FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TUBIMIN QYTETAR TE ‘RRUGA E SHPRESËS’
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha mbrëmjen e sotme në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’ mbajti një fjalim për të nderuar Gerti Bogdanin, një figurë të rëndësishme e Partisë Demokratike dhe një përfaqësues të virtytshëm të qytetarisë së Tiranës dhe rinisë shqiptare.
Berisha u shpreh se Bogdani ishte një zë i fortë për kauzën demokratike dhe vlerat e lirisë. Në nderim të tij, Berisha ftoi të pranishmit të mbajnë një minutë heshtje për kujtimin e tij të përjetshëm, duke theksuar rëndësinë e veprës dhe angazhimit të tij politik.
Në një fjalim të zjarrtë, kryetari i PD, Sali Berisha shprehu angazhimin e tij për të rinjtë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, duke u zotuar se do bëjë gjithçka për të mundësuar kthimin e tyre në Shqipëri. Ai tregoi historinë e një të riu shqiptar, i rritur dhe shkolluar jashtë, që pyeti kryeministrin aktual se çfarë do bënte për t’i ndihmuar të rinjtë të ktheheshin në vend.
Berisha e kritikoi ashpër përgjigjen e kryeministrit, të cilën e cilësoi arrogante dhe antishqiptare, duke e quajtur atë “kreu i Meduzës” dhe një figurë që nuk ka bërë asgjë për të rinjtë. Ai e portretizoi këtë moment si një thirrje që rezonon me mijëra të rinj të tjerë, të cilët e kanë ëndrrën për t’u kthyer në Shqipëri, dhe për të cilët Berisha premtoi të luftojë për një të ardhme më të mirë.
Kryedemokrati, Sali Berisha prezantoi në tubimin qytetar një pjesë të programit të Partisë Demokratike e cila synon të ndihmojë shqiptarët e larguar të kthehen dhe të ndërtojnë një jetë të suksesshme në vend. Ai theksoi se PD-ja ka përgatitur një sërë masash për të mbështetur kthimin e tyre, duke përfshirë një periudhë 5-vjeçare pa taksa për ata që hapin biznese. Përveç kësaj, ai premtoi mbështetje për punësim, kredi për strehim dhe mundësi të tjera që do të ndihmojnë në integrimin e të rikthyerve.
Berisha foli mbi qeverisjen aktuale dhe përgjegjësinë e saj mbi boshatisjen e vendit dhe premtoi se PD-ja do ta rikthejë Shqipërinë në rrugën e Europës, duke e bërë një vend me rroga dhe pensione konkurruese në rajon, bazuar në drejtësi dhe konkurrencë të ndershme.
Berisha iu drejtua me tone të ashpra qeverisë dhe strukturave të sigurisë për bashkëpunim me mafien, duke e quajtur Shqipërinë një “narkoshtet”. Lideri demokrat theksoi se operacioni kundër bandës së Çopjave u dekonspirua nga institucione të korruptuara, duke përmendur se Skapi i partisë kishte njoftuar klanet mafioze që të largoheshin para se të vepronin autoritetet.
Berisha gjithashtu shtoi se telefoni i drejtorit të përgjithshëm të policisë u kontrollua pa vendim gjykate, duke nënkuptuar një nivel të lartë të korrupsionit dhe bashkëpunimit kriminal në polici. Sipas tij, këto veprime janë dëshmi e degradimit të institucioneve shtetërore dhe dominimit të mafies në vend.
Lideri demokrat , Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj për fshehjen e një letre që tregonte se një aparaturë sterilizimi e blerë në vitin 2011, e cila përballonte dyfishin e operacioneve të nevojshme në vend, ishte lënë jashtë përdorimit me qëllim për t’i dhënë kontratat për sterilizimin njerëzve të lidhur me qeverinë.
Berisha kritikoi ashpër rritjen e kostos për sterilizimin e pajisjeve mjekësore, duke theksuar se kjo ka shkaktuar vështirësi të mëdha për pacientët dhe spitalet, madje duke i detyruar njerëzit të shisnin pronat e tyre për t’u operuar në spitale private. Ai dënoi faktin që drejtësia nuk po vepron kundër Ramës dhe Beqajt, të cilët i quan përgjegjës për këtë “krim të shëmtuar”.
Berisha ftoi qytetarët të ngrihen kundër qeverisë, duke kërkuar krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhje të lira, duke e përmbyllur me një thirrje për guxim dhe qëndresë në luftën për ndryshim.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta ju qëndrestare dhe qëndrestarëve të pamposhtur, misionareve dhe misionarëve të kauzës së drejtë të çdo qytetari shqiptar.
Përshëndetje të përzemërta oratorëve të kësaj tribune të fjalës së lirë, që përcjellin në të katër anët e vendit të vërtetat e Shqipërisë së sotme, besimin dhe shpresën tek e ardhmja.
Një përshëndetje të përzemërt të gjithë atyre që sot detyruan Erion Veliaj t’ia mbathë nga bashkia.
Përshëndetje për protestën e tyre të pamposhtur.
Të dashur miq, dje demokratët dhe qytetarët e Tiranës përcollën në banesën e fundit Gerti Bogdanin, njërin nga përfaqësuesit më të virtytshëm të qytetarisë së Tiranës, të PD-së, të rinisë shqiptare.
Ju ftoj ta nderojmë me një minutë heshtje kujtimin e ndritur, veprën e pavdekshme të Gerti Bogdanit.
I përjetshëm kujtimi i mikut tonë!
Të dashur miq, dje në Bruksel një i ri shqiptar, i lindur dhe i rritur në Greqi, i drejtoi një pyetje kreut të narkoshtetit shqiptar.
Ky djalë greqishtfolës, anglishtfolës me shpirt dhe zemër shqiptar, e pyet kreun e Meduzës: zoti kryeministër, çfarë do bëni ju për të rinjtë që të kthehem në vendin tim?
Ato fjalë në anglisht të tij, ajo kërkesë në anglisht, e cila kësaj here nuk buronte nga gjuha, por nga zemra dhe shpirti i tij ishin një thirrje dhe kushtrim për çdo shqiptar.
Kurse kreu i Meduzës, kryehajduti i kombit, zyrtari më hajdut i të gjitha kohërave në këtë vend, iu përgjigj të riut: unë, tha, i ri, nuk kam pyetur se çfarë do bësh, por kam bërë. Dhe ti si i ri, përpiqu pra të bësh se asgjë nuk do bëj për ty.
Nuk kishte përgjigje më cinike, më arrogante, më antishqiptare, më shpresëvrasëse se një i ri, i cili ishte shkolluar në Greqi, po shkollohej dhe në Bruksel, por prapë ëndrrën nuk e kishte në Greqi, nuk e kishte në Bruksel, ëndrrën e jetës e kishte në Shqipëri.
Ndaj sot miqtë e mi, jam këtu për t’u betuar para qindra mijëra të rinjve dhe të rejave, të cilët ndodhen sot në Europë dhe në botë, janë shkolluar, janë bërë ekspertë, specialistë nga më të mirët e fushave të ndryshme, por që prapë ëndrrën, siç e kishte Gerti Bogdani, që përfundoi studimet me rezultatet më të larta në shkollën e tij, ëndrrën e kanë për t’u kthyer në Shqipëri.
Do bëjmë gjithçka që ju të ktheheni në këtë vend.
Do bëjmë gjithçka që të shpëtojmë këtë vend nga njeriu që u përgjigj se bëj ç’të mundesh vetë.
Do mbledhim forcat, do dalim në shesh të mejdanit, do përballemi dhëmb për dhëmb me këtë hajdut që nuk ka asgjë shqiptare.
Me këtë armik të egër të qenies shqiptare.
Që në vend që të ndjehej 100 herë i obliguar, në vend se të ndjehej 100 herë mirënjohës për dëshirën e atij të riut që të ndërtonte ëndrrën në Shqipëri, i përgjigjej si harbut.
I përgjigjej me ndjenjën e armiqësisë së etërve të tij ndaj shqiptarëve jashtë.
Ndaj miqtë e mi, kjo betejë nuk është pra vetëm për veten tonë, vetëm për familjet tona, për fëmijët tanë, por kjo betejë është për qindra e mijëra të rinj dhe të reja, qytetarë shqiptarë që u larguan, u dëbuan, u zbuan dhe boshatisën këtë vend gjatë këtyre tetë viteve nga një platformë që përbën gjenocid të vërtetë ndaj shqiptarëve.
Unë garantoj shqiptarët në emigracion dhe diasporë se programi i PD-së bashkon një seri masash, të cilat të bëjnë të mundur rikthimin tuaj të butë, të suksesshëm në dheun tuaj të dashur kudo që jeni.
Unë ju jap fjalën ju se kthimi juaj në Shqipëri do shoqërohet me një periudhë 5-vjeçare pa taksa në qoftë se do hapni biznese.
Do shoqërohet me vendosjen tuaj në vendet që meritoni, në vendet ku mund të kontribuoni më shumë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Do bëjmë gjithçka që Shqipërinë ta ngjisim, do ta bëjmë sërish vendin e parë për rroga dhe pensione në Ballkan.
Së bashku me ju, do rikthejmë përsëri Shqipërinë në rrugën e Europës.
Do krijohen të gjitha kushtet, me kredi dhe mjete të tjera për strehimin, për punësimin, për biznesin, për aktivitetin në fushën ku ju jeni më afër, më të specializuar.
Gjatë vitit 2008-2013, 180 mijë familje emigrantësh erdhën në Shqipëri.
Por prapë Shqipëria nuk kishte rrogat e atyre vendeve prej nga erdhën ata, por Shqipëria ktheu besimin se ky vend do bëhet nga shqiptarët.
Shqipëria nuk do jetë çiflig i mafies së Edi Ramës.
Shqipëria nuk do jetë çiflig i hajdutëve të tij.
Jo, Shqipëria do jetë vend i garës së ndershme, konkurrimit të ndershëm, barrës së ulët fiskale.
Shqipëria do jetë vend i ligjit. Ligji dhe vetëm ligji, kodi i mafies nuk do ketë më kurrë vend në Shqipëri.
Miqtë e mi, degradimi i këtij vendi është jashtë çdo imagjinate.
Është zëvendësuar tërësisht me narkoshtetin.
Sot, mediat informojnë se kandidat për drejtor të përgjithshëm të policisë është një person në arrati me mandat arresti.
Miq, pse e solla këtë shembull?
E solla këtë shembull sepse kjo është Shqipëria!
Shqipëria është në duart e mafies dhe vetëm mafies.
Dy muaj më parë u njoftova këtu se Skrapi i partisë njoftoi klanet mafioze dhe familjet mafioze që të largohen dhe isha shumë i sigurt në atë që u thashë.
U arrestua në Kosovë këto kohë një përfaqësues i rrezikshëm i klanit Çopja.
Anëtarët e organizatës kriminale të Skrapirt të partisë, me në krye mercenar Dumanin, u vërsulën si qen të tërbuar kundër oficerëve të policisë që u dekonspiruan.
Shkuan dhe i kontrolluan telefonin pa gjykatë drejtorit të përgjithshëm të policisë. Po atij mirë ia bënë, ai e meritonte.
Po kush thoni ju, e kishte dekonspiruar?
Organizata kriminale e Skapit të partisë me BKH-istat e tij.
Sa shkuan me e marrë në Kosovë, u tha haptas, ata më njoftuan.
A e shihni pra si e kanë shndërruar Skrapin në një çerdhe trafiqesh, pazaresh, gjobash dhe me radhë?
Miq, u ndala në këto shembuj jo rastësisht, por vetëm për të faktuar, për të vërtetuar dhe njëherë dhe 100 herë se krimi është sundimtari i gjithëfuqishëm i këtij vendi me gjithë Edi Ramën.
Ndaj dhe qytetarë dhe qytetare, kurrë në jetën tuaj nuk keni pasur një shans të tillë të madh që me guximin, me qëndresën, me atdhetarinë tuaj, me besnikërinë tuaj, të ngrihemi së bashku për dinjitetin tonë.
Të ngrihemi së bashku për përmbysjen e këtij regjimi antishqiptar për t’i rikthyer shqiptarëve votën e lirë.
Të ecim drejt qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira, fitores së sigurt të opozitës.
Miqtë e mi, mos harroni kurrë se qytetarët shqiptarë janë në një agresion të egër propagande dhe censure, censure dhe propagande.
Sot, me diktat lajmet mbushen me mashtrimet e Edi Ramës.
Lajmet mbushen me suksese imagjinare.
Lajmet mbushen duke shpallur disfatat si arritje.
Për t’u mbushur mendjen shqiptarëve se narkoshteti i Edi Ramës është republika e lumturisë.
Ndërkohë që narkoshteti i Edi Ramës është pushtim i egër për qytetarin shqiptar, për të rinjtë shqiptarë, për pensionistët shqiptarë, për të sëmurët shqiptarë.
Miq, sot hajduti Rrjepaj, shikoni se çfarë deklaron, në komisionin hetimor parlamentar për shëndetësinë, të kryesuar nga zonja Vokshi, është zbuluar se drejtoria e përgjithshme e spitaleve i kishte dërguar një letër Ilir dhe Edvin Hajdutit.
Çfarë i thoshte në letër për sterilizimin? I thoshte se aparatura e sjellë në vitin 2011, e blerë mbi 800 mijë euro, aparaturë ultramoderne, me një kat kushtuar vetëm asaj aparature dhe sterilizimit, përballon 60 mijë operacione në vit në të gjithë Shqipërinë.
Përballon pra dy herë më shumë se të gjitha operacionet që kryheshin në vend.
Por kërkonin që të specializoheshin, sepse në të vërtetë ajo ishte një aparaturë ultramoderne, ishte një aparaturë dixhitale.
Ilir Beqaj, ai hajdut kriminel, me Edi Ramën, e fshehin letrën në mënyrë që sterilizimin t’ia besonin njerëzve të tyre. Mjekut murator me dy punëtorë.
Dhe Edi Rama si lëngaraq, ju kujtohet apo jo kur kalonte nga studio në studio me gërshërën me një bisht, kur u thoshte se ja me çfarë operoheshit, në një kohë kur Shqipëria dispononte mijëra e mijëra komplekse kirurgjikale. Ua them këtu, ata të kirurgjisë së fëmijëve, të praruara me florinj, të cilësisë më të lartë. Dhe i përdorte një mjek duarartë.
E fshehu dokumentin Edi Rama. Dhe çfarë ndodhi? Për sterilizimin e një seti veglash për një operacion, kostoja u rrit 83 herë.
Dhe çdo vit mbi 1 mijë shqiptarë mbeteshin pa operacion sepse spitalet nuk kishin fonde për të paguar setet e sterilizuara tmerrësisht të kushtueshme.
Vdiqën ose shisnin banesat, shtëpitë për t’u operuar në spitale private.
Kjo ishte barbari, kjo nuk është mjekësi.
E megjithatë, me gjithë këto, Altin Mercenari me anëtarët e tjerë të organizatës kriminale, nuk arreston Ilir Beqën dhe Edi Ramën për këtë krim të shëmtuar, por e arrestojnë për 120 mijë euro që ka vjedhur donacione të BE.
Ndaj dhe ju bëj thirrje të ngrihemi në betejë të pandalshme, pa kthim, krijimin e qeverisë teknike, zgjedhje të lira, fitore, fitore, fitore.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria!