FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË BASHKËBISEDIMIN ME PERSONAT ME AFTËSI NDRYSHE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, në një bashkëbisedim me persona tme aftësi ndryshe ditën e sotme, premtoi një ndryshim rrënjësor brenda 100 ditëve të para të qeverisjes së tij. Berisha e cilësoi trajtimin aktual të kësaj shtrese si një formë braktisjeje dhe padrejtësie, duke theksuar se ata përballen me një pension të ulët që nuk mjafton për të mbuluar nevojat bazë. Sipas Berishës, shumë pak prej tyre janë të punësuar, ndërsa administrata publike ka emra fiktivë që përfitojnë paga pa qenë realisht në vendin e punës. Kryetari i PD garantoi se nuk do të ketë më pensione nën 200 euro dhe se minimumi jetik do të garantohet për çdo qytetar me aftësi ndryshe që është kryefamiljar, duke përfshirë edhe anëtarët e familjes së tij. Për më tepër, premtimi për përmirësimin e legjislacionit dhe ndalimin e çdo forme abuzimi mbi këtë kategori shoqërore është pjesë e qëllimit të tij politik dhe human.
Lideri opozitar, Sali Berisha, premtoi se do të investohet seriozisht në këtë sektor, në mënyrë që çdo individ të ketë mundësi të zhvillojë dhe përmirësojë aftësitë e tij. Berisha theksoi se shteti, edhe pse nuk është i pasur, nëse përdor me drejtësi dhe transparencë buxhetin, mund të eliminojë varfërinë. Duke akuzuar qeverinë aktuale për shpërndarjen e padrejtë të fondeve, Berisha sjell si shembull buxhetin e vitit, i cili ishte 8 miliardë euro, por për pensionistët u ndanë vetëm 16 milionë euro. Ai e cilësoi këtë si një cinizëm dhe pashpirtësi që duhet të marrë fund. Kryetari i PD, Sali Berisha premtoi se me ardhjen e tij në qeveri, do të aplikohet “paketa e dhembshurisë”, e cila do të vendosë në qendër personat me aftësi ndryshe. Kjo paketë do të përfshijë pensione dinjitoze dhe përballimin nga shteti të të gjitha shpenzimeve të nevojshme për jetesën dhe trajtimin e tyre. Berisha shtoi se do të krijohen kushte që këta qytetarë të përfshihen në tregun e punës, sipas mundësive që kanë, ndërkohë që akuzon qeverinë për abuzime me fondet publike, edhe në sektorë të tjerë si ai i bujqësisë.
Lideri demokrat, Sali Berisha premtoi se lista e ilaçeve të rimbursueshme në Shqipëri do të jetë identike me atë të Italisë dhe do përfshijë vetëm ilaçe të miratuara në vendet e BE. Berisha garantoi se personat me aftësi ndryshe do pajisen falas me karroca dhe mjete ndihmëse, pa asnjë pengesë burokratike apo doganore. Gjithashtu, pensionistët do kenë analiza falas dy herë në vit. Ai kritikon ashpër qeverinë për mungesën e ndihmës dhe abuzimet në sektorin e shëndetësisë.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama dhe qeverinë për luks të shfrenuar dhe vjedhje me ligj, duke marrë si shembull pranimin e një ore 500 mijë euro dhuratë. Berisha kritikoi shpërndarjen e padrejtë të buxhetit, ku vetëm 16 milionë euro shkojnë për 760 mijë pensionistë, ndërsa fondet për invalidët vidhen nëpërmjet ligjeve të manipuluara.
Kryetari i PD premtoi se me ardhjen e tij në pushtet, çdo kërkesë legjitime e personave me aftësi të kufizuara do të plotësohet dhe ata do të jenë prioritet në “paketën e dhembshurisë” brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.

FJALA E PLOTË
Së pari, ju falënderoj për praninë tuaj këtu, përfaqësues të dhjetëra mijëra qytetarëve shqiptarë me aftësi ndryshe dhe t’u siguroj se ky program që ne kemi për ju brenda 100 ditëve të para do të sjellë një ndryshim rrënjësor në qëndrimin e shoqërisë ndaj jush.
Sot, qëndrimi i shoqërisë ndaj jush në një mënyrë apo një tjetër, është një lloj braktisje.
Sepse, braktisje është në qoftë se ju për problemet që keni, paguheni me një shumë qesharake.
Në qoftë se, shoqëria nuk bën çdo përpjekje për përfshirjen tuaj brenda atyre mundësive që keni në jetën normale, në punë.
Po të shohësh sot, nga 17 mijë invalidë të deklaruar në gjendje pune, janë gjithsej të punësuar 300-400 prej tyre.
Në administratën shtetërore, që e ka për detyrim, nga 220 mijë punonjës, ka gjithsej 212 invalidë.
Kjo është një aktakuzë shumë e rëndë për këtë administratë.
Dhe unë u garantoj ju të dashur miq se pothuaj një e treta e rrogave që jepen në administratën shtetërore janë në emigracion dhe nuk janë fare në Shqipëri, por janë emra të regjistruar dhe qeveritarët, zyrtarët ndajnë ato paratë njëri me tjetrin.
Kurse ju iu lënë me pensione absolutisht si aktakuzë e rëndë e kësaj vjedhje që bëhet.
140 mijë lekë pensioni, në një kohë kur shumë nga ju jeni kryefamiljarë, keni njerëz për të mbajtur, keni detyrime përveç vetes tuaj, do të thotë t’u dënosh ju me mjerim. Dhe ky, është dënimi me mjerim.
Sepse në qoftë se i jep ti tjetrit 150 mijë lekë të vjetra për të kaluar muajin me të gjithë problemet që ka, ilaçet, etj, ai nuk e përballon dot kurrë jetën.
Ne e kemi shpallur, në Shqipëri nuk do ketë pension nën 200 euro.
Por u garantoj se pensionet për ju, pra ky minimum jetik do tejkalohet sipas shkallës së aftësisë ndryshe, pa asnjë lloj hezitimi.
U siguroj se për secilin qytetar me aftësi ndryshe, që është kryefamiljar, që mban familjen, familjarët e tij do trajtohen me minimumin jetik.
Nuk do mund të bëjë kush korrupsioni mbi ju.
Shikoni çfarë djallëzie kanë bërë këta, që nuk e ka kërkush. Ligji që parashikon përmbushjen e nevojave tuaja, ai ligj nuk thotë për qytetarët me aftësi ndryshe, por thotë edhe për qytetarët me aftësi ndryshe, domethënë që të lëshohet edhe lukunia tjetër.
Por, ne qëllimin duhet ta kemi në radhë të parë për këtë grup të shoqërisë, sepse aty është prova e njerëzisë, prova e humanizmit, prova e bamirësisë.
Nuk është bamirësi, është detyrim madhor.
Ne do bëjmë gjithçka për rehabilitimin.
E kam theksua dhe e theksoj se ky është një sektor mungestar në Shqipëri.
U siguroj që investimet më serioze do bëhen në sektorin e rehabilitimit, në mënyrë që secili qytetar me aftësi ndryshe, të mund të zhvillojë, të përmirësojë aftësitë e tij, të ushtrohet dhe të rehabilitohet.
Rehabilitimi këtu është pothuajse inekzistent.
Ose po të duash ta marrësh, është shumë i kushtueshëm dhe nuk përballohet.
Ne nuk jemi ende një vend i pasur, por ne jemi, ua them unë ju me garancinë më të madhe, me vërtetësinë më të madhe, se ne jemi një vend, i cili në rast se përdor me transparencë dhe drejtësi buxhetin e vet, nuk do ketë asnjë shqiptar në gjendje mjerimi.
Sepse qeveria disponon çdo vit të ardhurat që mbledh nga qytetarët dhe ajo duhet t’i shpërndajë ato me drejtësi.
Se cila është drejtësia e kësaj qeveria në shpërndarjen e të ardhurave, unë do u jap ju vetëm një shembull.
Këtë vit ishte 8 miliardë euro buxheti, më i madhi. Po, më i madhi ishte, ua them edhe unë, se ky ka filozofinë e taksave të larta, ky vendos taksa në çdo gjë, jo ne nuk kemi këtë filozofi, ne nuk vendosim taksa në çdo gjë, në asnjë mënyrë.
Por ky 8 miliardë euro, dhe pati çfarë t’i thuash, thoni çdo epitet që mund t’i vini, la për 760 mijë pensionistë, gjithsej 16 milionë euro. 16 milionë euro për më shumë se një të tretën e popullatës. Si mundet një njeri? Kush mundet kështu? Mundet ai që ka sy, por nuk shikon se sytë e mendjes ia ka bllokuar luksi, mashtrimi, hajnia.
Si mundet ai që t’u japë pensionistëve 16 milionë euro dhe të thotë se po vura më shumë, biem në katastrofë. Kolegu i tij në Prishtinë u lë pensionistëve 6 herë më shumë, 100 milionë euro. Dhe i merr nga buxheti, nuk u thotë pensionistëve që ju e keni fondin e pensioneve kaq dhe aq do merrni. Pra ai ka 1 mijë arsye morale dhe ligjore që nga buxheti të kalojnë para për ju për ët fituar pensionet.
Po mund të rrijë invalidi, personi me aftësi ndryshe me 14 mijë lekë pensioni? Kurrë nuk mund të rrijë. Ky është një cinizëm. Kjo është pashpirtësi. Dhe kjo merr fund.
Dhe ua them ju këtu sot se paketa e dhembshurisë do fillojë më së pari me ju.
Ajo paketë do u japë përgjigje në radhë të parë çështjeve kryesore tuajat.
Në radhë të parë pensioneve dinjitoze.
E kam thënë dhe e them, shteti do të përballojë të gjitha llojet e shpenzimeve që duhet të kompensoni për aftësitë ndryshe.
Të gjitha.
Shteti do bëjë gjithçka që ju të mund të angazhoheni me aq sa e keni mundësinë, në punë.
T’u lehtësojë sa më shumë ju dhe familjet tuaja.
Ai fondacioni që është ngritur për t’ua marrë nga xhepi ato që u japin. Se këta kështu e kanë. Edhe për fermerët japin 56 milionë dhe marrin për vete 30 milionë për rroga dhe u lënë gjithë fermerëve të Shqipërisë më pak se 30 milionë.
Edhe këtu të njëjtin qëndrim mbajnë.
Lista e ilaçeve. Unë e kam premtuar zyrtarisht dhe solemnisht, do jetë identike me listën e ilaçeve të Italisë.
Do ta marrim, ta përkthejmë fjalë për fjalë dhe në Shqipëri nuk do shitet kurrë ilaç që nuk shitet në dy vende të BE, pra ilaç që nuk është miratuar nga enti evropian i cilësisë dhe kontrollit të ilaçeve.
Ne nuk jemi të pasur si Italia, por në disa gjëra do të barazohemi. Do barazohemi në qëndrimin ndaj të sëmurëve, në qëndrimin ndaj personave me aftësi të kufizuara.
Por edhe për qytetarët e tjerë, nuk mund të marrin ata ilaçet pa efekt të Tom Doshit dhe Vilma Nushit.
Shikoni ju tani, çfarë bën ajo? Ka përjashtuar pensionistët nga check-upi.
Ne do ua bëjmë pensionistëve falas. Analizat e përgjithshme dy herë në vit, çdo pensionist që të dëshirojë, do ketë mundësi të kontrollojë shëndetin e tij.
Nuk do mund të diskutohet më çështja e karrocave, çështja e mjeteve të tjera që u duhen ju.
Sot është një situatë absurde. Unë njoh një mik dhe ai marr nga jashtë disa mjete për jetën e përditshme, ka kryer një operacion. Atij i marrin në doganë 140 përqind të çmimit me të cilin i blen në Francë këto mjete. Pra, në qoftë se i blen në Francë 100 euro, paguan në doganën e Shqipërisë 140 euro.
Dhe çfarë janë ato? Ato janë mjetet më të domosdoshme për një njeri që ka bërë një operacion të caktuar.
Merr fund ky absurditet!
Këta janë lëshuar si lukuni ku e ku t’i marrin qytetarëve dhe për vete vetëm vjedhin. Për vete janë çmendur pas luksit.
Shihni, qenia zyrtar kërkon të respektosh një kod të caktuar dhe ky kod është përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Qenia zyrtar nuk pranon të jesh i çmendur pas luksit. Jo, absolutisht, ua them unë ju.
Kudo, shihni ju ministre, ministra, ka një kod. Po ato bëjnë garë me rrobat më të kushtueshme, sikur janë princesha dhe i kanë private ato para. Me aksesorët më të kushtueshëm sepse del se kryeministri i tyre pranon orë 500 mijë euro dhuratë.
Atëherë thotë se këta hanë dardha.
Po si hanë dardha këta kur ti pranon orën me diamante 500 mijë euro. Edhe ato thonë, edhe ne po marrim çantat 30 mijë euro apo 40 mijë euro.
Unë po ndalem këtu se luksi për zyrtarët është i papranueshëm.
Sepse po e lëshoi veten pas luksit, e lëshon veten pas dore. Vjedh, vjedh, pranon dhurata super të shtrenjta për të bërë favore, për të përdorur pushtetin dhe për të dhënë leje ndërtimi, për të dhënë licenca.
Kështu që në këtë mes, 11 maji është një ditë përcaktuese, është një ditë vendimtare.
Ndaj dhe u ftoj të bëni çfarë keni në dorë me të njohurit dhe të afërmit tuaj, brenda dhe jashtë vendit, që të votojmë për t’u ndarë me këtë të keqe të madhe.
