BASHKËBISEDIMI I KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA ME QYTETARËT ONLINE
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimit të sotëm online me qytetarët, ka deklaruar se rikthimi i bashkive dhe zgjerimi i njësive të qeverisjes vendore do të jenë ndër angazhimet e para të një qeverie të ardhshme të drejtuar nga PD. Ai u shpreh se parlamenti i ardhshëm do të miratojë një hartë të re territoriale, duke rikthyer qeverisjen vendore më pranë komuniteteve. ‘Një nga aktet më të para do të jetë miratimi i një harte të qeverisjes vendore nga parlamenti i ardhshëm për t’u rikthyer qeveritë vendore komuniteteve dhe qytetarëve dhe zonave të vendit’, deklaroi Berisha.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha garantoi se projekti i demokratëve për 100 bashki do të realizohet, duke lënë të hapur mundësinë për krijimin e njësive të tjera vendore. Sipas tij, reforma territoriale e miratuar nga mazhoranca socialiste largon shërbimet nga qytetarët dhe përshpejton shpopullimin e vendit. ‘I garantoj të gjithë qytetarët e këtyre bashkive, garantoj të gjithë qytetarët shqiptarë se ato do rikthehen plotësisht. Se 100 bashkitë e premtuara do bëhen realitet, dhe se një numër tjetër i konsiderueshëm bashkish dhe komunash do jenë realitet’, tha kreu i PD-së.
Gjatë bashkëbisedimit, lideri i opozitës Sali Berisha e cilësoi rikthimin e qeverisjes vendore si një nga shtyllat kryesore të politikave për ripopullimin e Shqipërisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se përmes ndryshimeve territoriale synon të dobësojë komunitetet dhe të largojë banorët nga zonat e tyre. Berisha sulmoi Edi Ramën për votimin në Kuvend për ndryshimet territoriale, duke deklaruar se asgjësimi i 15 bashkive është bërë në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe parimet e qeverisjes vendore. Ai tha se PD do të përdorë të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar vendimin, megjithëse shprehu skepticizëm për funksionimin e institucioneve të drejtësisë.
Kryetari i PD-së Sali Berisha foli edhe për programin ekonomik të Partisë Demokratike. Ai u shpreh se, vendosja e minimumit jetik 200 euro është një nga vendimet e para që qeverisja demokratike do të marrë, dhe rritja e pagave e pensioneve do të jenë prioritete, duke deklaruar se ndërhyrjet e para do të ndërmerren që në vitin e parë pas ardhjes së PD-së në pushtet. ‘Kam premtuar minimumin jetik 200 euro, i cili do vazhdojë të rritet në përputhje me rritjen e treguesit të çmimeve. Ai vit do jetë me fitoren e Partisë Demokratike, ju garantoj’, u shpreh ai.
Drejtuesi i demokratëve, Sali Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për përqendrimin e përfitimeve ekonomike te oligarkët dhe zyrtarët, ndërsa qytetarët, sipas tij, përballen me paga dhe pensione të ulëta dhe me çmime të larta. Ai u shpreh se, do të merren masa për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore, arsimit dhe mbështetjes sociale, si dhe një klimë më të favorshme për biznesin.
Ai kritikoi edhe ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale, për të cilat pretendoi se kufizojnë hetimet e korrupsionit dhe zhvlerësojnë prova të rëndësishme. Ai akuzoi qeverinë për përpjekje për të dobësuar institucionet e drejtësisë dhe për të kufizuar raportimin mediatik.
Kryetari i Partisë Demokratike, u shpreh gjatë bashkëbisedimit se, PD do të vijojë betejën politike kundër qeverisë Rama, duke e paraqitur ripërtëritjen e vendit, luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimin e mirëqenies si shtyllat kryesore të programit të saj.

FJALA E PLOTE:
Së pari u përshëndes dhe u falënderoj me shumë mirënjohje për interesin, vëmendjen, pyetjet dhe komentet tuaja me të cilat ju e bëni këtë bisedë shumë më interesante, më reale, më tokësore.
Zinxhiri i rekordeve të zeza të kësaj narkoqeverie nuk ka të ndalur.
Siç e patë, në një akt papërgjegjshmërie absolute, organizata kriminale e parlamentit shqiptar votoi jashtë çdo kondicioni ligjor dhe kushtetues, jashtë të gjitha parimeve ndërkombëtare të qeverisjes vendore, asgjësimin e 15 bashkive të vendit, të cilat shquheshin për performancën, për aktivitetin dhe interesin e tyre për qytetarët.
Me këtë veprim, të ashtuquajturit deputetë të partisë së krimit, dëshmuan para shqiptarëve dhe botës se për ata, interesat e qytetarëve të Libohovës, të Këlcyrës, të Memaliajt, të Divjakës, të Patosit, interesat e qytetarëve të Klosit, të Përrenjasit, Cërrikut, Dumresë, Fushë Arrëzit dhe të gjitha bashkive që u asgjësuan, janë zero.
Me këtë akt Padrinoja i Shqipërisë dëshmoi se Kushtetuta e vendit, por edhe parimet ndërkombëtare mbi të cilët ndërtohet qeverisja vendore, nuk kanë asnjë vlerë përveç interesave të tij për të përqendruar Shqipërinë për qëllime elektorale në një grup bashkish si asnjë vend tjetër në Evropë.
Harta e qeverisjes vendore që paraqiti PD me 100 njësi plus, ishte harta më e studiuar, harta që jepte vërtet përgjigje shpopullimit masiv që po ndodh në Shqipëri.
Harta që u jepte përgjigje shërbimeve të qytetarëve dhe mbi të gjitha politikave zhvillimore të vendit.
Kjo hartë e tmerroi Edi Ramën dhe ai jo vetëm që nuk pranoi këtë hartë, por asgjësoi edhe 15 bashki të tjera.
Ju i dëgjuat deputetët e krimit që kanë vetëm interesa kriminale se si mashtronin se ne kemi vendosur një bashki për 13 mijë banorë.
Unë tani do u tregoj një rajon, Sukthin, Manzën, Ishmin, në një rreze prej 50 e ca kilometrash nga qyteti i Durrësit, Rrushkulli, Katundi i Ri, të marra së bashku kanë 105 mijë banorë.
Pra, të marra së bashku këto kanë banorë për minimumi për shtatë bashki të standardit që pretendojnë mashtruesit.
Por këto janë asgjësuar, ndërsa në hartën tonë ekzistonin të gjitha.
Ajo që mbetet e pashlyeshme nga memoria e qytetarëve shqiptarë ishte fakti se si këta deputetë peng të krimit, peng të vjedhjeve, pengje të vilave të tyre, bizneseve të tyre kriminale u rreshtuan njëri pas tjetrit, u poshtëruan dhe u shantazhuan dhe në fund votuan për Padrinon.
Votuan kundër rreth 300 mijë qytetarëve të këtyre bashkive, të cilët kanë firmosur peticione për referendumi.
Pra Shqipëria, narkoshteti i parë dhe i vetëm në Evropë dhe më narkoshtet se çdo narkoshtet sot në planet, shkelmoi ditën e enjte të gjitha parimet demokratike të qeverisjes vendore, Kushtetutën, Kartën e Kongresit të Autoriteteve Rajonale dhe Lokale të Këshillit të Evropës, kërkesat e Bashkimit Evropian dhe votoi tamam siç është për interesat e veta kriminale.
PD do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, por paralajmëron të dashur qytetarë, se në narkoshtet rruga ligjore është falsitet.
Se gjykatat janë notere të narkoqeverisë.
Se referendumet, narkoqeveria nuk mund t’i lejojë kurrë.
Megjithatë ne do përdorim çdo mjet ligjor kundër këtij akti.
Deputetët e opozitës bënë një nga betejat më të gjata në historinë e parlamentit shqiptar, për një çështje e cila ia vlente plotësisht dhe ne në 14 orë debat argumentuam me fakte, dokumente se ajo që po ndodhte ishte një asgjësim elektoral që binte ndesh në mënyrë flagrante me Kushtetutën dhe interesat më të ngushta të qytetarëve të këtyre bashkive, të këtyre komuniteteve.
Nuk ka dyshim se një nga aktet më të para do të jetë miratimi i një harte të qeverisjes vendore nga parlamenti i ardhshëm për t’u rikthyer qeveritë vendore komuniteteve dhe qytetarëve dhe zonave të vendit.

BASHKEBISEDIMI ME QYTETARËT
Emirjona Dushi: Doktor, në parlament ju folët për videot e Ergys Agasit ku deklaruat se shumë nga deputetët e Partisë Socialiste janë në ato video. Në publik qarkullon në rang thashethemi se në këto video shfaqet dhe Rama. Në informacionin tuaj, a ekziston një video e tillë?
Sali Berisha: Në fakt, unë zonja Dushi e kam denoncuar këtë dhe informatat që unë kam, ai është i filmuar në një video. Por të garantoj një gjë, që ai person nuk turpërohet nga asnjë video, nga asnjë akt, nga asgjë. Ai ka humbur çdo standard moral të njeriut të qytetëruar.
Sabian Maho: Shumë qytetarë thonë se janë zhgënjyer nga të gjitha partitë dhe se nuk besojnë më te premtimet politike. Çfarë do t’u thoshit këtyre njerëzve dhe çfarë jeni gati të bëni konkretisht për të rikthyer besimin e tyre?
Sali Berisha: Së pari, unë ftoj qytetarët të ndalen në disa krahasime. Unë e kuptoj se qeverisja e para 14 viteve është një qeverisje e largët, dhe koha për memorien është një lloj acidi që e fshin. Megjithatë, të krahasosh Partinë Demokratike me Partinë Socialiste, krahason të pakrahasueshmet.
Partia Demokratike është forca politike që përmbysi diktaturën komuniste dhe anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Evropës. Partia Demokratike është forca politike që e larguan nga pushteti me rebelim komunist dhe e rimori pushtetin me votën e lirë të shqiptarëve.
Partia Demokratike është forca politike, e cila në 8 vite mbajti pikë për pikë zotimet e saj. Unë ju lutem rikthehuni dhe lexojini.
Kur ne premtuam dyfishimin e rrogave dhe pensioneve, ju garantoj se ishin shumë të paktë ata që e besonin. Por ne e zbatuam dhe e tejkaluam këtë angazhim.
Në rast se dëshironi, ju mund të konsultoni një dokument të Boston Consulting Group të vitit 2012. Ky dokument ka parathënien e Tony Blair. Në këtë dokument, grupi i Universitetit të Bostonit studion 150 vende të botës dhe studion ndër të tjera se si janë konvertuar në këto vende, rritja ekonomike (kjo që themi 5%, 3% e ekonomisë, e PBB-së) në mirësi, në mirëqenie për qytetarët.
Çfarë gjen ky grup, që unë kurrë s’e kam takuar? Ky grup gjen se Shqipëria për këtë tregues renditej e katërta në botë.
Shqipëria renditej e katërta në botë, të dashur miq, vetëm e vetëm se kjo parti në pushtet mendonte se si t’ua kthejë qytetarëve pasuritë e tyre, paratë e tyre, fondet e tyre, dhe një nga mënyrat më të sigurta ishte t’ua rrisje rrogat, t’ua rrisje pensionet, të rrisje ndihmën ekonomike.
Nuk e di, por unë në ato vite nuk di një vend tjetër në botë (mund të ketë se bota është e madhe), por unë nuk di që të ketë dyfishuar rrogat, të ketë mbidyfishuar rrogat dhe pensionet siç bëmë ne në 8 vite. Dhe unë të garantoj se ne do vazhdonim me rritje të pandërprerë të rrogave dhe pensioneve.
Ne tejkaluam të gjashtë vendet e rajonit për rroga dhe pensione, përfshi këtu dhe dy vende të tjera anëtare të Bashkimit Evropian, Bullgarinë dhe Rumaninë.
Po pse e bëmë ne këtë? E bëmë ne këtë se është detyrim madhor ndaj çdo njeriu që mendon me zemër, me shpirt për qytetarët. T’i mbledhësh taksat që t’ua kthesh atyre, do t’ua shpërndash atyre në rroga, pensione.
Jo vetëm kaq, nuk e zumë vendin e katërt në botë vetëm për rrogat dhe pensionet, jo. U rreshtuam sepse ndërtuam në mbarë vendin 11,300 kilometra rrugë, nga të cilat mbi 8,500 rrugë në Shqipërinë rurale, në komunitetet.
Ua kthyem shqiptarëve paratë e tyre me ndërtimin e 1,300 shkollave, kopshteve dhe objekteve arsimore.
Ua kthyem shqiptarëve paratë e tyre me qindra e qindra kanalizime dhe ujësjellësa.
Të gjitha këto bënë që ky grup prestigjioz i njërit prej universiteteve më të njohura në botë të kualifikojë, të rendisë Shqipërinë vendin e katërt në botë në treguesin apo në koefiçentin e rikthimit të rritjes ekonomike në të mira publike. Le të marrim pak sot rrogat dhe pensionet.
Sot rrogat dhe pensionet janë më të ulëtat në rajon. Më të ulëtat se në çdo vend tjetër. Përveç, rrogave të zyrtarëve të lartë që janë më të lartat në rajon.
Të shkojmë pak më tutje, meqë jemi në këtë temë.
Çfarë u ndërtua në 12 vite në interes të komuniteteve? Janë ndërtuar 800 kilometra rrugë që të gjitha u shembën. Dhe jeni dëshmitarë. Po pse u shembën? Sepse kanë vjedhur fondet dhe i kanë ndërtuar si prej kashte.
Edhe tani rritja ekonomike thonë është 3%, është 4%… po ku shkon kjo rritje kur pensionet dhe rrogat mbeten në fund të rajonit? Kjo rritje shkon tek oligarkët, shkon tek qeveritarët që vjedhin ditën e natë taksat dhe pasuritë publike.
Miq, dua t’u rikujtoj, nuk duhet të krahasoni të pakrahasueshmet. Nuk dua të gjej historia ç’ka u bë, unë po ua them demokratëve çdo ditë që ne nuk na voton kush për ato që kemi bërë, por për t’i njohur ato është e domosdoshme të përcaktojmë ku do shkojmë.
Unë mora këtë aspekt, por të marr një aspekt tjetër, çmimet. Cilat ishin çmimet në vitin 2013? Më të ulëtat në rajon. Sot çmimet janë jo më të lartat në rajon, por janë më të larta se në vendet më të pasura të Evropës.
Isha në Strasburg, Strasburgu të dashur miq është një nga zonat me nivel më të lartë ekonomik në Evropë në jetesë. U futa në një supermarket, pashë çmimet, absolutisht një seri artikujsh me çmime dy herë më të lira se në Shqipëri. Imagjino rrogat e qytetarëve të Strasburgut që janë të paktën pesë herë më të larta.
Pra, a mund të krahasohen këto? Janë të pakrahasueshme.
Ne premtuam anëtarësimin në NATO, e bëmë realitet.
Projektet e mëdha, kaskada e Devollit, janë kontrata të firmosura nga qeveria e Partisë Demokratike.
Nuk kanë asnjë investim në 14 vite serioz nga kompani të huaja apo kontratë të firmosur. Sepse e kanë bërë Shqipërinë vend të papranueshëm për investitorët dhe biznesmenët e huaj.
A e keni dëgjuar historinë e gazit të Delvinës? Një kompani apo disa kompani kanë investuar qindra milionë në gazin e Delvinës. Kurse Ron Yeffeti i Ramës, i thotë në telefon ‘duhet t’ua marrim atyre’. Po meqenëse është një amerikan aty, ‘duhet të gjejmë një amerikan’, thotë ai, ‘sa për të thënë që po zëvendësojmë’.
Mos i krahasoni.
Kur është penguar ndonjëherë drejtësia të veprojë nga qeveria e Partisë Demokratike? Ju lutem, mos harroni një gjë. Në vitin 2012 ne votuam ligjin për heqjen e imunitetit për veprën e korrupsionit për deputetët. Sa herë kërkoi prokuroria e famshme Ina Rama, heqje imunitetesh, as që është vënë ndonjëherë në diskutim nga parlamenti mbrojtja e imunitetit i deputetëve.
Pra, besoj se ne ato që kemi premtuar i kemi mbajtur. Dhe u garantoj se ne, thashë edhe një herë, nuk kërkojmë votë për ato që kemi bërë, kërkojmë votë për ato që do të bëjmë.
Kërkojmë votën sepse Shqipëria sot është në emergjencë, ka nevojë për ndërhyrje urgjente. Sirenat e varfërisë, e skamjes, e urisë, e mungesës së ilaçeve, jehojnë në të katër anët e vendit.
Partia Demokratike ka një program për t’i shuar ato me shpejtësinë më të madhe.
Minimumin jetik 200 euro, rimarrja e programit për rritjen e rrogave dhe pensioneve për dyfishimin e tyre dhe vazhdimin, gjer sa të dalim në krye të rajonit.
Një klimë për biznesin, ku konkurrenca e lirë dhe ligji të dominojë. Zero tolerancë ndaj krimit dhe drogës.
Ne do çmontojmë klanet e drogës kudo që të jenë.
Unë i garantoj ata se edhe në pyjet e Kolumbisë do t’i gjejmë, t’i arrestojmë e t’i biem para ligjit, jo më në Shqipëri.
Nuk do ketë vrimë miu ku nuk do t’i kapim, t’i gjejmë këta kriminelë që po shkatërrojnë ekonominë shqiptare me larjen e parave me Edi Ramën në Shqipëri.
Pra, janë shumë të ndryshme. Dhe krahasimin që bëni ju, e keni të drejtë, dëgjoni krahasime. Janë opozita e opozitës që bën krahasime të tilla, e cila është një shërbëtore e shpifur e Edi Ramës.
Janë disa individë, të cilët pasi dështuan në të gjitha projektet për nënshtrimin e Partisë Demokratike, tani u nënshtruan në çakej dhe flasin pas shpine dhe bëjnë krahasime të pakrahasueshmet.
Por sot, çdo ditë e më shumë shqiptarët po kuptojnë se cila është qeveria e krimit e Edi Ramës dhe cila është opozita e vërtetë, e vendosur e shqiptarëve, Partia Demokratike e aleatët e saj.
Erzen Rexha: Mirëdita Doktor. Kur do i publikoni emrat e kandidatëve për kryetarë të bashkive? Mos i lini për në çastet e fundit.
Sali Berisha: Nuk do i lëmë për çastet e fundit. Falënderoj Erzen, ke shumë të drejtë me sugjerimin. Do fillojmë shumë shpejt publikimin e emrave të tyre.
Artur Elezi: Doktor, banorët e bashkive që Edi Rama ka vendosur t’i shkrijë janë shumë të zhgënjyer. Reforma e vitit 2015 na tregoi se largimi i shërbimeve nga qytetarët ndikon drejtpërdrejt në braktisjen e zonave dhe shpopullimin e vendit. Pyetja ime është konkrete dhe e drejtpërdrejtë. Nëse Partia Demokratike vjen në pushtet, a do t’ua ktheni qytetarëve bashkitë që po u hiqen sot, duke u rikthyer 61 ose më shumë bashki, nëse votat dhe mandatet në parlament jua mundësojnë këtë?
Sali Berisha: I garantoj të gjithë qytetarët e këtyre bashkive, garantoj të gjithë qytetarët shqiptarë se ato do rikthehen plotësisht. Se 100 bashkitë e premtuara do bëhen realitet, dhe se një numër tjetër i konsiderueshëm bashkish dhe komunash do jenë realitet.
Rikthimi do të jetë një nga shtyllat kryesore të ripopullimit të Shqipërisë. Edi Rama përdori asgjësimin e qeverisjeve vendore në mbarë vendin për të shpopulluar Shqipërinë, për të zbrazur Shqipërinë.
Platformë e Çubrilloviçit, i cili thotë: largojani qeverisjen, largojani shërbimet në mënyrë që shqiptarët të mërziten dhe të lënë vatrat e tyre.
Këtë bëri Edi Rama, për të cilin me shumë të drejtë Michael Martens thotë se është kryeministri më i mirë i Serbisë pas Pashiçit. Dhe lexohet vetë ‘armiku më i egër i shqiptarëve pas Pashiçit’.
Aurel Lazri: Gjatë debatit për reformën territoriale të së enjtes pati tensione, bllokim të foltores dhe përplasje mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës. Megjithatë, shumë qytetarë mendojnë se opozita është palë me mazhorancën. A mendoni se opozita arriti këtë herë ta përcillte mesazhin e pavarësisë së saj te qytetarët apo, mos vallë, duhet të ndryshojë mënyrën e protestës parlamentare për të shuar zërat?
Sali Berisha: Ata qytetarë që mendojnë se opozita është palë, u shpreh keqardhjen time më të madhe se i bëjnë një shërbim të turpshëm Edi Ramës.
Tani të flasim, t’i marrim pak këto çështje.
Opozita u angazhua në këtë proces jo se ajo besonte tek Edi Rama. Jo, kurrë. E kemi thënë që atë ditë. U angazhuam në këtë proces sepse e dinim që qytetarët kërkonin që të angazhoheshim. Qytetarët nuk pranonin, me të drejtë për mendimin tim, që ne t’ia jepnim afrofe atyre projektin që do bënin.
Opozita, me punën më serioze i nderuar zotëri, bëri projektin e vet për 100 bashki plus. Edi Rama bëri projektin e vet për 45 bashki.
Opozita paraqiti në parlament projektin e vet dhe u angazhua në mbrojtje të bashkive që asgjësoheshin dhe projektit të vet në një debat prej 14 orësh. Në një debat me argumente, me fakte, ku unë vlerësoj se më shumë se kurrë, ishte zëdhënëse e interesave të të gjithë qytetarëve, demokratëve, socialistëve, të paparti, në këto bashki që asgjësoheshin.
Atëherë, a mund të flitet kështu?
Ata që flasin bien viktima ose janë ushtarë, mjeranë, të propagandës qeveritare, që për të zbutur, sfumuar krimet që kryhen, përpiqet të përlyejë opozitën.
Pa më thoni pak, merrini një për një diskutimet që u bënë aty. 14 orë diskutime. U rreshtuan me qindra argumente para shqiptarëve.
A, në qoftë se ndonjëri thotë që s’duhet bërë diskutim, jo, nuk jemi dakord. Ne duhet të paraqisnim para shqiptarëve, duhet të damkosnim Edi Ramën dhe narko-qeverinë e tij për aktin që po bënte.
Edhe njëherë, nuk ka gënjeshtër më të madhe sesa krahasimi i të pakrahasueshmeve.
Çfarë mund të bënte opozita?
Opozita ia përplasi në surrat Edi Ramës, 14 orë debat.
I sigurt të jeni ju se Edi Rama nuk donte as 5 minuta debat, dhe se kishte ardhur me projektin që të mund ta votonte për 30 sekonda, se 4 nene ishin ato. Por ne ia dogjëm atë projekt.
Ne bëmë gjithçka që shqiptarët, ata që ishin të interesuar, të shihnin se kush shkelmon interesat e tyre, se çfarë janë deputetët që ata gjoja i përfaqësojnë, që përfaqësojnë vetëm interesat e tyre dhe krimin. Dhe cili ishte qëndrimi i demokratëve.
Pra, edhe njëherë i nderuar, ata që krahasojnë të pakrahasueshmet, ata janë shërbëtorë mjeranë të qeverisë ose pastaj kanë probleme të mëdha me veten e tyre.
Keti Lile: Ne, qytetarët, dëgjojmë çdo ditë akuza për korrupsion, por duam të dimë, si do të siguroni që përgjegjësit të përballen me drejtësinë dhe që paratë e abuzuara me fondet publike të kthehen?
Sali Berisha: Faleminderit Keti. Kjo është një çështje themelore, por fatmirësisht praktikat ekzistojnë, nuk mbetet të shpikim ne.
Ne e kemi shpallur, do të krijojmë Agjencinë Kombëtare të Konfiskimit të Pasurive të Paligjshme, të cilat janë më të mëdha se mali i Dajtit, të cilat janë të fshehura në të katër anët e planetit në kontot bankare në miliarda të Edi Ramës, narkoqeveritarëve të tij, trafikantëve të drogës, zyrtarëve e të tjerë.
Pra, jap garanci të plotë se me një kuadër të ri ligjor kjo agjenci do t’i rikthejë në vlera për qytetarët shqiptarë të gjitha pasuritë e plaçkitura, të grabitura apo të vendosura nga veprimtari kriminale.
Julian Klosi: Më 8 tetor, Kuvendi rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për mocion me debat mbi ish-drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hyseni. Si do të veproni tani që çështja të shqyrtohet institucionalisht dhe cilat përgjegjësi kërkoni të sqarohen?
Sali Berisha: Rrëzimi i mocionit me debat nga deputetët e krimit dhe parlamenti i krimit ka dy aspekte.
Aspekti i parë është një akt antikushtetues. Qytetarët duhet ta dinë se opozitës shqiptare iu mohua e drejta kushtetuese e mocioneve me debat.
Aspekti tjetër është se Edi Rama ka përdorur Vlora Hysenin dhe institucionin që ajo ka drejtuar, në funksion të karteleve të drogës, organizatave kriminale dhe kundër interesave të vendit. Ka përdorur Vlora Hysenin në funksion të survejimit të opozitës shqiptare.
Ka përdorur Vlora Hysenin në funksion të survejimit të kundërshtarëve të tij brenda Partisë Socialiste.
Janë bërë me qindra e qindra regjistrime të paligjshme ndaj opozitarëve.
Janë transferuar tek kartelet e Troplinit, Çelës dhe kartele të tjera të drogës, por dhe të armiqve të Shqipërisë, çdo sekret shtetëror, përfshi të dhënat e TIMS-it.
Vlora Hyseni shndërroi Shërbimin Informativ Kombëtar, një shërbim që, duhet ta themi, ka kryer detyra jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin, por dhe për partnerët tanë, e shndërroi në një strofull kriminelësh, delinkuentësh dhe shtojcë të organizatave kriminale.
Vlora Hyseni rezulton anëtare e grupit të strukturuar kriminal më të rrezikshëm të Evropës, grupit të Ergys Agasit, grup i cili ka përdorur AKSHI-n dhe Vlora Hysenin për të regjistruar në kundërshtim me Kushtetutën opozitarët, për të regjistruar shërbimet diplomatike dhe misionet diplomatike në shkelje flagrante të Konventës së Vjenës, për t’ia transmetuar të dhënat armiqve të Shqipërisë.
Vlora Hyseni u emërua në krye të Shërbimit Informativ Kombëtar për ato motive që u shkarkua nga drejtimi i Shërbimit Informativ Kombëtar të Kosovës, për shkarkimin dhe zhdukjen e të dhënave të këtij shërbimi në drejtim të Beogradit me siguri.
Muharrem Kurti: Doktor, ju përshëndes. Ndryshimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale kanë nxitur debate për ndikimin e tyre te hetimet e korrupsionit. Cilat dispozita konkrete mendoni se mund të kufizojnë punën e SPAK-ut dhe çfarë duhet të, të, të, të, të ndryshojë në projektligj? Faleminderit.
Sali Berisha: E vërteta është, organizatës socialiste të partisë që quhet SPAK, partia ia hoqi dhëmbë dhe dhëmballë.
Dhe ajo që më bën përshtypje Muharrem është se kjo paketë ligjore, e cila bën të pamundur hetimin, kjo paketë ligjore e cila de facto bllokon hetimin, ka krijuar shqetësim ndërkombëtar, dhe nuk ka asnjë fjalë nga organizata e partisë së SKAP-it për këtë paketë.
Nuk ka asnjë fjalë nga KLP-ja e partisë, këshilli i prokurorëve. Prokurorëve u është hequr e drejta të nisin hetime pa njoftuar personin mbi bazën e informacioneve të mjaftueshme për të nisur hetimin.
Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që, mos bëj më asnjë hetim. Kjo do të thotë që, mos kujto se po të hetoj. Kjo është tallje, përqeshje.
S’ka diskutim që mbi bazën e informacioneve, të dhënave të shumëanshme, qoftë dhe të mediave, qoftë dhe të qytetarëve, të institucioneve, institucioni i akuzës duhet të ketë të drejtë të nisë hetimin dhe të vazhdojë hetimin. Në rast se i rezulton pa fakte, sigurisht që e ndërpret, por në rast se plotësohet, ndërton akuzën.
Por tani që është Edi Rama në shigjeta dhe rrethi i tij, tani nuk quhet më i vlefshëm asnjë hetim që mund të kenë filluar kundra tij mbasi s’e kanë njoftuar.
Së dyti, SKAP-istët nuk flasin, por ata duhet ta dinë që kanë një përgjegjësi të madhe para shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Dhe heshtja e tyre është heshtje turpi.
Nuk flasin për faktin se, provat u zhvlerësohen me ligj. Çfarë do të thotë kjo? Të gjitha mesazhet e Edi Ramës dërguar Lubi Ballukut, Ergys Agasit, Vlora Hysenit e të tjerë me radhë, meqenëse janë marrë pa vendim gjykate, nuk kanë vlerë.
Unë isha në Strasburg dhe e shtrova këtë problem.
Pse? Sepse regjistrimi i bandave kriminale nga servera të fshehtë, të cilët ato mendonin se nuk i di njeri, nxori në pah se krimi i Shqipërisë e vogël ishte një ajsberg i madh, ishte një gjigant. Se gjuha jonë shqipe, ishte gjuha e dytë e përdorimit të bandave pas anglishtes. Dhe kjo jo se banditë të shteteve të tjera kanë mësuar shqip. Jo, jo. Po se shqiptarët ishin kaq të panumërt, të angazhuar në organizata kriminale saqë e bënin gjuhën shqipe të dytën.
Numri i telefonave të kriptuar ishte 65 mijë. Nga këta, 15 mijë në duar të shqiptarëve. Flisnin shqip.
Më falni, 73 telefona të kriptuar në kryeministri.
Dy ose tre telefona të kriptuar Edi Rama.
Telefon të kriptuar, sipas disa burimeve, Sokol Sadushi.
Dy telefona të kriptuar Tulet Balla… se s’dua t’ia përmend emrin.
Pra, i gjithë ky material, këto dosje që dalin, janë të gjitha të këtij materiali, mos mendoni se janë të këtushme, aty vetëm nga Franca janë nja pesë dosje të tjera të pahapura fare.
Gjithë ky material u përpoq të zhvlerësohej se janë regjistrime pa lejen e gjykatësit.
Gjykata e Strasburgut i quajti valide për gjykata. Gjykata franceze i quajti të vlefshme për prova për gjykata.
Edi Rama, pavarësisht nga kjo, e çoi në Gjykatë Kushtetuese, u dha nja 10 milionë, u përpoq të ndryshojë tekstin nga vendimi, u bë një kaos, por në fund nuk e ndryshuan dot.
Tani, çfarë po bën Edi Rama i dashur?
Tani Edi Rama po i zhvlerëson provat e marra nga celularët dhe në servera, pa vendim gjykate nuk vlejnë për proces.
Pra, mbron veten e tij. Po mbron Olsin e tij, po mbron Lindën e tij, po mbron narko-qeverinë e tij.
Pra, ato të cilat gjykata e të drejtave të njeriut në Strasburg i sanksionoi si prova të vlefshme për gjykata, ky do t’i zhvlerësojë me ligj.
Tjetër, kjo paketë është paketë absolutisht staliniste.
Kjo bllokon totalisht, censurë totale ndaj mediave. Mediat tani nuk mund të japin asnjë informacion, përkundrazi dënohen në qoftë se botojnë.
I ftoj mediat, çdo material ta sjellin në Partinë Demokratike dhe e garantoj se ajo do t’i publikojë, do t’i publikojë çdo ditë!
Ata që përpiqen të fshehin krimin, ata kujtojnë se shqiptarët do flenë mbi dosjet e krimit.
Tjetër tani, për ta mbrojtur qytetarin, dëgjoni tani, në qoftë se prokuroria fton një qytetar si person që ka dijeni, gjëja më normale, alfa, tani Edi Rama detyron qytetarin të marrë avokat. Një gjobë shtesë.
Dhe Dhoma e Avokatisë nuk flet një fjalë! Të marrë avokat, po ai që s’ka të paguajë avokatin? Ia paguan qeveria avokatin?
Pra, gjithçka është për të shkatërruar institucionin e akuzës. Por, anëtarët e organizatës së Partisë Socialiste SKAP, nuk shqipërojnë një fjalë të vetme.
Histori turpi, histori nënshtrimi.
KLP-ja, qeveria e prokurorisë e akuzës, nuk shqipëron një fjalë të vetme.
Këto janë dëshmi të një kontrolli të plotë dhe total të Edi Ramës mbi institucionet e drejtësisë.
Silvana Dangëllia: Përshëndetje doktor Berisha, pse nuk e keni kërkuar më përpara ripërtëritjen e Partisë Demokratike dhe që drejtuesit e saj të ishin më pranë popullit duke i shkuar derë më derë, papritur që të shkojnë e t’i gënjejnë socialistët e patronazhistët? Pse duhet të prisnin zgjedhjet për të qenë pranë popullit e për të qenë të besueshëm?
Sali Berisha: Silvana, të falënderoj për pyetjen.
Por në rast se kthehemi bashkë 4 vitet e fundit, çfarë do të gjejmë Silvana?
Do të gjejmë lobimin kriminal të Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit për Sali Berishën, që ishte një person absolutisht pothuajse në pension, po vetëm për të goditur opozitën.
Do të gjejmë një kontroll të plotë të Edi Ramës dhe jo vetëm atij, mbi Partinë Demokratike me Lulzim Bravën, apo jo Silvana? I hapën dy dosje, dosjen e parave ruse dhe dosjen e Toyota Yaris. E thërrisnin prokurorët në mëngjes dhe në darkë i vinte Engjëll Agaçi, këtu bënte pazaret i thoshte mos ki merak ti, po ti do të bësh këtë, ne bëjmë këtë, ne bëjmë atë.
Pra, faktikisht, ai ishte një projekt ogurzi për ta asgjësuar opozitën.
Besoj se ju kujtohet kur pasi Lulzim Basha u shkarkua me votën e mbi 40 mijë anëtarëve në referendum, logon, Blerina Muçi që ka turpin të jetë sot gjykatëse, që e rikthyen gjykatëse siç ishte premtuar, ia kaloi Lulzim Bashës. Besoj se ju kujtohet kjo apo jo kur në zgjedhje Partia Demokratike u fut pa logo, pa emrin e kryetarit, donin me çdo kusht ta kontrollonin.
Pra, po të marrësh këtë periudhë, unë të them ty se ajo ka qenë opozita më heroike që ka pasur ky vend. Jo vetëm që u rezistoi këtyre akteve kriminale, antikushtetuese, antidemokratike të Edi Ramës, por dhe kukullave të Xhorxh Sorosit, por bëri opozitë të vërtetë.
Mos harro se sot nuk ka një çështje, e cila të mos ketë qenë kauzë e opozitës shqiptare, pavarësisht nga çmimi që duhej paguar. Ne kemi qëndruar, kemi denoncuar me forcën më të madhe.
Ne përgatitëm programin më të shkëlqyer.
Por tani unë do ta mbyll shpjegimin tim me një histori të shkurtër nga udhëtimi im në Shtetet e Bashkuara. Aty pata shumë takime. Takova miq, dhe siç ua thashë, si çështjen më kryesore unë vendosa të paraqes narkoshtetin. Në diskutimet e mia me miq të shquar, pasi unë ekspozoja argumentet e narkoshtetit me pak fjalë: Shqipëria e vogël në hartë, por është eksportuesi kryesor i kanabisit në Europë.
Shqipëria e vogël në hartë, po tejkalon Indinë, Nepalin dhe disa vende të tjera në trafikun e heroinës që vjen nga Lindja.
Shqipëria e vogël në hartë, po kartelet shqiptare të drogës janë transportuesit kryesorë të kokainës në Europë.
Me pak fjalë, ndikimi i narkoeurove dhe narkodollarëve është më katastrofal se në çdo narkoshtet tjetër.
Sepse në Shqipëri, euro dhe dollari, dy monedhat më të fuqishme të planetit, kanë pësuar zhvlerësimin më të madh nga narkoeurot dhe narkodollarët se në çdo vend tjetër të planetit.
Dhe kjo ka sjellë rënien e prodhimit industrial me 15%, të prodhimit bujqësor edhe më shumë.
Kjo ka sjellë tregues të ndërtimeve tre herë më të madh se Bashkimi Europian dhe çmime stratosferike.
Kam informuar për lidhjet e administratës dhe Edi Ramës, pritjen që Edi Rama u ka bërë përfaqësuesve të Sinaloas.
Arubën e organizuar nga Edi Rama dhe Olsi Rama. Majorkën. Drejtorët e përgjithshëm të policisë që shoqërojnë bosët e karteleve të drogës.
Shefen e shërbimit të rekrutuar në forma të ndryshme nga Ergys Agasi dhe e njohur kjo publikisht.
Pra, unë jam përqendruar shumë tek narkoshteti, por kur unë kaloja tek zgjedhjet, miqtë e mi, të pavarur nga njëri-tjetri, kishin një përgjigje: ‘Në narkoshtet nuk ka zgjedhje’. Domethënë, nuk ka zgjedhje në narkoshtet, janë iluzion, janë farsë.
Tani, më thoni ju mua, po mirë edhe tani narkoshtet është, po, vetëm se ky narkoshtet dhe Edi Rama është shumë më i dobët se ç’ishte, dhe gradualisht ata, të cilët realizojnë se Shqipëria është narkoshtet, numri i tyre po rritet. Akoma nuk është ndërgjegjësuar, veçanërisht ne kemi një vështirësi me partnerët evropianë që për arsye të ndryshme, çuditërisht nuk kanë një qëndrim publik.
Por ne do punojmë me durim dhe ju siguroj se do realizojmë qëllimin tonë për të thënë të vërtetën ashtu siç është.
Ju rikujtoj këtu një moment: Një nga deputetët më të nderuar të Parlamentit Europian, që kryesoi delegacionin e Parlamentit Europian në zgjedhjet e 2011-ës, Michael Gahler, deklaroi në Bruksel publikisht para një audience shumë të gjerë se në Shqipëri krimi i organizuar nuk lejon rotacionin e pushtetit.
Pra, ne u angazhuam në këtë betejë dhe do e vazhdojmë pavarësisht nga çmimi.
Sigurisht, ne i mbijetuam përçarjeve, arrestimeve, burgosjeve, etj., dhe sot jemi të vendosur për një ripërtëritje sa më të fuqishme për të ripërtërirë Shqipërinë.
A jeni në dijeni të vizitës së ambasadorit amerikan në SPAK dhe cila mendoni se është arsyeja e vizitës së ambasadorit amerikan dhe dy senatorëve në SPAK, me Klodian Brahon dhe Joni Ketën?
Sali Berisha: Kam parë lajmin.
Dhe e vërteta është që SPAK-u është sot institucioni më i vizituar nga dinjitarët ndërkombëtarë. Nuk kanë, në vlerësimin tim, asnjë qëllim përveçse inkurajimit të SPAK-ut në misionin e tij.
Por, të gjithë atyre që vizitojnë SPAK-un, unë dua t’i njoftoj se SPAK-u është një armik i egër i pluralizmit politik në Shqipëri. Ky është problemi më themelor i SPAK-ut.
Se SPAK-u amniston krimin elektoral në emër të interesave të partisë së tij.
Se SPAK-u mbi 51 dosje të dorëzuara me dokumente, ja ku është ky libër, 1500 faqe libri, mbi 51 dosje të krimit elektoral, që përfshijnë Edi Ramën, përfshijnë ministrat, të denoncuar dhe në raportin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it, nuk ka shfletuar asnjë dhe i ka amnistuar.
Për mua, për Shqipërinë, për shtetin ligjor, ky është problemi më madhor, numër një i SPAK-ut.
Gjersa SPAK-u mban këtë qëndrim ndaj krimit monstruoz elektoral, ai është një armik i betuar i pluralizmit politik.
Dhe kjo është e faktuar, s’ka asgjë më të faktuar se kjo, cilido që e viziton.
Amnistimi i krimit elektoral është atentat ndaj pluralizmit, për aq sa vota e lirë, për aq sa partitë politike kanë peshën në pluralizmin politik.
Ludovik Tetaj, nga Teksasi një pyetje, thotë: Si ka mundësi që i prenë në besë deputetët e Partisë Socialiste votuesit e tyre nëpër bashkitë ku ata do të eliminohen?
Sali Berisha: Pyetje interesante Ludovik.
Mendja më shkonte të thosha që u sollën si banditë. Por nuk mund të thuash se çdo bandit është i pabesë. Jo. Ka banditë që dhe besë kanë edhe e mbajnë në atë mënyrën e tyre.
Të them se ata janë amoralë, politikisht, ata nuk kanë asnjë interes tjetër përveç interesave të pasurisë së tyre të krimit. Ndaj dhe, të presësh prej tyre që të mbrojnë interesat e qytetarëve, është iluzion, mashtrim i vetes. Treguan fytyrën e vërtetë ndaj atyre zgjedhësve.
Divjaka, një muaj në protestë qytetarët çdo natë, deputeti socialist, se s’është deputet ai, është deputet i krimit, thoshte se ‘Divjaka aty do mbetet, aty do jetë’.
Ky ishte arsyetimi. Çfarë mund t’i thuash këtij fundamentalisti? Që asgjëson çdo lloj argumenti. Kurse kryetari, Gorrea, mbronte vjedhjet e tij dhe nuk vinte në protestë.
Çfarë mund t’u thuash këtyre? Këta janë hajna dhe s’janë asgjë tjetër.
Tonin Biba: Përkrahja sociale për familjet në nevojë është 30 mijë lekë të vjetra. Ju keni premtuar 200 euro. Pyetja është, kur do të jetë ajo ditë kur shqiptarët në nevojë të jenë si e gjithë Shqipëria, pra të kenë të ardhura normale?
Sali Berisha: Kam premtuar minimumin jetik 200 euro, i cili do vazhdojë të rritet në përputhje me rritjen e treguesit të çmimeve. Ai vit do jetë me fitoren e Partisë Demokratike, ju garantoj.
Ju garantoj se vitin e parë do ketë ndërhyrje emergjente me të cilat s’mund të imagjinohet ndihmë ekonomike 30-40 euro, pensione 40-50 apo 120 euro, me të cilat nuk ushqehen dot as dy javë normal, pa lëre ilaçe që s’i marrin dot. Nuk do kushtojë më fëmija 60% të rrogës fëmija i parë për t’u rritur.
Jo, do marrin fund këto. Pasuritë, të ardhurat do u rikthehen qytetarëve. Thashë, nuk kërkojmë votë për ato që kemi bërë, por ju kujtojmë se jemi renditur të katërtit në botë për këtë, për këtë konvertim të pasurive në rroga, pensione dhe mirëqenie për qytetarët.
Tani, me këtë emergjencë ju siguroj se vullneti është edhe më i hekurt, jo vetëm për emergjencën, por për arsimin. Një arsim, një proces serioz, me mësuesin në piedestal, me të gjitha shpërblimet dhe mundësitë e punës.
Një kujdes shëndetësor cilësor. Dhe jo vetëm për ata që kanë, jo. Kujdes shëndetësor cilësor për çdo shqiptar. Shqipëria ka mundësi të mëdha të ketë një kujdes shëndetësor disa herë më cilësor. Ka mjekë të shkëlqyer. Ka mjekë shqiptarë në Europë dhe në botë ndër më të mirët, në Europë dhe në botë, që janë të gatshëm të ndihmojnë.
Mbrëmë isha në Fier, u ndala për të vizituar Rrapi Xhikën, një mik i vjetër, ish-kryetar i Partisë Demokratike. Dhe aty gjeta një ekip tek spitali Imperial, mjekë që kryenin procedura ndër më të suksesshmet dhe më të vështirat. Njerëz me pasion.
Më treguan se si kishin, me metoda joinvazive, kishin shpëtuar jetën e një pacienti me çarje të aortës. Se si i kishin vendosur atë pjesën e aortës.
Më treguan se si kanë shpëtuar muskulin e zemrës pas bllokimit të arterieve, me zhbllokimin e tyre të shpejtë. Heqjen e trombeve në arteriet që shkojnë në tru, diagnozën dhe heqjen. M’u një mik që kisha aty me vete, këtu në Tiranë ia bënë diagnozën atij. Mikut tim. Po i thanë në spital publik, tani për të hequr trombin do të shkosh tek privati, të paguash nja 2000 euro atje.
Kjo është një aktakuzë e rëndë për sektorin publik. Të bësh diagnozën me kateter dhe të mos heqësh trombin, nuk je ai që duhet të jesh për të sëmurët.
Ky është një sistem mafioz i instaluar nga qeveria. Do marrin fund këto. Do marrin fund. Nuk do mund të ketë më shërbime të tilla.
Po sporti, që është i injoruar. Lexoja këto ditë unë, kishte ardhur në Shqipëri presidenti i Federatës së Basketbollit. A e dini ju sa jep qeveria shqiptare për basketbollin? 200 mijë euro. 3 milionë i jep Kosova për basketbollin. Kosova 3 milionë, 200 mijë jep qeveria shqiptare. Zero pothuajse.
Pra, Shqipëria ka nevojë urgjente për ripërtëritje dhe ne angazhohemi që do të bëjmë çdo gjë për ta nxjerrë me shpejtësi nga kjo emergjencë.
Faleminderit!


