FJALIMI I KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË 33-VJETORIN E PARTISË DEMOKRATIKE
EKSTRAKT
Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha dërgoi përshëndetje të përzemërta për të gjithë demokratët, ish-studentët e dhjetorit dhe qendrestarët e vërtetë të opozitës, tha gjatë fjalës së tij në 33-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike se, Partia Demokratike ia doli në një mision të jashtëzakonshëm të faktohettë dhe dëshmohet si parti e misioneve të pamundura.
Berisha gjatë fjalimit të tij të mbajtur në këtë 33-vjetor themelimi tha se, Partia Demokratike rrëzoi me 22 mars dhe arkivoi në histori pushtetin 46-vjeçar të Partisë së Punës.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, vitet më të rënda për demokratët kanë qenë vitet 2013-2021, ku udhëheqja e PD u kthye në një udhëheqje pazaresh. Berisha tha se, aso kohe PD nuk mbrojti interesat e popullit opozitar dhe as interesin kombëtar.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se, sot nuk ka forcë, nuk ka regjim, nuk ka diktaturë që mund t’i rezistojë betejës së opozitës me mosbindje civile pa kthim. Berisha tha se, sot e duam lirinë 33 herë më shumë se në vitin ’90, kur nuk e njihnim.
Berisha tha se, të gjithë sot si demokratë dhe demokrate, jemi 33-vjeçarë, por betejën e fitojmë me 20-vjeçarët dhe të rinjtë shqiptarë.
FJALIMI I PLOTË
Të dashur demokrate dhe demokratë, në ktë sallë dhe kudo që jeni sot. Mbështetëse dhe mbështetës të PD, opozitare dhe opozitarë në Shqipëri, në emigracion, në diasporë dhe kudo që ndodheni.
Të dashur ish-studentë dhe studente të dhjetorit ’90, që me guximin tuaj, me vizionin tuaj ndatë histori dhe epoka. Vepra juaj është një nga aktet më madhore në historinë e lirisë së shqiptarëve. Është akkti më madhor pas Pavarësisë së Shqipërisë.
Ju përshëndes sot, dhe përulem para jush me nderimin më të pakufijshëm.
Të dashur miq të mi, themelues të PD, mbështetës të saj në orët e para, kam kënaqësinë që ju shoh sot këtu. Ju përshëndes me shumë shumë mirënjohje për kontributin tuaj.
Përshëndes të gjithë ata të cilët u bashkuan natën apo ditët e dhjetorit ’90 dhe vendosën më 11 dhjetor themelimin e PD.
Ata ishin studentë, intelektualë, por edhe punonjës, të cilët kishin dy gjëra të përbashkëta: guximin të vendosnin për krijimin e një partie që o qendronte karshi PPSH, e cila edhe një javë pas themelimit të saj do të shpallte doktrinën terroriste marksiste-leniniste si doktrinë të sajën.
Por ata kishin gjithashtu edhe individualitetin e tyre. Njerëz me kontribute nga fushat nga vinin, njerëz të cilët dhanë një ndihmesë mendoj unë të madhe, dhe ai individualitet ishte në vlerësimin tim jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ruajtur shpirtin demokratik të PD, e cila themelohej në kushtet e një monizmi të plotë total ekstrem.
Dua të përshëndes këtu të gjithë drejtuesit aktual të PD, të cilët kanë një barrë po kaq pothuaj të rëndë dhe të vështirë sa drejtuesit e saj në themelim.
Atëherë ne përballeshim në të vërtetë me diktaturën më të egër të kohës, diktaturë e lodhur ishte ajo, diktaturë e drobitur, e dëshpëruar ishte, por përsëri diktaturë që ekzekutonte në kufi çdo javë të rinj dhe të reja, sepse niseshin për botën e lirë.
Pra, një diktaturë që në çdo moment mund t’u rikthehej metodave më të egra. Por anëtarët, simpatizantët, drejtuesit e PD qendruan. Qendruan në një betejë, themeluan dhe konsoliduan PD e cila uhdëhoqi një front antikomunist.
Do t’u them këtu të vërtetën.
Kur ajo u themelua, përveç shqiptarëve që kishin vuajtur dhe që prisnin me padurim të shihnin dhe ata ndryshimet që kishin ndodhur në vende tjera, pak kush mund t’u besonte këtyre njerzve të panjohur, pak kush mund të mendonte se këta do të përmbysnin diktaturën kundës së cilës u ngritën.
Por PD ia doli në një mision të jashtëzakonshëm të faktohet, të dëshmohet si parti e misioneve të pamundura. Ajo rrëzoi më 22 mars dhe arkivoi në histori pushtetin 46-vjeçar të PPSH.
Atë ditë që u mblodhëm në shesh, e vërteta se përveç frymëzimit, përveç idealeve, ne nuk kishim projektin e plotë të asaj që do ndërtonim. Pse nuk e kishim? Sepse ne dilnim nga një izolim i plotë total. Dilnim si njerëz që nuk kishin jetuar një ditë në liri. Dhe unë po ua përsëris këtu një gjë që mund t’ua kem thënë edhe herë tjera.
Unë dilja jashtë shteti, qendroja atje i skllavëruar dhe kthehesha këtu i skllavëruar njëlloj. Kjo ishte gjendja jonë kur ne fituam mni diktaturën.
Por njerëz me vullnet, njerëz me ideale, njerëz të cilët u përpoqëm me të gjithë energjitë tona të ndërtojmë atë vend që ishte jetik, të ndërtojmë rendin, të cilët shqiptarët nuk e kishin njohur ndonjëherë në histori. Me një angazhim të qytetarëve shqiptarëve, të demokratëve, ia dolëm që Shqipëria nga vendi më i hiperkolektizuar i planetit, në katër vite të kishte të prodhimit të brendshëm nga sektori privat.
Ia dolëm të ndërtojmë institucionet kushtetuese të shtetit demokratik.
Ia dolëm të mbjellim shpresën.
Miqtë e mi!
Në vitin 1992, 204 dollarë ishin të ardhurat për frymë. Por ato u dyfishuan nga viti në vit. Dhe ky dyfishim nuk ishte i madh si shumë, por si shpresë ishte shumë i madh.
Rritëm nga viti në vit besimin e shqiptarëve te Shqipëria. Hapëm rrugët.
PD u themelua si partia e parë në Europën ish-komuniste që kërkoi anëtarësimin e vendit në NATO. Partitë e tjera u themeluan, por në deklaratat e tyre të para kërkonin jashtë blloqeve, as Varshava, as NATO-ja, kurse ne direkt NATO-ja dhe ia arritëm të realizojmë këtë ëndërr të madhe të shqiptarëve. Ia arritëm me besimin tonë më parë të antëtarësoheshim në Këshillin e Europës. Ia arritëm të lëvizim lirshëm. Ia arritëm të rrisim të ardhurat për frymë, ndoshta sa asnjë vend tjetër në kushte të tregut, të dalim me të ardhurat të treta të ulëtat në botë krahas Ugandës dhe Angolës, në grupin e vendeve të mesme të larta.
Arritëm që Shqipëria të jetë një vend i jetueshëm. Në një vend në të cilin popullata rritej nga viti në vit, madje dhe të ktheheshin qindra e mijëra familje shqiptare nga emigracioni.
Kjo është trashëgimia e çdo demokrati, e çdo demokrateje. Ky është është kontributi që dha për këtë vend secili nga ju, dhe qindra e mijëra të tjerë që nuk janë sot këtu.
Por PD është parti idealesh dhe pikërisht se ajo është e tillë mbetet parti e një vitaliteti të jashtëzakonshëm.
Kujtoni pak vitin ’97, se si u copëtuam. Por kujtoni vitet më pas se si u ngritëm jashtë çdo lloj parashikimi. U rikthyem dhe ndërmorëm reformat që përmenda.
Vitet më të rënda, më të vështira për ju demokrate e demokratë kanë qenë vitet ‘13-‘21.
Sot bisedoja me një bashkëpunëtor timin dhe më thotë se nuk e kuptoj, këta që takoj unë, demokratët na thonë se ne e mbështesnim Lulzim Bashën për shkak të Doktorit. I them unë se kjo është absolutisht e vërtetë dhe të gjithë ata që thonë këtë, thonë të vërtetën. Ky është realiteti.
Nuk dua të ndalem, por drama që përjeton sot Shqipëria i ka rrënjët pikërisht nga shndërrimi i udhëheqjes së PD nga një udhëheqje e guximshme dhe idealiste në një udhëheqje pazaresh të turpshme, pazaresh amorale. Dhe ajo po e çonte këtë forcë të mrekullueshme politike de facto drejt shuarjes së saj morale. Drejt transfigurimit të saj në një forcë që nuk duhej të ekzistonte.
Ajo nuk mbrojti interesat e popullit opozitar, por nuk mbrojti interesin kombëtar.
Miqtë e mi!
Më 21 dhjetor të vitit 1991, në një Ballkan që akoma ishte nën diktatura dhe regjime të vjetra, ne u ngritëm nga ai shesh dhe deklaruam se çështja jonë kombëtare do jetë ylli ynë polar.
Shpallëm interesin kombëtar si yllin polar të PD. Nuk ishte e thjeshtë, ju them unë ju, se të tjerë rreth nesh këtë nuk e pranon kurrë. Por ne nuk duhet të ishin më qoftë se nuk shpallnim çështjen kombëtare dhe interesin tonë kombëtar si yllin tonë polar. Nuk u trembëm, i qendruam këtij parimi dhe në bashkëpunim të ngushtë më ish-presidentin e Kosovës, të pavdekshim Ibrahim Rugova, udhëheqës të tjerë të politikës shqiptare në rajon, ne ia dolëm që çështjen kombëtare ta shndërrojmë në çështje axhende të gjithë kancelarive dhe institucioneve të madha të botës.
PD pas vitit 2013, i ra vizë kësaj çështje dhe ndoqi me përpikmëri qendrimet antikombëtare, antishqiptare të Pashiqit të Tiranës, Edi Rama.
Përsëri forcë politike e idealeve, në kushte shumë të vështira, jashtëzakonisht të vështira, unë jam dëshmitar se sa e zorshme ka qenë për secilin prej jush të mbështesni rithemelimin në kushtet kur korrupsioni transnacional u përdor për t’i dhënë colpo di grazia PD-së. Kjo nuk ndodhi se ju ishit besnikë të idealeve tuaja. U ngritët dhe sot jemi në këmbë. Sot jemi më të vendosur se kurrë për të bërë këtë betejë gjer në fitoren e PD-së.
Miqtë e mi!
Sot jemi 33-vjeçarë që të gjithë, jemi në moshën më të fuqishme të betejës pa kthim. Sot jemi 33 herë më të dijshëm, më vizionarë, më të vendosur, për të ecur të sigurt drejt fitores. Sot ne e duam Shqipërinë 33 herë më shumë se ç’e kemi dashur në vitin ‘90.
Sot e duam lirinë 33 herë më shumë se ç’e kemi dashur në vitin ’90, kur nuk e njihnim.
Kështu që sot nuk ka forcë, nuk ka regjim, nuk ka diktaturë që mund të na rezistojë ne në betejën tonë me mosbindje civile pa kthim.
Por sot, ne të gjithë, demokratë dhe demokrate, kudo që jemi, jemi 33-vjeçarë, por betojën e fitojmë me 20-vjeçarët, e fitojmë me 22-vjeçarët, e fitojmë me të rinjtë shqiptarë.
Ata kanë ikur shumë, kanë ikur këto 10 vite qindra e mijëra nga Shqipëria, por prapë qindra e mijëra janë në Shqipëri.
Nga t’ia nisim? Tek fëmijët tanë, kudo që janë, në ballë të kësaj beteje.
Nga t’ia nisim? Tek fëmijët e popullit opozitar, kudo që janë, në ballë të kësaj beteje.
Nga t’ia nisim? Te çdo i ri dhe e re e këtij vendi që beson në një Shqipëri europiane.
Pra, beteja pa kthim që ka nisur në parlament është drita në fund të tunelit, që duhet të ndriçojë mendjen, zemrën, shpirtin e çdo demokrati dhe demokrateje.
Duhet të bëjmë gjithçka, t’i marrim me vete, t’i vendosim në piedestal të rinjtë e këtij vendi.
Nuk ka forcë në botë që u reziston atyre.
Ndaj dhe njëherë, duke iu uruar gëzuar këtë 33-vjetor, u bëj thirrje të jetë kjo një ditë betimi për ne dhe për çdo demokrate e demokrat, betejë pa kthim deri në fitoren tonë.
Rroftë Partia Demokratike. Rroftë opozita shqiptare!
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Faleminderit shumë!