Berisha nga Vora: Qeveria do i paguajë 1 vit sigurimet shoqërore sipërmarrësit që do të punësojë një të ri! Falimenti njëri pas tjetrit i fermave merr fund! Ballkani i Hapur përfundon në kosh

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATËVE NË VORË/KASHAR
EKSTRAKT

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë prezantimit të kandidatëve në Vorë/Kashar, theksoi se Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka në qendër të programit të saj familjen shqiptare. Berisha u shpreh para qytetarëve se familja është themeli i shoqërisë dhe duhet mbështetur ekonomikisht, sidomos pensionistët dhe të rinjtë. Kryetari i PD akuzoi kryeministrin Rama fushatën që ai po zhvillon, e cila zhvlerëson familjen dhe shmang problemet reale të qytetarëve.
Lideri opozitar, Sali Berisha premtoi mbështetje të madhe për të rinjtë dhe familjet pas 11 majit, duke ofruar mbulimin e sigurimeve shoqërore për një vit për çdo të ri të punësuar nga një sipërmarrës dhe trajnimin e plotë të të rinjve para punës. Qeveria do të ofrojë kredi të buta dhe grante për startupe dhe për çiftet e reja, duke mbuluar deri në 30 mijë euro për blerjen e shtëpive dhe duke shlyer tërësisht kreditë për ata që kanë 3 fëmijë. Rroga minimale do të jetë jo më pak se 500 euro, mesatarja 1200 euro, dhe të gjitha pagat do të rriten me 13% përmes uljes së tatimit nga 23% në 10%, deklaroi Berisha.
Kryetari i PD gjithashtu, kritikoi situatën aktuale në arsim, duke theksuar rënien e rezultateve në testet ndërkombëtare dhe premtoi rikthimin e cilësisë në shkolla, përfshirë modernizimin e infrastrukturës dhe rritjen e pagave për mësuesit deri në 1500 euro.
Lideri demokrat, Sali Berisha akuzoi qeverinë aktuale për dështimin në mbështetje të fermerëve shqiptarë, duke fajësuar hapjen e kufijve dhe garën e pabarabartë që ka çuar në falimentimin e fermave në shumë zona të Shqipërisë. Berisha premtoi 5-fishimin e subvencioneve për fermerët, duke përfshirë çdo lloj prodhimi dhe bagëti, dhe eliminimin e sistemit të pabarabartë të subvencioneve. Berisha gjithashtu premtoi ulje të taksave për bizneset e vogla dhe zvogëlimin e tatimit të fitimit në 10%, si dhe një ulje të TVSH-së në 15%. Për energjinë, ai propozoi uljen e çmimit të energjisë elektrike dhe naftës, duke theksuar se ngarkesa fiskale për naftën do të ulet për të arritur nivelet e Maqedonisë dhe Kosovës, me qëllimin që çmimet të rregullohen dhe të përmirësohet gjendja ekonomike e qytetarëve.
Berisha akuzoi me tone të ashpra Edi Ramën dhe qeverinë e tij për dështimet dhe abuzimet gjatë 12 viteve të pushtetit. Ai theksoi se Rama ka maskuar problemet e vërteta duke përdorur shfaqje publike dhe banalitetet për të fshehur dështimet e tij. Berisha përmendi probleme të shumta si mungesën e transparencës për shpërndarjen e parave dhe qiratë, keqadministrimin e fondeve, mungesën e investimeve dhe infrastrukturës, dhe shpërdorimin e taksave të qytetarëve. Kryetari i PD akuzoi Ramën për vjedhje dhe abuzim me paranë publike, duke theksuar se kjo ka çuar në varfërimin e qytetarëve dhe largimin masiv të shqiptarëve nga vendi.
Kryetari i PD, Sali Berisha premtoi se më 11 maj do të pastrohet Shqipëria, duke e quajtur këtë ditë si një mundësi për të pastruar shtëpinë nga dështimet e qeverisë aktuale.
Kryetari i PD, Sali Berisha akuzoi bandat që kërcënojnë qytetarët e Vorës, duke theksuar se ata do të shpallen organizata terroriste nëse vazhdojnë veprimet e tyre kriminale. Berisha garantoi se, pas marrjes së pushtetit, do të merren masa të ashpra ndaj këtyre bandave, duke i shpallur ata si grupe terroriste dhe duke i dërguar pas forcave të ligjit.
Lideri demokrat theksoi se, qytetarët e lirë janë më të fortë dhe kanë guximin për të ndryshuar situatën me votën e 11 majit.
Në përfundim të fjalës së tij, Berisha premtoi rinovimin e infrastrukturës dhe mundësi më të mira për të rinjtë dhe familjet, ku siguroi se Kashari do të bëhet një nga bashkitë kryesore të vendit.

FJALA E PLOTË
Të dashur, qytetare dhe qytetarë, banorë të Vorës, Kasharit, Prezës, Domjes, Bërxullës, Gjokajt, Marikajt, Balaqit, ju përshëndes shumë përzemërsisht. Shpreh mirënjohjen më të pakufijshme për praninë tuaj sot këtu. Sikundër, përshëndes nga zemra drejtuesit politikë të fushatës, znj.Albana Vokshi dhe z.Klevis Balliu.
Kandidatët për deputetë të kësaj zone z.Myslym Murrizi dhe z.Sali Shehu.
Të dashur miq, Aleanca për Shqipërinë Madhështore vjen sot para jush si aleanca më e fuqishme e krijuar që nga 1990 gjer sot.
Ajo vjen tek ju me një program, me një projekt, me të cilin kërkon të krijojë një mundësi të re për secilin prej jush. Kërkon të ndikojë në mirëqënien tuaj, sigurinë tuaj, në të ardhmen e fëmijëve tuaj, në të ardhmen e Voërs dhe të Shqipërisë.
Miq, ne jemi parti e traditave më të mira. Partitë konservatore nuk janë parti ideologjike, ato janë parti të vlerave themelore të njeriut dhe të shoqërisë njerëzore. Pra, jemi parti e vlerave themelore te shqiptarit dhe të Shqipërisë.
Në këtë kontekst, në shoqërinë tonë për kombin tonë, sikundër në çdo komb të qytetëruar, themeli i të gjitha themeleve është familja.
Ndaj dhe ne, vijmë para jush me një projekt, me të cilin zotohemi se, familja shqiptare, familja në Vorë, Kashar, Domje, Bërxullë, Prezë, Marikaj, Gjikaj, Balaq, kudo, do të jetë në epiqendër të përpjekjes sonë për ta mbështetur atë.
Një komb i fortë, mund të jetë një komb që ka familje të fortë. Familja është e fortë kur ka moralin e fortë, kur ka mirëqënien.
Natyrisht, unë nuk jam këtu gjykatës, as polic morali, por disa vlera janë të përbashkëta për çdo shqiptar dhe unë kam besim se respekti reciprok i burrit ndaj gruas, dhe i gruas ndaj burrit, dashuria midias anëtaërve të familjes për njëri-tjetrin janë morali më i lartë i njeriut dhe i shoqërisë.
Kam besim të madh se, asnjë grua, asnjë nënë, asnjë motër, cilado qoftë, nuk do donte dhe nuk do të pranonte t’i shahet djali, bashkëshorti, prindi.
Pra, kjo fushatë vulgare e Edi Ramës që kërkon të zhvlerësojë familjen dhe vlerat e saj, ka një qëllim. Jo vetëm trego ato koncepte që ka ai për familjen, por ka një qëllim, të spostojë vëmendjen tuaj nga problemet e vërteta të familjes shqiptare. Nga problemet që, familjet shqiptare presin të zgjidhen nga forcat politike, presin nga këto forca të araqesin para tyre projektin çfarë do të bëjnë ato për konsolidimin e familjes.
Familja shqiptare nuk ka nevojë të dëgjojë se, burri qenka kështu, apo qenka ashtu. Ajo ka nevojë të madhe shumë të mbështetet ekonomisht, që pensionistin që ka në varësi, të mos ta ketë barrë. Po ai, të marrë 200 euro minimumi, dhe me ato 200 euro të përballojë më normalisht jetën e tij.
Kjo familje, ka nevojë të madhe që, vajza dhe djali i saj, të mos marrin rrugët e dheut, sepse sofra nuk i mban më, por përkundrazi ata të shkollohen, të gjejnë punë, të punësohen, të ndihmohen për strehimin, të ndërtojnë në vendin e tyre ëndrrën e bukur rinore.
Ne jemi sot këtu për t’u zotuar, se do bëjmë gjithçka për shkollimin e fëmijëve tuaj, se do hiqet mesatarja. Se tarifat e studimeve do të pjesëtohen me 3 apo 4 herë. Se pas studimeve, çdo i ri dhe çdo e re do të mbështetet për punësimin. Qeveria do i paguajë 1 vit sigurimet shoqërore sipërmarrësit që do të punësojë një të ri.
Qeveria do paguajë çdo gjë, të gjitha shpenzimet për trajnimin e të rinjve para se të fillojnë punën.
Qeveria do të financojë me kredi të buta çdo projekt të tyre për të ndërtuar një biznes të vogël, një start up, do t’i bëjë atyre të mundur. Një çati për çift, do të jetë zotimi ynë para atyre.
Një çati për çift do të thotë se, qeveria do t’i mbulojë të rinjve me një grant prej 30 mijë eurosh, të gjithë interesin e kredisë për blerjen e shtëpive. Dhe se, ata të cilët do të bëhen me 3 fëmijë, kredinë do ta kenë të paguar tërësisht nga qeveria.
Pra, miqtë e mi, familja shqiptare pas 11 majit do të ketë mundësi të tjera.
Rroga minimale, nuk do jetë kurrë ndën 500 euro. Çdo sipërmarësi do t’i konpensohet me ulje taksash rritja e rrogës minimale në 500 euro. Rroga mesatare do të jetë 1200 euro. Po rrogat mbi minimale, që të gjitha, me një vendim të vetëm qeverie, rriten me 13%, sepse ne do të ulim tatimin mbi të ardhurat personale nga 23% në 10%.
Do investohet shumë, mundësi të reja për shkollimin.
Sot, arsimi është në një rrokullisje të vërtetë, në një rrokullisje të madhe, në një rrokullisje mjerisht më të madhe në botë, dhe nuk do doja kurrë të thoja një gjë të tilël. Por, ka një provë, ka një test, që e bën organizata e vendeve të zhvillura, OECD-ja, dhe fëmijët tanë në këtë test të vitit 2006-2013, në këtë test ata dolën me një ngjitje vertikale.
Kurse, për periudhën 2016-2023, ata u paraqitën me rënien më të madhe në botë, me rënien prej 69 pikëve në matematikë, një nga lëndët bazë. Në rënien më të fundit në mendimin krijues. Pse kjo, miq? Sepse, arsimin e shkatërruan. Sepse klasat i bashkuan jashtë çdo kriteri. Sepse, u vodhën të githë kompjuterat. Sepse, nga interneti në çdo shkollë që vendosëm, internet të blerë të tërin nga satelitët, me një kosto shumë të lartë, sot në shkollat shqiptare ka vetëm 5% internet.
Atëherë, nga të shkojë arsimi i lartë?
Mësuesit, nga mësues për dijen, për arsimin, sollën militantë për partinë, dhe i dhanë arsimit goditjet më të rënda.
Unë jam këtu për t’u garantuar ju se, fëmijët tuaj do të kenë shkollat më të mira. Se përsëri, teknologjia digjitale do të zbatohet në çdo shkollë. Se modernizimi i shkollave, do të jetë përparësi e madhe. Mësuesi, do të vendoset në piedestalin që i takon, duke i paguar atij jo më pak se 1500 euro.
Të dashur miq, sistemi i shëndetësisë sot ka degraduar në shkallë ekstreme. Isha në Kukës dje. Spitali i ri, 3 milionë euro. Asnjë kirurg. Dhe të sëmurët, nga kalaja e Dodës, në Surrojë, të gjitha zonat, po të kishte ndonjëri emergjencë, telefonoje në Prizren një mjek që qendronte i gatshëm kundrejt pagesës, dhe vinte operonte.


Kukësi është qendër qarku. Imagjinoni pra.
Në Peshkopi, akoma më keq. Kudo, një rrënim. Kudo, farmaci të mbushura me ilaçe pa efekt, të markës Nushi-Doshi.
Akti i parë, do të ndalohet çdo import i ilaçeve që nuk shiten në vendet anëtare të BE-së. Ilaçe cilësore.
Akti i dytë. Shqipëria do miratojë listën që republika italiane rimburson për qytetarët e vet. Dhe unë, ju jap ju fjalën se, qytetarët shqiptarët do të kenë të njëjtat ilaçe që kanë vendet e zhvilluara.
Ne, nuk i kapim dot ato në pasuri, por për sa i përket shëndetit, ne do bëjmë atë që ato bëjnë për qytetarët e tyre.
A mund të imagjinoni ju një vend që le pa ilaçe të sëmurët me sëmundje të rënda? Një vend në të cilin, mjekët i telefonojnë të sëmurëve se, këtë muaj nuk ka ilaç për ty?
A mund të imagjinoni, një vend ku, aparaturat për diagnozën jetike të sëmundjeve të tilla nuk funksionojnë apo nuk ekzistojnë në Shqipëri.
Deklaroi 3 muaj më parë se, këto janë krime kundër njerëzimit që po kryhen në spitalin Onkologjik. Sepse ai, me qeveritarët e tij, vjedh paratë e ilaçeve, paratë që ju jepni për mjekimet e tyre.
Të dashur miq, në gjithë këtë situatë, e cila, në shumë aspekte është e pashembullt. Ai që paguan çdo faturë, ai që paguan çmimin e kësaj të keqeje, jeni ju, fëmijët tuaj, janë vajzat, djemtë tuaj janë të detyruar të marrin rrugët e dheut.
Shqipëria pakësohet, pakësohet çdo muaj e më shumë. Mbi 45% e shqiptarëve janë larguar. Ndërkohë, pasuritë, buxheti përqendrohen në duart e një grupi njerëzish që e ndajnë me familjarët e vet, e ndajnë njëri me tjetrin, e ndajnë me mafien, shpërblen organizatat kriminale. Kurse qytetarëve u lënë rrugë të vetme, largimin nga Shqipëria.
Ndaj dhe, 11 maji është një ditë shumë e rëndësishme. Është një ditë në të cilën, me votën tonë, ne firmosim ndryshimin. Një ndryshim i një rëndësie vendimtare, për të rinjtë tanë, për qytetarët shqiptarë, për Shqipërinë.
Të dashur miq, fermerët e Vorës dhe të mbarë Shqipërisë përjetojnë një pushtim nga mallrat dhe prodhimet e vendeve tjera. Jo se këta nuk janë punëtorë, jo se nuk kanë tokë të mirë, kanë çdo gjë. Por, Edi Rama hapi kufijtë për prodhimet e Shumadisë dhe të Banatës, jashtë çdolloj kriteri bëri që fermeri shqiptar të matet me atë që merr 5 gjer në 8 herë më shumë subvencione.
Pra, vuri garë të pabarabartë dhe krijoi pabarazi ekstreme. Falimenti njëri pas tjetrit të fermave në Vorë, Kashar, Domje, Bërxullë, Prezë dhe kudo. Kjo situatë merr fund. Ballkani i hapur përfundon në kosh. Çdo fermeri i jap fjalën këtu se, do të 5-fishohet subvencioni për çdo fidan, për çdo njesi prodhimi, për çdo kokë bagëti, dhe aspak me kriteret e deritanishme.
Jo, jo. Për çdo njesi!
Sikundër, në fshat nuk do ketë kurrë pension të pjesshëm, të plotë, apo të çfarëdolloji ndën 200 euro.
Ju jeni një bashki, ku kryetari juaj ka zgjedhur që taksat tuaj që paguani, taksat që paguajnë bizneset e vogla, të cilat nuk kanë taksë qeveritare qendrore, por kanë 10-fishuar takast lokale, ju garantoj se, ato do të pjesëtohen me 8 ose 10. Nuk do mundet kurrë kryetari i bashkisë të vendosë më shumë se 1% të xhiros taksa për bizneset e vogla.
Për bizneset tjera, tatim fitimi zbret në 10%. TVSH-ja në të tërësi zbret në 15%. Energjia do zbresë në 6 lekë nga 18 lekë që është për kËh. Për banorët, energjia nga 95 lekë zbret në 7 lekë.
Nafta do ketë ulje, të paktën 40%. Nuk do mund të shitet në Shqipëri më ndën plus minus çmimin e Kosovës dhe Maqedonisë.
Kosova, e merr nga Durrësi naftën dhe e shet 40% më lirë se sa Tirana. Ja ku është Durrësi, ja ku është Prishtina. Kjo sepse, Edi Rama, të dashur miq, 1.1 euro merr për çdo litër naftë. Nuk e bën kush në botë këtë. Kjo merr fund!
Ngarkesa fiskale mbi litrin e naftës, të cilin e paguani të gjithën ju, do të zbreesi në nivelin fiskal që ka Maqedonia dhe Kosova.
Pra, do të mbipërgjysmohet.
Ju e keni parë. Edi Rama kalon nga sheshi në shesh me shtërngicë. Domethënë, merr rrogëtarët e shtetit me detyrim dhe i u në karrige të dëgjojnë kllounadën e tij, të dëgjojnë banalitetet e tij.
Dhe ju siguroj ju, nuk është as klloun, dhe nuk e bën as nga budallëku atë shou, atë paraqitje. Ai ka një hall të madh. Ai përpiqet të maskojë, të mbulojë. Së pari, të mos japë asnjë llogari para jush për të gjitha dështime 12 vjeçare.
Ai nuk vjen dot t’u thotë ju, po pse nuk jepen qeratë që ju takojnë? Pse nuk jepen paratë që ju takojnë për të meremetuar apartamentet tuaja?
Ai, nuk ju shpjegon ju dot, se pse ndarja e apartamenteve është jotransarente, dhe lista nuk del?
Ai, nuk ju thotë ju dot, se pse përfaqësuesi i tij këtu ka 5-fishuar numrin e punonjësve, taksat tuaja e ka shndërruar në rroga të militantëve, dhe një pjesë e mirë e tyre janë në emigracion, çka do të thotë, paratë i ndajnë këtu.
Ai, nuk ju thotë dot ju, pse Preza ka dy orë ujë? Pse Balaqi i ka rrugët copë-copë? Pse nuk ka investime?
Këto, nuk ua shpjegon ju dot ai, sepse të gjitha kanë një emërues të përbashkët: vjedhjen, vjedhjen dhe vetëm vjedhjen e zyrtarëve të tij dhe të atij.
Ai, nuk u thotë dot ju, pse ju paguani 30 euro për kuintal të plehut, që e çoni në Sharrë për t’u djegur? Në një kohë kur, 130 milionë të taksave tuaja janë zhdukur në kontot e tij bankare, dhe ju paguani sikur plehrat digjen, në një kohë kur, nuk digjet asnjë kilogramë.
Prandaj, ai mbledh ata rrogëtarë, e thashë diku tjetër, e them prap këtu sot. I siguroj se, pse shkojnë në mitingjet e tyre, do shkojnë, se i pushon nga puna. Por, ata që zbatojnë ligjin, do jenë njerëz ë nderuar nga ne, dhe i ftoj të votojnë së bashku me ju, ndryshimin dhe rotacionin për shpëtimin e Shqipërisë.
Pra, Edi Rama, nuk është klloun. Jo!
Por, për hir të karriges së tij, bën kllounin dhe kaluar kllounit.
I ka humbur mendja. I lejon vetes gjëra që nuk mund t’ja lejojë kurrë një njeri normal dhe mendon se me këto do t’u hedhë hi syve, mendon se me këto gjëra, do të budallepsë njerëzit. Por, shqiptarët janë të mençur, dhe në veçanti gratë, nënat, motrat shqqiptare, ku ai po thotë se ka mbështetjen më të madhe. Kam bindje se, ato të para, do t’i japin atij atë që meriton. Njeriut që u përzuri me vjedhjet e tij fëmijët nga vatrat familjare.
Njeriu që i fyen bashkëshortët, djemtë, baballarët, burrat, si një ordiner, duke menduar se po bëhet interesant.
Mos harroni kurrë, se prapa buzëqeshjeve që krijon, fshihen vjedhje, fshihen drama, fshieht largimi i shqiptarëve nga Shqipëria.
Ndaj dhe, në 11 maj do të jetë dita e pastrimit të shtëpisë. Po!
Po, Edvin, do ta pastrojmë shtëpinë, se Vora dhe Shqipëria nuk bëhen tokë e Zotit, në qoftë se ne nuk pastrojmë shtëpinë nga këto që keni bërë ju këto 12 vite.
Ndaj dhe, të gjitha këto miliarda euro të zhdukura, do bëhet e pamundura për t’ua rigjetur dhe për t’ua rikthyer shqiptarëve. Këta banditë, dhe dëgjoni ju Xhabaftët, dëgjoni Xhabaftë këtu, dëgjoni këtu.
Ju kriminelë, që nga banda e Erion Veliajt, shndërroheni në bandën e atij dhe këtij; mos kërcënoni qytetarët e Vorës, se unë ju jap fjalën e nderit, se vend mbi tokë nuk do të keni për terroristë, për terroristë.
Ju keni mbështetjen e një delinkuenti që është kryeministër, keni mbështetjen e një njeri që s’ka ligj e as moral për karrigen e tij, dhe bëheni ushtarë të tij.
Por ju garantoj se, te Erioni do shkoni dhe bashkë me ju, do vijë dhe Edi aty.
Ju garantoj se javën e parë të qeverisë do të shpalleni organizatë terroriste dhe forca e ligjit, forca e shtetit do të jetë e pamëshirë ndaj jush.
Vidhni, plaçkisni me ndihmën e shtetit çdo ditë dhe tani dilni për të trembur qytetarët për vota. Mjerë ju çdo pësoni.
Ua them unë ju. Ju në Elbasan, Durrës, Shkodër kudo që jeni, soji juaj do shpallet terrorist, mbajeni mend këtë.
Miqtë e mi, nuk ka fibër më të fortë, nuk ka guxim më të madh se guximi i qytetarëve të lirë. Të lirë, na bën vota e 11 majit, ndaj dhe të bashkohemi të gjithë të votojmë për Vorën, të votojmë për Shqipërinë.
Ju garantoj se, qeveria do të rindërtojë infrastrukturën në të gjitha skajet e kësaj bashkie.
Garantoj Kasharin se, në reformën territoriale do jetë një bashki, ndër kryesoret e vendit.
Garantoj të rinjtë, të rejat se, shanset për punë, për strehim, për një jetë tjetër do jenë reale në Shqipëri.
Rroftë Vora, rroftë Shqipëria!
Faleminderit!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale