FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E PROGRAMIT TË QEVERISJES 2025-2029 PËR PRONAT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë prezantimit të programit të qeverisjes së PD për vitet 2025-2019 për pronat, theksoi rëndësinë e pronës dhe pronësisë si shtylla themelore të parimeve konservatore, duke i lidhur ato me lirinë e individit dhe zhvillimin e një vendi. Berisha tha se, gjatë regjimit komunist, u krijua një mendësi antipronë, ku prona private shihej si një e keqe. Diktatura ka pasur ndikim të madh në këtë aspekt, duke krijuar një kulturë ku ishte e turpshme të deklaroheshe pronar, ndërsa pronarët e tokave ishin të kufizuar në të drejtat e tyre. Berisha gjithashtu kritikoi Ligjin 7501, duke argumentuar se ai ishte pasojë e një mendësie antipronë, duke e bërë shumë të vështirë kthimin e pronave të sekuestruara dhe rikthimin e pasurisë private në Shqipëri. Lideri demokrat e konsideron këtë ligj të padrejtë dhe të diktuar nga një realitet i vështirë dhe psikologjia e regjimit të kaluar.
Kryedemokrati, Sali Berisha akuzoi qeverinë aktuale për zgjidhjen e pamjaftueshme të çështjes së pronave, duke theksuar se nga 26,000 dosje, janë trajtuar vetëm 800 që nga viti 2014. Berisha vlerësoi periudhën 2005-2013, kur PD miratoi ligje që ndihmuan në rikthimin e pronave dhe kompensimin e pronarëve, duke rikthyer 106,000 hektarë tokë dhe dhënë dëmshpërblime prej 37 milionë eurosh. Sipas Berishës, qeveria aktuale ka penguar zgjidhjen e këtij problemi.
Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi Ramën dhe qeverinë e tij për abuzimin me pronat, duke përfshirë kryeministrin që shfrytëzoi detyrën për të bërë pronar të tokës në Himarë pa dokumente të ligjshme. Berisha kritikoi zyrtarët që kanë marrë prona publike pa të drejtë dhe kundërshton ligjin e Korporatës së Investimeve, që lejon konfiskimin e tokave për interesat e qeverisë dhe grupeve të fuqishme.
Lideri i PD, Sali Berisha garantoi se PD është e vendosur të zgjidhë përfundimisht çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave gjatë një mandati të ardhshëm. Ai theksoi se nuk do të njihet asnjë përfitim për ata që përfitojnë nga ligje të padrejta dhe paralajmëron se ky do të jetë një krim i madh. Berisha premtoi se do të ndërhyhet në çdo ligj dhe do të merren masa për të dhënë një zgjidhje të ndershme për pronarët, me kompensim fizik ose financiar. Kryedemokrati kritikoi 12 vendimet e fundit që lejojnë ndërtimin mbi tokat private dhe i quan ato aktet antikushtetuese dhe antiligjore. Sipas Berishës, çdo ndryshim i destinacionit të tokës publike duhet të kalojë automatikisht tek pronari me të drejtë parablerje dhe pronësie.
FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt ju, zonja dhe zotërinj në këtë paraqitje të programit për pronën. Një falënderim dhe mirënnjohje për panelistët për punën që kanë bërë.
Prona dhe pronësia, e drejta e saj, janë një nga shtyllat më kryesore të parimeve dhe të mendimit konservator. Janë të pandara nga liria e individit. Janë të pandara nga sistemi i iniciativës së lirë, stabilitetit dhe zhvillimit të një vendi.
Për ata që kanë përjetuar diktaturën komuniste, në qoftë se ka patur dy drejtime në të cilat kjo diktaturë ia doli, njëra ishte drejtimi i krijimit të një shtrese shumë të gjerë ateiste nga frika në popullin shqiptar. Persekutimi i egër i klerikëce dhe i të tjerëve. Ndëshkimet e hapura të riteve fetare. Pjesën tjetër të popullatës e nënshtroi dhe bëri që në një mënyrë ose në një tjetër të heqin dorë nga besimi tek Zoti.
Kjo evidentohet edhe sot, ku në regjistrimin e popullatës, një pjesë e madhe e shqiptarëve regjistrohen ateistë, kur para diktaturës ata kurrë nuk kanë qenë të tillë.
Por duhet ta pranojmë se, një sukses të ngjashëm pati diktatura edhe me qendrimin ndaj pronës. Në manifestin e Karl Marksit, i cili është absolutisht filozofi i terrorizmit planetar, prona private shpallet ‘mother matrix’, nëna e të gjitha të këqijave , dhe shkatërrimi i saj shpallet si objektivi më madhor i sistemit komunist.
Çfarë ndodhi në atë sistem? Se tani, edhe nuk ia vlen të kujtohet, por ato kanë patur pasqyrime të mëdha prapa. Në atë sistem u bë krenari të thuhej që kam qenë i varfër, u bë krenari të thuhej që reforma nuk më ka prekur gjë në biografi, u bë krenari të thuhej se ishe më i mbështetur.
Pra, a krijoi diktatura një mendësi antipronë private? Po, e krijoi, nuk mund të mohohet. Dhe ky mentalitet, kjo psikologji, a vazhdoi kjo pas rënies së ditkaturës komuniste? Vazhdoi dhe është, jo në fuqi, por është e gjallë edhe sot.
Ligjet e para që miratuam, ishin ligje të diktuara, sigurisht një realitet tjetër ekzistonte, i vështirë. Por, absolutisht miqtë e mi, ato ishin ligje të diktuara nga ajo psikologji antipronë, në të cilat kufizohej në 5 mijë metra, në 10 mijë metra njohja, kthimi dhe në shumë aspekte transformimi i Shqipërisë në një rezervat njerëzor e bënte shumë të vështirë rikthimin e menjëhershëm të tokave pronarëve.
Por, po të mos ishte kjo psikologji, jam shumë i sigurt që ligji 7501 nuk do ishte ky që është.
Pra, ligji 7501, një ligj i padrejtë ndaj pronës, u diktua së pari nga realitet ku 75% e shqiptarëve ishin ngujuar në fshat, dhe t’ua hiqje tokën mbeteshin vetëm me qiellin mbuluar, por asnjë diskutim që ai përcaktim, ai ligj kishte në bazë dhe psikologjinë e hapur antipronë. Pra, kjo në qendrimin ndaj pronarëve.
PD, duke miratuar ligje që nuk i dhanë përgjigjen e drejtë rikthimin e drejtë të tokës te pronarët, ajo bëri hapa gjigante, sa asnjë forcë tjetër politike në Europën ish-komuniste me banesat. Ajo bëri pronarë shqiptarët të banesave ku kishin jetuar të 224 mijë apartamenteve të ndërtuara në 50 vite.
Në një mënyrë, ose një tjetër krijoi fermat e vogla në fshat, por prap ajo hodhi hapa të drejta për kompensimin fizik të pronës dhe filloi ta aplikojë në bashkëpunim me pronarët atë skemë.
Në vitet 2005-2013, nuk u korrigjuan të gjitha ligjet, por shumë nga kufizimet u hoqën. Dhe ajo ç’ka mund të them unë, Agjencia e Kthimit dhe e Konpensimit të Pronave ktheu faktikisht 106 mijë hektarë tokë, nga të cilat mbi 14 mijë truall, të tjera tokë bujqësore, kullota.
Kjo agjenci, me një punë efikase arriti të rikthejë qindra e qindra objekte, dhe të dëmshpërblejë financiarisht ish-pronarët me 37 milionë euro. Agjencia, përveç këtyre, përzgjodhi 71 mijë hektarë tokë publike për të kompneuar pronarët.
Pra, krijoi një fond vërtet të fuqishëm për kompensimin e pronarëve për tokat që nuk i kishin më.
Nga viti 2014 gjer sot janë kthyer gjithësej, janë zgjidhur gjithësej 800 dosje. Është bërë gjithçka që kthimi dhe kompensimi i pronave të pengohet në shkallën më maksimale. Nga 26 mijë dosje, janë zgjidhur gjithësej 800 dosje.
Jo vetëm kaq. Pra, dëshmia e një vullneti për të mos zgjidhur problemin e pronave.
Por këto vite, kanë qenë vitet e plaçkitjes më të madhe të pronës që nga vitet ’46.
Një lukuni e tërë zyrtarësh, me në krye Edi Ramën, u vërsulën mbi pronat private në të katërta anët e vendit.
Vetë Edi Rama, shfrytëzoi marrjen e detyrës së kryeministrit për t’u bërë pronar i një sipërfaqeje të madhe toke në Himarë, pa asnjë dokument kadastral, pa asnjë dokument konfiskimi nga regjimi komunist, pa asnjë dokument kadastral nga kadastrat e shkuara.
Me dëshmi të rreme, me akte falsifikatore, dokumentet e familjes të të cilit faktojnë se stërgjyshi i tij, Thomai, kishte gjithësej 4 dhi. Kaq i pasur ishte, dhe Spiro Koleka deklaron se nuk keni patur asnjë pronë tjetër. Dhe, kjo nuk ishte vetëm një familje, sepse Spiro ishte me shkollë.
Nushërt, me të cilët i ka marrë tokat, nga varfëria kishin ardhur në Tiranë. Kjo është e vërteta. Janë dokumente.
Dhe tani në një akt të padëgjuar ndonjëherë, drejtori i Arkivës Shtetërore na del deputet i partisë falsifikatore. Kjo është e vërteta.
Po ky njeri, me firmën e tij, i jep të vëllait 38 mijë m2 tokë të pronarëve të Tiranës, te Rrapi i Treshit. I vëllai është drejtori, a menaxheri i klubit Partizani, i jep gjoja skuadrës.
Olta Xhaçka, merr 10 mijë m2 tokë publike, kurse ky, ka rrezik shumë që të jetë një pjesë e kishës. Nga toka që kanë marrë këta, nuk përjashtohet mundësia që një pjesë është e kishës. Me gjithatë, po e hetojmë, po e shohim.
Pra, u vërsulën në mënyrë të pangopur të bëhen pronarë. Ligji i Korporatës së Investimeve është ligji shkatërrimtar i pronës. Është ligji i vitit 1946.
E kam theksuar, ua tregoj prap. Një grup financiar i fuqishëm më kontaktoi kur isha kryeministër, dhe premtoi një investim 15 miliardë euro. Duke punuar me ta, konstatoj se ata kishin këtë projekt. Dhe iu thashë, se kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Që unë, të autorizoj veten me ligj që t’ua marr tokën të tjerëve, harroje se ndodh kjo!
Në qoftë se këta multimiliarderët duan të investojnë paratë e tyre, janë shumë të mirëpritur, le t’i blejnë tokat me pronarët, të mbajnë marërveshjet me pronarët. Po ajo, nuk mund të ndodhë në një sistem demokratik.
Ikëm ne nga pushteti, ai, me atë ligj, edhe më keq se sa ksihin paraqitur ata, e vetojnë në parlament dhe ai ligj e autorizon atë. Fillimisht, e autorizonte nga Velipoja tek Kepi i Stillës. Tani,e autorizon në të gjithë territorin e Shqipërisë. Kudo që t’i vejë syrin qeveria dhe trafikantët e tij, ai ka autorizimin ta konfiskojë tokën me çmimin që do.
Në një dalje të posaçme për këtë, unë kam bërë të qartë, të gjithë atyre të cilët bëhen përfitues nga ky ligj, se në mënyrë absolute nuk do t’iu njihet asnjë përfitim. Përkundrazi, do të quhet bashkëpunim në një krim të madh.
Dhe, jam sot këtu për të garantuar pronarët se, PD është e vendosur t’i japë zgjidhjen e plotë dhe përfundimtare çështjes së kthimit dhe kompensimit të pronave gjatë 1 mandati, mandatit të saj të ardhshëm.
Specialistët, ekspertët më kanë njohur mua me shuma të mëdha, të cilat duhen për t’iu përgjigjur këtij problemi. Çdoshumë që duhet për t’iu përgjigjur këtij problemi, qeveria do ta përballojë.
Zgjidhja përfundimtare e çështjes së pronës, është zgjidhja përfundimtare e çështjes së sistemit. Pa vendosur sistemin në bazën e tij pronësore, sistemi nuk gjen kurrë stabilitet.
Ndaj dhe unë i siguroj pronarët se do të ndërhyhet në çdo ligj, se do ndërmerret çdo vendim për t’i dhënë zgjidhjen më të ndershme me rregulla dhe kushtet e tregut, me kompensim fizik ose financiar, ose forma tjera të përzgjedhura nga pronarët, bashkëzhvillimit, etj., dhe kjo çështje nuk do ekzistojë, do marrë përgjigjen përfundimtare.
Çfarë ndodh?
12 vendimet e fundit. Të 12 vendimet e fundit, në pamje të parë institucione shtetërore. Që të gjitha mbi troje private të ndërtuara. Bëhen ndërhyrjet, ngrihen gradaçelat dhe pronari nuk ekziston. Ose pronarit i thuhet do marrësh kaq. Kurrë nuk do mund të ndodhin. Dhe ky është një akt antikushtetues. Është akt antiligjor.
Ligji dhe parimi themelor thotë se, në rast se një tokë publike do ndryshojë destinacionin, apo do tjetërsohet, automatikisht i kalon pronarit me të drejtë parablerje dhe pronësie të padiskutueshme.
Këtu, i ka dhënë institucionet të tëra, me Asllan Rusin, me Selman Stermasin, me të gjitha, që janë të gjitha të ndërtuara mbi toka pronarësh dhe tani i marrin oligarkët, i marrin trafikantët, dhe kjo është njësoj si në ’46-tën.
Normat e vlerësimit dhe të kompensimit do të jenë ato të tregut dhe vetëm të tregut.
Prona private, do mund të zhvillohet mbi bazën einteresave të pronarit dhe para së gjithash, interesave të pronarit.
Në qoftë se, paskemi një projekt te Asllan Rusi, jepu pronarëve 40, 50% të atij projekti siç u takon. Nuk të pengojnë ata.
Po përdorimi i tyre, trysnimi i tyre me mafiozë, me shtet, me të gjitha mënyrat është një persekutim i vërtetë i dytë politik që iu bëhet.
Panelistët kanë bërë një punë shumë të çmuar. Janë njerëz që e njohin në themel pronën, parimin, ligjin e pronës dhe pronësisë. Do japin ekspozetë e tyre, dhe i garantoj se çdo pronar është i ftuar të japë mendimin për zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi në 4 vitet që vijnë.
Shqipëria ka çdo mundësi që problemet e trashëguara me pronarët legjitimë dhe me të përndjekurit politikë t’i mbyllë gjatë 4 viteve që vijnë, dhe do t’i mbyllë ato.
Miqtë e mi, askush nuk mund ta imagjinojë se në çfarë shkalle kanë vjedhur këta qeveritarë qytetarët.
Qeveria e Edi Ramës ka mbledhur në 12 vite 65 miliardë euro taksa. Ka shpenzuar gjithësej në 12 vite rroga, 8 miliardë euro. Pra 57 miliardë euro, ku janë?
Çdo shqiptar duhet të pyesë vetën, sa kushtonte kompensimi i pronarëve? Shifrat e larta shkojnë tek 800 milionë. Por ta zëmë 1 miliardë, po ta zëmë 1.5 miliardë. Po në këto 57 milionë, nuk mund të kishin pronarët atë që u takonte? Nuk mund të kishin të përndjekurit atë që iu takonte?
Është përvetësuar dhe vjedhur në mënyrë që imagjinata nuk e rrok dot.
Pllakat e gurëve që janë shtruar në 61 sheshe qytetesh janë 2.3 miliardë euro. Në një kohë që, absolutisht në çdo lloj lapsi t’i biesh nuk shkojnë kurrë më shumë se 300 milionë euro.
Pra, u ndala në këto shifra, jo për propagandë, por u ndala për t’iu thënë shqiptarëve dhe për t’iu thënë pronarëve se, potenciali është i plotë për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare detyrimit madhor të qeverisë shqiptare ndaj detyrimit të pronarëve, detyrimit madhor të qeverisë shqiptare ndaj ish të përndjekurve politikë.
Faleminderit!