Asistencë Ligjore 24/7 për Protestuesit

Balliu: Rama është shefi i krimit në Shqipëri, studentët janë ngritur në revoltë, dhe patjetër ne e mbështesim atë revoltë

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka mbështetur protestën studentore, duke akuzuar Edi Rama për lidhjet me krimin e organizuar dhe për përgjegjësi në përkeqësimin e situatës ekonomike dhe arsimore në vend.

Në një prononcim për mediat gjatë protestës, Balliu e cilësoi atë si një revoltë tashmë mbarëkombëtare kundër qeverisë, e cila, sipas tij, ka shkërmoqur ekonominë dhe sigurinë e jetës së qytetarëve. Ai theksoi se opozita dhe demokratët do të vijojnë të mbështesin kërkesat e studentëve.

Balliu kritikoi edhe reagimin e kryeministrit ndaj protestuesve, duke e cilësuar sulmin ndaj studentëve si një akt të turpshëm dhe qesharak.

Prononcimi i deputetit të PD, Klevis Balliu:

Jemi në mbështetje të protestës studentore, të kërkesave të tyre, në mbështetje të një revolte tashmë mbarëkombëtare kundër një qeverie që ka shkërmoqur çdo gjë në Shqipëri, qoftë ekonominë, qoftë sigurinë e jetës. Në këtë aspekt, nuk ka se si të ishte ndryshe: opozita dhe demokratët kanë qenë, janë dhe do të mbeten në mbështetje të protestës studentore.

Është një protestë që në çdo moment vjen duke u rritur, siç kemi parë edhe në protestat e tjera. Pa diskutim, besojmë se, në të gjithë këtë situatë kritike ku ndodhet vendi, dalja e Edi Ramës për të sulmuar dhe inkriminuar studentët ishte një nga aktet sa qesharake, aq edhe të turpshme të një njeriu tashmë në përpëlitjet e fundit.

Nëse krimi do ta financonte këtë protestë, Edi Rama do të ishte pjesë e saj, sepse ai është shefi i krimit në Shqipëri. Të flasë Edi Rama kundër krimit është si të flasë Hitleri kundër racizmit.

Pra, jemi të qartë: nëse ka një njeri të lidhur me bandat, nëse ka një njeri që ka inkriminuar institucionet e shtetit, ai është Edi Rama. Ne jemi i vetmi vend në botë që jemi detyruar të bëjmë një ligj për dekriminalizimin e institucioneve, sepse ai futi në to trafikantë droge, vrasës dhe përdhunues. Ka futur në institucionet e shtetit të gjithë llumin, llumin që ai përfaqëson.

Çdo bandë kriminale sot ka drejtorin e vet, çdo bandë kriminale sot ka deputetin e vet. Këtu po flasim për Suel Çelën, për Troplinët, për Hajrajt dhe për Bajrajt, për të gjitha organizatat kriminale që ai i ka pasur në mbështetje edhe gjatë proceseve zgjedhore.

Pikërisht për këtë arsye janë ngritur edhe studentët, sepse pastrimi i parave të drogës në kullat për të cilat firmos vetëm Edi Rama i ka lënë ata sot pa shtëpi. Rritja e çmimeve, rritja e kostove dhe shkërmoqja e sistemit arsimor, me rënien me 80 vende në raportin e PISA-s, i detyrojnë studentët të dalin sot në protestë.

Ata i folën për 150 ditë, kanë qëndruar duke kërkuar dhe diskutuar, ndërsa ai tallej me ta. Tashmë studentët janë ngritur në revoltë dhe, patjetër, ne e mbështesim atë revoltë.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale