FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË BASHKËBISEDIMIN ME BANORËT NË ZONËN E DEPOS SË UJIT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me banorët e zonës së Depos së Ujit dhe anëtarët e degës 2 Tiranë, akuzoi me tonë të ashpra qeverinë aktuale për korrupsion, keqmenaxhim të fondeve publike dhe mungesë transparence. Berisha u shpreh para qytetarëve se paratë e taksave të shqiptarëve janë shpërdoruar, duke dhënë shembuj të projekteve të dyshimta si ndërtimi i Unazës së Tiranës dhe djegësit të kryeqytetit, ku është kryer vjedhje e fondeve.
Kryetari i PD, Sali Berisha tha se programi i Partisë Demokratike do të sjellë një ndryshim të thellë, duke u angazhuar për “Pastrimin e Shtëpisë” – një luftë të fortë kundër korrupsionit dhe shpërdorimit të pasurisë publike. Ai premtoi se, me ardhjen e PD-së në pushtet, do të luftohet vjedhja e parave publike dhe do të kthehen ato në shërbime për qytetarët, siç janë rritja e pagave, pensioneve, dhe mbështetje për bizneset.
Një tjetër pjesë e programit të PD-së është çlirimi i bizneseve nga barra fiskale, duke lejuar që ato të investojnë më shumë dhe të krijojnë vende pune. Lideri i Opozitës, Sali Berisha premtoi rritjen e ndihmës për pensionistët dhe fëmijët, me përfitime si rritje të pensioneve dhe bonus për çdo fëmijë në familje. Po ashtu, Berisha theksoi nevojën për të mbështetur bujqësinë dhe zhvillimin e një ekonomie që prodhon më shumë dhe sjell përfitime për qytetarët.
Në lidhje me integrimin në Bashkimin Europian, Berisha akuzoi qeverinë aktuale për dështimin në këtë proces dhe ka theksuar se Shqipëria nuk mund të integrohet në BE si një vend me pensione të ulëta, me mungesë të lirive politike dhe me një sistem të drejtësisë të papërmirësuar. Berisha theksoi se PD është forca që ka kontribuar në integrimin e Shqipërisë në NATO dhe ka qenë në avantazh për zhvillimin e proceseve të tjera integruese.
Në përfundim të fjalës së tij, Kryetari i PD, Sali Berisha bëri thirrje për angazhim të qytetarëve për fitoren e 11 majit, duke kërkuar mbështetje për programin e PD-së, i cili, do të transformojë Shqipërinë në një vend të begatshëm, të sigurt dhe me mundësi për të gjithë.

FJALA E PLOTË
Të dashur demokrate dhe demokratë, qytetare dhe qytetarë të degës nr.2 të kryeqytetit të vendit. I dashur Belind, drejtues politik i Qarkut të Tiranës, zonja kryetare e PD për degën 2, zonjat e nderuara deputete, e dashur Eva. Ju falënderoj shumë për këtë pritje entuziaste që tregoni. Ky entuziazëm është energjia e vërtetë e fitores së 11 majit.
Të dashur miq, sot ne jemi në prag të një ndryshimi shumë të thellë, shumë të madh. Shqipëria në këto 12 vite, e vërteta është se, eci në një drejtim në të cilin dy gjëra nuk mund t’i mohojë kush.
Së pari, në drejtim të largimit të shqitparëve më shumë se kurrë nga Shqipëria.
Cilido që mendon ndryshe, le të mbyllë sytë për një moment dhe të mendojë se sa njerëz të rrethit të tij janë larguar nga ky vend këto 12 vite.
Aspekti i dytë dramatik i këtij drejtimi është varfërimi i madh dhe i vazhdueshëm i qytetarëve shqiptarë. Ky varfërim ka për tregues të qartë pensionet dhe rrogat lrejtësisht të papërshtatshme për çmimet e tregut dhe për një jetë normale.
Sot, një pensionist me pensionin e tij mesatar merr 165-170 euro, krejtësisht të pamjaftueshme për përballimin e jetës. Të mos diskutojmë për ata që marrin pensionin minimal 120 euro. Por këta që marrin pensione të plota, këta janë pakica. 57% e pensionistëve marrin pensione të pjesshme.
E gjithë kjo situatë ka vetëm një faktor dhe ky faktor është korrupsioni, vjedhja, shpërdorimi, përvetësimi i parave të taksve tuaja nga qeveritarët.
Është një vjedhje e tillë, saqë tejkalon çdo imagjinatë.
Sot, ky është kryeqyteti në të cilin për objektin publik për ndërtimin e djegësit të kryeqytetit, nga taksat e shqiptarëve janë dhënë 130 mln euro. Ai nuk ka gjurmë kund. Edhe paratë nuk kanë gjurmë, se paratë kanë shkuar në kontot e Edi Ramës dhe suitës së tij.
Sot, me një dorë vetëm në Unazën e Tiranës, për ndërtimin e 13 km të saj e ka ndarë në 14 kontrata. Ju garantoj që në botë një tenderim i tillë nuk gjindet. Dhe ndahet në 14 kontrata, sepse çdo kilometër i saj është ndërtuar me 17 milionë euro. Në çdo kilometër të saj, ju garantoj unë ju, se Edi Rama me Belinda Ballukun, ka ndarë me hajdutin nga këto 17 milionë, minimumi 12 milionë.
Segmentet e ndërtuara nga ne janë plot vepra arti, të Unazës kanë kushtuar 3.8 milionë kilometri. Por po e marrim se janë rritur 30% çmimet, dhe po e marrim që i bie pra, që tani të kushtojnë jo 3.8, por të kushtojë 4.1 milionë euro kilometri. Kurse këta e ndërtuan me 17 milionë. Ja sepse e copëtoi rrugën në mënyrën më të paimagjinueshme. Copëtuan rrugën në 14 kontrata.
Dje mediat publikuan se ky person, imagjinojeni pak, paguan për pastrimin e makinës së vet për muaj. Nuk kisha dëgjuar kurrë!
Sot, për BMË-në e vet ka prokuruar lavazhin me të cilin ndan paratë për pastrimin e makinës të çdo, se shoferi i saj nuk mundet dot t’i japë një leckë, apo një pastrim. 10 mijë euro në muaj.
Nuk ka përçmim më të madh se sa mund t’ju bësh qytetarëve të tu, në qoftë se ti i lejon vetes akte të tilla. Nuk kisha dëgjuar kurrë, dhe madje edhe me minuta se sa duhet të presë makina e saj. Por kjo, sigurisht, që çdo gjë e ndan me Edi Ramën, se përndryshe ajo nuk qendronte aty 4 minuta. Ajo kishte detyrë të mbikqyrte, të supervizonte punimet e djegësit. Ajo kishte në ministrinë e saj një njesi të paguar me taksat tuaja, të cilët kishin detyrë të ndiqnin punimet e djegësit. 6 vite rresht ajo nuk bëri një raport, sepse e dinte që paratë zhdukeshin. Se sepse e dinte që paratë shkonin te Edi Rama.
Pra, ky është drejtimi. Unë mund t’ju jap ju me dhjetëra e dhjetëra shembuj të tjerë. Po kjo çfarë solli? Kjo solli bollikin e rritjes së rrogave dhe pensioneve. Kjo solli rrënimin e vendeve të punës. Kjo solli largimin e të rinjve nga Shqipëria, dhe jo vetëm të të rinjve. Kjo solli pasiguri të madhe në çdo familje, familjes që i ikin fëmijët dhe mbeten vetëm. Ata mbeten në vetmi, ata mbeten në pasiguri. Dhe këto të gjitha për shkak të korrupsionit.
Ndaj dhe, ne, siç jeni informuar kemi përcaktuar si shtyllë të tretë kryesore të programit tonë, Pastrimin e Shtëpisë.
Ne nuk do të dilnim para jush, në qoftë se nuk do ishim 100% të sigurtë se, me dorë të hekurt, me zero tolerancë, ne do luftojmë vjedhjen e korrupsionin e qeveritarëve dhe zyrtarëve, ne do luftojmë krimin e organizuar që është shndërruar, është bërë një me qeveriarët.
Pikërisht, në këtë betejë për të pastruar shtëpinë tonë, ua them unë ju, nuk ka asgjë më jetike, gjithçka rrënohet në qoftë se me gërshërët e ligjit nuk japim përgjigjen më të merituar vjedhjeve dhe shpërdorimit të parave të taksave tuaja.
Ne e kemi luftuar korrupsionin. Sigurisht, korrupsion ka patur. Por u them unë ju, pratikat që ne instaluam për luftën kundër korrupsionit ishin praktikat më transparente, dhe çfarë ka mbetur nga ajo kohë janë të vetmet. Regjistrimi i biznesit me 1 euro. Ishte 4 mijë euro dhe një muaj kohë. Lincencat, i shtuan i kthyen, por ne i reduktuam licencat nga 200 në 60. Vendosëm ealbania. Vendosëm kadastrën digjitale. Vendosëm tranparencën absolute të shpenzimeve të Thesarit të Shtetit.
Çdo qytetar mund të kontrollonte të nesërmen se sa para ka shpenzuar kryeministri i vendit nga taksat e tij.
Pra, ne përjashtuam me ligj ministrat nga autoritetet kontraktore. Pse po ua numëroj të gjitha këto? Ne kemi gjithë trashëgiminë, por kemi gjithë forcën dhe vullnetin t’i rikthehemi në mënyrën më të fuqishme luftës së korrupsionit, vjedhjes së parave tuaja. Dhe t’ua kthejmë ato ju. Ne. Do t’ua kthejmë ato ju. Janë taksat tuaja. Ne do i kthejmë ato në rroga, ne do i kthejmë ato në pensione, ne do i kthejmë ato në shërbime, në shëndetësi, në arsim. Ne do i kthejmë në subvencione në bujqësi.
Pra, pastrimi i shtëpisë është shtylla qendrore mbi të cilin bazohet programi ynë.
Sot, Edi Rama thotë se, “më hanë dardha prapa shpine”. Ai ha dardha vet gjithë ditën. Ju garantoj unë ju, se kurrë Belinda Balluku nuk mund të fshihte mosndërtimin e djegësit të Tiranës, po të mos e dinte 100% se paratë i merr Edi Rama.
Shkoni i shihni, ja ku i ka sarajet. Sarajet me gjatësi themelesh, ka rrezik dyfishi i vilës së Enver Hoxhës. Kurse oborrin e ka 4 herë më të madh se sa oborri i vilës së Enver Hoxës. 8300 m oborri. Park, park e ka.
Sigurisht, dhe këto janë vetëm maja e ajsbergut, sepse kontot bankare dhe investimet e tij offshore janë të pakufijshme.
Miqtë e mi, Edi Rama pas 12 vitesh kërkon një mandat tjetër, kërkon që të pasurohet më shumë vet, të pasurojë sojin e vet më shumë, të pasurojë oligarkët e tij më shumë dhe t’ju varfërojë ju. Të përzerë dhe këta pak të rinj që kanë mbetur nga Shqipëria. Ndaj dhe, 11 maji është një ditë shpëtimi për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Nuk ka asnjë moral të vijë t’u kërkojë shqiptarëve votën. Për çfarë do ju kërkojë votën ai? Se i paguan pensionistët, sa i paguan Gjermania kafshët e shtëpisë, qenin dhe macen? Absolutisht! Për çfarë do e kërkojë votën ai?
Do e kërkojë, se ka këtu përpara 8 mld të marrë taksat tuaja, dhe le 16 milionë për pensionistët, 780 mijë burra dhe gra. Për çfarë të kërkojë votën ai?
Të kërkojë votën për para që vodhi me djegësin e Tiranës? Të kërkojë votën për shishet e verës që hap 33 mijë euro? Të kërkojë votën për udhëtimet e tij me avion, 21 milionë euro në 2 vjet, 140 udhëtime. Presidenti i amerikës ka 74 udhëtime.
Të kërkojë votën, për çfarë e kërkon votën tuaj ai? Për të grabitur me 50 milionë euro, siç grabiti me tunelin e Llogarasë?
