Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi që 300 milionë euro nga 960 milionë eurot e parashikuara për shpenzimet e administratës në buxhetin e vitit 2027 të orientohen drejt minimumit jetik për shqiptarët. Berisha denoncoi rritjen e çmimeve dhe varfërinë e pensionistëve e familjeve në ndihmë ekonomike, duke theksuar se 550 mijë pensionistë marrin pensione nën 200 euro, ndërsa 50 mijë familje përfitojnë më pak se 100 euro ndihmë ekonomike. Ai e cilësoi vendosjen e minimumit jetik si domosdoshmëri për përballimin e krizës së kostos së jetesës.
Fjala e plotë:
Sot çmimet në Shqipëri janë 3% më të larta se në mesataren e Bashkimit Evropian. Këto çmime në vitin 2005 kanë qenë 74% të çmimit mesatar në Bashkimin Evropian. Zbritën në 64% në vitin 2013 dhe sot janë 103%. Janë pra me një rritje që ju, që i mbushni xhepat me para duke vjedhur, ju s’i ndjeni këto fare. Kot flas kështu, se unë po flas për qytetarët, se për ju nuk do të flisja. Pra, ka një rritje çmimesh e cila të paktën 550 mijë pensionistë me pensione të pjesshme apo pensione invaliditeti etj., i bën të dridhen duke numëruar kafshatën. Sepse janë nën 200 euro. Janë dhjetëra mijëra shqiptarë në ndihmë sociale të cilët marrin as gjysmën e asaj shume me të cilën mund të përballojnë ushqimet. Janë familje të tëra të rrogave minimale. Në rast se në vitin 2012 rritja ekonomike u shndërrua në mirëqenie për shqiptarët dhe në këtë aspekt Shqipëria sipas grupit të Bostonit renditej e katërta në botë, në vitin 2020… sigurisht ti e ke mendjen tek bixhozi, ti nuk ke si mendon për qytetarët.
Në vitin 2020 ky tregues u vidhis në pozicionin e 74-t dhe sot Shqipëria është e sigurt në vendet më të fundit në planet. Shikoni çfarë bëni, merrni pak këtu, ulni TVSH-në oligarkëve të investimeve strategjike dhe i këputni me TVSH bizneset e vogla, i këputni me rritje të TVSH-së të gjithë shqiptarët. Ky është stili i një bashkëpunëtori në një krim të rëndë me këtë që po bëni. Ndaj dhe vendosja e minimumit jetik është i domosdoshëm. Me të drejtë qytetarët mund të pyesin ‘ku do merren këto para?’.
Të dashur qytetarë, në vitin 2013 për një Shqipëri 2.9 milionë banorë, për administratën e një Shqipërie 2.9 milionë banorë shpenzoheshin 300 miliardë lekë. Shpenzoheshin pra vetëm 1/3 e asaj që shpenzohet sot si shpenzime operative për një Shqipëri me një administratë të një Shqipërie 2.3 milionë banorë.
Ju vidhni edhe në gjumë, natën, ditën, në shi, në diell, në çdo kohë, në çdo muaj, në çdo orë, edhe në gjumë.
Atëherë a nuk duhet t’i heqim këto 300 milionë euro nga 960 milionë euro që keni parashikuar për xhepat, për administratën tuaj, për një administratë e cila është për një vend me 500 mijë banorë më pak se ç’kishte në 2013-ën? Mendoj se duhet për një moment të shkëputeni nga cinizmi, të përpiqeni të kaloni në anën humane të ndërgjegjes njerëzore se kohë e kohë keni kohë që manifestoni anët më të errëta.
Përfundojmë ne, po ata që s’kanë me ngrënë çfarë do u thoshit atyre tani? Çfarë do u thuash 550 mijë pensionistëve që marrin të gjithë nën 200 euro pensionin? Çfarë do u thuash dhjetëra mijëra në ndihmë ekonomike, 50 mijë familjeve që marrin as 100 euro ndihmë ekonomike? Prandaj dhe miratimi i minimumit jetik do të ishte akti i vetëm që të tregojë se tek ju ka ngelur ndonjë nanogram i qenies njerëzore me ndërgjegje njerëzore. Përndryshe absolutisht dëshmoni se keni kaluar çdo kufi drejt barbarisë. Të dyja janë në thellësinë e qenies suaj.


