Berisha niset për në SHBA: Ky është udhëtimi i viteve për Shqipërinë, në rrafshin tim unë shkoj e takoj miqtë e mi dhe u them; unë erdha

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka udhëtuar ditën e sotme për në SHBA, në krye të një delegacionit të opozitës, ku do ta marrë pjesë në konventën e Partisë Republikane të presidentit amerikan, Donald Trump.

Gjatë vizitës në SHBA, Berisha do të zhvillojë edhe takime me diasporën shqiptare atje si dhe takime të ndryshme me zyrtarë, kongresmenë dhe senatorë amerikanë.

Duke folur për gazetarët në Rinas, pak para nisjes, Berisha u shpreh se, udhëtimi i sotëm është ‘udhëtimi i viteve për Shqipërinë’, ndërsa në planin personal, ai theksoi se, shkon e takon miqtë e tij me mesazhin ‘unë erdha’.

Prononcimi i plotë i kryetarit të PD, Sali Berisha, për gazetarët në Rinas:

Kjo prani dëshmon se ju e parandieni që ky për Shqipërinë është udhëtimi i viteve.

Dhe unë kam shumë kënaqësi që sot nisem për në Shtetet e Bashkuara, po me atë bindje si në mars të vitit 1991.

Se vendi i madh i lirisë do mbështesë Shqipërinë dhe shqiptarët në përpjekjen e tyre për t’u çliruar nga diktatura autoritare e bazuar në drogën, krimin, dhe vjedhjen e shqiptarëve të Edi Ramës, regjimit të narkoshtetit.

Pyetje: Zoti Berisha, përveç një fitore tuajën personale, për Partinë Demokratike çfarë lloj mesazhi ka kjo…

Sali Berisha: Edhe një herë, edhe një herë, nuk ka asgjë personale. Thashë dhe një herë, prania juaj këtu dëshmon se ju e ndjeni që ky është udhëtimi i viteve për Shqipërinë.

Kurse në rrafshin tim, unë shkoj dhe takoj miqtë e mi të cilëve u them: unë erdha, erdha.

Pyetje: Zoti Berisha, pyetja e parë. Keni udhëtuar shpesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si kryeministër keni takuar presidentë të ndryshëm. Po çfarë emocioni keni në këtë udhëtim? Është një emocion ndryshe apo shkoni i ftohtë?

Sali Berisha: Po, është ndryshe. Është ndryshe. Ka disa ngjashmëri. Ndonëse është vite dritë larg, por ka disa ngjashmëri me udhëtimin tim të parë në Shtetet e Bashkuara.

Pyetje: Është më i rëndësishmi ky udhëtim apo si do ta vlerësoni? Më historiku?

Sali Berisha: Është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Thashë, fakti që jeni këtu dëshmon se ju e ndjeni të drejtë se ky është udhëtimi i viteve për Shqipërinë.

Pyetje: Dhe një pyetje, biletën e biznes apo ekonomik class?

Sali Berisha: Faleminderit shumë. Faleminderit dhe mirupafshim.

Pyetje: Ju nisët fraksionin dhe ju drejtuat parlamentit duke thënë që unë erdha. A keni një mesazh për kryeministrin Rama tani që po niseni për në SHBA? Para pak minutash ka qenë në aeroport… Çfarë mesazhi keni për zotin Rama?

Sali Berisha: Për Padrinon, i them se po niset si Padrino dhe po arrin si Ramaduro.

Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale