FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PROMOVIMIN E LIBRIT TË SIMON MIRAKAJ
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur në ceremoninë e promovimin të librit ‘Kampeve të internimit nën hijen e Tomorrit’ të autorit Simon Mirakaj, u shpreh se, vendosja e pushtimit komunist më 28 nëntor të vitit 1944, e vërteta, zëvendësimi i një pushtimi të huaj me një pushtim barbar të brendshëm. Sipas tij, Enver Hoxha riprodhoi në Shqipëri kampet e përqendrimit të nazizmit, pasi tipari i tyre kryesor ishte shfarosja e kundërshtarëve.
Gjatë fjalës së mbajtur në promovimin e librit ‘Kampeve të internimit nën hijen e Tomorrit’ të autorit Simon Mirakaj, kryedemokrati Sali Berisha ka përshëndetur edhe njëherë fitoren e presidentit Donald Trump. ‘Fitoren e Trump e kam quajtur më të jashtëzakonshmen para së gjithash për shkak të censurës. Sot jemi në një diktaturë të re’, theksoi Berisha në fjalën e tij.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e mbajtur në promovimin e librit ‘Kampeve të internimit nën hijen e Tomorrit’ të autorit Simon Mirakaj, u shpreh se, për të njohur Shqipëri, duhet të njihet dhe letërsia e qëndresës së shqiptarëve në kampet e përqendrimit.
FJALA E PLOTE:
I dashur Simon, të dashur miq!
Para së gjithash dua të falënderoj me shumë respekt, nderim dhe mirënjohje Simon Mirakën për këtë vepër kushtuar njërës prej periudhave më dramatike të historisë sonë kombëtare, kushtuar kalvarit më të egër që shqiptarët njohën pas Luftës së Dytë Botërore, kushtuar qëndresës dhe shpirtit të pamposhtur të elitës tonë kombëtare.
Simon Miraka, familja Miraka janë një familje ndër më të njohurat, më atdhetaret në veriun e Shqipërisë.
Vendosja e pushtimit komunist më 28 nëntor të vitit 1944, e vërteta, zëvendësimi i një pushtimi të huaj me një pushtim barbar të brendshëm, u shoqërua me dekapitimin e elitës kombëtare shqiptare, përfshi dhe një numër të konsiderueshëm të tyre, që kishin luftuar me armë në dorë pushtuesin e huaj.
Enver Hoxha riprodhoi në Shqipëri kampet naziste të përqendrimit.
Kampet e përqendrimit kishin një tipar kryesor, shfarosjen.
Ato kampe duhet të shfarosnin personat që ndryheshin në to.
Nuk e fshehu Enver Hoxha këtë. Në të vetmen që ka qenë i sinqertë, i ka quajtur kamp përqendrimi dhe OKB, me angazhimin direkt të Sekretarit të Shtetit britanik ka rezoluta për kampet e përqendrimit në Shqipëri.
Kampe, në të cilat varroseshin të gjallë njerëz.
Kampe, në të cilat për të përmbysur misionin e tyre, shfarosjen, nuk kursenin asnjë gjë.
Këto kampe u ngritën nga Kamza, Lezha dhe gjer në jug. Por Vloçishti dhe Tepelena ishin dy më mizoret.
Aq sa çnjerëzore është barbaria në këto kampe, aq e madhërishme është qëndresa e të internuarve në këto kampe, e atyre burrave dhe grave, të cilët bënë gjithçka për të ruajtur dinjitetin e tyre.
Për të ruajtur dinjitetin e familjes së tyre.
Ky libër i Simon Mirakës, i serisë ‘Rrno për me tregue’, është një kontribut i madh në njohjen e këtij kaluari. Rreshtohet tashmë krahas kryeveprave të tjera siç është trilogjia e Fatbardha Saraçit, një apoteozë e vërtetë kushtuar gruas shqiptare.
Nuk gjendet kund në letërsi një vepër e dytë si ajo, në të cilën të hymnizohet qëndresa e nënës dhe gruas shqiptare në këto kampe.
Simoni e ka përshkruar më vërtetësi të mëdha këtë kalvar.
Ky kalvar është i përshkruar në vepra të tjera nga një seri personalitetesh që vuajtën.
Por kjo letërsi mbushi gjithashtu, ose ngriti një monument, i cili nuk ekzistonte në letërsinë tonë.
Letrat shqipe në shtatin e Prokustit, e fshehën, e injoruan tërësisht këtë dimension.
Ndaj dhe ne të gjithë duhet të jemi mirënjohës të pakufishëm Simonit, Pjetër Arbonit, Maks Velos, Kasoruhos, Fatos Lubonjës, Fatbardha Saraçit dhe shumë të tjerë, të cilët ngritën këtë monument.
Një monument i të vërtetave shqiptare.
