FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA PAS REFERENDUMIT TE 23 MAJIT
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke folur për gazetarët pas rikonfirmimit në krye të PD, pas referendumit të demokratëve, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit. Gjatë fjalës së tij, Berisha shprehi një mirënjohje të veçantë për ata që votuan ndryshe. ‘Jemi një familje e mbrujtur në palcë, në qelizë me diversitetin, me standardin demokratik. Shumë mirënjohje për ata qindra e qindra komisionerë në të katër anët e vendit, të cilët organizuan këtë proces shembullor në të gjitha degët e PD të Shqipëris.’ tha Berisha.
Pasi ka falënderuar të gjithë demokratët për votën e tyre në rikonfirmimin në krye të PD, kryedemokrati Sali Berisha ka dërguar një mesazh organizatave kriminale dhe kreut të tyre. ‘Me votën tuaj ju keni lënë pa gjumë organizatën kriminale dhe kreun e saj. Keni lënë pa gjumë kartelet e drogës dhe lidhjet e tyre me qeverinë. Keni lënë pa gjumë mafien e tmerrshme të fjalës së lirë, e cila ka dy muaj që në një agresion mediatik të paparë bën gjithçka të përbaltë këtë proces më të fuqishmin që ka njohur PD në tërë ekzistencën e saj.’, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij.
Lideri i demokratëve, Sali Berisha në fjalën e tij pas rikonfirmimit në krye të PD-së, i ka dërguar një mesazh edhe Edi Ramës. Sipas tij, siç demokratët votuan të lirë sot, edhe shqiptarët do të votojnë të lirë. ‘Edi Rama, dije mirë se për këtë ushtri 40-mijëshe, ti ke zero legjitimitet. Se ti kudo që të shkosh, edhe në hënë dhe prapa diellit, shkon një hajdut i shpërfytyruar. Shkon një sharlatan. Shkon njeri pa legjitimitet. Ndaj dhe do trajtohesh i tillë deri ditën e largimit tënd nga pushteti. Parti e votës së lirë.’, tha Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka falënderuar demokratët për votën e tyre, duke u shprehur se, ata sot kanë votuar për një parti të ripërtërirë plotësisht. ‘Demokrate e demokratë, sot ju keni votuar për një PD të ripërtërirë plotësisht. Për një PD më të vendosur se kurrë në misionin e saj’, tha kreu i PD-së Sali Berisha gjatë fjalës së tij.

FJALA E PLOTE:
Mirëmbrëma dhe përshëndetje të përzemërta.
Jam këtu para së gjithash për të shprehur mirënjohjen time më të pakufishme, nderimin më të thellë për të gjithë ata demokrate e demokratë, që sot votuan për riafirmimin tim në një votëbesim masiv në krye të Partisë Demokratike.
Një mirënjohje e veçantë shkon edhe për ata që votuan ndryshe.
I garantoj se vota e tyre ndryshe, apo kundër abstenim qoftë, do mbahet shënim në kuptimin e asaj që do bëj gjithçka për t’u dhënë përgjigje më të mirë atyre hezitimeve apo vërejtjeve për të cilat ata votuan kundër ose abstenuan.
Jemi një familje e mbrujtur në palcë, në qelizë me diversitetin, me standardin demokratik.
Shumë mirënjohje për ata qindra e qindra komisionerë në të katër anët e vendit, të cilët organizuan këtë proces shembullor në të gjitha degët e PD të Shqipërisë.
Falënderim të përzemërt për kryetarët, udhëheqësit politikë të qarqeve, kryetarëve të degëve në mbarë vendin, kryesitë dhe të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces.
Por unë sonte dua t’u them të gjithë këtyre dhjetëra mijëra demokratëve se për mua në të gjitha votimet nga shtatori i vitit 1991 gjer sot, ky është votimi më i rëndësishëm, më i jashtëzakonshëm sepse me këtë votëbesim ju vendosët të ecim të pamposhtur drejt qëllimeve tona madhore.
Të ecim të pamposhtur në përmbushjen e misionit të madh.
Imagjinoni ju, rreth 40 mijë gra dhe burra, djem dhe vajza politikë që ngrihen fuqishëm pas betejash të fuqishme për të vazhduar luftën tonë gjer në fitore të plotë.
Ky është një besim i madh i të gjithë ju që morët pjesë sot në votim, në forcën, në vizionin, në vendosmërinë e PD për të përmbysur diktaturën e dytë në Shqipëri.
Me votën tuaj ju keni lënë pa gjumë organizatën kriminale dhe kreun e saj.
Keni lënë pa gjumë kartelet e drogës dhe lidhjet e tyre me qeverinë.
Keni lënë pa gjumë mafien e tmerrshme të fjalës së lirë, e cila ka dy muaj që në një agresion mediatik të paparë bën gjithçka të përbaltë këtë proces më të fuqishmin që ka njohur PD në tërë ekzistencën e saj.
Bënë gjithçka t’u mashtrojnë, t’u dekurajojnë.
Bënë gjithçka në zbatim të porosive të kreut të narkoshtetit.
Garantoj mafien qeveritare dhe vasalët e saj se lufta jonë është absolutisht e pakompromis.
Se fitorja jonë është e pashmangshme.
Se ky proces zgjedhor, që mbyllet sot, ka nxjerrë PD-në më të fortë se kurrë në ekzistencën e saj.
Miq, u përballëm me një diktaturë autoritare, e cila shpërbëri zgjedhjet.
E cila ngërtheu, korruptoi mediat dhe gjuhën shqipe, gjuhën më të bukur, me mashtrimet, me trillimet e përdorura në propagandën e saj.
Por ja ku jemi.
Me votën tonë, siç votuam të lirë sot, do votojnë shqiptarët nesër.
Ky është betimi ynë.
Ndaj dhe Edi Rama, dije mirë se për këtë ushtri 40-mijëshe, ti ke zero legjitimitet.
Se ti kudo që të shkosh, edhe në hënë dhe prapa diellit, shkon një hajdut i shpërfytyruar.
Shkon një sharlatan.
Shkon njeri pa legjitimitet.
Ndaj dhe do trajtohesh i tillë deri ditën e largimit tënd nga pushteti.
Parti e votës së lirë.
Mendove se me 11 maj fitove.
Buzëqeshjen ta ngrimë muaj më parë dhe prej muajsh kalon nga skena në skenë gjysmë meit, gjysmë i gjallë. Kufomë politike!
Ndaj dhe fundin e ke të shpejtë.
Demokrate e demokratë, sot ju keni votuar për një PD të ripërtërirë plotësisht.
Për një PD të modernizuar në të gjithë veprimtarinë e saj.
Për një PD të vizionit më të shkëlqyer për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Për një PD më të vendosur se kurrë në misionin e saj.
Edhe njëherë, rroftë PD.
Fitore, fitore, fitore.