Për të bërë të fortin dhe gangsterin, për të përzenë sipërmarrësit që pastaj gjobiteni ju me qindra e dhjetëra miliona euro, paguani me taksa tuaja siç ndodhi me Beketin.
Për çfarë të kërkojë votën?
Të kërkojë votën se, sot të sëmurët tanë në spitale nuk vdesin nga sëmundjet, por vdesin nga mosdhënia e ilaçeve?
Të kërkojë votën se, deklaron që janë bërë krime kundër njerëzimit dhe vazhdon të nesërmen, mjeku i merr në tëlefon dhe u thotë: mos hajde se nuk ka ilaçe?!
Ndaj dhe, është e rëndësishme shumë miq, të uleni me çdo qytetar shqiptar, të uleni me çdo mik, me çdo të njohurin tuaj, me çdo mik që është i dëshpëruar, me çdo njeri që ka mosbesim ndaj nesh, me çdo njeri që thotë se unë nuk votoj. Me të gjithë këta duhet të uleni, dhe të bëni një analizë së bashku me ta.
Ne e ndryshojmë në mënyrë të shpejtë, emergjente. Ne vendosim minimumin jetik 200 euro. Absolutisht, 3 muajt e parë të qeverisjes sonë.
Ne do japim Kartën e Konsumatorit. Për çdo pensionist, pensionet do të indeksohen me dyfishin. Fillimisht, do rriten me 20%. Jampin Kartën e Konsumatorit. Nuk mund të marrë pensionisti me të njëjtin çmim ilaçet që marrim ne tjerët me rroga të larta. Jo!
Atij do t’i kthehet TVSH-ja 450 euro në vit.
Do i kthehet rrogëultëve. Ne u japim dhe fëmijëve njëherë, në radhë të parë. Edhe fëmijëve. Do vejmë bonus për çdo fëmijë në rrogë. 70, 60 euro për të dytin. Pagesë e plotë nga lindja gjer në 23 vjeç për të tretin.
Ne do çlirojmë bizneset nga barra e madhe fiskale, se ne besojmë se paratë në kontot e bizneseve janë më të vlefshme se në llogaritë e qeverisë. Në këtë mënyrë ata do të kenë mundësi, kursimet t’i investojnë, të krijojnë vende pune, të zgjerojnë biznesin.
Ne do bëjmë gjithçka që Shqipëria të prodhojë kudo, në çdo skaj të saj, në mënyrë që të mirat të shndërrohen në pasuri për qytetarët.
Një Shqipëri që prodhon, është një Shqipëri që gëzon dhe begaton qytetarët e vet. Ne, do bëjmë gjithçka t’ua gjejmë pasuritë në Shqipëri dhe kudo që i kanë. Dhe absolutisht të gjitha do të shitën për t’ua kthyer paratë qytetarëve. Të gjitha do të përdoren për politika sociale.
A e patë hotelin e 5D-ve, një hotel qelqi 20 katësh? Çfarë ndodhi?
Ato dy ditë, dy lajme ishin. Një vajzë që i thishte në telefon, se ky është i lali Erit, hoteli, dhe sigurisht i tiji ishte. Dhe një qytetar digjital që më shkruante se, aksioneri i hotelit është, Olsi Rama.
Hetohet dosja, çohet në gjykatë dhe lali Eri nuk merr asnjë akuzë për 5D, që është përgjegjësi absolut numër 1 për 5D. Pse? Se hoteli, 60 apo 70 milionë euro, më i largëti dhe më i madhi në Shqipëri,ë shtë aksioner edhe klani mafioz Rama.
Këto konfiskohen. Këto të gjitha marrin përgjigjen ligjore dhe u kthehen qytetarëve shqiptarë.
Miq, ky njeri, të rinjtë i kanë vënë memen e fundit: meme e gjallë, dhe bravo u qoftë se ua kanë gjetur.
Ky njeri që nuk që nuk lë gje pa gënjyer. Tani, ka 3 javë që nxjerr një pasaportë biometrike të prodhuar nga qeveria e mëparshme, dhe u thotë ja, pasaporta europiane.
Kjo parti qendroi në pushtet 20 vjet, dhe në mënyrë absolute nuk ka regjistruar një akt të vetëm madhor në procesin e integrimit.
PD e anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Europës. Këta thërrisinin se, “molla nuk është pjekur”, në atë kohë, ju kujtohet. PD anëtarësoi Shqipërinë në NATO. Edi Rama protestonte me portretet e Enver Hoxhës, atë ditë që Shqipëria anëtarësohej në NATO në shesh.
Komisioni Europian propozoi Shqipërinë për statusin e kandidatit. Ai bllokonte 3 ligjet në parlament për këshilltarët e Fierit. Parlamenti Europian miratoi heqjen e vizave për shqiptarët, ai dërgonte emaile se 800 mijë shqiptarë do u dynden në Bruksel.
Pse po i them këto?
Po i them këto se, në qoftë se ka një parti që ka ADN-në e integrimit, kjo është PD-ja.
Po PD-ja e integrimit nuk e imagjinon kurrë se mund të integrojë Shqipërinë si vend i burgosjeve dhe arrestimeve politike.
Jo, Shqipëria nuk mund të integrohet kurrë si vend i tillë.
PD nuk e imagjinon kurrë që të mund të integrojë Shqipërinë si një vend i torturës masive. A e dini ju miq, se sot në burgjet e Shqipërisë 70% e 6200 të burgosurve janë në paraburgim, janë persona të padënuar. Në parim e Kushtetutës së Shqipërisë, të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të Kartës së Organizatës së OKB, ata janë të pafajshëm. Dhe ata mbahen aty, në super kushte çnjerëzore, torture të vërtetë.
Jo, Shqiëpria nuk mund të ecë në këtë mënyrë drejt BE.
Por, t’u them edhe një gjë tjetër ju. Shqipëria nuk mund të ecë drejt BE me pensionistë që marrin 140 euro, 150 euro. Nuk ecet. E kanë edhe ëktë kriter. Nuk e shpallin. Por e kanë ata edhe këtë kriter. Edhe, e kanë me të drejtë. Ua jap plotësisht të drejtë.
Shqipëria, nuk mund të ecë drejt BE duke eksportuar krim dhe kriminalitet, duke dhunuar zgjedhjet e lira.
Pra, të gjitha këto janë vetëm mashtrime të Edi Ramës. Në qoftë se, ka një forcë politike që është faktuar se është serioze dhe e suksesshme në proceset intergruese, kjo është PD.
Ndaj, dhe ju ftoj këtë muaj, këtë energji, këtë optimizëm, këtë besim që keni ju tek fitorja e 11 majit, fitorja e merituar, ta trnsmetoni tek çdo i njohur, tek çdo qytetar te trokisni në zemrën e tij me programin e PD.
Dhe ju garantoj se, ky program, përveçse premtimeve tjera, dp të transformojë jetën në çdo qytet dhe fshat të këtij vendi. Ju jeni në kryeqytet këtu, me një infrastrukturë të botës së tretë. Pa ujë, apo me ujë 2-3 orë, në 24 orë. Me rrugica të cpëtuara, të paasfaltuara. Me rrjet elektrik të pasigurtë, pa shkolla, pa kopshte.
Ju jeni 60-70 mijë banorë. Kërkesat tuaja janë shumë më të mëdha. Në kundërshti me kushtetutën ju kanë marrë çdo vit taksë për arsimin dhe shkollat nuk i kemi.
Një grabitje e paskrupullt.
Ju siguroj se, taksa nuk do paguani ju kurrë, sa të jetë PD në pushtet, jashtë kushtetutës.
Biznesi i vogël nuk do mund të tatohet kurrë nga bashkia, më shumë se 1% të xhiros, shkon e 10 ndonjëherë. Të harrojë, do i bëjmë ligjin.
Energjia, do shitet me 7 lekë. Do përgjysmohet tarifa e ujit. Dhe në këtë mënyrë ne bëjmë Shqipërinë një vend të jetueshëm, e bëjmë Shqipërinë një vend që ecën drejt begatisë. Me pastrimin e shtëpisë e bëjmë një vend të sigurt, transparent, me projektet e tjera për energjinë, hajtekun, e bëjmë një Shqipëri Madhështore, siç e duan të rinjtë shqiptarë.