Në qoftë se letërsia socialiste ishte monument i mashtrimit, i falsifikimit, i glorifikimit të të keqes, kjo letërsi është letërsia që u mëson shqiptarëve për kaluarin që ata përjetuan si asnjë komb tjetër në Europë pas lufte.
Miq, ne kemi një problem themelor psikologjik dhe sigurisht duhet të jenë filozofët dhe historianët ata që duhet të japin përgjigje.
Cili është ky problem? Ky problem është se e para, ky kapitull, kjo histori, kjo letërsi, nuk është në piedestalin që meriton edhe sot e kësaj dite.
E dyta, ne u rikthyem në një diktaturë të re, por një gjë duhet të mos harrojë asnjëri prej nesh, se gjithçka në ‘44-‘45-ën filloi me fjalën. Filloi me fjalën e lirë dhe u shtri pastaj në liritë e tjera.
Vazhdoi me fjalën e lirë.
Sot në Shqipëri kërcënohet fjala e lirë çdo ditë e më shumë. Sot censura është një realitet i pamohueshëm në propagandën e atyre që quhen mediat kryesore.
Lavdi Zotit që janë mediat sociale dhe portalet, të cilat nuk pranojnë censurën, nuk lejojnë censurën.
Por, më thoni mua, a nuk ka një analogji midis firmës që vë skulptori Kristaq Rama për të varur në litar poetin Havzi Nela, me firmën që vë për të varur në litar TikTokun.
Enver Hoxha bëri në dekret, ndalohen të gjitha librat e publikuar para vitit 1944.
Skulptori, 37 vite më parë, firmosi të varet një poet.
Pasardhësi firmos të varet TikToku.
Po çfarë ndodh me ne?
A kemi ne vetëdijen e plotë për këtë që po ndodh? Jo, nuk e kemi.
Pse ne nuk e kemi? Në qershor të vitit 1991, Xhim Bejker më shtroi një pyetje: Sali, tha, a u përmbys komunizmi. Po, i thashë unë, por mbetjet i ka shumë toksike zoti sekret. Dhe kjo e mbetjeve toksike, unë u them ju të vërtetën, nuk e thashë se bëja një parashikim në mënyrë profetike, por e shihja të gjithë propagandën që na bënin, unë e kisha fjalën për të gjithë ato reagime të përditshme që bënin me të gjithë propagandën.
Por ky është një realitet shumë i hidhur.
Sot, kjo u bë realitet edhe në vendin e lirisë, kjo u bë realitet i frikshëm shumë.
Eksponentë, politikanë të shquar, flisnin për censurën me aq lehtësi.
Gjigantë të medieve sociale, krenarisht vendosën censurën. Po, po, thanë, duhet ta kontrollojmë.
T’u them një gjë unë ju, këtë fitoren e Donald Trump e kam quajtur më të jashtëzakonshmen para së gjithash për shkak të censurës.
Se ajo që pësuam ne, ajo që pësoi Simoni, ajo që pësuan dhjetëra mijëra shqiptarë, ajo filloi me censurën, ajo filloi me fjalën.
Nuk jemi aty ku duhet në njohjen e realitetit tonë të shkuar.
Kryeministri aktual thotë, hiqet si kështu, por del e thotë se babai im qëndroi në anën e drejtë të historisë.
Po nëse kishte anë të zezë historia, në raport me lirinë, ka qenë diktatura staliniste.
Si qëndroi në anën e drejtë? Pastaj nga kjo rrjedhin të gjitha të tjerat.
E shtroj pyetjen shpesh herë, nuk kam një përgjigje, a mos është kjo psikologji totalitare me të cilën jetuam 45 vjet, që vazhdon e shtrirë në shoqërinë shqiptare edhe sot?
Edhe njëherë, TikToku është një platformë, por të imagjinosh ti të vendosësh ta bllokosh një mjet kaq të fuqishëm komunikimi, të vendosësh një censurë kaq ekstreme, absolutisht tregon se je i aftë të bësh çdo gjë.
Siç bëjnë ajatollahët, siç bën sunduesi i Afganistanit e me radhë.
Pra, uroj dhe dëshiroj që këto vepra të lexohen sa më shumë.
Askush të mos harrojë se pa njohur letërsinë e qëndresës dhe dinjitetit njerëzor të shqiptarëve, dhe të barbarisë së tyre në kampet e përqendrimit, nuk ka për ta njohur kurrë vendin e vet.
Dhe nuk mundet ndonjëherë të ketë një vizion të qartë për të ardhmen e këtij vendi.
Edhe njëherë, mirënjohje të pakufishme për këtë vepër ty Simon dhe të gjithë atyre që ndërtuan një monument madhështor të të vërtetave të shoqërisë shqiptare në regjimin totalitar.
Faleminderit shumë!