Berisha: Po shkelmojnë Kushtetutën vetëm pse Rama është në rreth të kuq! Ftoj shqiptarët të thonë fjalën e tyre nesër në ora 6 në rrugët dhe sheshet e Tiranës

PRONONCIM PËR MEDIA KRYETARI I PD, SALI BERISHA JASHTË KUVENDIT

EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit, akuzoi kryeministrin Rama se po përqendron të gjitha pushtetet përmes 83 mandateve të krimit dhe se ligji i paraqitur në Parlament është në kundërshtimin më flagrant me Kushtetutën.

Berisha deklaroi se projektligji në fjalë është mburojë për Edi Ramën dhe familjen e tij duke e cilësuar mazhorancën si organizatë kriminale që synon të qëndrojë mbi ligjin.

Lideri demokrat ngriti akuza edhe për një tjetër nismë ligjore, të cilën e quajti “igji i Lindave, duke theksuar se tenderat e AKSHI-t do të favorizonin kompani të lidhura familjarisht me zyrtarë të lartë.

Berisha ftoi qytetarët që të marrin pjesë në protestën e nesërme në orën 18:00 në rrugët dhe sheshet e Tiranës. Ai theksoi se vetëm qytetarët, përmes guximit dhe vendosmërisë, mund të vendosin para ligjit qeverinë aktuale.

I pyetur nëse do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese në rast të miratimit të ndryshimeve, Berisha u shpreh kritik ndaj institucionit, duke deklaruar se ndodhet “në ditën më të zezë”, dhe akuzoi anëtarë të saj për shkelje të Kushtetutës lidhur me çështjen e pezullimit të zyrtarëve të lartë.

Sa i përket takimeve me delegacionet e huaja, Berisha tha se është takuar me koordinatorin e grupit parlamentar të Partive Popullore Evropiane, ndërsa sqaroi se kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian përfaqëson të gjitha grupet politike.

PRONONCIMI I PLOTË

Edi Rama merr të gjitha fuqitë nëpërmjet 83 mandateve të krimit.

Ligji që ka paraqitur në parlament është në kundërshtimin më flagrant me Kushtetutën.

Ligji është një mburojë për Edi Ramën dhe familjen e tij, për organizatën kriminale që kryeson që të vjedhë duke i shpëtuar ligjit, duke qëndruar mbi ligjin.

Pasojat e këtij ligji janë të jashtëzakonshme.

Sot e tutje, shqiptarët ditë e natë do vidhen nga një grup që sillet ndaj tyre me pamëshirësinë më të madhe.

Nga një grup individësh që sillet në armiqësi më të thellë ndaj qytetarëve.

Dhe do kenë mburojë ligjin Rama.

Tani kishin çuar në parlament edhe ligjin e Lindave.

E morët vesh ju ligjin e Lindave?

Ligji i Lindave ishte ligji që tenderat e AKSHI-t do t’i bëjë kompania e baxhanakut.

Ky është ligji i Lindave.

Ka shkuar sot edhe ky në parlament.

Pra, në qoftë se u thashë se Edi Rama po sillet si lopë e çmendur, ky i ka bërë të gjithë këtë grup të inkriminuar gjer në palcë, që nuk mendon se në radhë të parë ka një përgjegjësi qytetare.

Nuk mendon se aty janë për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, për të përfaqësuar interesat e njerëzve që jetojnë me djersën e ballit, të njerëzve që numërojnë kafshatën, të fëmijëve të tyre, të sëmurëve të tyre.

Këta po e përdorin pushtetin njëlloj sikur të ishin pushtuesit më të egër ndaj shqiptarëve.

Ndaj dhe unë ftoj shqiptarët të thonë fjalën e tyre me guxim epik nesër në ora 6 në rrugët dhe sheshet e Tiranës.

Vetëm qytetarët, vetëm guximi i tyre i hekurt, vetëm vendosmëria e tyre do t’i vendosë këtë organizatë kriminale me në krye Edi Ramën para ligjit dhe do mbrojë qytetarët shqiptarë, do mbrojë pasuritë e tyre, do mbrojë të ardhmen e tyre nga një bandë armiqësore si këta.

Nuk ka, nuk rrihet në parlament.

Ju i dëgjuat vetë.

Dhe t’ua them një gjë ju, se kur janë me të huajt këta, që vijnë delegacionet nga ana e anës kundër këtyre ligjeve, këta e qepin gojën, rrinë si pula aty.

Nuk thonë një fjalë, as për Lubinë, kurse këtu shikoni se çfarë bëjnë.

Kurse atyre u lënë për të kuptuar se do ia heqim imunitetin, kurse brenda bëjnë rroftë heroina jonë, rroftë heroi ynë, Edi Rama.

Pyetje: Z.Berisha, nëse miratohen këto ndryshime, do i çoni në Gjykatën Kushtetuese?

Sali Berisha: Tani, Gjykata Kushtetuese është në ditën e saj në më të zezë.

Pse është në ditën e saj më të zezë?

Po të lexoni ligjin, nenet e Gjykatës Kushtetuese në Kushtetutë, njëra nga nenet thotë se gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese pezullohet nga detyra.

Pseudogjykatës, me në krye Fiona Papajorgjin, vendosin të mos njohin të drejtën ligjore të prokurorit të SPAK për të pezulluar ministrin.

Pra, Kushtetuta duke njohur, duke sanksionuar mundësinë kushtetuese të pezullimit të gjykatësit, dhe jo vetëm të gjykatësit, Kushtetuta parashikon pezullimin e Prokurorit të Përgjithshëm, të kryeinspektorit të ILD, të gjykatësit të Gjykatës së Lartë, të Avokatit të Popullit dhe kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Çka do të thotë, hapja e një çështje penale për Avokatin e Popullit e pezullon nga detyra.

Hapja e një çështje penale për kryetarin e KLSH e pezullon nga detyra se është i barazuar me gjykatësin e Gjykatës Kushtetuese.

Shikoni se çfarë bëjnë këta?

Shikoni se si e shkelmojnë Kushtetutën këta, sepse Edi Rama është në rreth të kuq.

Pyetje: Z. Berisha, pse nuk u takua me ju z.McAllister?

Sali Berisha: Unë takova koordinatorin. Me mua u takua koordinatori i grupit parlamentar të Partive Popullore.

Unë nuk kam funksione në komisionet parlamentare, siç e dini.

Ata vijnë për parlamentin dhe të gjitha takimet i bënë në selinë e parlamentit.

Por në seli tek unë erdhi koordinatori i grupit parlamentar të Partive Popullore, pra ai që përfaqëson grupin me të cilin është i afiluar PD.

Dhe u bë një bisedë jashtëzakonisht e rëndësishme. Kryetari përfaqëson të gjithë të tjerët.

Pra, e morët besoj përgjigjen. Kryetari i AFET është përfaqësues i të gjitha grupeve, kurse ai që është përfaqësues i PPE erdhi dhe zhvilloi një bisedë të zgjeruar, por ikën jashtëzakonisht të ndriçuar.

Dhe mund t’u them domethënë se darka me Edi Ramën do mbahet mend prej tyre si unike në shkallën e legenosjes së mikpritësit që ata kanë parë ndonjëherë.

Detaje nuk u jap, por do mbahet mend prej atyre burrave dhe grave për shkallën ekstreme të legenosjes, nuk do ta harrojnë kurrë.

Pyetje: Z.Berisha, a do qëndroni nesër në shesh?

Sali Berisha: Tani i gjithë skenari i sheshit është misteri i kryengritjes paqësore.

Pyetje: Z.Berisha, McAllister tha se protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci?

Sali Berisha: Në linjë të plotë me Sali Berishën. A ke parë njeri që të ftojë si unë në mënyrë të përsëritur që është kryengritje paqësore?

Pyetje: Por kemi parë se në protesta ka pasur edhe molotovë?

Sali Berisha: Po edhe mund të hyjnë njerëz të dëshpëruar që kryejnë veprime të këtilla dhe të atilla, por thirrja jonë është për protestë paqësore.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale