FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË TAKIMIN PËRMBYLLËS NË LEZHË
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar programin e ‘Shqipërisë Madhështore’ gjatë fjalës së mbajtur në tubimin përmbyllës elektoral në Lezhë. Ai u shpreh se, brenda 100 ditëve të para, qeverisja e PD-ASHM do të bëjë ndryshimin e madh. ‘Vij për një mision që në 100 ditë të përzëmë nga vatrat tona mjerimin e skajshëm që e mbolli Edi Rama me grupin e hajnave të tij.
Lezha më shumë se çdo gjë tjetër simbolizon besën tonë, virtytin e të gjitha virtyteve. Simbolizon bashkimin. Ndaj dhe këtu nga Lezha u bëj thirrje shqiptarëve të të gjitha bindjeve politike, le të bashkohemi me 11 Maj për të transformuar Shqipërinë në 11 ditë. Dhe unë u jap fjalën ju se pas 100 ditësh, kjo Lezhë, kjo Shqipëri do jetë tjetër’, nënvizoi Berisha.
Gjatë takimit madhështor në Lezhë, kryedemokrati Sali Berisha ka paralajmëruar kryebashkiakun e këtij qyteti, Pjeri Ndreu dhe zyrtrarë të shtetit dhe vendor, se do të shpallen terroristë, pasi po blejnë vota tek qytetarët. ‘Dhe ja ku jam këtu para jush për t’i thënë këtij Pjerinit që i menaxhon… Pjerin, edhe atij Vinçenc Tukut që blem vota në Troshan. Vinçenc, Pjerin, cilido prej kjush do shpalleni terroristë.
Ju garantoj se qeveria e PD, të gjithë ata që guxojnë t’u kërcënojnë ju, që guxojnë t’u diktojnë vullnetin tuaj, ata do shpallen terroristë dhe do trajtohen me ligjet e terrorizmit. U them sot këtyre banditëve, se lufta juaj është luftë me mullinjtë e erës se nuk ka gjë në botë që mund të mposhtë lezhjanët dhe shqiptarët në betejën e tyre për rikthimin e demokracisë’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka paralajmëruar bandat e Edi Ramës, që po blejnë vota nëpër zona të ndryshme. Nga Lezha, Berisha ka lëshuar akuza me emra ndaj njerëzve të Ramës, që sipas tij janë duke blerë vota në Lezhë, Durrës etj.
‘Ergys bëhu gati, së bashku me Altin Hajrin, kriminelin vrasës, bashkë me Pojën dhe banditë të tjerë, do shkoni atje ku e meritoni’, theksoi lideri i demokratëve, Sali Berisha gjatë fjalës së tij.
FJALA E PLOTE:
Qytetarë dhe qytetare të Lezhës, mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta ndaj jush që keni mbushur sot në mënyrë madhështore këtë shesh, por ndaj të gjithë qytetarëve të Lezhës, të këtij qarku, nga Kumbulla dhe Mërkurthi gjer në Shëngjin, nga Torovica gjer në Fushë Krujë.
Mbështetja juaj ka qenë dhe mbetet për ne detyrimi më i madh dhe u garantoj se do bëjmë gjithçka për ta shpërblyer me mirënjohje këtë mbështetje.
I dashur zoti Agron Gjekmarkaj, drejtues politik i qarkut të Lezhës.
I dashur zoti Fatmir Mediu, kryetar i PR, aleat që në themelim i PD.
I nderuar zoti Chris LaCivita, zoti Paul Manafort, i nderuar zoti Philip Griffin.
Të dashur miq, është një mbrëmje madhështore, është mbrëmja ashtu siç duam të bëjmë Lezhën.
Po vij nga Shkodra, në çdo rrugë dhe rrugicë, në çdo qytetar dhe qytetare, shihej qartë fitorja.
E tërë Shqipëria është në këmbë, e tërë Shqipëria pret 11 Majin si orën e votës së shqiptarëve për shpresën, besimin, të ardhmen e Lezhës dhe Shqipërisë.
Një nderim të madh për ju që e shndërruat këtë pranverë në një dimër të thellë për Edi Ramën.
Që ia shuat shpresat dhe e bëtë të presë me tmerr dhe panik 11 Majin si ditën e ndëshkimit të tij shembullor, të merituar.
Miq, Lezha më shumë se çdo gjë tjetër simbolizon besën tonë, virtytin e të gjitha virtyteve.
Simbolizon bashkimin.
Ndaj dhe këtu nga Lezha u bëj thirrje shqiptarëve të të gjitha bindjeve politike, le të bashkohemi me 11 Maj për të transformuar Shqipërinë në 11 ditë.
Dhe unë u jap fjalën ju se pas 100 ditësh, kjo Lezhë, kjo Shqipëri do jetë tjetër.
Në qoftë se dal sot para jush, në qoftë se vij sot për të mbyllur fushatën elektorale me ju, nuk vij për karrigen time.
Jo, vij për një mision. Të transformojmë së bashku Lezhën dhe Shqipërinë.
Vij për një mision që në 100 ditë të përzëmë nga vatrat tona mjerimin e skajshëm që e mbolli Edi Rama me grupin e hajnave të tij.
Në 100 ditë, çdo pensionist që merr sot nën 172 mijë lekë, dhe të tillë sot janë 560 mijë burra dhe gra, do marrë secili jo më pak se 200 euro.
Në 100 ditë, çdo qytetar nuk do ketë rrogë më të ulët se 500 euro.
Në çdo pensionist dhe rrogëulët do ketë kartën e konsumatorit. Do blejë të gjithë gjërat bazë 20 përqind më lirë se të tjerët.
Në 100 ditë, energjinë elektrike do e paguani me 7 lekë kilovati.
Në 100 ditë, shqiptarët do kenë listën e barnave të rimbursuara 100 përqind që ka republika italiane.
Në 100 ditë, nafta do shitet me çmimin e njëjtë me Kosovën dhe Maqedoninë, pra 40 përqind më lirë.
Duam 100 ditë nga ju sepse do jenë 100 ditët tuaja, do jenë 100 ditë të ndryshimeve të mëdha.
Çdo biznesmen i vogël do blejë energjinë me 6 lekë kilovati dhe jo 18.
Çdo biznesmen i vogël do paguaj hapësirën publike një të pestën e asaj që paguan sot.
Do paguajë tarifën e ujit sa gjysmën e asaj që paguan sot.
Pra a nuk përbën kjo një ndryshim të madh për çdo biznesmen?
Çdo biznesmen i mesëm apo i madh, tatim fitimin nga 23 përqind do e ketë 10 përqind.
Të gjithë rrogëtarët me rroga mbi 500 euro do kenë një rritje imediate rroge prej 13 përqind.
TVSH-ja do ulet në 15 përqind.
Miqtë e mi, jo më pak do përfitojnë fermerët e Lezhës dhe të Shqipërisë.
Sot tregjet janë të mbushura me importe sepse janë hapur doganat me Ballkanin e Hapur. Akti i parë, Ballkani i Hapur në kosh të plehrave.
Çdo biznesmen do ketë subvencione për çdo fidan të mbjellë, për çdo kokë bagëti, për çdo njësi prodhimi, të barabarta me fermerin në Maqedoni, Serbi dhe vende të tjera. Sa janë ato? Pesë herë më shumë.
Pra në qoftë se fermeri i Lezhës subvencionohet as 10 përqind të shpenzimeve, fermeri i Kosovës subvencionohet 70 përqind të shpenzimeve. Po më thoni ju mua, kush është më e pasur, Shqipëria apo Kosova?
Prandaj në 100 ditë ne bëjmë ndryshimin e madh. Bashkohuni në një besëlidhje për të votuar mirëqenien tuaj.
Garantoj të gjithë fermerët se prodhimet e tyre do mbrohen në çdo sezon.
Garantoj eksportuesit dhe prodhuesit se do mbështeten fuqimisht nga qeveria.
Mijëra ndërmarrje dhe ferma kanë falimentuar. Eksporti është përtokë për shkak të rënies së euros.
Miq, më dëgjoni një moment.
Edi Rama thotë se ka rritje. Po, ka një rritje, nuk e mohoj.
Kjo rritje është rritje e betonit.
Betoni dhe droga është krijuar një raport më i fortë, më i madhi në Europë.
Po prodhimi industrial që bie tre vite me radhë, me të cilin lidhet direkt mirëqenia, rroga, puna?
Po prodhimi bujqësor, që bie, me të cilin lidhet jetesa e 380 mijë fermerëve.
Kjo rritje është rritje oligarkike, e trafikantëve të drogës, e qeveritarëve që i mbështesin.
Hajde po deshe blije një apartament në Tiranë, duhet të punosh 110 vite dhe nuk e blen dot kurrë.
Merr fund.
Në 100 ditë, u garantoj ju se prodhimi industrial, se eksportet, se prodhimi bujqësor do ketë mbështetjen më të madhe.
Të dashur miq, në histori ne kemi qenë edhe më të varfër se sot. Kemi përjetuar mynxyra të mëdha, diktaturën më të egër.
Kemi përjetuar luftëra. Në Luftën e Parë Botërore, 6 fuqi të huaja kanë hyrë në Shqipëri.
Po kurrë ndonjëherë Shqipëria nuk ka pasur djepe bosh si sot.
620 mijë të rinj u larguan nga viti 2014 deri në vitin 2023. E dëgjuat mësuesin e nderuar? Të njëjtën çështje shtronte një mësues tjetër në një rreth tjetër.
Pra, largimi i këtyre të rinjve për shkak se nuk gjejnë punë, për shkak se nuk kanë vlerësim, për shkak se ëndrrën e tyre detyrohen ta ndjekin jashtë vendit.
Mbeten në vetmi qindra mijëra familje dhe në një vetmi të vështirë.
A ka mundësi të pranojmë ne një situatë të tillë?
Jo, kurrë.
Në qoftë se ecim në këtë mënyrë, fara jonë do zhduket. OKB njoftoi se kemi treguesin më të ulët në botë të lindjeve.
Kurrë nuk do e kisha besuar se ky tregues është kaq katastrofik, por është i vërtetë.
Miq, pra një e keqe e madhe po na përpin. Një apel i thellë nga thellësia e shpirtit na fton që ta ndalojmë me çdo kusht dhe çdo çmim.
T’u kthehemi përpjekjeve titanike për të sjellë kombin në rininë e tij.
Çfarë u thoshte? Sepse këta të rinj nuk ikin nga ne se nuk na duan. Por këta të rinj nuk jetojnë dot.
E dëgjuat vetë, tre ditë u thoshte në Tepelenë se për ju mandatin e katërt do u japim 2 kg farë kungulli të qëruar.
A nuk ishte kjo edhe një apel që ikni edhe ju?
Pra, këto 100 ditë o miq janë jetike, po më jetike se çdo gjë është dita 11 Maj.
Më 11 Maj, as unë, as ju dhe asnjëri prej nesh nuk ka pasur votë më të rëndësishme për fatin e shqiptarëve.
Një komb pa të rinj nuk ka të ardhme.
Kështu që t’i thërrasim gjakut tonë, t’i thërrasim shpirtit tonë, të mos pranojmë këtë të keqe të madhe.
Është një kushtrim që buron nga shpirti i çdo atdhetari, nga shpirti i çdo qytetari jashtëpartiak.
Miq, Lezha qëndron si kryeura të lidhjes së kombit tonë me Perëndimin.
Këtu u lidh besa, prijësi ynë i përjetshëm u bë një mbrojtës i vlerave dhe qytetërimit perëndimor.
Ndaj dhe sot është kohë bese, është kohë që të vendosim, por edhe të dëgjojmë. 4 rezoluta nga të gjitha forcat politike konservatore të botës që e damkosin Edi Ramën si armik të votës suaj.
Në Valencia, partitë që udhëheqin Europën, u tha se Edi Rama shtyp opozitën me drejtësinë e tij. Shtyp pluralizmin.
U tha se Edi Rama blen vota me lekë.
Po pse e thanë? Sepse kanë parë vendimin e qeverisë që shpërndan 100 euro.
U tha se Edi Rama blen vota me kanabis.
u tha se Edi Rama blen vota me punësime sepse e kanë parë se ka punësuar mijëra vetë për të blerë vota.
U tha se Edi Rama terrorizon qytetarët e tij me banditë dhe vrasës.
Dhe ja ku jam këtu para jush për t’i thënë këtij Pjerinit që i menaxhon…
Pjerin, edhe atij Vinçenc Tukut që blem vota në Troshan.
Vinçenc, Pjerin, cilido prej kjush do shpalleni terroristë.
Ju garantoj se qeveria e PD, të gjithë ata që guxojnë t’u kërcënojnë ju, që guxojnë t’u diktojnë vullnetin tuaj, ata do shpallen terroristë dhe do trajtohen me ligjet e terrorizmit.
U them sot këtyre banditëve, se lufta juaj është luftë me mullinjtë e erës se nuk ka gjë në botë që mund të mposhtë lezhjanët dhe shqiptarët në betejën e tyre për rikthimin e demokracisë.
Të njëjtin mesazh kam për Ergys Agasin, këshilltarin kriminel të Edi Ramës, që në zbatim të porosive të tij, kalon nga një zonë në një tjetër në Durrës duke blerë vota.
Ergys bëhu gati, së bashku me Altin Hajrin, kriminelin vrasës, bashkë me Pojën dhe banditë të tjerë, do shkoni atje ku e meritoni.
Miq, ju e dëgjuat lajmin, SHBA përmes Departamentit të Shtetit, përcollën tek shqiptarët frymën e ndryshimit, mbështetjes së demokracisë.
Ne më 11 Maj, këtij apeli, kësaj fryme duhet t’i përgjigjemi.
Të votojmë, ndryshimin të votojmë demokracinë, të votojmë fitoren.
Një mesazh kam në emër tuaj, më lejoni t’u përcjell një mesazh dhjetëra mijëra punonjësve të administratës.
Ne kemi vlerësimi më të madh për çdo punonjës që zbaton ligjin.
Ai është shërbëtor i qytetarëve.
Ndaj dhe u themi nuk duhet të keni asnjë ndrojtje.
Votoni për historinë, votoni për ndryshimin.
Patronazhistët do marrin fundin e tyre.
Patronazhistët nuk i ngatërrojmë kurrë me ju burra dhe gra të ndershëm që i shërbeni qytetarëve shqiptarë.
Këtu janë edhe disa parti të tjera, që të gjitha absolutisht me votat që përpiqen të marrin këtu e aty, por që nuk u bashkuan me ne se nuk i lejuan të bashkohen me ne, ato kanë vetëm si qëllim që Edi Rama të mbetet në pushtet.
Po forcë që ta mbajë Edi Ramën në pushtet nuk ka.
Ndaj dhe u ftoj të votoni për ndryshimin, votoni për Lezhën, votoni për Shqipërinë.
Rroftë Lezha, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!