Berisha prezanton programin për infrastrukturën: Do ndërtojmë unazën periferike të Shqipërisë, ripërtëritje rrjetit hekurudhor dhe çmime simbolike të ujit

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E PROGRAMIT PËR TRANSPORTIN DHE INFRASTRUKTURËN

EKSTRAKT

Në prezantimin e programit të qeverisjes për vitet 2025-2029 për infrastrukturën dhe transportin, kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh se, investimet e bëra në Shqipëri në këtë fushë, nuk kapin as vlerën e 1 miliardë eurove. Berisha u shpreh se, për këto fusha janë dhënë 12 miliardë euro, por shumica janë vjedhur nga qeveritarët dhe drejtorët.

Gjatë prezantimit të programit për transportin dhe infrastrukturën, kryedemokrati Sali Berisha ka paraqitur edhe projektet që do të realizohen gjatë qeverisjes së PD në vitet 2025-2029.

Sipas tij, aksi Milot-Lezhë-Shkodër do jetë përparësi e të gjitha përparësive, duke u zgjeruar dhe duke u sjellë në standardet e duhura. Gjithashtu Berisha u shpreh se, edhe autostrada Tiranë-Durrës do zgjerohet me tre korsi në të dy krahët.

Kryedemokrati, Sali Berisha akuzoi qeverisjen e Edi Ramës për vjedhje të shfrenuara me projektet infrastrukturore gjatë mandateve të tij si kryeministër. ‘Aeroporti i Vlorës është aeroporti i gjobës së madhe të shqiptarëve’, theksoi Berisha gjatë prezantimit të programit të PD 2025-2029, për transportin dhe infrastrukturën.

Në fjalën e tij, kreu i PD, Sali Berisha ka prezantuar projektin e unazës periferike të Shqipërisë. Gjatë fjalës së tij në prezantimin e programit për infrastrukturën, Berisha u shpreh se, ‘unaza periferike e Shqipërisë është arteria e mbajtjes gjallë, e vitalizmit, e shfrytëzimit të të gjitha pasurive të pafundme që këto zona kanë. Në i rikthehemi asaj’.

Gjatë prezantimit të programit për transportin dhe infrastrukturën, lideri i demokratëve Sali Berisha u shpreh se, Partia Demokratike do të ripërtërijë të gjithë projektin hekurudhor të vendit.  Berisha u shpreh se, projekt madhor do të jetë ndërtimi i një linje hekurudhore me Kosovën, që është një nga projektet më të hershme për vendin.

Në fjalën e tij gjatë prezantimit të programit të PD për qeverisjen 2025-2029 për infrastrukturën dhe transportin, kryedemokrati Sali Berisha e ka vënë theksin dhe tek portet detare. Sipas tij, vendi ynë ka një pozicion gjeografik që i konkurron të gjitha vendet e rajonit, ndërsa theksoi se do ti kundërvihen projektit ‘Dubai City-t të Edi Ramës dhe arabit të tij, Al Alabar’.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në prezantimin e programit të për infrastrukturën dhe transportin, ka deklaruar se, do të punohet që qytetarët të kenë një furnizim të pandërprerë me ujë.  ‘Ne do shkojmë drejt uljes së çmimeve me synim për uljen maksimale për të mos thënë pa tarifa sepse duhet një investim i madh përpara’, theksoi kryetari i PD-së, Sali Berisha në fjalën e tij.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt dhe falënderim për të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim, për ju drejtuesit e departamentit, panelistët, në të cilën ne paraqesim programin e PD për 4 vitet e ardhshme, program transformues të infrastrukturës së vendit.

E vërteta është se gjatë këtyre 12 viteve, në total janë investuar sipas buxhetit mbi 12 miliardë euro nga Edi Rama dhe qeveritë e tij në infrastrukturë.

Por, në qoftë se ka një gropë të zezë në zhdukjen e këtyre fondeve, janë pikërisht rrugët dhe projektet infrastrukturore.

Po qe se ndalemi për një moment se çfarë është ndërtuar me 12 miliardë euro të shpenzuara, fonde buxheti, ato nuk shkojnë, nuk kapin vlerën reale kurrë të 1 miliardë eurove.

Por çmimet e këtyre veprave dhe objekteve janë dhjetëfishuar.

Rëndom janë gjashtëfishuar, janë 12-fishuar, 13-fishuar në mënyrën më të pakonceptueshme.

Kjo ka bërë që në 12 vite qeverisje, vështrimi i veprave publike të ndërtuara është jashtëzakonisht i pakët, ndërkohë shpenzimet janë kolosale.

Nuk besoj të ketë ndonjë vend tjetër kund në botë që të jenë zhdukur, të jenë gllabëruar fonde publike siç ka ndodhur në Shqipëri me këto 12 miliardë euro investime që nuk duken.

Në qoftë se marrim Rrugën e Arbrit, nga 160 milionë, e parashikuar ën standardin ndërkombëtar dhe kompaninë ndërkombëtare, në një kohë kur 32 kilometra të saj kanë qenë të ndërtuara, ajo ka shkuar në 415 milionë dhe nuk dihet sa do shkojë.

Në qoftë se marrim Unazën e Tiranës, 19 kilometrat e fundit të saj se 8 kilometrat u ndërtuan gjatë qeverisjes së PD me vepra arti se ishin shumë të lidhura, sot ato janë ndarë në 14 lote me 14 kontrata. Janë një diletantizëm. Hyrjet e daljet janë absolutisht defektoze. Janë të pastudiuara. Dhe mjerisht kjo unazë, në vend se të lirojë trafikun, efekti i saj pothuajse nuk ndjehet fare. Dhe që ka vazhduar ndërtimi i saj 15 vite.

Janë një seri rrugësh të tjera që kanë mbetur.

75 milionë dollarë ka qenë e planifikuar rruga Qukës-Qafë Plloçë, gjer tani kanë shkuar 215 milionë dhe ajo nuk dihet kur mbaron. Ajo është rruga e vetme në Europë dhe në botë ku segmentet nuk takojnë njëra-tjetrën jo në një rast, por në dy pozicione.

Pra, ka një abuzim masiv.

Po të marrim pllakat e guri të shtruara në sheshet e qyteteve, 2.3 miliardë euro, në asnjë lloj kostoje mbi tokë ato nuk mund të shkojnë më shumë se 300 milionë.

Aeroporti i Vlorës është aeroporti i gjobës së madhe të shqiptarëve.

Ndërtohet një aeroport sipas Edi Ramës dhe zëdhënëse të tij, më i madhi në Ballkan.

A mund të imagjinoni se ku i shtyn këta hajnia?

Si mund të ketë Vlora aeroportin më të madh në Ballkan, këtë e dinë vetëm hajdutët e qeverisë.

Ka një ligj tjetër, një rregull tjetër ndërtimi i aeroporteve.

Vlora e do aeroportin dhe ne kemi pasur projektin.

Por natyrisht me marrëzinë, se kjo është si të vjedhësh më shumë, si të gjobisësh qytetarët më shumë.

Qytetarët shqiptarë do paguajnë çdo biletë të munguar mbi 600 mijë pasagjerë.

Po shkoni, bjerini lapsit sa shtretër ka nga Semani nga Ksamil. Sa shtretër janë? Se ku do flenë këta njerëz, nuk ka rëndësi, rëndësi ka që të vjedhim sa më shumë.

Po kështu tuneli.

Nuk ka tunel në botë që të ketë kushtuar 65 mijë euro për banor.

Kaq janë, duke i marrë ata 3-4 mijë në kohë joturizmi.

Dhe pse? Duke i lidhur sytë njërës prej qafave më panoramike të Shqipërisë, që është Qafa e Llogarasë.

Në breg shkohet për turizëm. 95 përqind shkojnë për turizëm. Banorët janë të paktë. Dhe tani u thuhet atyre të paguajnë nga 5 euro.

Pra, nuk ka një vend të dytë në botë që të ketë përdorur infrastrukturën dhe projektet e saj për të vjedhur një komb, për të vjedhur një popull siç ka vepruar qeveria e Edi Rramës.

Kjo është e vërteta.

Sigurisht kjo praktikë do ketë një audit të thellë dhe ata të cilët kanë vjedhur dhe shpërdoruar 12 miliardë euro, ata do përgjigjen gjer në një para shqiptarëve për këtë shpërdorim të padëgjuar.

Projekti ynë është një projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm për transportin rrugor.

Nuk ka dyshim që ne do përfundojmë punët e nisura që nuk sosën kurrë nga këta.

Milot-Lezhë-Shkodër është përparësi e të gjitha përparësive.

Të gjithë ata që studiojnë fluksin e makinave, numri më i madh i tyre i hyrjeve në Shqipëri pas rrugës së Kombit është Muriqani dhe Hani i Hotit. Janë të fundit.

Bëhet e zhbëhet një tender se si të rriten çmimet Milot-Balldre.

Për ne, përparësi absolute ka së pari zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës me tre korsi dhe korsi urgjence në dy anët.

Së dyti, rruga Milot-Shkodër. Zgjerimi i kësaj rruge është kusht, është emergjencë sot.

Natyrisht përfundimi në kohë i rrugëve që po u harrohet emri.

Ato janë shumë të domosdoshme.

Një projekt tjetër shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm do të jetë unaza e Shqipërisë. Unaza periferike, e cila do të qarkojë Shqipërinë. Duhet të qarkojë Shqipërinë.

Është projekt shumë i vjetër.

Të mos harrojmë se rruga e parë automobilistike në Shqipëri është segment i kësaj unaze, Delvinë-Devoll.

Ne punuam në këtë unazë jo pak.

Nga Valbona në Gjoricë. Punuam në aksin Gjoricë-Librazhd dhe në segmente të tjera.

Natyrisht kjo është rrugë shumë e rëndësishme sepse kemi të bëjmë me më shumë se një të tretën e territorit të vendit, i cili në qoftë se nuk urbanizohet, zbrazet, zbrazet, zbrazet. Braktiset, braktiset, braktiset.

Ne patëm një koncept shumë të drejtë për fshatin. Banorët e fshatit duhet të kenë infrastrukturën e njëjtë me të qytetit, rrugët, ujësjellësat, kanalizimet, shkollat. Përndryshe pse do të jetojë ai aty.

Pra në këtë kontekst ne i rikthehemi infrastrukturës së Shqipërisë rurale me vendosmërinë më të madhe.

Unaza periferike e Shqipërisë është arteria e mbajtjes gjallë, e vitalizmit, e shfrytëzimit të të gjitha pasurive të pafundme që këto zona kanë.

Në i rikthehemi asaj.

Nuk ka dyshim që sot më kryesorja në infrastrukturë është mirëmbajtja e rrugëve.

Shumat e caktuara për mirëmbajtjen e rrugëve janë qesharake. Në buxhetin e fundit janë 30 ose 35 milionë.

Ndaj dhe rrugët shpërbëhen. Rrugët e tyre prishen edhe pa u ndërtuar, siç është parë.

Jo, ne do i japim përparësi absolute mirëmbajtjes së rrjetit rrugor.

U krijuan autoritetet e mirëmbajtjes së rrugëve, ato do të fuqizohen.

Koncesionet janë koncesione korruptive fund e krye.

Shikoni çfarë ndryshimi të madh.

Të gjitha akset e mëdha rrugore në 2005-2013 u ndërtuan me kompani të mëdha evropiane dhe amerikane. Të gjitha, nga Hani i Hotit në Gjirokastër, kudo.

Kishte nënkontraktorë shqiptarë, por inxhinieringu, projekti ishin ndërkombëtare. Kostot shumë herë më të ulëta.

Cilësia shumë herë më e lartë.

Këto janë përjashtuar tërësisht. Një kompani e huaj nuk mund të marrë pjesë në tendera, përveçse kur do Edi Rama si në rastin e tunelit të Llogarasë që e skonton kompaninë me 130 milionë euro ofertë dhe kontrakton kompaninë me 180 milionë euro ofertë.

Rëndësi shumë të madhe do të konsiderojmë transportin hekurudhor.

Në gjendjen aktuale është mjerane.

Transporti mujor hekurudhor është qesharak. Është 300 deri në 400 pasagjerë sepse është disfunksional.

Kanë tre vjet që punojnë për hekurudhën Tiranë-Durrës, e kanë inauguruar, se këta inaugurojnë shumë herë, po hekurudha mbetet aty ku është.

Jo, ne do ripërtërijmë rrjetin hekurudhor dhe do lidhemi me linjë hekurudhore me Kosovën.

Ideja e një hekurudhe Kosovë-Shqipëri është një ide e hershme e Perandorisë Otomane dhe pas perandorisë, e marrë shumë seriozisht nga austriakët.

Ajo është një hekurudhë aq e leverdishme sa Rruga e Kombit.

Ajo është një hekurudhë e cila e shndërron, ashtu siç ka pozicionin gjeografik, në epiqendrën kryesore të transporteve në drejtim të vendeve të tjera të Ballkanit.

Fatmirësisht në këtë drejtim ka studime dhe veçanërisht pas firmosjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi në Uashington, ky projekt u rizgjua.

Ajo marrëveshje, që e kam thënë në atë kohë, e them edhe sot, ishte më e mira që është paraqitur ndonjëherë, sepse ajo nuk synonte zgjidhjen e problemit politik, por synonte normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në këtë pjesë të rajonit. Tre ishin përfituesit kryesorë, Serbia, Kosova, Shqipëria.

Shqipëria përfitonte shumë. Një port të thellë dhe hekurudhën.

Marrëveshja e firmosur në Shtëpinë e Bardhë në prani të presidentit të SHBA, u injorua në mënyrë të papërgjegjshme nga të gjitha palët.

Në vend se të merreshin me zbatimin e marrëveshjes, merreshin me Ballkanin e Hapur të Sorosit.

Ne i rikthehemi projektit të hekurudhës. Do jetë përparësi absolute.

Një hekurudhë në segmentin më të shkurtër që lidh Shqipërinë me Kosovën dhe pastaj me hekurudhat e Serbisë, Hungarisë e me radhë.

Shqipëria ka një pozicion gjeografik që konkurron të gjitha portet e rajonit.

U bë një betejë e madhe kundër Rrugës së Kombit vetëm e vetëm për transformimin gjeostrategjik që ajo sillte në raport me transportin detar dhe rrugor.

Sepse ajo rrugë bënte më të përshtatshëm portet shqiptare dhe kështu janë.

Vlora është territori i ujërave të thella por porte mund të ndërtohen aty ku vendos fuqia, teknologjitë e lejojnë këtë, është e njohur kjo.

Natyrisht ne i jemi kundërvu dhe i kundërvihemi Dubai City-t të Edi Ramës dhe arabit të tij, Al Alabar. Ai është një monument korrupsioni i përmasave të jashtëzakonshme.

Monument me të cilin Edi Rama dëshmon se po realizon ëndrrën e të bërit një miliarder.

Ndaj dhe duke hedhur poshtë idenë e ndërtimit në Durrës të një Dubai City, ne qëndrojmë për rëndësinë jetike të porteve.

Veçanërisht ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Prishtinë apo Durrës-Prishtinë e bën Durrësin, mundet edhe Vlorën- në vitin 2007 ne kishim një projekt gjigant për Vlorën me portin më të madh në rajon diku afër Zvërnecit. Ky projekt ra viktimë e flluskës që pësoi Siti i Londrës. Ata punuan shumë për projektin, por atje siç e dini, ndodhi një piramidizim i disa bankave të Sitit.

Por sidoqoftë ne kemi studime dhe do bëjmë studime.

Shqipëria do bëhet epiqendër kryesore e transportit detar në rajon.

Në programin e përgatitur i është kushtuar një vëmendje e veçantë sistemit të ujësjellësve dhe kanalizimeve.

Kur ekziston një shembull, dhe ekzistojnë të gjithë bazat për ta adoptuar atë në vendin tonë, sa kohë që ti nuk arrin ta adaptosh, ndjen keqardhje të madhe.

Është një vend që furnizon qytetarët e vet falas me ujë dhe ky vend është Austria.

Logjika e këtij vendi, është vend që i ka prirë kapitalizmit, ka qenë themeltare në vlerat konservatore, logjika e atij vendi është se ai është vend plot me ujë dhe duhet t’u furnizojë banorët e saj me ujë.

Shqipëria nuk ka më pak ujë se Austria në sipërfaqen dhe popullatën e saj. Ne kemi burime ujore shumë të mëdha, mbitokësore dhe nëntokësore.

Kemi relievin gjeografik shumë të përshtatshëm për t’i përdorur këto burime për banorët.

Kjo qeveri zgjidhjen e sheh tek rritja e çmimeve. Absolutisht jo. Ne do shkojmë drejt uljes së çmimeve me synim për uljen maksimale për të mos thënë pa tarifa sepse duhet një investim i madh përpara.

Por prapë, në kuadër të projekteve të mëdha energjetike që kemi, ato shpejtojnë edhe mundësinë e furnizimit me çmime simbolike të qytetarëve me ujë.

Impiantet. Ne patëm një projekt nga Velipoja në Ksamil për 11 impiante të përpunimit të ujërave të zeza dhe bllokimit të derdhjes në det të të gjitha ujërave të zeza.

Ky ishte një projekt realist dhe u ndërtuan disa prej tyre nga Saranda në Shëngjin.

Problemi është se kryetarët e bashkive, në vend që të paguajnë energjinë për funksionimin e tyre, preferojnë t’i derdhin në det dhe të mbetemi pa asnjë flamur blu ose me ndonjë flamur blu sporadik në brigjet tona fantastike.

Marrin fund!

Nuk u ndala tek transporti ajror. Thashë disa fjalë për aeroportin e Vlorës. Përveç problemeve të mëdha që ka me ndërtimin, ka një problem jashtëzakonisht të rëndë. Ai i prish Vlorës ekosistemin mijëravjeçar.

Aeroporte mund të ndërtosh, por atë ekosistem që prish ky aeroport, nuk e ndërton më dot.

Është një krim madhor mjedisor.

Iu them unë ju, kur ne ndërtuam autostradën Levan-Vlorë është ndërhyrë në interesin më të mirë, në mënyrë shumë të vendosur dhe e përgëzoj Komisionin Europian, që kjo autostradë të mos cenonte habitatin.

Dhe ne bëmë gjithçka në përputhje me ato kërkesa, këta shkuan dhe e ndërtuan aeroportin pikërisht aty ku e shfarosin. Plus që ka probleme të tjera se zonat e shpendëve nuk janë të favorshme për të ndërtuar për avionë.

Mos gaboj, institucionet ndërkombëtare kanë ngritur shqetësime shumë serioze për këtë. Një gjë mund të them, se është ndërtuar në një vend ku nuk duhej të ndërtohej.

Ne kishim fiksuar një vend shumë të përshtatshëm midis Vlorës dhe Fierit. Nuk prekte absolutisht habitatin, por i shërbente jo vetëm Vlorës, por edhe Fierit dhe Beratit. Këta vrapojnë pas xhepit, pas kontove.

Ndaj dhe një plan fort i studiuar i transportit ajror brenda vendit do finalizohet dhe do veprohet mbi bazën e tij.

Natyrisht hekurudhat, autostradat shkurtojnë distancat, por ato nuk përjashtojnë transportin ajror, veçse mbi kritere dhe baza fizibiliteti.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale