FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA, NË PREZANTIMIN E KANDIDATËVE NË VLORË
EKSTRAKT
Gjatë një pritje entuziaste në prezantimin e kandidatëve të ‘PD-ASHM’ në qarkun Vlorë, Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha, e cilësoi Vlorën si djepin e madhështisë shqiptare. Berisha prezantoi projektin e “Shqipërisë Madhështore”, duke premtuar përmbysje të gjendjes së tanishme dhe rikthim të dinjitetit për qytetarët. Kryetari i PD akuzoi qeverinë aktuale për shpërdorim të fondeve dhe braktisje të popullit, veçanërisht pensionistëve.
Lideri opzoitar, Sali Berisha premtoi eliminimin e mjerimit ekstrem brenda 3 muajve të parë të qeverisjes, ndihmë prej 200 eurosh për çdo qytetar në nevojë, pagë minimale prej 500 eurosh, pagë mesatare 1200 euro dhe 1500 euro për mësuesit. Berisha theksoi se shqiptarët do të dalin në krye të rajonit për paga, pensione dhe mbështetje sociale, me një qeveri që punon për njerëzit dhe jo për pasurimin e vetes.
Në fjalimin e tij në Vlorë, Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi qeverinë për abuzim me pasuritë natyrore dhe publike, duke theksuar se nuk do të lejojë marrjen e ujit nga fshatrat e Lumit të Vlorës. Ai denoncoi ndotjen e qytetit nga tymi dhe mbeturinat si pasojë e mafies së plehrave, dhe premtoi fundin e kësaj situate.
Berisha prezantoi kartën e konsumatorit, që do u mundësojë qytetarëve në nevojë të blejnë produkte bazë 20% më lirë. Premtoi gjithashtu se brenda 4 muajve, shqiptarët do kenë të njëjtën listë barnash të rimbursueshme si italianët. Berisha u shpreh para qytetarëve se do të rikthehet dinjiteti dhe shpresa, duke e quajtur 11 majin ditën e ndarjes me regjimin e së keqes.
Kreu i PD, Sali Berisha, gjatë fjalimit të tij në prezantimin e kandidatëve për qarkun Vlorë, tha se qyteti do të ketë një zonë të lirë industriale dhe premtoi mbështetje të madhe për biznesin e vogël, fermerët dhe diasporën. Lideri demokrat, Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama për shkatërrimin e Parkut të Llogarasë përmes projektit të tunelit, si dhe për abuzime me taksat dhe pasuritë publike.
Berisha njoftoi masa të rëndësishme ekonomike, si rritja e pragut pa taksa për biznesin e vogël në 180 mijë euro, ulja e tatim-fitimit në 10%, e TVSH-së në 15%, dhe subvencione për çdo fidan, bagëti dhe njësi prodhimi. Ai shpalli vitin 2025 si vitin e diasporës, duke u zotuar për 5 vite pa taksa dhe kredi për strehim dhe biznes.
Në arsim, Berisha e cilësoi mësuesin si prioritet absolut dhe garantoi më shumë punësime, më pak nxënës për klasë dhe dixhitalizim të shkollave. Ai u bëri thirrje mësuesve dhe administratës që të mos rreshtohen me të keqen dhe t’i bashkohen “anës së drejtë të historisë”, duke i quajtur ata pasuri kombëtare.
Lideri demokrat, Sali Berisha, paralajmëroi ashpër çdo bandit dhe grup kriminal që përpiqet të manipulojë votat, duke i cilësuar ata si grupe terroriste, të cilët do të përballen me ligjin. Berisha tha se pastrimi i shtëpisë është një zotim solemn dhe se qeveritarët që kanë abuzuar me pasuritë e shqiptarëve do të përballen me drejtësinë, me pronat e tyre që do t’u kthehen qytetarëve.
Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se ata që përfshihen në aktivitete kriminale do të ndëshkohen ashpër, duke përmendur shembuj të ndëshkimeve të ashpra për kartelet e drogës, siç janë shpallur terroristë nga presidenti Donald Trump. Ai u bëri thirrje qytetarëve dhe opozitarëve të bashkohen për të realizuar programin e Shqipërisë Madhështore, duke e konsideruar këtë një mision të shenjtë për prosperitetin e vendit.
Në mbyllje të fjalës së tij, Berisha e cilësoi Vlorën si simbol të fitores dhe bëri thirrje për bashkim dhe përparim për Shqipërinë.

FJALA E PLOTË
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme ndaj jush, qytetarëve të Vlorës, banorëve të këtij qarku nga Konispoli në Mifol.
Vlonjateve dhe vlonjatëve në Vlorë, në Shqipëri dhe kudo që ndodhen sonte.
Mirënjohjen më të pakufishme për këtë mbështetje të jashtëzakonshme.
Dua të përshëndes gjithashtu këtu para jush, në emër të koalicionit, udhëheqësin politik të qarkut të Vlorës, zotin Bujar Leskaj.
Drejtuesen politike të Sarandës, zonjën Ina Zhupa.
Ekipin e mrekullueshëm të përfaqësuesve tuaj në parlamentin shqiptar, krenari për Vlorën, krenari për Shqipërinë.
Miqtë e mi, unë vij tek ju për të paraqitur para jush projektin e Shqipërisë Madhështore.
Por theksoj këtu se në rast se ky projekt do kishte një djep, djepi i madhështisë së shqiptarëve është Vlora.
Është Vlora e bukurive mahnitëse. E pasurive të jashtëzakonshme.
Por është Vlora e të pamundurave madhështore në historinë tonë kombëtare.
E flamurit të pavarësisë.
E betejave të fituara me perandoritë.
Asgjë, askund nuk shkon më shumë shpirti madhështor dhe i pamposhtur i shqiptarëve se në Vlorë tek vlonjatët.
Kur ne paraqitëm apo vendosëm të paraqesim para jush projektin tonë për një Shqipëri Madhështore, pati jo pak nga ata që menduan se këtu ka një ekzagjerim, se këtu ka një mungesë realizimi.
Në të vërtetë nuk ka asnjë mungesë realizmi, nuk ka asnjë ekzagjerim sepse ne jo vetëm kemi të tillë historinë, por PD ka të tillë trashëgiminë.
Është partia që përmbysi diktaturën.
Është partia që ndërtoi tregun dhe Shqipërinë e lirë.
Është partia që anëtarësoi Shqipërinë në NATO.
Demokrate e demokratë të Vlorës, është partia që u përpoqën ta shuajnë nga faqja e dheut sepse qëndroi shqiptare, qëndroi partia e idealeve të lirisë, të dinjitetit njerëzor, të dinjitetit shqiptar.
Pak muaj më parë menduan se i lanë duart me ne, por ja ku jemi sot të ngritur si Sfinksi në zenit, të pamposhtur, të sigurt në fitore.
Ne jemi burrat dhe gratë që besojmë se i bëjmë të pamundurat të mundura.
Që besojmë se Shqipërina do e shpëtojmë nga e keqja që i ka rënë.
Nga e keqja e radhës, sepse kombi ka njohur të këqija të mëdha.
Por si kjo e fundit, ndër më të shëmtuarat, ndër më antishqiptaret, kjo e keqe e madhe zbrazi Vlorën e bukurive përrallore, VLorën e pasurive përrallore, zbrazi Shqipërinë më shumë, më keq se çdo pushtim në histori.
Miqtë e mi, por ne u ngritëm si shqiptarë që besojnë se do bëjmë të pamundurën të mundur.
Që besojnë se këtë regjim, këtë të keqe, do e shkulim nga rrënjët. Do e përcjellim në arkivat e historisë.
Shqipërinë Madhështore, ndërtimin e saj, ne e nisim nga shpirti madhështor i shqiptarëve, i nënave, motrave, burrave dhe grave, të cilët në shekuj kanë ndarë kafshatën me njëri-tjetrin, nuk kanë pranuar kurrë të lënë në mjerim siç ndodh sot.
Po miq, e kemi shpallur, do e nisim nga zemra e dhimbsur.
Do ta nisim me përulje.
Do ta nisim me njerëzi.
Me kujdes për ata që ky regjim pothuajse i përjashtoi nga Shqipëria, i varfëroi, i poshtëroi, i topiti dhe i la në mjerim ekstrem.
Jo, jo. Nuk do ketë më asnjë shqiptar që do jetë në mjerim ekstrem sepse ne taksat tuaja, paratë tuaja, djersën tuaj, para së gjithash dhe mbi të gjitha, do ua kthejmë ju dhe vetëm ju.
T’i pyesim pak këta qeveritarë, si mund të dilni ju para qindra e mijërave burrave dhe grave që shkrinë jetën e tyre, shkrinë energjitë e tyre për Shqipërinë që është sot dhe tani trajtohen në mënyrën më mjerane, më poshtëruese.
Marrin pension më pak se sa Gjermania jep për kafshën shtëpiake.
Ndërkohë ministrat, mbiministrat marrin 50 pensione.
Ndërkohë ministrat, mbiministrat ulen me pjata 15 pensione. Hapin shishe 30 pensione.
Si mundet? A mund të ecim në këtë mënyrë? Jo.
U jap ju fjalën se 3 muajt e parë, kjo situatë përmbyset. Shqiptarët në mjerim nuk do ketë më.
Çdo shqiptar do marrë 200 euro.
Nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro.
Nuk do ketë rrogë mesatare nën 1200 euro.
Mësuesit e fëmijëve tanë do marrin 1500 euro.
Shqipëria, shqiptarët nisin udhën për të dalë në krye të vendeve të rajonit për rrogat, pensionet dhe mbështetjen e tyre.
Të dashur miq, këta jemi ne.
Ne jemi njerëz të cilët vendosin si shtyllë të parë të lirisë, dinjitetin njerëzor.
Por njeriut, të cilit i ke mohuar kafshatën, i ke mohuar dinjitetin, i ke mohuar ekzistencën.
Dhe kjo merr fund.
Miqtë e mi, jo vetëm kaq.
Jo, do vazhdojmë ne këtë.
Kjo paketa e dhembshurisë u garantoj se do e bëjë shoqërinë shqiptare, do e bëjë kombin tonë shumë më të njerëzishëm, shumë më fisnik.
Çdo pensionist, çdo qytetar me rrogë të ulët që nuk do jetë më kurrë nën 500 euro, çdo i papunë, çdo njeri në ndihmë ekonomike, do ketë kartën e konsumatorit. Me të do blejë ushqimet dhe gjërat bazë 20 përqind më lirë.
Një pakt me ju sonte dhe me të gjithë shqiptarët, nuk mundet që për 4 vite të arrijmë mirëqenien e kombeve të pasura.
Por një do ta arrijmë brenda 4 muajve, listën e ilaçeve që marrin italianët, të financuar nga shteti, do ta marrë çdo shqiptar.
Le të kushtojë sa të dojë. Shteti i shqiptarit do kushtojë sa shëndeti i gjermanit, sa shëndeti i italianit, sa shëndeti i çdo evropiani.
Do u kthejmë njerëzve shpresën.
A e dini miq se çfarë gjendje e paimagjinueshme nga ju është sot në spitalet tona?
A e dini ju se për shkak të vjedhjeve të tmerrshme që bëhen me PPP-të, dhjetë ditët e fundit të muajit në spitalet shqiptare nuk bëhen analiza?
Një vend me 8 miliardë euro buxhetin nuk ka një Pet-skaner dhe mijëra qytetarë detyrohen të shkojnë tek privati për të bërë një analizë që duhet ta bënin falas tek shteti.
A e morët ju vesh se mësueses së nderuar të këtij qyteti dhe të Shqipërisë, i dhanë ilaçet e kundërta me ato që duhej të merrte?
Dhe sëmundja që ka emrin Edi Rama, del e bërtet po kryhen krime kundër njerëzimit. Po nëse kryhen krime kundër njerëzimit, ti je autori i krimeve kundër njerëzimit. Lë pa ilaçe ata me sëmundje të rrezikshme.
Merr fund kjo. Ilaçet do jenë ato që shiten në dy vende të BE.
Vilma Nushit dhe Tom Doshit dyllin. Dyllin sepse kanë marrë në qafë qindra mijëra jetë.
Miqtë e mi, Shqipëria Madhështore nuk është vetëm Shqipëria e paketës së dhembshurisë, por ajo është prova morale e vërtetë.
Por Shqipëria Madhështore është Shqipëria e potencialeve të saj të jashtëzakonshme për të pasuruar dhe begatuar qytetarët e saj.
A ka ndonjë vend, a ka ndonjë rreth, a ka ndonjë qark që të ketë potencialet mahnitëse turistike të Vlorës?
Çfarë ndodh në Vlorë? Pas 12 vitesh, për të treguar se çarë shpirti ka, 12 vite më parë ndërtuam impiantin e pastrimit të ujërave të zeza. 12 vite me radhë i derdhi në det dhe nuk funksionon impianti se nuk paguajnë energjinë elektrike. Këta janë hajdutë pa kurrfarë norme.
12 vite, çdo verë dhe pranverë e mbulojnë Vlorën me helme dhe tyme helmuese sepse vjedhin paratë e landfillit të Vlorës. Mafia e plehrave me në krye Edi Ramën shtriu tentakulat e tij në Vlorë.
Miqtë e mi, kjo situatë merr fund.
PD është e vendosur me aleancën e vet, sikundër paratë e buxhetit, paratë e taksave tuaja, t’ua ktheja para së gjithash dhe mbi të gjithash ju dhe vetëm ju, pasuritë publike t’ua kthejë ju në pasuritë tuaja dhe të mirëqenies tuaj.
Shikoni miq çfarë bëjnë. Janë 36 fshatra në Lumin e Vlorës dhe përreth dhe shkojnë tani t’ua marrin ujin, t’i kthejnë në shkretëtirë.
Kurrë nuk do merret uji i tyre.
Dhe unë paralajmëroj Edi Ramën, hiq dorë se në mënyrë absolute, 1 litër ujë prej tyre nuk do marrësh dot.
Do të dërgosh ujë ti në Dhërmi, ja ku i ke, derdhen në det mijëra metër kub ujë i ëmbël i cilësisë së parë. Merre me pompa, mbushi pompat dhe dërgoji.
Po si do ua marrësh ti 34 fshatrave ujin? A e kupton ti se uji është jeta e tyre. Pa ujë ata duhet të largohen.
Merr fund kjo!
Miqtë e mi, ky regjim është regjim i të keqes dhe ne do ndahemi me të më 11 maj!
Njëherë t’u përgëzoj ju që e përzutë Edi Ramën dhe nuk guxoi të kandidojë më në Vlorë dhe kjo është një fitore e moralit tuaj.
Është një fitore morale.
Çfarë bëri ai? A e dini ju o miq se me tunelin e Llogarasë ia mbylli sytë qafës më të bukur që ka Shqipëria për të marrë 50-60 milionë euro me Lubi Ballukun dhe tani ndërton rrugën për t’i falimentuar të gjitha bizneset e parkut të Llogarasë.
I garantoj se ajo do korrigjohet dhe se unë kam respektin më të madh për ato investime që kanë bërë. Investimet në parkun e Llogarasë janë më të bukurat, ndër më të mirat dhe askush nuk ka të drejtë që të bëjë atë që po bën Edi Rama.
Sheshin e Flamurit, ky nuk ka flamur. Po flamuri është sheshi dhe sheshi është flamuri. Një njeri që ka flamur nuk e prek kurrë, por përulet para tij.
Miqtë e mi, vite më parë kam pritur përfaqësues tuaj të biznesit.
Ata bënë një projekt për parkun industrial. U garantoj se do ketë zonë të lirë industriale.
U garantoj se PD për biznesin e vogël do ngrejë tavanin nga 140 mijë euro pa taksa në 180 mijë euro.
Se energjinë do e pjesëtojë me 3.
Se do ketë linja krediti të buta për ta.
Se për sipërfaqet publike, do të pjesëtohen me 5 herë tarifat.
Dhe se ky Dredha i dytë, që është njëlloj si i pari dhe më i keq se i pari, bashkë me Erionët dhe të tjerë, nuk do mund të vendosin taksa më shumë se 1 përqind të xhiros për biznesin e vogël.
Taksat, tatim fitimi nga 23, zbret në 10 përqind.
TVSH zbret në 15 përqind.
Çdo fermer do subvencionohet për çdo fidan, për çdo bagëti, për çdo njësi prodhimi.
Shqipëria do dyfishojë edhe njëherë numrin e ullinjve, do dyfishojë arrorët.
Kopshti shkëmbor i Europës Juglindore, thoshte Konica, do të bëhet më madhështor se kurrë.
Diaspora, krenaria jonë, vitin 2025 është viti i diasporës, është viti i shpëtimit të Shqipërisë.
Pesë vite pa asnjë taksë.
Kredi për strehimin e tyre.
Kredi të buta për bizneset e tyre.
Shqipëria Madhështore do jetë Shqipëria e ëndrrës së këtyre të rinjve, epiqendër e fuqishme e teknologjisë më të lartë.
Ne do e vendosim Shqipërinë në trenin e teknologjisë së shpejtë.
Shqipëria do jetë shembull në rajon.
Nga Konispoli gjer në Vermosh, çdo shqiptar që dëshiron të vendosë panelet fotovoltaike, do i vendosë me ndihmën e shtetit dhe financimin e tij dhe pas tre vitesh do ketë falas energjinë elektrike.
Arsimi është prioriteti ynë absolut. Mësuesi do vendoset në piedestal. Shkollat të gjitha do kenë formën më të thellë të dixhitalizimit.
Garantoj mësuesit se nuk do ketë, siç hapin këta lajme se këta do shkurtojnë, jo, do ulim numrin e nxënësve nëpër klasa dhe ndoshta do ketë nevojë për mësues më shumë se ç’janë.
Mësuesve dhe punonjësve të administratës u bëj thirrje, mos qëndroni në anën e të keqes. Dilni në anën e drejtë të historisë.
Mos u rreshtoni me të keqen se ne u konsiderojmë ju pasuri kombëtare.
Të gjithë ju që zbatoni ligjin keni dhe do keni respektin tonë më të madh.
Natyrisht ai që bëhet patronazhist, ai në qafë merr veten e vet sepse ligji nuk ia lejon. Morali e dënon, ndërsa ju të tjerët kini kurajo, ndahuni me të keqen, bashkohuni me popullin opozitar, bashkohuni me Shqipërinë!
Pastrimi i shtëpisë është një zotim solemn.
Shtëpia do të pastrohet dhe shqiptarët do marrin mbrapsht paratë e vjedhura nga këta qeveritarë.
Këta qeveritarë që ndërtuan parajsat e tyre mbi taksat e shqiptarëve. do përballen me ligjin.
Pronat e tyre do gjenden kudo që janë fshehur, do u kthehen shqiptarëve.
Grupet kriminale me gërshërët e ligjit do u pritet çdo fije me politike dhe do vendosen para ligjit.
Sot nga Vlora paralajmëroj çdo bandit kudo që ndodhet, se po u implikuat me votat, do të cilësoheni grupe terroriste, shqiptare dhe ndërkombëtare.
Dhe ua them këtu, se një qime u ndan edhe tani. Donald Trump dekretoi shpalljen grupe terroriste të karteleve të drogës.
Ndaj dhe u them bandave nga Shkodra deri në Gjirokastër e kudo që janë, mos guxoni të frikësoni qytetarët se ju jap fjalën e nderit, do shpalleni terroristë ndërkombëtarë, çka do të thotë se do keni ndëshkime që nuk i imagjinoni ju.
Miq, ky është programi i Shqipërisë Madhështore.
Ky program u fton ju, fton çdo opozitare dhe opozitar të bëhet misionar në paraqitjen e këtij programi tek çdo qytetar shqiptar, tek çdo socialist, tek çdo i paparti.
Ky program është për çdo shqiptar që e do këtë vend, që do të jetojë në Shqipëri, që do të prosperojë në Shqipëri.
Por të shkojmë jo si politikanë, jo si zyrtarë, por të shkojmë si misionarë. Si misionarë dhe vetëm si misionarë.
Edhe njëherë, mirënjohje të pakufishme për këtë pritje madhështore.
Për këtë mesazh që i përcillini sot Shqipërisë si Vlora e fitores.
Njisha. Të gjithë jemi njisha…
Rroftë Vlora, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!