E them me bindjen më të madhe se kjo është një e keqe e madhe. Kjo e zbraz Shqipërinë. Kjo po i braktis qytetarët.
Që në momentin që ti kryeministër i lejon vetes që nga 8 miliardë euro të lësh 16 milionë për 760 mijë vetë. Po ja pra pse në Mal të Zi pensioni ka shkuar 450 euro nga 138 euro në vitin 2013. Ja pse është rritur trefish edhe në Maqedoni, edhe në Serbi. Ja pse është qartësisht më i lartë edhe në Kosovë.
Sepse nuk ka kryeministër që bën këtë që bën ky. E mendon se paratë i duhen kthyer qytetarëve në rroga, pensione, shërbime.
Dhe unë u siguroj që do plotësojmë çdo kërkesë legjitime.
Ligji do e amendojmë së bashku me ju.
Ai që ka vënë edhe atë ‘edhe invalidët’, ai ka dëshmuar se është një hajdut se përdor ligjet për të vjedhur edhe fondet tuaja, në vend që ato të ishin vetëm për invalidët. Se ky është përcaktimi kudo.
Po këta gjejnë edhe këtë mënyrë, Edi Rama gjen edhe këtë mënyrë.
U falënderoj dhe u ftoj që programin, çfarëdo kërkesa, probleme që u shqetësojnë dhe ju kërkoni t’i adresoni, t’i paraqisni te departamenti, që e falënderoj për punën që ka bërë dhe bën, dhe u siguroj se ato 100 ditët e para do marrin përgjigje.
Ju do jeni përparësia më e parë në paketën e dhembshurisë, dhe ne e kemi.
FJALA PËRMBYLLËSE
Ju falënderoj shumë për ndërhyrjet që bëtë.
Do doja që këto diskutime që bëtë sot, do mund t’i dëgjonte një shqiptar me zemër.
Për të kuptuar atë që thashë me shumë keqardhje në fillim se ju jeni njerëzit më të braktisur të këtij vendi.
Për të dëgjuar se si kjo qeveri, një kuadër ligjor dhe trajtimi që kishim vendosur ne, kuadër fillestar e quaj unë, dhe ai ishte për t’u ndërtuar, se si edhe atë e zhdukën, e reduktuan, e zvogëluan dhe e injoruan.
Iu injoruan juve!
Në qoftë se mendon jetesën e një njeriu që ka lindur me shikim të humbur, me 140 mijë lekë në muaj, faktikisht ti e lë atë në mëshirë të fatit.
Ju e bëtë shumë të drejtë përllogaritjen zoti kryetar të familjes, të cilës me laps në dorë, me shumë të drejtë, i duheshin 390 mijë lekë për një jetë minimale normale. Janë absolutisht të vërteta këto që thatë ju.
Kur kam thënë minimumi jetik 200 euro, kam pasur parasysh minimumin jetik për person.
Por përveç kësaj, ne parashikojmë edhe disa lehtësira të tjera.
Ne parashikojmë që ushqimet ta blihen pa taksa nga ju. Kjo do të thotë se do dorëzohen faturat e ushqimeve të blera dhe do merren 20 përqindëshi i çmimit, që përbën 450 euro në vit. Me pensionet e sotme, përbën 3 pensione dhe më shumë.
Të kërkosh pagesa, të vësh taksa mbi ju, është jo vetëm e kundërligjshme, që nuk ka asnjë bazë ligjore, por është absolutisht amorale gjer në fund.
Të rëndosh një person me aftësi ndryshe me taksa njëlloj si atë që ka aftësitë normale, këtë nuk mund ta bësh normalisht kurrë.
U garantoj se ato pagesa që bëni, do hiqen absolutisht.
Jo vetëm që do hiqen, por qeveria kompanive private që punësojnë qytetarë me aftësi ndryshe, do u paguajë sigurimet shoqërore.
Qeveria do të detyrojë të gjitha institucionet që ju thatë. Aq është ligji. Në 25 punonjës, një duhet ta kenë. Dhe do ta bëjnë sepse është një test i fuqishëm jo vetëm i zbatimit të ligjit, por edhe i dhembshurisë së shoqërisë.
Sepse morali është themeli i çdo zhvillimi.
Ju thoni e kanë zbritur në 100 mijë lekë naftën. A e dini ju se të gjitha këto jahtet luksoze, që i shtrojnë nga një drekë apo darkë Edi Ramës, vijnë dhe marrin 500 mijë deri në 1 milion litra naftë? Dhe thotë se po na ndërojnë që po vijnë se na bëjnë reklamë. Çfarë reklame po na bëjnë?
Po qe se vjen, mirësevjen, të shtroj unë një drekë, por naftën nuk ta jap me 50 lekë se nuk e kam timen. Naftën e blej me para të qytetarëve. Është e paimagjinueshme.
Pra, merrni me mend se çfarë shpirti ka.
U heqin ju naftën dhe e çojnë tek miliarderët.
Lidhur me qendrën kombëtare, absolutisht do ketë administrimin më transparent që do vendosim bashkërisht.
Këtë program do e shkruani ju.
Ky është projekti që kemi paraqitur, por unë gjer tani nuk dëgjova asnjë teprim, asnjë kërkesë abuzive nga ju, përveçse kërkesat më minimale për mbijetesë dhe që janë 100 përqind të mundshme për t’u realizuar pa cenuar asnjë qytetar tjetër, askënd.
Këtu të dashur miq ka një vjedhje të papërmbajtur, ju nuk mund ta imagjinoni. Kur kryeministri hap shishen e verës 33 mijë euro, u garantoj se hera e parë në jetën time që dëgjoj që një kryeministër hap shishe 33 mijë euro. Princat e hapin, por kryeministrat jo. Nuk blejnë kryeministrat, asnjë kryeministër, kam qenë në të gjitha kancelaritë e mëdha, në Shtëpi të Bardhë, Elize, Japoni dhe në kancelarinë gjermane dhe nuk kam parë kurrë unë një Kopsht Edeni 5 milion euro për të kënaqur këtë njeri, që shumë epitete nuk mund t’i vësh, por nuk do ndalem në to…
Një njeri që në shpirtin e tij nuk ka pikën e njerëzisë.
Dhe tani, duke e ditur që u ka injoruar totalisht, jo vetëm ju, por edhe qytetarët, kjo tregon mendësinë e tij.
Si mund të tatosh ti njëlloj njeriun me aftësi ndryshe me tjetrin?
Çfarë pagese kujdesi qenkan 20 mijë lekë nga 120 mijë që ishin?
Ky ndoqni politikën, ikni, ikni, ikni.
Kjo është çnjerëzi.
Dhe një gjë u garantoj, që programi juaj, në mënyrë absolute do zbatohet 100 përqind dhe kuadri i zbatimit të tij do jetë i pari i paketës së dhembshurisë.
Paketa e dhembshurisë do jetë 3 muajt e parë.
Por ajo do të fillojë me ju.
Kurrë mos të harrojmë, ne kemi projektin e Shqipërisë Madhështore, por Mahatma Gandi e ka lënë të pavdekshme thënien se madhështia e një kombi provohet në qëndrimin që mban ndaj anëtarëve të tij në nevojë.
Jemi në një fushatë elektorale, natyrisht normale që në këtë fushatë forcat politike të hartojnë programin dhe të paraqesim programin dhe ne jemi mirënjohës për të gjitha diskutimet që bëmë.
Shikoni çfarë bën. Çdo ditë në një përqeshje me qytetarët shqiptarë, sikur ata nuk kanë hallë, merret me zhapinj, më kënetën, merret me bufin, merret me Lulin, fut dhe Bravën në valle, hajde të bëjmë pak gallatë se kështu duan shqiptarët.
Jo mor zotëri, nuk duan gallatë shqiptarët. Shqiptarët kanë halle shumë. Shqiptarët duan të ndërtojnë jetën në Shqipëri, duan të jetojnë si njerëz në këtë vend, duan të kenë gjërat bazë të siguruara, duan që fëmijët e tyre të ndërtojnë ëndrrat në Shqipëri.
Dhe unë u siguroj se ky program ka qëllimin kryesor dhe u garantoj se do zbatohet pikë për pikë.
Se nuk do ketë mungesa për ju, në mënyrë absolute dhe se shqiptarët do marrin ilacet më të mira. Ato ilace që hyjnë në vendet e BE, që janë standarde, asnjë tjetër nuk do të futet në Shqipëri dhe se lista e rimbursimit do të jetë e njejtë me Italinë. Dhe se ne, gjersa të dalim nga kjo situatë e dhimbshme nuk reshtim, me rritje rroga dhe pensionesh, me rritjen e mbështetjes për personat me aftësi ndryshe, me projektin tonë për një Shqipëri pa dhimbje, për një Shqipëri të jetueshme. Një vend me shpresë, një vend që ecën gjithnjë drejt së ardhmes.
Ju falënderoj, edhe njëherë.
Ju garantoj se do të ndërtohen qendrat më të mira. Shtëpi rezidenciale do të quhen ato, me të gjitha kujdeset, dhe është shumë e domosdoshme. Ju shtroni një gjë shumë të drejtë dhe nuk jeni vetëm ju.