FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME DEGËN 11 TIRANË
EKSTRAKT
Kryetari Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë një takimi me banorët e njesisë 11 Tiranë, ku ishin të pranishëm presidenti i Urdhrit të Maltës, ministrja kroate, Nina Obuljen, paraqiti programin e PD-së dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore për zgjedhjet e ardhshme.
Gjatë fjalimit në në njesinë 11, Berisha u fokusua te lufta kundër varfërisë, duke e cilësuar varfërimin e shqiptarëve gjatë 12 viteve të fundit si më të rëndin në rajon, dhe fajësoi drejtpërdrejt qeverinë e Edi Ramës për këtë gjendje. Sipas tij, pasojat e korrupsionit dhe shpërdorimit të buxhetit shtetëror kanë prekur jetën e përditshme të qytetarëve, ndërsa rrogat dhe pensionet janë bërë gjithnjë e më të pavlera për shkak të rritjes së çmimeve.
Kryetari i PD akuzoi qeverinë aktuale dhe bashkëpunëtorët e saj për ndarjen e buxhetit mes grupeve të interesit, për pasurim të paligjshëm përmes luksit të shfrenuar, tenderave të dyshimtë dhe projekteve të fryra. Si shembull konkret, Berisha përmendi ndërtimin e rrugës Manastir-Bjelljosek në Kroaci me 1.6 milionë euro për kilometër, ndërkohë që në Shqipëri, sipas tij, kushton deri në 17 milionë euro për kilometër. Lideri Opozitar përmendi gjithashtu luksin e kryeministrit, përfshirë vila, fluturime luksoze dhe prona të përvetësuara, duke e konsideruar këtë si dëshmi të qartë të abuzimit me pushtetin. Në fund, ai deklaroi se Rama ka ndjerë fundin politik dhe qytetarët janë të gatshëm për ndryshim.
Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama se po shmang gazetarët dhe debatet publike sepse “e ka ndjerë fundin” dhe nuk mund të justifikojë aferat e tij. Ai e kritikon për mungesë transparence, abuzim me fondet publike dhe për shpërfillje ndaj qytetarëve, veçanërisht pensionistëve dhe të sëmurëve. Sipas Berishës, shqiptarët paguajnë 820 milionë euro në vit për shëndetësi nga xhepi, për shkak të një sistemi të kapur nga mafia. Ai premton minimum jetik 200 euro, rritje të rrogës minimale në 500 euro dhe ulje çmimesh për shtresat në nevojë, duke e cilësuar programin e PD-së si zgjidhje për varfërinë dhe abuzimet qeveritare.
Lideri historik i PD, Sali Berisha, gjatë një takimi në Laprakë, u zotua për legalizim të plotë dhe urbanizim të banesave, duke premtuar se asnjë shtëpi nuk do të preket dhe se edhe banorët e prekur më parë do të dëmshpërblehen. Ai e kritikoi ashpër “paqen fiskale” të qeverisë Rama, duke e quajtur “parajsë për botën e krimit” dhe amnisti për paratë e drogës, që sipas tij kanë shkatërruar kursin e euros dhe kanë dëmtuar rëndë eksportuesit shqiptarë. Berisha premtoi se çdo marrëveshje me krimin do të marrë fund dhe do të zëvendësohet me ligj të rreptë. Berisha u zotua gjithashtu për faljen e gjobave dhe kamatëvonesave për qytetarët, ulje të çmimit të energjisë dhe ujit, heqje të taksës së arsimit të bashkisë dhe kufizim të tarifave vendore për bizneset.
Kryetari i PD, Sali Berisha, premtoi masa konkrete për të rinjtë, si subvencionim të sigurimeve për një vit, grante për çiftet e reja dhe mbështetje për gratë në biznes, me qëllim që të rinjtë të mos largohen më nga vendi. Ai sulmoi ashpër qeverinë Rama, duke e krahasuar me një “gjarpër” dhe duke paralelizuar me Donald Trump që “i shtypi kokën gjarprit” në SHBA.
Berisha u shpreh kundër politikave progresiste që, sipas tij, dëmtojnë familjen tradicionale dhe identitetin njerëzor. Lideri demokrat shpalli si moto të qeverisjes së tij “prodhim dhe teknologji”, duke premtuar zhvillim të lartë teknologjik, energji të pastër, dataqendra, inteligjencë artificiale dhe panele diellore për çdo çati.
Kryetari i PD, Sali Berisha e përfundoi fjalimin e tij me thirrjen për mobilizim popullor në dy javët e fundit të fushatës, për të rrëzuar atë që ai e quan “narkodiktaturë”.

FJALA E PLOTË
I nderuar zoti president i Urdhrit të Maltës, Kalorës i Meritës.
E nderuar zonja ministre e qeverisë së Kroacisë, Nina Obuljen.
Të dashur miq, qytetare dhe qytetarë të pranishëm në këtë sallë.
I nderuar zoti Paloka, drejtues politik i zonës.
Të dashur kandidatë për deputetë të kësaj zone, Sali Shehu, Ilda Zhulali, Edi Paloka, Salvador Kaçi.
Një mirënjohje të pakufishme miqve tanë të nderuar që i kemi të pranishëm në këtë takim shumë të rëndësishëm për zonën tuaj.
Zonja dhe zotërinj, unë vij sot te ju për të paraqitur projektin e PD për kaur vitet që vijnë, pasi ky projekt bëhet çdo orë, çdo ditë më i pranuar, më i vlerësuar nga qytetarët shqiptarë në mbarë vendin.
PD dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore, aleanca më e madhe që ka garuar ndonjëherë para shqiptarëve, me projektin e saj synon para së gjithash të adresojë me shpejtësi problemet e mëdha dhe të dhimbshme me të cilat përballen sot qytetarët e Laprakës, të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.
Programi ynë fillon aty ku dhimbja njerëzore është më e madhe. Aty ku vuajtja e qytetarëve tanë është më e madhe.
Fillon pra me një betejë të vendosur kundër varfërisë.
12 vite, ju dhe në tërësi shqiptarët, ishit subjekti i një varfërimi të pamerituar.
I një varfërimi të frikshëm sa asnjë komb tjetër në rajon dhe më gjerë.
Dhe vetëkuptohet, ky varfërim, i cili kishte një shkak themelor, abuzimin, vjedhjen, përvetësimin e fondeve të buxhetit të shtetit, e pasurive publike nga ky grup qeveritarësh, i drejtuar nga Edi Rama.
Nga qeveritarët e tij vendorë si Erion Veliaj, nga 5D dhe 5B-të e tyre, nga rrethet e tyre të ngushta me të cilat këta ndanin buxhetin, ndanin pasuritë.
Kurse rrogat dhe pensionet tuaja në vend që të rriteshin, bëheshin çdo muaj dhe çdo vit më të pavlerë sepse çmimet rriteshin në mënyrë stratosferike.
Në qoftë se një pension u rrit nga 143 mijë lekë në 172 mijë lekë në Shqipëri, çmimet u rritën me mbi 250 përqind mesatarja e tyre.
Dhe sot ky pension, për të pasur të njëjtën fuqi blerëse që kishte pensioni i vitit 2013, duhej të ishte 390 mijë lekë.
Pensionisti i Malit të Zi që në vitin 2013 merrte një pension prej 138 mijë lekë, sot merr 450 mijë lekë sepse qeveria e Malit të Zi, apo e Maqedonisë, Serbisë apo Kosovës, kur ndan buxhetin, në ligj dhe moral të shtetit demokratik, një pjesë të parave u kthehen qytetarëve me rroga dhe pensione.
Kurse këta qeveritarë me paratë tuaja ndërtuan luksin më të shfrenuar.
Ju e dëgjoni rëndom Edi Ramën të thotë, më jepni prova.
Po a ka provë më të madhe se vila me 57 metra të gjatë themelet, dy herë më të gjata se vila e Enver Hoxhës?
Se sa kopshti 8300 metra, katër herë më i madh se kopshti i ish-diktatorit Hoxha.
Po ka dëshmi më të madhe se sa 224 mijë metër katrorë tokë tek kanioni i Gjipesë.
Po ka dëshmi më të madhe se fluturimet me avion taksi 21 milionë në dy vite.
Po ka dëshmi më të madhe se kryeministri i vetëm në botë që hap shishen e verës 33 mijë euro.
Po ka dëshmi më të madhe kur i jep vëllait tënd 38 mijë metër katrorë tek Rrapi i Treshit duke ua marrë pronarëve tiranas.
A ka dëshmi më të madhe se në kundërshtim me çdo ligj, baxhanaku yt fiton qindra tendera vetëm për lidhjet familjare që ka me ty.
A ka dëshmi më të madhe se sa djegësi i Tiranës, 130 milionë euro të zhdukura pa nam dhe nishan dhe nuk ekziston asnjë tullë në themelet e tij.
Dhe tani e morët vesh, dy drejtorët që shkuan në gjykatë, shkuan se kanë firmosur letrat, kurse Lubia, e keni parasysh, e cila kishte detyrë ligjore të kontrollonte punimet, të bënte raportin dhe të informonte çdo muaj për ecurinë e punimeve, nuk bëri në 5 vite asnjë raport sepse e dinte se paratë i merrte bosi i saj, Edi Rama me Erion Veliajn.
Po ka dëshmi më të madhe se sa rruga Manastir-Bjeliosek në Kroaci, 17 kilometra, 27 metra të gjera, ndërtohet me 27 milionë euro. Me 1.6 milion euro kilometri. Kurse këtu ndërtohet më 17 kilometër kilometri.
Çfarë dëshmish kërkon ky që përpiqet të fshehë çdo gjë para jush.
Që flet nga mëngjesi gjer në darkë sikur të jetë në jerm, jo këneta, jo zhapinj, jo hardhuca dhe me një fjalor mizerabël, çyryk, autik, budalla, i divorcuar.
Këto janë togfjalëshi i tij, këto janë premtimet e tij, kjo është llogaridhënia e tij para jush.
Por miq, e ka ndjerë fundin!
Miq, Edi Rama e ka ndjerë fundin.
Ka dy muaj që nuk guxon të takojë një gazetar, jo më qytetarë, sepse nuk përgjigjet për asnjë nga aferat e tij të mëdha.
Ka dy muaj që ka ndaluar me urdhër kandidatët e tij të ballafaqohen me kandidatët tanë, sepse nuk do që ju të merrni vesh të vërtetat, sepse e di se ata nuk dalin dot, se kur të dalin nga studiot, do dalin me fytyrë të nxirë nga aferat e Edi Ramës dhe qeveritarëve të tjerë.
E kam ftuar, prapë këtu e ftoj, të vijmë ja në këtë skenë dhe të bëjmë debat para jush, t’i marrë të gjithë socialistët e lagjes t’i sjell këtu, unë i pranoj, i respektoj ata, por ai nuk ka besim as tek socialistët.
Nuk ka besim se kësaj here e kuptuan edhe ata se nuk ka program. Programi i tij është këneta, është tallavaja, është banaliteti, është mashtrimi.
Miqtë e mi, programi i PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore është programi i zhdukjes së varfërisë së skajme brenda 100 ditëve.
Çdo shqiptar, çdo pensionist, çdo i papunë, çdo person në ndihmë ekonomike, çdo student me bursë, çdo fëmijë me një prind, do kenë minimumin jetik 200 euro.
Rroga minimale në Shqipëri rritet në 500 euro.
Qeveria do u japë qytetarëve rrogëulët dhe me pensione kartën e konsumatorit. Ata do i marrin ushqimet 20 përqind më lirë se të tjerët.
U garantoj se përgjigje emergjente do marrë situata katastrofale e shëndetësisë në këtë vend.
Qytetarë dhe qytetare, vetë INSTAT informoi se shqiptarët në një vit paguajnë nga xhepi për kujdes shëndetësor 820 milionë. Fatura e bukës në një vit në Shqipëri është 220 milionë euro. Fatura për kujdesin shëndetësor është 820 milionë euro. Katër herë më shumë.
Po pse kjo? Sepse mafia ka pushtuar thellë sistemin shëndetësor.
Sepse qeveritarët, drejtorët kryesorë të tyre, përvetësojnë, vjedhin taksat tuaja me të cilat duhet të blihen ilaçet, duhet të blihen aparaturat.
Dhe më keq, aparaturat lihen të prishura në mënyrë që ju të shkoni tek privati ose të mos i bëni dot.
Me partneritetet e tyre të korruptuara, analiza në publik qytetarët mund të bëjnë vetëm 20 ditët e para të muajit. 10 ditët e tjera asnjë analizë. Të gjitha në sektor privat.
Miq, nuk ekziston kund një sistem kaq i pamëshirë, kaq i papërgjegjshëm.
Ju e dëgjuat Edi Ramën tre muaj më parë, u detyrua të pranojë se në Spitalin Onkologjik ishin kryer krime kundër njerëzimit.
Po, sepse të sëmurëve nuk u janë dhënë ilaçet për të mjekuar sëmundjen. Ose u janë dhënë ilaçe që nuk kanë efekt.
Tani, ky njeri që deklaroi para tre muajsh se në Spitalin Onkologjik janë kryer krime, mori ndonjë masë? Nuk mori asnjë masë sepse nuk ka shpirt.
Për atë, njerëzit janë për t’u përçmuar.
Janë për t’u poshtëruar.
Po ka poshtërim më të madh… ke një buxhet përpara për ta ndarë 8 miliardë dhe kur vjen puna deklaron se për pensionistët ke lënë gjithsej 16 milionë euro.
Dhe kur ne i themi si opozitë se kjo është hata, thotë se po të bëjmë atë që thoni ju, biem në greminë.
Jo nuk biem në greminë. Por ai vjedh pensionet, se me ato pensione i kalon paratë tek rrugët, me të cilat i ndërton me një çmim të dhjetëfishtë krahasuar me çmimin evropian.
I përdor për luks, për udhëtime, ndaj dhe nuk rriten pensionet.
Miqtë e mi, unë firmos këtu para jush një kontratë me ju.
E tha shumë bukur zoti Marku se unë fjalën time e mbaj.
Nuk thotë njeri që unë nuk kam mbajtur ndonjëherë fjalën, por jam këtu për t’u zotuar para jush se në mënyrë absolute asnjë banesë e juaja nuk do të preket dhe se do ketë legalizim të plotë total dhe pastaj urbanizim.
Legalizim dhe pastaj urbanizim.
Ky është parimi që ndjekim ne.
Ndaj dhe atyre që ua kanë prishur… nuk harroj unë betejat tuaja për shtëpitë tuaja, edhe ata do dëmshpërblehen sipas këtij parimi.
E dëgjuat dje, paqja fiskale, çfarë është paqja e tij fiskale?
Paqja e tij fiskale është amnistia, është parajsa për botën e krimit, është ndëshkim për ju qytetarë të dashur.
Ua shpjegoj unë si është puna.
Ky, dy vite më parë filloi reklamoi me të madhe amnistinë fiskale, kur nuk kishte asnjë synim tjetër veçse të sillte paratë e drogës, të klaneve mafioze, të vinin në Shqipëri dhe të ndërtoheshin kulla siç po ndërtohen.
Natyrisht BE e diktoi këtë. Kjo ishte një inkurajim i tmerrshëm i krimit. Në sallën e gjyqit në Belgjikë, trafikanti deklaroi sipas televizionit belg, se vetë kryeministri më kishte premtuar se do mund të investoja paratë në Shqipëri.
Tani thotë paqja fiskale.
Ai vetë është në paqe dhe bashkëpunim të ngushtë me ta.
Por unë i garantoj atje ku janë se asnjë qindarkë, asnjë dollarë, asnjë euro nuk do mund të sjellin në Shqipëri.
Jo. Sepse çfarë ndodhi këtu me këtë?
Nuk ka vend në Europë, në të cilin monedha e vendit të ketë rrëzuar përdhe euron.
Euro për shkak të narkoeurove ka humbur 35 përqind të vlerës.
Po. Kjo do të thotë qindra mijëra shqiptarë humbën vendet e punës në ndërmarrjet e eksportit. Falimentuan.
Se ato çdo transaksion e kanë në euro.
Dhe rënia 35 përqind e euros faktikisht ua asgjësoi fitimin dhe i detyroi të kyçin sipërmarrjet. Të dalin nga puna dhjetëra mijëra punëtorë shqiptarë dhe të ikin në emigracion.
Merr fund kjo.
Asnjë paqe me ta nuk ka.
Me bandat kriminale ka vetëm ligj, ligj dhe vetëm ligj.
Po, gjobat do ua falim ju, ju o qytetarë të ndershëm, ju që keni përjetuar brutalitetin, arrogancën e inspektoriateve, e zyrtarëve, e ministrave të tij.
Çdo gjobë që është vendosur mbi ju, me datën 12 maj bëhet zero.
Këta u marrin ju kamatë vonesat e 25 viteve më parë. Këta nuk kanë ligj, as moral. Po ato u falën në momentin kur KESH kaloi tek CEZ. Dhe këta vazhdojnë i mbledhin dhe ua mbajnë ju si lak në fyt.
Që të gjitha falen.
Bizneset do kenë çmimin e energjisë nga 18 lekë në 6 lekë.
Familjarët nga 9.5 në 7 lekë.
Tarifat e ujit do përgjysmohen.
Taksa antikushtetuese e arsimit e bashkisë do hiqet menjëherë.
Bashkitë nuk do mund të vendosin kurrë tarifa dhe taksa më shumë se 1 përqind të xhirosë së biznesit dhe një seri lehtësimesh do bëhen për biznesin e vogël.
E gjithë beteja jonë është ta kthejmë kombin në moshën e rinisë së tij.
Kombi në moshën e rinisë nuk kthehet me këta të rinj që vetëm ikin.
Ndaj dhe u garantoj se do bëjmë çdo përpjekje që i ri të shkollohet, të punësohet në Shqipëri duke paguar qeveria 1 vit sigurime shoqërore për çdo të ri që punësohet.
Një grant prej 30 mijë eurosh për çdo çati të çifteve të reja.
Gratë dhe vajzat do kenë mbështetje të fuqishme për bizneset e tyre.
Ne do bëjmë gjithçka që familja shqiptare të forcohet.
Familja shqiptare dhe familja në tërësi, në këto vitet e fundit, iu nënshtruan një agresioni të paparë të ekstremizmit të majtë marksist dhe post-marksist.
Ju jeni dëshmitarë se si filluan në Shqipëri në tekstet e shkollës Prindi 1 dhe Prindi 2. U shua nëna dhe babai.
Erdhi ligji në parlament për fermat e grave që do lindin fëmijë të askujt.
Një agresion i paparë në kohëra kundër gjinisë njerëzore. Kundër identitetit të njeriut.
Fati i madh në SHBA, Donald Trump i shtypi kokën gjarprit.
Në Shqipëri, ju do t’i shtypni kokën gjarprit Edi Rama.
Shqipëria Madhështore është zotimi ynë.
Shqipëria është vendi i pasurive të pamasa.
Prodhim, prodhim dhe vetëm prodhim do jetë motoja jonë.
Teknologjitë më të reja, internet 3, inteligjenca artificiale, kriptomonedhat, dataqendrat do e shndërrojnë Shqipërinë në një epiqendër të fuqishme rajonale të teknologjisë së lartë.
Shqipëria superfuqi energjetike në rajon.
Jam zotuar dhe zotohem, çatitë e shqiptarëve nga jugu në veri do jenë me panele diellore, për të gjithë ata që duan. Qeveria do i subvencionojë.
Miqtë e mi, dy javë kanë mbetur.
Le të jenë këto dy javët e jetës tuaj.
Dy javët e misionit tuaj, në shërbim të dinjitetit tuaj, të mirëqenies tuaj.
Në shërbim të shoqërisë shqiptare dhe të Shqipërisë.
Të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo narkodiktaturë.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!