KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Në nisje të konferencës me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të aktores së madhe Margarita Xhepa. Në një konferencë për gazetarët, ai e cilësoi Xhepën si artisten më përfaqësuese të skenës shqiptare për disa dekada. Sipas Berishës, ajo shndriti në qindra role me talentin dhe forcën e saj të jashtëzakonshme të interpretimit. Ai e vlerësoi Xhepën si një nga artistet më të dashura dhe më të çmuara të Shqipërisë. Në shenjë respekti, Berisha ftoi të gjithë të mbajnë një minutë heshtje në nderim të saj.
Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka kritikuar ashpër gjendjen e kulturës shqiptare, duke e cilësuar atë më keq se në çdo periudhë pushtimi të mëparshëm. Berisha tha se mafia politike në pushtet ka çuar në shkatërrimin e infrastrukturës kulturore të vendit, duke theksuar se ky është një sulm ndaj trashëgimisë kombëtare dhe artit. Ai shpjegoi se buxheti për kulturën është qesharak, ndërsa artistët janë lënë të braktisur dhe pa mbështetje. Berisha e kritikoi ashpër edhe veprimtarinë artistike të Kryeministrit Edi Rama, duke i kujtuar atij vlerësimet negative të marrë për veprat e tij artistike në arenën ndërkombëtare, ku janë quajtur ‘shkarravina të një adoleshenti të droguar’. Sipas tij, pasuria kulturore e Shqipërisë është në rrezik të humbasë për shkak të partneriteteve shkatërruese dhe ndikimeve mafioze.
Në konferencën me gazetarët, kryedemokrati Sali Berisha ka prezantuar programin për artin dhe kulturën, duke theksuar se një nga prioritetet e qeverisë së ardhshme do të jetë themelimi i një Ministrie të Posaçme për Kulturën. Ai ka garantuar se buxheti për kulturën do të dyfishohet dhe do të ndërmerren masa për lehtësimin e taksave mbi librin, për të mbështetur më shumë krijimin dhe përhapjen e librit shqiptar. Berisha ka theksuar gjithashtu se, pas 12 viteve në harresë, kultura dhe arti do të kenë një trajtim të ri dhe më të merituar, duke garantuar një reformë të thellë në sektorin e kulturës dhe artit. Berisha ka nënvizuar se krijimi i një ministrie të dedikuar për kulturën do të sigurojë një administrim më të fuqishëm, meritokratik dhe transparent të institucioneve kulturore. Po ashtu, Berisha ka premtuar një transformim rrënjësor të legjislacionit dhe mbështetje të plotë për artistët dhe krijuesit, duke i trajtuar ata si thelb të identitetit kombëtar shqiptar.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për gazetarët, premtoi rikthimin e Teatrit Kombëtar në vendin e tij të mëparshëm. Ai paralajmëroi sipërmarrësit që po ndërtojnë në truallin e teatrit se godina aktuale do të shembet për t’i lënë vendin një ndërtese identike me atë të mëparshme. Berisha akuzoi qeverinë për shkelje të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje.
Lideri i demokratëve, premtoi gjithashtu mbështetje për kinematografinë dhe institucionet kulturore, duke premtuar financim për filmat shqiptarë dhe bashkëpunimet ndërkombëtare. Sipas tij, qeveria e ardhshme do të angazhohet për të ndryshuar kornizat ligjore dhe për të transformuar situatën dramatike të kulturës në vend. Berisha deklaroi se do të miratohet një status i veçantë për artistët dhe shkrimtarët, duke garantuar mbrojtjen e tyre sociale dhe ekonomike. Ai siguroi se qeveria e tij do të jetë një mbështetje e fuqishme për artin dhe kulturën, duke i rikthyer dinjitetin dhe perspektivën.
Kryedemokrati Sali Berisha ka njoftuar se, pas 11 majit, qeveria e Partisë Demokratike do të fillojë negociata të hapura dhe transparente me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për çështjen e tarifave. Ai theksoi se Shqipëria ka përfituar deri tani tarifa më të ulëta se vendet e tjera dhe se çështja e tarifave është një çështje globale që kërkon një qasje të balancuar dhe paanshme. Berisha u shpreh optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje që do të favorizonte prodhimin dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, duke nënvizuar rëndësinë e ‘Made in Albania’ si një drejtim strategjik për ekonominë e vendit. Ai gjithashtu shtoi se, në rast se fitojnë besimin e qytetarëve, negociatat do të jenë një prioritet i menjëhershëm pas 11 majit.
Në konferencën me gazetarët, Berisha ka shprehur qëndrimin e tij në lidhje me projektin për ndërtimin e një Biblioteke të Re Kombëtare, duke hedhur poshtë idenë e Edi Ramës për ndërtimin e një ‘kulle’ për këtë qëllim. Ai ka theksuar se Shqipëria ka nevojë për një bibliotekë moderne dhe funksionale, pasi infrastruktura aktuale është e kufizuar dhe nuk mund të mbështesë nevojat e rritura për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Berisha kritikoi rikonstruksionin e sheshit që solli përmbytjen e Bibliotekës Kombëtare dhe humbjen e mijëra vëllimeve të çmuara, duke kërkuar përgjegjësi për këtë dëm të madh. Ai garantoi se qeveria e ardhshme e PD-së do të ndërtojë një bibliotekë dinjitoze, por duke përjashtuar çdo ide për ndërtimin e kullave, që sipas tij, nuk janë të përshtatshme për funksionet e një institucioni të tillë.
Gjatë një konferencë shtypi nga selia e PD kreu demokrat Berisha ka komentuar edhe lajmin për hakerimin e adresave te e-mailit te prokurove të SPAK. ‘Shumë operacion i dyshimtë, të jemi të sinqertë, i dyshimtë aq sa ishin statuset në Facebook të Erion Veliajt. Ta ndjekin’. ‘Një gjë mund të ju them, që qytetarët po kuptojnë çdo ditë e më shumë kontrollin fatal të drejtësisë nga Edi Rama, kjo është e vërtetë dhe për ne kjo ka rëndësi’, the lideri i opozitës.
Lideri i opozitës Sali Berisha, ka denoncuar në një konferencë për gazetarët manipulimin e provave të krimit që bën policia. Sipas tij, në 83% të rasteve, dosjet nuk dorëzohen në prokurori, duke dëshmuar një bllokim të qëllimshëm të drejtësisë nga qeveria. Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për urdhërimin e këtij mekanizmi, duke ndaluar institucionet të bashkëpunojnë me prokurorinë. Ai sulmoi ashpër drejtuesit e policisë, duke i cilësuar si mbrojtës të krimit dhe përgjegjës për fshehjen e dosjeve. Sipas tij, ministri i Brendshëm dhe zyrtarë të tjerë janë vënë në shërbim të manipulimeve politike. Berisha ngriti shqetësimin se kriminaliteti është në rritje, ndërsa shteti po bllokon hetimet për interesa të pushtetit. Ai akuzoi edhe drejtorin e Policisë së Shtetit, duke e quajtur ‘Ilir Matrixin’, që sipas tij është vendosur aty për të mbrojtur krimin dhe për të fshehur dosjet.
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka kritikuar ashpër kryeministrin Edi Rama, duke e quajtur atë ‘meme e gjallë’, për mashtrimet dhe trillimet që sipas tij kanë tejkaluar çdo kufi. Në daljen për media këtë të enjte, ai theksoi se Partia Demokratike ka qenë lokomotiva e proceseve integruese të Shqipërisë që nga vitit 1992, duke përmendur realizime të rëndësishme si anëtarësimi në NATO, heqjen e vizave dhe marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Berisha e akuzoi Ramën për vonesat në procesin e negociatave me Bashkimin Europian dhe theksoi se misioni i integrimit do të realizohet nga qeveria e PD-së, duke siguruar qytetarët se ky proces do të bazohen në merita dhe transparencë.

FJALA E PLOTE:
Dua të shpreh ngushëllimet e mia për të ndjera familjes Xhepa, miqve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë artdashësve të Shqipërisë, pasi sot u nda nga jeta artistja më përfaqësuese e skenës shqiptare në disa dekada, Margarita Xhepa.
Margarita Xhepa është një artistë e papërsëritshme që shndriti në dhjetëra dhe qindra role në skenën e teatrit dhe në film.
Me një talent të rrallë.
Me një forcë interpretimi të jashtëzakonshëm.
Ajo mbeti gjithnjë një nga artistet më të dashura, më të çmuara të Shqipërisë.
Ndaj me këtë rast, duke ndarë dhimbjen dhe zinë me familjen Xhepa, me të gjithë miqtë dhe të afërmit e të ndjerës Margarita Xhepa, me të gjithë artdashësit që e kanë dashur, vlerësuar dhe çmuar kaq shumë, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje në nderim të kujtimit të saj.
Sot para jush do të paraqes vizionin dhe programin e PD për kulturën.
Situata e kulturës shqiptare është më keq se në çdo pushtim që mund të ketë pasur Shqipëria.
Mafia politike në pushtet, për arsye mafioze dhe antishqiptare, ka shkatërruar të gjithë infrastrukturën që ekzistonte dhe që ekziston në çdo kryeqytet të botës për artin dhe kulturën, përveç teatrit të operës dhe baletit.
Rrafshimi i teatrit kombëtar në një akt genocidal ndaj kulturës kombëtare, i njëjti fat me kinematë, me teatrot e fëmijëve dhe institucione të tjera të kulturës, janë dëshmi e qëndrimit përçmues të narkoeksponentëve ndaj kulturës shqiptare.
Buxheti për kulturën është buxheti më qesharak.
Trashëgimia kulturore është objekt agresioni barbar të gjithanshëm nga mafia shqiptare dhe ndërkombëtare.
Shqipëria është një nga vendet më të pasura në botë në trashëgiminë kulturore. Ajo po përfundon në partneritetet mafioze dhe shkatërrimtare për këtë pasuri.
Artistët janë sot njerëzit më të braktisur, më të pambështetur.
Jeta artistike në kryeqendrat tonë është pothuaj inekzistente.
Aktivitete të përvitshme, në të cilat piktorë dhe skulptorë, njerëz të arteve pamore, paraqisnin krijimet e tyre, nuk ekzistojnë më.
Galeria e arteve u dyllos pa një aktivitet.
Në Shqipëri flitet për artin vetëm për shkarravinat e Edi Ramës, të cilat nuk panë kurrë dritë para se ai të bëhej kryeministër.
Mos harroni se në aktin e parë, pasi mori kryeministrinë, ai u paraqit në bienalen e Venecias duke shfrytëzuar postin dhe aty mori damkën nga kritikë të shquar të artit, vlerësimin si shkarravina të një adoleshenti të droguar.
Po, janë dy gazetarë të famshëm italianë që bënë këtë vlerësim për Edi Ramën.
Dhe përfaqësim më në artin kontemporan nga artistë shqiptarë nuk dëgjon sepse nuk kanë këtu asnjë lloj mbështetje, asnjë lloj mundësie, megjithëse ka midis tyre talente të mëdha, talente të vërteta.
Për të gjitha këto, PD zotohet t’i kushtojë një rëndësi parësore artit dhe kulturës si elementë më thelbësorë të identitetit tonë kombëtar.
Ne shqiptarët, një komb plurireligjioz, në rast se të tjerët kanë identitet besimin fetar, ne identitet kombëtar kemi kulturën dhe gjuhën,
Dhe nuk është e rastit që kjo shpërfillje e madhe që i bëhet kulturës dhe artit, të kenë prapamendim, të ketë synim pikërisht identitetin kombëtar.
Ndaj dhe jam këtu për të garantuar artistët dhe të gjithë botën e artit dhe të kulturës, se qeveria e ardhshme do të adaptojë një qëndrim totalisht transformues të kësaj situate.
Së pari, kultura do ketë ministrinë e vet. Kultura është në gjendje e imagjinoni vetë ju. Një ministër antikulture që bën betejë me trashëgiminë, me kulturën e vendit.
Pra, do ketë një ministri kulture me misionin më të rëndësishëm të zhvillimit, konsolidimit të mbrojtjes të kulturës kombëtare.
Drejtuesit e institucioneve kulturore do të zgjidhen nga vetë punonjësit. Do të jenë më të mirët e më të mirëve.
Imagjinoni ju se çfarë batërdie është bërë me drejtimet. Merrni operën dhe baletin sa herë ia ka ndryshuar drejtuesit. Të gjitha në funksion të parave.
Arti dhe kultura kanë nevojë urgjente për një transparencë të plotë për të gjitha fondet. Dhe i garantoj se borde që vendosin transparencë të plotë do funksionojnë menjëherë pas 11 majit.
Meritokracia dhe nxjerrja e këtij sektori jashtë konfliktit të interesit, do jenë bazë e reformës.
Reforma në sistemin e arteve dhe të kulturës duhet të angazhohet në një reformë të thellë të burimeve të financimeve të këtij sektori.
Qeveria do rrisë kontributin, do dyfishojë buxhetin për kulturën dhe artin.
Kjo nuk mjafton.
Qeveria do të mundësojë me ligjet më të mira të sponsorizimit kontributin e sektorit privat në sponsorizimin e veprimtarive private, kulturore dhe artistike.
Qeveria angazhohet për një bashkëpunim kombëtar. Pra, kultura është çështje e identitetit kombëtar.
Qeveria angazhohet të mbështesë artistët dhe njerëzit e kulturës, të letrave, të librit, shqiptarët kudo që ndodhen.
Një transformim rrënjësor i legjislacionit në fushën e artit, kulturës dhe librit.
Ju nuk mund të imagjinoni taksat që janë të vendosura mbi librin, të cilat e largojnë me kilometra librin nga lexuesi për shkak të çmimeve të larta që imponojnë.
Rikthimi i detyrueshëm për të gjitha bibliotekat publike për të pasur librat që publikohen të autorëve shqiptarë, por edhe të autorëve të huaj.
Një përpjekje e madhe do bëhet për promovimin e librit, i cili po syrgjynoset. Nuk ka asnjë mbështetje, përkundrazi ka vetëm barriera të mëdha fiskale dhe të tjera.
Arti skenik dhe kinemaja.
Ne angazhohemi të ndërtojmë Teatrin kombëtar siç ishte, aty ku ishte.
Ne paralajmërojmë sipërmarrësin që në kundërshtim me Kushtetutën, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, zbaton një marrëveshje të bërë me kryemafiozë.
Ajo tokë është tokë e Teatrit Kombëtar.
Sado kate që të ngresh ti aty, ato do bëhen të paqena sepse aty do ndërtohet teatri siç ishte. Centimetër për centimetër,
Ndaj dhe ke ndarë para me Edi Ramën apo Erion Veliajn, është puna jote.
Po truallin e teatrit nuk do ta gëzosh. Je i nderuar, në kundërshtim me ligjet e vendit dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Qeveria angazhohet të mbështesë diversitetin kulturor të minorancave. Ato janë një pasuri kombëtare.
Do të sponsorizojë Albfilmin, filmin shqiptar dhe bashkëpunimin e tij ndërkombëtar.
Ne konsiderojmë dimensionin e kulturës si ndër më kryesorët për integrimin e Shqipërisë në BE.
Kultura është ID evropiane e kombit tonë ndaj dhe ne me këtë dimension do përqasemi drejt Europës me dinjitet.
Institucionet e tjera kulturore, instituti i monumenteve të kulturës, do të mbështetet fuqimisht.
Kornizat ligjore do ndryshojnë.
Pra, në një hark kohor të shkurtër ne do bëjmë gjithçka për transformimin ligjor, institucional, financiar të situatës dramatike në të cilën është kultura shqiptare.
Statusi i artistit. A e dini ju se sot ka artistë që nuk e kanë të sigurt pensionin se nuk u kanë paguar sigurimet shoqërore? Merr fund. Do ketë një status për artistin dhe shkrimtarin dhe do bëhet gjithçka që roli i tyre në shoqëri të jetë një rol i merituar.
Kjo ishin disa nga çështjet kryesore që desha sot të paraqes para shqiptarëve dhe të garantoj botën e artit dhe kulturës se qeveria e ardhshme do jetë një mbështetje e fuqishme e tyre.
Do i kthejë artit dhe kulturës, dinjitetin, shpresën dhe perspektivën.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET:
Andon Kello, AbcNews: Ditën e djeshme presidenti Amerikan Donald Trump njoftoi tarifa reciproke për dhjetëra vende të botës, edhe për Shqipërinë 10% tarifë reciproke. A jeni dakord ju me këtë vendim të presidentit?
Sali Berisha: Qeveria e PD-së, pas 11 majit do të ketë në axhendën e vet, negociatat e hapura, transparente me qeverinë e SHBA-së, për çështjen e tarifave.
Jam optimist, sepse nëqoftëse ju keni konstatuar, për Shqipërinë janë përdorur, në një shikim të parë, tarifat më të ulëta se në vendet e tjera, edhe për Kosovën e njëjta gjë.
Kështu që unë këtë koment kam për tarifat.
Një gjë dua të ju them. Që kur ka dalë kjo çështje, unë e kam ndjekur, por çfarë kam konstatuar. Në disa shkrime serioze, kam konstatuar vendet e tjera kishin vendosur kishin vendosur tarifa shumë më të larta ndaj prodhimeve amerikane se sa SHBA ndaj vendeve të tyre. Ky ishte një studim krejt i paanshëm, madje mund të thosha një studim nga linja që nuk janë shumë në këtë orientim.
Nëqoftëse një veturë jo prodhim amerikan, tarifohej me 3% në SHBA, vetura amerikane tarifohej me 10%, me trefishin e saj. Por reale, mund të them se kishte vend që kishte 17% tarifën, ndërkohë që SHBA e kishte tarifën 3% për ta. Çështja e tarifave është një çështje globale e cila nuk mund të jetë njëanshmëri, nuk shkohet me njëanshmëri se dihet ndikimi që ka në prodhim.
Ajo që dëgjuat këtu, ‘Made in Albania’ është drejtim themelor i kohës për ekonominë. Prodhim, prodhim, prodhim. Sepse shpërndarja e pabarabartë e prodhimit, rënia vetëm pas komponentit financiar, rrezikojnë për ekonomi jo të qëndrueshme.
Pra ky është komenti im për tarifat, negociata, negociata, negociata, pas 11 majit.
Mariglen Kume, MCN TV: Ju prezantuat sot programin për kulturën, ndërkohë Korporata e Investimeve Shqiptare ka planifikuar rivitalizmin e Bibliotekës Kombëtare ku ka shpallur thirrjen dhe sipas projektit, parashikohet një kullë dhe biblioteka aty. A jeni dakord ju me ketë ide, dhe a do e lejoni të zhvillohet pas 11 majit?
Sali Berisha: Kurrë nuk do ndodhë ajo. Ky është një akt, një ëndërr e vjetër e Edi Ramës. Edi Rama donte të ndërtonte kullën e oborrin e Bibliotekës Kombëtare. Ajo nuk do ndodhë.
Vendi ka nevojë për një bibliotekë kombëtare të re dhe mendoj se një institucion i tillë ia vlen të ndërtohet sepse biblioteka ku është ka hapësira të kufizuara, të jemi realistë me këtë.
Biblioteka kombëtare ka punonjës ndër më mirët.
Erion Veliaj e përmbyti me rikonstruksionin që i bëri sheshit, e përmbyti. Ajo qe një përmbytje shumë e dhimbshme, me mijëra vëllime të çmuara u përmbytën dhe ato i thanin me tharëse flokësh. Një gjë e paimagjinueshme.
Dhe nuk mori askush asnjë përgjegjësi sepse u hipi uji mbi dritare.
Ngriti ky, bëri sheshin, mori miliarda dhe kështu që u përmbyt biblioteka.
Unë jam për një bibliotekë të re, të ndërtohet një bibliotekë dinjitoze, por bibliotekat nuk janë kulla.
Ka modele shumë të bukura që i përshtaten dhe ne do ndërtojmë një bibliotekë të re.
Isa Myzyraj, OraNews: SPAK ka pranuar sot se, disa sisteme të tyre, përfshirë emaile të disa prokurorëve janë hakuar, por nuk janë marrë dosje. A keni informacion nëse në këtë operacion kanë qenë të përfshirë ish-ministra dhe deputetë aktuale të Kuvendit.
Sali Berisha: Së pari, më duhet të them se u kthye koha kur dosjet, para se të shkonin në gjykatë, shkonin në Partinë Socialiste. Para shumë vitesh, dosja para se të shkonte në gjykatë, shkonte në PS. Tani hakerohet. A është hakerim, apo vetë hakerim, unë nuk e di, por është gjë shumë, shumë e rëndë.
Dmth, o qytetarë të gjitha të dhënat tuaja, mirren, vidhen, manipulohen dhe nuk kanë asnjë siguri. Çfarë është kjo? Është kjo mundet dhe një luftë e brendshme, brenda klaneve mafioze brenda PS.
Tani grupi armiqësor, Xhafa, Pastori, Bushka, dhe 2-3 të tjerë, ata duhet të akuzohen me çdo kusht. Më shëmbëllen si historia e statuseve të Erion Veliajt. Statuset ia shkruante Rama dhe përgjigjen SKAP-i ja jepte Erion Veliajt.
Edhe këtë hakerimin, duan të ja faturojnë Fatmir Xhafajt, e kuptoj unë, aty e ke hallin ti. Ato janë hakeruar apo vetë hakeruar këtë nuk e marrim vesh ne. Ato po përdoren, siç u përdorën statuset. Meqenëse filluan të thonë, po merren me fustanet e Ajolës, tani ja sajisën statuset dhe i thanë, tani ke kryer krim të madh shumë.
Tani edhe Fatmirit po i vijnë rrotull dhe po e akuzojnë se, gossipi është fjala, se ka hakeruar kompjuterat e SKAP-it, dhe për të më revoltuar dhe mua, edhe dosjen time. Atë i them Fatmiri publikojeni sa ta gjeni, se është publike.
Shumë operacion i dyshimtë, të jemi të sinqertë, i dyshimtë aq sa ishin statuset në Facebook të Erion Veliajt. Ta ndjekin.
Një gjë mund të ju them, që qytetarët po kuptojnë çdo ditë e më shumë kontrollin fatal të drejtësisë nga Edi Rama, kjo është e vërtetë dhe për ne kjo ka rëndësi.
Mariglen Kume, MCN TV: Në raportin që ka depozituar SPAK në Kuvendin e Shqipërisë, ngrihet shqetësimi për presionin politik që i bëhet Prokurorisë së Posaçme dhe a ndiheni ju përgjegjës për presionin që po i bëni. Dhe pjesa e dytë, referimet e policisë kanë rënë me 53% në SPAK. A është ky një tregues i rëndësishëm për opozitën.
Sali Berisha: Së pari, ky është një tregues dramatik për vendin. Ky tregon çarjen përfundimtare të institucioneve të narkoshtetit. Kjo tregon se në 83% të rasteve, provat e krimit prishen, manipulohen, përdoren për pazar dhe nuk shkojnë në prokurori. Ky është zbatimi i urdhërit të Edi Ramës.
Edi Rama ka urdhëruar institucionet që të mos kenë komunikim me prokurorinë. Dhe ky është një akt, shumë, shumë i rëndë. E them me bindjen më të madhe.
Kur unë kam kërkuar që këto institucione të reformohen, nuk mund të imagjinoj kurrë që ato të shuhen, të mos ekzistojnë, se kjo është ta shuash. Se prokuroria ka një numër të kufizuar punonjësit, qoftë prokurorë, qoftë OPGJ. Dhe natyrisht, ajo misionin e kryen mbi dosjet që dorëzon policia, Shërbimi, informacionet kur janë për çështje të sigurisë kombëtare dhe administrata.
Administrata ka me dhjetëra e dhjetëra punonjës që paguhen për këtë çështje. Duhet të çojnë dosjet.
Kur policia nuk çon 83% të dosjeve, se kjo është shifër shumë, shumë e rëndë. Unë e kuptoj se, nuk duan të thonë se i ka fshehur, por rënia në një kohë kur kriminaliteti rritet, rënia me 83% e dosjeve të dërguara nga policia, është shifra më alarmante që mund të jetë në fushën e luftës kundër krimit.
Pse ka ndodhur kjo, ta them unë ty. Proda është ‘Matrix’. Ky Ilir Matrixi shkoi aty për të bërë pikërisht për të bërë këtë gjë, pikërisht për të mbrojtur krimin, për të fshehur dosjet e krimit dhe për të mos i dorëzuar. E dinë të gjithë aty, se ai është ‘Matrix’. Ministri vetë është një ushtar i Pojës, ky Hoxha apo Hoxhaj, se nuk merret vesh si e ka, se njëherë thotë jam kështu, e jam ashtu.
Pra kjo është arsyeja.
Ju jeni dëshmitarë. Unë jam përpjekur të ndriçoj, të informoj qytetarët se si Taulant Balla, me dokumente merr dosjen e kundërshtarëve të bandës, i arreston ata, shpërblim për vota.
Se si Taulant Balla e merr dosjen nga SPAK, e çon në polici në mënyrë që ta nxjerrë jashtë afateve ligjore, asnjë veprim.
Pra lajm shumë i keq ky.
Anisa Kadesha, RTSH: Si ish-kryeministër që keni firmosur Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe liberalizimin e bizave, si ndiheni kur kundërshtari politik se do të bllokoni procesin e integrimit në Bashkimin Europian, në rast se ka një rotacion pushteti në 11 maj.
Sali Berisha: Ata që e quajtën Edi Ramën meme e gjallë, ata i gjetën më të bukurën, më të mirin emërtim që ka. Ai është bërë famoz për trillime dhe mashtrime që tejkalojnë çdo lloj limit.
Partia Demokratike që nga 1992 e gjer sot, është faktuar lokomotiva e të gjitha proceseve integruese. Këshillin e Europës, marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, heqjen e vizave, rekomandimin e statusit kandidat nga Komisioni Europian, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Të thotë Edi Rama, në 12 vite përveç hapjes të procesit të negociatave, pasi e vonoi me vite të të tëra, e cila është sinekuanon se merr statusin e kandidatit, që nuk plotësonte asnjë kusht dhe u hapën për çështje gjeo-strategjike, se u mbajtën pezull 4 vite dhe u pa se ky nuk respekton asgjë, u hapën për shkaqe gjeostrategjike.
Ndaj dhe ai mision do të përmbushet nga PD, dhe i siguroj shqiptarët se po me atë seriozitet, transparencë dhe vendosmëri që ne realizuam momentet madhore të integrimit Europian dhe EuroAtlantik të Shqipërisë, po me atë seriozitet do të finalizojmë negociatat me BE-në dhe anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por të bazuar tërësisht mbi meritën. Merita është baza, ky është interesi i shqiptarëve.
Ju faleminderit!