijoj familje dhe një të ardhme këtu. Por kështu si po shkojnë punët nuk është largët dita kur dhe unë të vendos të largohem.

Sali Berisha: E nderuar zonjushë, programi ynë është çdo çift, një çati. Dhe u siguroj se ne këtë program do e bëjmë realitet. Çmimet e sipërfaqeve të ndërtimit këtu janë stratosferike.

Por ne do bëjmë sërish, përveç projektit që çdo çift, një çati, që nënkupton një grant prej 30 mijë eurosh për të mbuluar interesat e kredisë.

Dhe në rast se çifti dëshiron të ketë fëmijën e tretë, kredia i paguhet tërësisht nga shteti.

Por krahas kësaj, ne kemi edhe dy projekte të tjera për strehimin e shqiptarëve, për lehtësimin.

Së pari, ulim me të paktën 10 herë taksat që merren sot mbi sipërfaqen e ndërtimit. Taksat llogariten me vlerën e shitjes, ato do llogariten me vlerën e projektit.

Dhe në këtë kontekst, në qoftë se sot ndërtuesi paguan taksë 100 gjer në 300 euro për metër katrorë, do paguajë 2 deri në 8 euro për metër katror.

Ky është zotimi ynë, çka do të reflektohet direkt në taksa.

Së treti, ne do ndërtojmë ndërtesa sociale me qëllimin e vetëm dhe kryesor që t’u japim mundësi shqiptarëve të strehohen me çmime të arsyeshme.

Deda Doda: Ju keni paraqitur programin më të shkëlqyer, kam vetëm një pyetje: A do ju konfiskoni hajdutëve të qeverisë, pasurinë.

Sali Berisha: Pastrimi i shtëpisë nënkupton ndër të tjera, edhe konfiskimin e pasurive të vendosura mbi paratë e krimit, mbi paratë e taksëpaguesve shqiptarë, vjedhjen e tyre nga qeveritarët.

Cheriu Ueb: Çfarë projektesh do kesh  në bujqësi, kryesisht për kanalizimet dhe ujin vaditës. Psh; në komunitetin e bashkisë Klos nuk është bërë asnjë investim.

Sali Berisha: Ne parashikojmë investim prej 70 mln euro çdo vit në vaditje, kullim dhe mbrojtje të tokës. Ne do bëjmë gjithçka që të mbidyfishojmë sipërfaqen e vaditur gjatë mandatit të parë. Për ne, vaditja, kullimi dhe mbrojtja e tokës do të jetë një nga çështjet më kryesore të programit tonë për bujqësinë.

Miftar Gjapi: Kur do të zbatohet ligji ku prona private të kalojë nga reforma agrare me ligjin 7501, tek pronarët e vërtetë.

Sali Berisha: Gjatë mandatit që vjen, çështja e pronësisë do marrë përgjigje përfundimtare. Në 12 vite janë zgjidhur gjithsej 800 dosje pronësie, në 4 vite unë garantoj pronarët, se çdo pronar ose do të marrë tokën që ka patur, ose do të kompensohet me tokë, apo me vlerë tregu të saj, me para.

Selman Ferhati: Mua ma ka rritur çmimin e legalizimit 104 mln, nuk i janë referuar as çmimit të tokës as legalizimit. Unë jam invalid, ku ti marr 104 mln kur të gjithë i kam bërë me 6 mln.

Sali Berisha: Të gjitha legalizimet pa përjashtim do të jenë falas pa asnjë lek, dhe lejet e legalizimit do të shndërrohen në tapi në 100 ditët e para të qeverisë së ardhshme.

Ne nuk bëjmë kurrë urbanizimin para legalizimit, ne bëjmë legalizim para urbanizimit dhe në këtë kontekst legalizimi do të jetë falas dhe çdo dokument leje, legalizimi që ju dispononi do të njihet si tapi me një dekret të veçantë.

Fatmir Merkoçi: Kur do ta deklaroni kabinetin qeverisës të ‘Aleancës Shqipëria Madhështore’.
Sali Berisha:
Fatmir, të përshëndes njëherë në radhë të parë. Kabineti do jetë një kabinet me përfaqësim mbarëkombëtar të shqiptarëve në Shqipëri, diasporë dhe kudo që janë.

Natyrisht kabinet në hije në Europë paraqesin vetëm konservatorët britanikë, që janë edhe tradita më e vjetër konservatore në Europë. Kabineti ynë do shpallet pas fitores së 11 Maj.

Fatos Doçi: Për onkologjikun, do bëhet e mundur vendosja e petscanerit?

Sali Berisha: Ju siguroj se aparatura e parë që do të blihet do të jetë petscaneri i rezolucionit më të lartë. E konsideroj një akt të papërgjegjshmërisë së vërtetë mungesën në një shtet të këtij aparati me rëndësi shumë të madhe diagnostikuese.

Halit Pepmarku: Çfarë do të bëhet me shtëpitë e banorëve që u shembën nga tërmeti dhe nuk u prek me dorë asgjë nga shteti.
Sali Berisha:
Pasojat e tërmetit të cilat prej 6 viteve persistojnë do të marrin përgjigje përfundimtare. Të gjitha shtëpitë do të rindërtohen dhe do u dorëzohen me çelësa në dorë banorëve të tyre.

Sazan Shero: Kam vjehrrin invalid dhe bashkëshortja ime është e përkushtuar për ta ndihmuar, por merr vetëm 12 mijë lek dhe nuk njihen sigurimet. Si i bëhet, a e keni në program.

Sali Berisha: Ne kemi në program për çdo shqiptar 200 euro pa asnjë dallim. Bashkëshortja do marrë 200 euro.

Just Reused: Keni ndonjë zgjidhje për rrymën elektrike që ka koston shumë të lartë, krahasuar me vendet e tjera nëpër botë.  

Sali Berisha: Propozimi ynë është ky: ne zbresim rrymën elektrike në 7 lekë kilovati, i cili është sot 8.5 lekë apo 9 lekë. Së dyti ne do u ofrojmë shqiptarëve kudo që janë vendosjen e paneleve diellore me mbështetjen e qeverisë, për të cilën ata do paguajnë 3 vite energjinë e prodhuar prej tyre si tarifë energjie. Pas tre vitesh do kenë falas energji falas në shtëpitë e tyre.

Amarildo Marku: Problemi serioz, diskriminimi që Edi Rama i ka bërë veriut këto 12 vite, rrugë me pagesë, ndërkohë që Rruga e Kombit është bërë nga qeveria jote dhe nuk kishte pse të ishte me pagesë.

Sali Berisha: Çdo lloj diskriminimi ndaj çdo lloj krahine merr fund. Të gjitha taksat rrugore hiqen javën e parë të qeverisë së PD dhe koalicionit për Shqipërinë Madhështore.

Leo Nika: A do ta mbani premtimin për vendosjen me ligj të minimumit jetik, që të paktën të mos marrim me listë bukë e ushqime te dyqani i lagjes.

Sali Berisha: Absolutisht ju lutem, mos harroni se ligji i parë pas votimit të qeverisë do të jetë ligji i minimumit jetik i cili i cili ndodhet në parlament, të cilin ne e kemi dorëzuar 1 vit e gjysëm më parë. Ai premtim është premtimi i parë që do të bëhet realitet.

Edmond Cajku: Falja e gjobave të vëna nga lloj, lloj policisë e task forcash. A do ketë falje gjobash dhe kur do të bëhen.

Sali Berisha: Të gjitha gjobat mbi qytetarët, të vendosur para datës 11 maj dhe gjer në vitin 1992, gjoba dhe kamata të çfarëdo lloji, do falen dhe do jenë zero. Po kështu dhe gjobat e biznesit të vogël.

U garantoj se amnistia për qytetarët, amnistia ndaj gjobave absurde të gjobëvënësve, do jetë një nga aktet më të para të qeverisë së ardhshme.

Afrim Curri: Jetoj prej 25 vitesh jashtë, mesa po shoh 90% e diasporës po voton për PD dhe koalicionin tuaj. Sa të aftë do të jeni që kjo votë të mos tjetërsohet nga sekti rilindja.

Sali Berisha: Sekti rilindja ka dëshirë të bëjë çdo gjë, mbasi e dinë se urrejtja e shqiptarëve ndaj tij është e pakufishme. Por ne po bëjmë gjithçka për transparencën e votës tuaj dhe unë kam bindjen se viti 2025 të dashur miq, do të jetë viti juaj, viti në të cilin ju me vullnetin tuaj, përcaktoni fatin e Shqipërisë, ndryshimin e madh.

