Berisha prezanton programin në Peqin: Do pesëfishojmë subvencionet në bujqësi, do jemi vendi me taksat më të ulëta në Europë

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATËVE NË QYTETIN E PEQINIT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në fjalimin e tij në Peqin gjatë prezantimit të kandidatëve të PD-ASHM, akuzoi qeverinë për trajtimin e pensionistëve dhe fermerëve, duke theksuar se pensionet janë shumë të ulëta dhe që Shqipëria ka potencial të papërdorur ekonomik. Berisha premtoi se në 100 ditët e para të një qeverie të re, do të rriten pensionet për të arritur minimumin 200 euro dhe rrogat për punonjësit, me rrogën mesatare prej 1250 eurosh dhe 1500 euro për mësuesit. Ai bëri thirrje për një ndryshim të madh, duke i kërkuar qytetarëve të mbështesin këtë program për një të ardhme më të mirë.

Lideri Opozitar, Sali Berisha, prezantoi në qytetin e Peqinit një program ambicioz për zhvillimin e bujqësisë dhe biznesit. Ai premtoi pesëfishimin e subvencioneve për fermerët dhe eliminimin e kufizimeve aktuale, duke i siguruar ata mbështetje më të madhe për çdo fidan dhe kokë bagëti. Po ashtu, Berisha njoftoi që do të ofrohet Karta e Konsumatorit për të ulur çmimet e produkteve bazë me 20%.

Në fushën e shëndetësisë, Berisha akuzoi qeverinë për mungesën e ilaçeve dhe për shpenzimet e larta që shqiptarët paguajnë për kujdesin shëndetësor. Berisha premtoi rimbursimin e plotë të barnave të miratuara në Itali për qytetarët shqiptarë.

Për bizneset, Kryetari i PD, Sali Berisha ofroi ulje të tatimeve dhe kostove të energjisë, duke garantuar që Shqipëria do të ketë taksat më të ulëta në Europë. Ai gjithashtu premtoi uljen e tarifave të ujit dhe TVSH-së, si dhe mbështetje për punësimin e të rinjve.

Lideri demokrat, Sali Berisha theksoi se vota e qytetarëve më 11 Maj do të çonte në një ndryshim të madh për Shqipërinë, duke rritur mundësitë për punësim, zhvillim dhe mirëqenie për çdo shqiptar.

Në fjalimin e tij, lideri opozitar, Sali Berisha akuzoi me tone të ashpra kryeministrin Rama për varfërinë e shkaktuar në Shqipëri dhe për trajtimin e pensionistëve, duke theksuar se 57% e pensionistëve marrin më pak se 172 mijë lekë në muaj. Berisha akuzoi gjithashtu Ramën dhe familjen e tij për pasuri të paligjshme, përfshirë vila luksoze dhe akuza për vjedhje dhe grabitje të tokave dhe parave publike.

Kryetari i PD, Sali Berisha e kundërshtoi shpërfaqjen e luksit të Ramës dhe përdorimin e figurës së Noizit dhe Lamborghini-t për të larguar vëmendjen nga problemet reale të qytetarëve, si pensionet dhe shëndetësia. Ai e krahasoi këtë me shembuj të tjerë të dështimeve, duke përmendur edhe historinë e Kamalës dhe Hollivudit.

Në përfundim të fjalimit të tij, kryetari i PD, Sali Berisha ftoi qytetarët të votojnë për ndryshimin më 11 maj, duke besuar se kjo është mundësia për të rikthyer dinjitetin, mençurinë dhe shpresën për një të ardhme më të mirë.

FJALA E PLOTË

Mirëdita dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta ju banorëve të Peqinit në këtë shesh dhe kudo që ndodheni sot, në Peqin, në Elbasan, në Shqipëri dhe jashtë vendit.

Përulem me nderimin më të madh para jush, mirënjohjen më të thellë.

I nderuar zoti Tomorr Alizoti, udhëheqës politik i qarkut të Elbasanit për PD dhe Aleancën për Shqipërinë Madhështore.

I dashur zoti kryetar i PD për Peqinin, të dashur kandidatë për deputetë në Kuvend, përfaqësues dinjitozë me të cilët ne jemi krenarë, krenar është Elbasani, krenar është e gjithë Shqipëria me këtë ekip, që do jetë avokat i pamposhtur i kauzave tuaja në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë.

Të dashur miq, ne vijmë sot për të paraqitur para jush programin e Peqinit madhështor, Elbasanit madhështor dhe Shqipërisë madhështore.

E vërteta është se Peqini po të vështrosh në historinë e tij, është një diamant me një histori madhështore mijëravjeçare.

Ai ka pasuri të pafundme, ka toka ndër më pjelloret, ka lumin, ka kodrat dhe njerëzit e mrekullueshëm punëtorë.

E megjithatë nga Peqini këto vite ikin, ikin dhe vetëm ikin bijtë dhe bijat e saj.

Ka një gjë themelore që nuk shkon në këtë vend, ky largim masiv i shqiptarëve nuk vjen se ata nuk duan Peqinin, nuk vjen se ata nuk kanë lidhje malli dhe zemre me familjen e tyre, nuk vjen se ata nuk e duan vendin e tyre, por kjo vjen se para tyre janë vendosur mure papunësie.

Para tyre është vendosur varfëria.

Në këtë mënyrë, në mënyrë të heshtur dhe haptas, prindërit u thonë fëmijëve të tyre, ndiq fatin, ndiq rrugët e botës se këtu nuk mjafton.

E vërteta është se ky Peqin, kjo Shqipëri është bërë e pajetueshme.

Është bërë e pajetueshme sepse pensionistët, që kanë shkrirë jetën e tyre, sot trajtohen në mënyrën më të pashpirt, sot trajtohen me një pension mesatar 172 euro, i cili para 12 vitesh ishte 143 euro.

Me një pension që sot krahasuar me 13 vite më parë, blen 2 herë e gjysmë më pak.

Me një pension që për të blerë sa blihej në vitin 2013, duhej të ishte 390 mijë lekë.

Nuk arrijnë të jetojnë këtu se bizneset ndrydhen dhe gjobiten nga të katër anët.

Kurse fermerët kanë tokat nga më të mrekullueshmet, por problemi është se kanë mbështetje mizerabël dhe nuk konkurrojnë dot me fermerët e Maqedonisë, Kosovës apo Serbisë, sepse ata marrin mbështetje pesë herë më shumë se fermerët e Peqinit.

Të gjitha këto bëjnë që fermeri ynë të mos konkurrojë dot me fermerin maqedonas apo serb. Prodhimet tuaja të mbeten në ara, të hidhen në lumë ose toka të mbetet djerrë.

80 përqind e të gjitha frutave dhe zarzavateve që shiten në dyqanet tona janë importi, ndërkohë që Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm sa asnjë vend tjetër.

Në këto kushte ne kemi një program i cili nuk është një program i shpikur.

Jo, ky program bashkon praktikat më të mira të vendeve përreth dhe vendeve të tjera. Ky program vendos t’u kthejë paratë qytetarëve shqiptarë.

Çdo pensionisti i kërkoj njerëzisht vetëm një gjë. T’i shtrojë vetes pyetjen: si ka mundësi që pensionisti malazez, që në vitin 2013 merrte 138 mijë lekë pension mesatar, sot merr 450 mijë lekë.

Pse, çfarë ndodhi? Plasi nafta apo floriri në Mal të Zi. Jo mo jo. Mali i Zi është një territor i vogël, por pasuri përrallore si Shqipëria nuk ka asnjë vend tjetër.

Çfarë ndodhi me pensionistin malazez? Ndodhi ajo që qeveria e Malit të Zi, e zgjedhur nga qytetarët e saj, kthen paratë e taksave tek qytetarët. Taksat që ua merr, ua kthen atyre në rroga dhe pensione.

Edi Rama solli këtë vit buxhetin 8 miliardë euro. Kishte lënë gjithsej për pensionistët 16 milionë euro. Për 760 mijë burra dhe gra vetëm 16 milionë euro.

Kur ne kërkuam të vendosim minimumin jetik 200 euro, kjo, tha ai, na çon në humnerë.

Po a shkoi Mali i Zi në humnerë që i rriti pensionet? A shkoi Maqedonia në humnerë? A shkoi Serbia në humnerë?

Kujt ia thotë ky këto? Ky tallet me nënat, baballarët, gjyshet, gjyshit e këtij vendi.

Po rrogat e larta si u bënë në Shqipëri? Sot zyrtarët shqiptarë marrin rrogat më të larta në Ballkan.

Sot diferenca mes rrogës minimale dhe rrogës më të lartë është 14-15 herë, sa asnjë vend tjetër në planet. Mund të ketë ndonjë sulltan apo ndonjë mbret, por vend që vendos të tillë hendek mes rrogës së lartë dhe të ulët si këtu nuk ka.

Ndaj dhe jam sot këtu për të kërkuar nga të gjithë ju, nga të gjithë qytetarët e Peqinit, të gjithë fermerët e Peqinit, të bashkohemi për të votuar ndryshimin.

Me votën tonë ne mund të bëjmë jo një ndryshim, por një ndryshim epokal.

Sepse në 100 ditët e para u siguroj se nuk do ketë pensionist me pension nën 200 euro.

Dhe sot me pension nën 172 euro janë 57 përqind e të gjithë pensionistëve.

U siguroj se me 11 Maj, me votën tuaj, ju bëni një ndryshim epokal sepse pas 11 Majit në 100 ditët e para nuk do të ketë rrogëtar me rrogë më të ulët se 500 euro në Shqipëri.

Dhe se rroga mesatare do jetë 1250 euro.

Nuk do ketë mësues me rrogë nën 1500 euro.

Të dashur miq, me 11 Maj me votën tuaj bëni një ndryshim që e tejkalon shpesh herë edhe imagjinatën sepse pas 11 Majit, të gjithë pensionistët dhe rrogëulëtit do marrin kartën e konsumatorit, me të cilën do blejnë bukën, sheqerin, vajin, orizin, mishin, qumështin, vezët, 20 përqind më lirë.

Do fitojnë në vit 450 euro vetëm nga kjo kartë.

Me 11 Maj me votën tuaj ju bëni një ndryshim shumë të madh sepse fermeri shqiptar do ketë jo më 32 milionë euro siç pati në buxhetin 8 miliardë euro të Edi Ramës subvencione.

Histori turpi. Fermerët japin 19 përqind të prodhimit të përgjithshëm të vendit.

Fermerët punësojnë 500 mijë shqiptarë dhe ai ndau 32 milionë euro për ta.

U garantoj se kjo shumë do të pesëfishohet dhe do subvencionoheni për çdo fidan të mbjellë, pesë herë më shumë se sot.

Do subvencionoheni për çdo kokë bagëti dhe njësi prodhimi pesë herë më shumë se sot.

Dhe çdo kriter i vendosur se duhet të keni 10 lopë apo kaq hektarë tokë, bie. Për çdo kokë, për çdo fidan, për çdo njësi prodhimi do jetë subvencionimi.

Miq, ju besoj e keni dëgjuar gjendjen tmerrësisht të dhimbshme në spitalet tona.

Ju e keni dëgjuar të sëmurët me sëmundje të rënda lihen në mëshirë të sëmundjes dhe pa ilaçe.

Kjo sepse ata që prokurojnë ilaçet, i vjedhin lekët, nuk prokurojnë ilaçe dhe të sëmurët rrinë pa ilaçe.

Kjo është një gjendje që ngjitet në nivelin e krimeve kundër njerëzimit, sepse të lësh tjetrin të vdesësh nga sëmundja, ky është krim kundër njerëzimit.

E njohu Edi Rama këtë, por e tha se e bëjnë mjekët.

Jo, mashtroi si ordiner, sepse mjekët nuk i bëjnë prokurimet dhe tenderimet, ato i bën ministria.

Po tjetër? Farmacitë tona janë të mbushur me ilaçet Nushi-Doshi, të cilat janë pa asnjë vlerë mjekësore. Këtu çfarë nuk shitet.

Merr fund.

Qytetarët shqiptarë në 100 ditët e para do kenë të rimbursuar 100 përqind listën e barnave që rimburson republika italiane.

Po, nuk premtojmë ne as rrogat e italianëve, as edhe nivelin e tyre, po ilaçet e tyre po. Ato do i kenë shqiptarët për t’u mjekuar njëlloj si ata.

Pra, vota me 11 Maj është një votë për shëndetin tuaj, është një votë për njerëzit tuaj të sëmurë, është një votë për dinjitetin tuaj.

Të dashur miq, vetë INSTAT publikoi para dy javësh një të dhënë sipas të cilës shqiptarët shpenzojnë nga xhepi i tyre për kujdesin shëndetësor 820 milionë euro në vit.

Unë ftoj ndërgjegjen e çdo shqiptari të kujtojë se a nuk erdhi Edi Rama në pushtet me premtimin se shëndetësia do jetë falas.

Kurse sot shqiptarët paguajnë më shumë nga xhepi për shëndetin tuaj se çdo qytetar evropian dhe ndoshta se çdo qytetar në botë.

Vota juaj me 11 Maj do të jetë votë për të kursyer xhepat e shqiptarëve 800 milionë euro dhe kjo nuk është pak se kjo kthehet në të mira për shqiptarët dhe familjet e tyre.

Të dashur miq, Peqini madhështor është Peqini i bizneseve që zgjerohen dhe lulëzojnë, që mëkëmbën dhe pasurohen nga muaji në muaj dhe viti në vit.

Ndaj dhe unë jam këtu për t’u zotuar para jush se bizneset e vogla do e kenë energjinë 3 herë më lirë, nga 18 në 6 lekë.

Tavanet për TVSH-në dhe tatim fitimin do rriten nga 100 mijë dhe 140 mijë euro që janë sot në 180 mijë euro.

Hapësira publike do pjesëtohet me pesë.

Tarifa e ujit do përgjysmohet.

Të dashur miq, hapësira të reja për biznesin janë mundësi të reja punësimi, mundësi të reja pasurimi për qytetarët shqiptarë.

Ndaj dhe vota më 11 Maj është votë për mëkëmbjen e biznesit në Shqipëri, është votë për mirëqenien e çdo biznesmeni dhe të qytetarëve në tërësi.

Garantoj bizneset e mëdha se Shqipëria do jetë vendi i taksave më të ulëta në Europë dhe më shumë në Shqipëri.

Se tatimi mbi fitimin do jetë 10 përqind.

Se TVSH do zbresë nga 20 në 15 përqind.

Dhe se energjia do u shitet 3 herë më lirë.

Çdo i ri që do punësohet, shteti do i paguajë sigurimet shoqërore për një vit.

Pra, vota e juaj dhe e punëtorëve tuaj me 11 Maj për ndryshimin është votë për zgjerimin, është votë për suksesin më të madh të sipërmarrjeve tuaja.

Të dashur miq, Edi Rama pasi zhyti qytetarët në varfëri, i la pensionistët në mjerim me pension mesatar 172 mijë lekë, të cilin nuk e marrin 57 përqind e pensionistëve se marrin më pak.

Pasi përzuri në 10 vite rreth 45 përqind të shqiptarëve nga Shqipëria.

Pasi ndërtoi një parajsë të vërtetë, saraje dy herë më të mëdha se vila e Enver Hoxhës. 57 metra të gjatë e kanë themelin, me kopsht katër herë më të madh se vila e diktatorit.

Duke deklaruar se kishte gjithsej 3800 euro.

Pasi u martua me një pallat në pajë, 5 kate pallati pa asnjë faturë.

Pasi zhduku në kontot e tij bankare 130 milionë euro të djegësit të Tiranës.

Pasi plaçkiti dhe grabiti 225 mijë metër katrorë tokë tek kanioni i Gjipesë në zonën më të bukur në detin Jon.

Pasi ka rrëmbyer me baxhanakun e tij qindra milionë euro tek AKSHI dhe tendera të tjera.

Pasi i dha të vëllait 38 mijë metër katrorë tokë të pronarëve tiranas tek Rrapi i Treshit.

Pra miq, tani çfarë bën? U vë perde para syve, në një akt cinik, në një akt të papërgjegjshëm u vë qytetarëve shqiptarë perden.

Dhe në vend se të japë llogari pensionistëve se pse i la me atë pension, u nxjerr marrëzitë e tij. Tallavara. U nxjerr banalitete. Organizon takime siç bëheshin në vitet ’50 që i organizonte fronti, veçmas burrat, veçmas gratë. U kthye në gjenet e të atit.

I kërkohet të vijë të ballafaqohet, refuzon.

Po pse refuzon? Sepse del hajdut para jush.

Nuk thotë një fjalë se ku janë 130 milionë euro.

Nuk justifikon dot kurrë sarajet e tij në Surrel.

Nuk justifikon dot kurrë 225 mijë tokë në Gjipe pa asnjë dokument kadastral, me falsitet, falsitet, falsitet.

Pra të gjitha këto kërkon t’u vërë perde ju. Tallet me ju, tallet me shqiptarët, merr daullen, i bie daulles.

Gjen edhe Noizin me Lamborghini.

Po Lamborghini i Noizit nuk është pensione, nuk është rroga. Ai ta gëzojë, po ç’punë ka pensionisti me të, apo si ta mashtrojë?

Po ç’punë ka i sëmuri që vdes për ilaçe?

Historia ka qenë e hidhur.

Edhe Kamala mori të gjithë Hollivudin me vete, po përfundoi atje ku e meritonte.

Çfarë i mendon ky shqiptarët? Qenie primitive, njerëz të papërgjegjshëm? Njerëz që mund t’i mashtrojë.

Kurrën e kurrës nuk janë të tillë shqiptarët, nuk janë të tilla gratë, nënat, motrat, vajzat tona.

Ndaj dhe 11 Maji është dita e qytetarit.

Është ora e vërtetë e tij.

E mençurisë, e dinjitetit, e krenarisë së tij, e shpresës, e besimit tek e ardhmja.

Votoni njishin.

Të gjithë jeni njisha.

Rrofshi ju, rroftë Peqini, rroftë Shqipëria!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale