KONFERENCA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME GAZETARËT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përshëndetur protestën e sotme zhvilluar nga studentët dhe qytetarët në Tiranë, duke e cilësuar atë si hedhjen në koshat e plehrave të akteve të miratuara nga qeveria si një përgjigje ndaj përpjekjeve për të ndaluar revoltën studentore.
Gjatë konferencës së sotme për mediat, Berisha deklaroi se mijëra studentë dhe qytetarë refuzuan kufizimet e vendosura nga qeveria, të cilat ai i cilësoi si akte diktatoriale dhe antikushtetuese. ‘Do të përshëndes përzemërsisht dhe me mirënjohje të thellë ata mijëra e mijëra studentë dhe qytetarë që sot me guximin, trimërinë, vendosmërinë e tyre groposën në koshat e plehrave të Tiranës, dekretet diktatoriale të padrinos, me të cilat ai synonte asgjësimin e revoltës studentore’, u shpreh Berisha.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha theksoi se asnjë akt që bie ndesh me Kushtetutën dhe të drejtat e garantuara të qytetarëve nuk do të pranohet nga opozita. Ai deklaroi gjithashtu se PD ka kërkuar në Gjykatën Kushtetuese pezullimin e akteve të qeverisë. ‘Jam këtu për të deklaruar se asnjë akt ligjor që vjen në kundërshtim me Kushtetutën, asnjë kufizim i lirive të garantuara nga Kushtetuta dhe Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut, asnjë formë gjendje e jashtëzakonshme nuk do të respektohet kurrë nga Partia Demokratike’, deklaroi ai.
Lideri i opozitës, Sali Berisha kërkoi lirimin e menjëhershëm të studentëve dhe qytetarëve të ndaluar në komisariate, ndërsa paralajmëroi se protestuesit e gjobitur do të dëmshpërblehen. Sipas tij, gjobat do t’u kthehen me vlerë tre herë më të lartë, ndërsa paralajmëroi edhe përgjegjësi për zyrtarët që firmosin masat administrative.
Kryetari i PD-së Sali Berisha iu përgjigj edhe akuzave se Partia Demokratike po ndërhyn për të përçarë protestën studentore. Ai i hodhi poshtë këto pretendime, duke deklaruar se PD e ka mbështetur lëvizjen dhe u ka ofruar ndihmë protestuesve. ‘Zyra ligjore, sekretariati ligjor i Partisë Demokratike ju ka ofruar shërbime mbi 600 protestuesve, studentë dhe qytetarë që kanë patur nevojë për shërbime ligjore’. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ftoi qytetarët dhe faktorët e tjerë opozitarë t’i bashkohen studentëve, duke e cilësuar protestën si një betejë kundër qeverisë së Edi Ramës. ‘Të bashkohemi me studentët të cilët po zhvillojnë një betejë epike kundër të keqes më të madhe të këtij kombi që e ka emrin Edi Rama’, deklaroi Berisha.
FJALA E PLOTE:
Do të përshëndes përzemërsisht dhe me mirënjohje të thellë ata mijëra e mijëra studentë dhe qytetarë që sot me guximin, trimërinë, vendosmërinë e tyre groposën në koshat e plehrave të Tiranës, dekretet diktatoriale të padrinos, me të cilat ai synonte asgjësimin e revoltës studentore.
Kisha bindjen më të madhe se qytetarët, se studentët dhe studentet, qytetarët e Tiranës do t’u jepnin përgjigjen më të merituar, shpërfilljen totale, hedhjen në kosh të plehrave akteve antikushtetuese, antiligjore, me të cilat Edi Rama mendonte se do mund të gjejë mburojë, mbrojtje, mendoi se do mund të ndalojë protestën.
Jam këtu për të deklaruar se asnjë akt ligjor që vjen në kundërshtim me Kushtetutën, asnjë kufizim i lirive të garantuara nga Kushtetuta dhe Karta Europiane e të Drejtave të Njeriut, asnjë formë gjendje e jashtëzakonshme nuk do të respektohet kurrë nga Partia Demokratike.
Por, si të faktuara, këto përpjekje dështuan me turp sot në rrugë dhe sheshet e Tiranës, pasi qytetarët, studentët u bashkuan në një dhe i dhanë përgjigjen më të merituar narkodiktatorit dhe regjimit të tij.
Shpreh mirënjohje shumë të thellë për studentët dhe qytetarët, për pjesëmarrjen e tyre të madhe, për trimërinë, rekordet e reja të trimërisë që treguan në përballjen dhëmb për dhëmb me mercenarët e Edi Ramës.
Kërkoj lirimin e menjëhershëm të studentëve dhe qytetarëve të ndaluar në komisariate.
Garantoj çdo student dhe qytetar se gjobat e narkoshtetit do t’u rikthehen atyre me vlerë tre herë më të lartë, por edhe gjobvënësi që vë firmën e tij, do të paguajë shumë shtrenjtë atë firmë që vendos.
U rikujtoj atyre që marrin aktin antikushtetues të firmosjes së firmave, mos kryeni krime të tilla se dhe penalisht mund të ndiqeni, paçka se absolutisht me rrogat tuaja, me të ardhurat tuaja, do të dëmshpërblehen të gjithë ata që keni ndëshkuar.
Sot u faktua se protestuesit, studentët dhe qytetarët në revoltën e tyre paqësore, u provokuan në mënyrë të përsëritur nga policia e cila kryen, vepron me një skenar kriminal ndaj revoltës studentore.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, do ta mbyll këtë fjalë timen me ftesën për të gjithë ju, të bashkohemi të mbështesim studentët.
Të bashkohemi pavarësisht nga kundërshtitë që mund të kemi njëri me tjetrin.
Pavarësisht nga dallimet që mund të kemi njëri me tjetrin. Të bashkohemi me studentët të cilët po zhvillojnë një betejë epike kundër të keqes më të madhe të këtij kombi që e ka emrin Edi Rama.
Ju garantoj se Partia Demokratike është e vendosur t’i mbështesë totalisht studentët, revoltën e tyre dhe të respektojë plotësisht të gjithë ata të cilët janë në këtë linjë.
Janë të pranishëm. Ftoj, ftoj çdo qytetar të angazhohet në këtë betejë.
Bashkimi i të gjithë faktorëve opozitarë duhet të jetë kurora e kësaj lëvizje të madhe të paparë që po zhvillohet në Shqipëri.
Për t’u ndarë nga regjimi i narkoshtetit, për të proceduar me një qeveri që përgatit teknike apo kujdestare si të doni ta quajmë, që përgatit kuadrin ligjor dhe krijon të gjitha kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, në mënyrë që çdo shqiptar të votojë me vullnet të lirë për forcën politike dhe kandidatin që do.
Faleminderit.

PYETJE PERGJIGJE ME GAZETARET
Albi Rakip: Zoti Berisha, pas ndërhyrjes së policisë gjatë protestave studentore të muajit tetor, ku u raportua dhe u pa qartë dhuna brutale më e madhe ndonjëherë ndaj të rinjve dhe të rejave, qytetarëve të ndryshëm të këtij vendi, por në të njëjtën kohë edhe pas VKM-së së fundit të miratuar mbi masat administrative të ndërmarra nga qeveria Rama, cili do të jetë hapi i ardhshëm, vendimi apo qoftë edhe plani konkret i departamentit ligjor pranë Partisë Demokratike, apo qoftë edhe departamenteve të tjera të kësaj force politike?
Sali Berisha: Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, siç njoftoi dje kryetari i grupit, Gazment Bardhi, nënkryetari i partisë, i ka dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese padinë për këto akte dhe ka kërkuar pezullimin e tyre të plotë nga Gjykata Kushtetuese.
Por krahas kësaj, unë ju garantoj se ne nuk respektojmë dhe nuk do të respektojmë asgjë që vjen në kundërshtim me frymën dhe gërmën e Kushtetutës së Shqipërisë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese për protestën, e cila ka përjashtuar kërkesën e lejes për protestë dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Shqipëria është firmatare e saj.
Pra ne nuk i njohim.
Unë kam paralajmëruar Edi Ramën, mos ndërmerr masa shtrënguese se do të përfundojë njëlloj si dekreti i Ramiz Alisë për mbrojtjen e personaliteteve në vitin 1991.
Në fakt ju e morët vesh, AMA filloi mbrojtjen e pseudo-personalitetit Edi Rama. Turpi më i madh. Ky pra i bëri aktet për të mbrojtur veten e tij.
Gjobiten studiot televizive pse bëhen nga pjesëmarrës në debat deklarata apo thirrje kundër tij. Në fakt të jemi realistë, diktatori i fundit komunist në vitin ’90 dekretin nuk e bëri për vete, e bëri për Enver Hoxhën, ç’është e vërteta, dhe futi aty dhe Fan Nolin dhe Sami Frashërin sikur shqiptarët kishin vetëm admirim për këta dhe kurrë s’kishin asnjë fjalë ofenduese dhe lëndim për Frashërllinjtë apo për Nolin apo për personalitete të tjera të kombit tonë.
Albi Rakip: Zoti Berisha, si i përgjigjeni zërave dhe akuzave të ndryshme që Partia Demokratike ka ndërhyrë dhe ka përçarë protestën kombëtare studentore.
Sali Berisha: Absolutisht, përkundrazi. Ne kemi mbështetur fuqishëm protestën, fuqishëm.
Ne e kemi theksuar edhe një herë. Në këtë protestë, cilido që përpiqet të falsifikojë apo mashtrojë gabon, kjo është protestë e thirrur nga sindikata e pavarur e universitetit.
Kësaj proteste strukturat tona rinore në universitete i janë përgjigjur menjëherë, nuk janë të vetme, janë përgjigjur bashkë me grupe apo struktura të tjera. Përkundrazi, e vërteta është që Partia Demokratike me një seri masash konkrete është përpjekur të kontribuojë, të mbështesë protestën dhe studentët, gjimnazistët në revoltë.
Së dyti, ka ndërmarrë hapa konkrete me të cilat ajo ka mbrojtur studentët, gjimnazistët dhe këtë lëvizje brenda dhe jashtë vendit. Janë qindra e qindra protestues, studentë dhe qytetarë të cilët kanë patur përkujdesjen e plotë të deputetëve të Partisë Demokratike në komisariate, në spitale.
Zyra ligjore, sekretariati ligjor i Partisë Demokratike ju ka ofruar shërbime mbi 600 protestuesve, studentë dhe qytetarë që kanë patur nevojë për shërbime ligjore. Në asnjë rrethanë nuk kemi bërë as dhe një hap më të vogël dhe nuk bëjmë në përçarje të asnjë proteste.
Përkundrazi, kemi bërë gjithçka dhe do bëjmë për suksesin e saj. Ata të cilët përdorin modelin me të cilin asgjësuan protestën më gjigante në historinë e vendit, më të bukur, më të jashtëzakonshme siç ishte ajo e flamingove, ata përpiqen të përdorin po atë teknikë, por i garantoj se nuk do kenë sukses.
Partia Demokratike është e zotuar të bashkëpunojë me cilindo që beson se Edi Rama është e keqja më e madhe. Por ajo nuk impresionohet kurrë nga ata që përdorin armën kryesore strategjike të propagandës qeveritare në mbrojtje të qeverisë.
E kjo armë në ABC-në e propagandës konsiston në sulmin kur një qeveri apo një kryeministër zhytet në skandale, kapet si hajdut, kapet në krime, aktin e parë bën, krahason veten me dikë tjetër që s’ka kryer asnjë krim, që s’ka bërë asnjë skandal, me një forcë tjetër politike ta zëmë që është në opozitë prej 13 vitesh dhe me këto ai godet përgjegjësinë.
Me këto ai duke barazuar, godet vetë demokracinë, e boshatis, e zbraz atë, përderisa kryeministri që ka vjedhur miliarda, që ka kryer një seri krimesh, qenka njëlloj me një tjetër, atëherë edhe kjo narkokraci, edhe kjo kakistokraci, edhe kjo kleptokraci nuk qenka ndonjë problem i madh mbasi qenka dhe ky tjetri apo dhe kjo tjetra kështu.
Kështu që, në rast se ato armë përdoren me besimin e verbër se do mund të likuidonin apo asgjësonin Partinë Demokratike, opozitën, besoj se kanë marrë përgjigjen më të merituar.
Partia Demokratike qëndroi e fortë e palëkundur në normat e saj morale dhe parimet që beson. Ajo mbështeti me të gjithë fuqinë e saj flamingon.
Ajo jo që s’bëri përpjekje për ta përçarë po u përpoq sa mundi që të ishte, dhe shpalli parimin e padëgjuar në 35 vite në këtë vend, armiku i armikut tim është aleati im. Në këtë ne ishim të hapur, ne nuk fshehëm asgjë në qëndrimet tona, ndaj dhe shqiptarët e vlerësuan.
Kështu që, në fund të këtij procesi siç ishte protesta e jashtëzakonshme e flamingove, ata që menduan se do kishin një skenar serb, ata dështuan me turp siç e meritonin.