Gëzim Zaimaj: Rruga Çorovodë-Përmet është ndaluar se zbatuari projekti që bëri qeveria juaj. Çfarë do të bëhet.

Sali Berisha: Rruga Çorovodë-Përmet do të shkojë gjer në fund. Do zbatohet plotësisht.

Megi Zoga: Për problematikat që po konstatohen në diasporë. Zarfe pa fletën e votimit, apo vonesë nga ana e postës pasi kemi votuar. Çfarë masash po merren.

Sali Berisha: Ne po merremi me intensitet me këtë probleme. DHL është në reputacionin e postës më të sigurtë dhe prandaj është zgjedhur, por ne po ndjekim me shumë shqetësim që na vijnë nga diaspora dhe po merremi me to.

Senada Martinaj: Unë uroj fitore madhështore në 11 maj. E vetmja gjë që kisha, ishte të shikonit këto çmimet e shtëpive me qira në Tiranë se janë ekstremisht të larta.

Sali Berisha: Keni shumë të drejtë. Çmimet e ndërtesave në Tiranë dhe çmimet e qirave të ndërtesave…. çmimet e ndërtesave përcaktohen nga droga dhe korrupsionit, për rrjedhojë prej tyre rriten edhe çmimet e qirave.

U garantoj se sistemi i ri fiskal mbi ndërtimet dhe ndërtimet sociale do japin një ulje të ndjeshme të këtyre çmimeve, qoftë në blerje, qoftë në qira.

Bedri Bami: Doktor si i bëhet me gjykatat dhe prokuroritë në rrethe që i ka shkatërruar.

Sali Berisha: I dashur Bedri, çështja e drejtësisë është çështja më themelore që kanë shqiptarët dhe që për fat të keq e kanë realizuar vetëm ata që kanë të bëjnë me drejtësi.

Pra, shqiptarët kanë humbur tërësisht të drejtën themelore të një procesi ligjor të drejtë.

Quhet proces ligjor i drejtë ai proces që zhvillohet në përputhje me ligjet dhe brenda një kohe të arsyeshme, Një proces ligjor në gjykata, që kërkon 15 vite, siç kërkon sot në Shqipëri, është një proces ligjor i vonuar, inekzistent.

Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Këtë përjetojnë sot të gjithë shqiptarët. Sot janë në sistemin e drejtësisë në të gjitha shkallët 230 mijë dosje. Ato duan të paktën 20 vite dhe po vijnë duke u rritur.

Është një situatë që tejkalon çdo lloj realiteti në një vend të botës. Nuk ekziston në asnjë vend përveçse në Shqipëri.

Reforma e Xhorxh Sorosit kaq shumë e lavdëruar nga sorosizmi, ishte shkatërrimi përfundimtar, ose mohimi përfundimtar i të drejtës së shqiptarëve për të pasur një proces ligjor.

Ne kemi shpallur dhe shpallim se rikthimi i kësaj të drejte, se garantimi i procesit ligjor për shqiptarët është një nga detyrimet tona më madhore.

Ne po bëjmë përgatitje, jemi në kontakt me personalitete të shquara botërore në fushën e të drejtës.

Si qeveri do vendosim bashkëpunim të ngushtë me Komisionin e Venecias dhe t’u japim përgjigje më të shpejtë të mundshme të kësaj situate asgjësuese të një drejte themelore për shqiptarët, e drejta e procesit ligjor.

Me gjithë vështirësitë që paraqet, jam optimist.

Janë mijëra shqiptarë që kanë studiuar në universitetet më të mira të Europës dhe botës për drejtësi, por i kanë dyert e mbyllura, nuk mund të hyjnë në sistemin e drejtësisë në Shqipërisë, sepse duhet të kalojnë shkollën e Rakipit.

Arben Rakipi është një mafioz që përdor Shkollën e Magjistraturës për bizneset e tij.

Këto do marrin fund pas 11 Majit.

Spartak Dano: Jam një banor i Tragjasit, a mund të më thoni se çfarë qëndrimi do të mbani për projektin e grabitjes së ujit të Tragjasit, për tu dërguar tek resortet e oligarkëve në Palasë dhe Dhërmi.

Sali Berisha: Garantoj ju banorëve të Tragjasit dhe të gjithë banorëve të Lumit të Vlorës se asnjë litër ujë nuk do mund tu merret, kurrë pa miratimin tuaj të plotë.

Së dyti, qeveria aktuale dhe ajo që vjen mbrapa, ka të gjitha mundësitë për të garantuar sasi kolosale uji pa i marrë Tragjasit, Dukatit, Kuçit, Gjormit apo të gjithë fshatrave asnjë litër ujë.

Janë mijëra e mijëra litra ujë të nëndheshëm që derdhen në det, të cilat kërkojnë vetëm tërheqjen e tyre me pompa gjer në depo të cilat mund ti dërgosh në çdo drejtim.

Por e vërteta është se këto ujëra nuk janë vetëm në zonën e Vlorës, por dhe në zonën e Dhërmiut dhe bregut. Kështu që qeveria para se të mendojë ti shndërrojë në shkretëtirë 35 fshatra të lumit të Vlorës që të ua heqë ujin që është jeta e tyre, të marrë pompat, ujin e ëmbël që është kudo, ka patur projekte, ka projekte të mëdha për transferimin e Italisë, ta transferojë një pjesë të tij drejt bregut shqiptar, pa shqetësuar ju.

Kështu asnjë shqetësim të mos keni, asnjë votë mos jepni për ata që duan të grabisin ujin, ju siguroj se uji do të mbetet i juaji, i paprekshëm.

Rrok Deda: A do të hiqet, apo të paktën të zvogëlohet taksa e rrugës që e paguajmë sa herë hedhim karburant në makina. Ju kujtoj se për çdo litër karburant paguajmë 32.4 lek të reja taksë rruge përfshirë edhe TVSH. Në Maqedoninë e Veriut karburanti është 120 lek litri, në Shqipëri është 175 lek litri.

Sali Berisha: Në fakt pardje kanë qenë 107 lek litri në Maqedoni dhe keni shumë të drejtë. Asnjë diskutim nuk ka që barra fiskale mbi litrën e naftës, do të zbresë në nivelin e saj që ekziston në Maqedoni dhe Kosovë.

Dhe në Shqipëri nuk do të shitet litër nafte +- 10% të çmimit që ka në Kosovë dhe Maqedoni.

Alban Tirana: Diktatorët kur janë gjallë ndërtojnë buste. Rama në mes të Tiranës ka bërë surratin e tij me gradaçelë. Kur të vini në pushtet, do të ja ndryshoni surratin Edvinit?

Sali Berisha: Do të ja thyejmë hundën. Po, ta ketë të qartë.

Fejzo Subashi: Mendoj se batutat e Ramës dhe gjuha e tij në takime po ju ç’orientojnë, po tërheq vëmendjen e votuesve nga fokusimi drejt programit tuaj.

Sali Berisha: Vetëm atë qëllim ka. Fushata e tij ka si qëllim më kryesor të shmangë llogaridhënien për 12 vite që ka qeverisur. Ka si qëllim kryesor të mbulojë mashtrimet 12 vjeçare që ka bërë me çdo premtim, të mbulojë vjedhjet e pafundme që ka bërë në 12 vite me afera siç janë djegësi, 130 mln euro, me tunelin e Llogarasë, 50 mln euro. Me rrugët e ndërtuara me çmim 10 herë më të lartë se në Kroaci, spo them se sa në periudhën tonë.

Me shkollat dhe punët publike të ndërtuara, me çmime 8-10 herë më të larta. Pra ai ka zgjedhur për të mbyllur të gjitha këto tu paraqesë shqiptarëve një lloj banaliteti me të cilën ata të harrojnë, ose mendon ai, hallet e mëdha që kanë, pensionet më të ulëta në Europë, çmimet më të larta, vështirësitë e tyre për ushqimin e përditshëm.

Pamundësinë e tyre për të mjekuar sëmundjet që kanë. Detyrimin e tyre për tu kërkuar fëmijëve që të largohen në rrugët e dheut. Për të mbuluar papunësinë që është një epidemi për të rinjtë shqiptarë.

Për të mbuluar rrogat e ulëta, çmimet stratosferike. Pra, kjo është e vërteta ndaj dhe ne nuk devijojmë nga programi ynë, ne do shkojmë dhe shkojmë çdo ditë duke paraqitur një program i cili paraqet një mundësi reale për çdo shqiptar.

Për pensionistin një mundësi për një jetë ndryshe, mbasi nuk do ketë pension ndën 200 euro, pas vendosjes së minimumit jetik dhe pensionet e tjera do rriten me 20%.

Për rrogëultin nuk do të ketë rrugë ndën 500 euro.

Për rrogën mesatare, 1200 euro. Por jo vetëm kaq, por të gjitha rrogat mbi rrogën e ultë, për shkak të uljes së tatim fitimit mbi të ardhurat personale, rriten automatikisht me 13%. Sepse sot ata paguajnë 23% taksën, nesër do paguajnë 10% të këtyre të ardhurave.

Pra, do të kenë kartën e konsumatorit pensionistët dhe rrogëulët.

Studenti do ketë bursën 200 euro. Mesatarja do hiqet në shkolla. Mbaron shkollën do bëhet gjithçka për punësimin e tyre. Do ketë grante, për çdo çift një çati në mënyrë që të mund të vendosin ëndrrën e tyre në Shqipëri, një çati kundrejt një grandi 30 mijë euro për të paguar interesat e bankës. Dhe në rast se çifti vendos të bëhet me fëmijë të tretë ai do ta ketë të shlyer nga shteti të gjithë kredinë.

Kështu që në realitet ky është një projekt që mund ta përmbledhim me dy fjalë: Mundësi e re për çdo shqiptar.

Klajdi Debrova: Çfarë do bëni për studentët, çfarë plani keni?

Sali Berisha: Për studentët, së pari hiqet mesatarja, e vendosur si Shpatë Demokleu mbi ta për të përjashtuar nga e drejta e universitetit të paktën 60 përqind të maturantëve.

Së dyti, vendoset bursa 200 euro.

Së treti, tarifa përgjysmohet ose hiqet sipas rastit në çdo fakultet.

Së katërti, pas mbarimit, punësimi i të diplomuarve d o të jetë përparësia më e madhe.

Një vit do paguajë qeveria sigurimet shoqërore çdo punëmarrësi për një të ri.

Grant për strehimin e çifteve prej 30 mijë euro.

Grante dhe kredi të buta për të rinjtë që do fillojnë startupe dhe biznese të vogla.

Për ne, objektivi më kryesor është që të rinjtë shqiptarë të vendosin të ndërtojnë në Shqipëri ëndrrën e tyre.

Uesli Arben Shurdho: Që të marrësh ilaçe për kurim leucemie në QSUT, i bie ti marrësh me 1 muaj vonesë prej burokracive, se rekomandimin në rrethe i merr, por kur aplikon në QSUT të gjitha datat janë të zëna dhe i bie të jemi pa ilaçe një muaj. A imagjinohet ky absurditet.

Sali Berisha: Zoti Shurdhi, së pari njëherë u shpreh solidaritetin tim më të madh.

Dhe ju garantoj që situata që nuk ka të përshkruar në rrafshin njerëzor dhe rrafshin shkencor, që ekziston në Spitalin Onkologjik, do të marrë fund me urgjencë.

Edi Rama katër muaj më parë, pasi u njoh se bëri se bëri sikur nuk e njihte situatën, deklaroi se ato janë krime kundër njerëzimit.

Por fakti se edhe para 4 muajsh, Edi Rama që disponon buxhetin 8 miliardë euro, nuk mori asnjë masë për asnjë ndryshim, tregon se kryeautori i këtyre krimeve është vetë ai, se paratë për ju vidhen.

Se vjedhja e parave të ilaçeve tuaja, ka zhdukur çdo ndjenjë njerëzore tek këta zyrtarë, të cilët hedhin valle mbi fatkeqësinë tuaj, të cilët pasurohen si shushunja me paratë e ilaçeve që vjedhin nga ju.

Eduart Lurthi: Çfarë masash konkrete do të merrni për të përmirësuar jetën dhe trajnimin e fëmijëve me spektrin autik në Shqipëri. A do ketë më shumë mbështetje për trajnimin, shkollimin dhe integrimin e tyre në shoqëri.

Sali Berisha: E pranoj publikisht se nuk kam bërë atë që do të kisha bërë, për fëmijët autik, për familjarët e tyre unë kam ndjenjat solidaritetit më të madh.

Siç mund ta dish, Lili bashkëshortja ime prej 20 vitesh, pasi doli në pension drejton qendrën rajonale të autizmit, e drejton në mënyrë vullnetare pa asnjë lloj shpërblimi. E thashë këtë për tu siguruar se në familjen tonë kjo çështje është pothuajse e përditshme në diskutimet që kemi.

Por një pengesë ka qenë për mua, prania e saj në drejtimin e qendrës, për shkak të konfliktit të interesit që krijon. Dhe vetë e ka thënë ajo se, disa kërkesa që janë adresuar jam detyruar të kufizohem për të mos e konsideruar konflikt interesi.

Tani dua të ju njoftoj ju se, koha provon që ndofta kam patur të drejtë. Kur shoh që Edi Rama me prokurorët e tij politik më ka akuzuar për korrupsion faktin se, vajza dhe dhëndëri im kanë sponsorizuar 3 familje në nevojë, për trajtimin e fëmijëve të tyre në qendrën rajonale të autizmit, qendër që drejtohet nga Liri Berisha pa asnjë shpërblim.

Dhe këtë Edi Rama dhe prokurorët e tij e kanë konsideruar akt korruptiv. Por kjo situatë ndryshon dhe ju siguroj se, do të ketë një mbështetje shumë më të fuqishme ndaj këtij çrregullimi që po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë kudo në botë.

Xhevdet Lushaj: A do na ktheni tokën e grabitur dhe shtëpinë e fituar me 2500 orë punë vullnetare.  

Sali Berisha: Do të rikthejmë çdo pronë të plaçkitur dhe grabitur me vendimet antikushtetuese dhe ligjet antikushtetuese të këtij regjimi.

Milaim Nela: Kodi Zgjedhor është shumë i padrejtë, a na premtoni një kod të ri zgjedhor dhe një reformë të re territoriale dhe të drejtë, brenda vitit të dytë të mandatit qeverisës.

Sali Berisha: Njëherë, një përshëndetje të përzemërt Milaim. Keni shumë të drejtë. Kodi aktual ndoshta është kodi më absurd i planetit.

Ndoshta, nuk them se i njoh të gjitha kodet, por ka elementë të qartë antikushtetues.

Siç e dini, unë ftova të gjitha partitë të bashkoheshim pasi në të vërtetë ky kod ndëshkon partitë e quajtura të vogla.

Pikërisht një nga shkaqet e aleancës së madhe me 25 forca politike ishte edhe ndryshimi i kodit.

Por disa prej tyre refuzuan me pretekstin se ne nuk jemi për rotacionin.

Nuk janë për ndryshimin, pra janë për qëndrimin e Edi Ramës, pavarësisht se çfarë pasojash ka kodi mbi to.

Por ne do e ndryshojmë kodin dhe reformën territoriale.

Reforma territoriale për fat të keq ka ndëshkuar qytetarët shqiptarë ndoshta pas reformës në drejtësi më shumë se çdo reformë tjetër.

U ka larguar shërbimet, u ka prerë investimet.

Kudo që shkon nuk ka më investime.

Kudo që shkon ka vetëm rrogëtarë që ushqehen me taksat e qytetarëve dhe nuk ofrojnë asgjë si shërbim.

Besnik Demneri: Urime për fushatë fantastike, problem është siguria na shkollat fillore, ka shumë raste kur fëmijët vijnë të armatosur me thika.

Sali Berisha: Problem madhor dhe në rritje. Vetëm muajt e fundit ka patur vrasje e plagosje në shkollat tona. Disa jo një. Një qëndrim krejtësisht tjetër ndaj dhunës në shkolla do të mbahet. Toleranca do të jetë zero.

Nga ana tjetër shkollat do të kenë si orar, jo orarin e mësimit, por 8 orë në mënyrë që fëmijët të qëndrojnë, të ushqehen dhe të bëjnë detyrat dhe mësimet në shkollë dhe familjarët të kryejnë detyrimet në punë që kanë.

Çështja e dhunës në shkolla është madhore edhe e familjeve të cilat nuk duhet kurrë të pranojnë që fëmijët e tyre të shkojnë në shkolla të armatosur, por edhe të mos kenë asnjë motiv për ta bërë këtë.

***

Ju falënderoj shumë dhe u kërkoj edhe njëherë ndjesë, qoftë për vonesën që pata në këtë paraqitje, qoftë dhe se nuk kam arritur të jem para jush aq shpesh sa dëshiroj.

Ju siguroj se do përpiqem të komunikoj më shpesh dhe më haptas me ju.

Ju përshëndes dhe ju falënderoj shumë përzemërsisht për pyetjet dhe komentet që bëtë.

Ditë të mbarë,

Fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale