Berisha nga Vlora: Thirrja ime është që të dalim nga kjo përgjumje, të bëjmë gjithçka për ta ndryshuar këtë situatë!

FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATIT TË VLORËS, HYSNI SHARRA

Kam ardhur sot me kënaqësi të veçantë, me bindjen më të thellë se takimi me ju, është takim njëkohësisht me përgjegjësinë e njerëzve të cilët në vetëdijen e tyre, shpirtin dhe formimin e tyre, janë të gatshëm dhe të vetëdijshëm se sot Vlora dhe Shqipëria kanë nevojë më shumë se kurrë në 80 vitet e fundit për ti dalë zot, shqiptaret dhe shqiptarët.

Kam ardhur sot tek ju, me bindjen më të thellë se të gjithë ne me një brengë të thellë shohim se si Vlora, Shqipëria pakësohen çdo ditë, javë, muaj para syve tanë. Se si Vlora kjo mrekulli e pa përsëritshme e natyrës, kjo trevë e njerëzve të fortë, trima të guximshëm, braktiset çdo javë, çdo muaj nga banorët e saj. Po këtë fat ka Shqipëria.

Në 8 vite 40 % e vlonjateve janë larguar nga Vlora, në 8 vite 35 % e shqiptarëve janë larguar nga Shqipëria. Po vazhduam kështu çdo të mbetet pas 8-16 viteve të ardhshme. Por cila do të jetë përgjegjësia jonë para vetes, fëmijëve tanë, por edhe para të gjithë atyre që u shkrinë, u sakrifikuan, që ne sot të jemi komb dhe të jemi këta që jemi sot të lirë.

Do të jetë e pafalshme. Thirrja ime është të dalim nga kjo përgjumje, thirrja ime është të ngrihemi, të bëjmë gjithçka për të ndryshuar këtë situatë. Vlora ka kapacitete edhe 5 herë më shumë se banorët e saj, po ta marrësh nga Sevasteri në Karaburun, Himarë, Novoselë dhe me radhë. Vlora në këtë territor ka çdo mrekulli që ka natyra. Por Vlora kërkon sot, rënkon sot, na fton ne sot të ndalim këtë rrokullisje. 

Pse ne po rrokullisemi, çfarë ka ndodhur me ne, pse ne po ikim më shumë se sirianët që kanë vite në luftë në trevat e tyre, më shumë se afganët. Këtë vit ata që kaluan kanalin e Anglisë, me varka, të parët shqiptarët, të pestët ishin afganët. Pse kjo, sepse këtu është vendosur monizmi, është vendosur një sistem nga i cili ne në 50 vite vuajtëm më shumë se të tjerët. 

Nuk është monizëm ideologjik, që zbatohet në kampe përqendrimi, por është monizëm që bazohet në krimin, drogën dhe vjedhjen gjer në palcë të vlonjateve dhe qytetarëve shqiptarë nga ky regjim.

Ne të varfër kemi qenë edhe këtë nuk e mohojmë. Historia jonë është histori mbijetese, sepse kurrë ne në të shkuarën nuk kemi qenë zotër të pasurive përrallore të vendit tonë. Këto 30 vite jemi të lirë, në këto 30 vite ne ndryshuam 30 herë në krahasim me atë që ishim. Në vitin 2008 ne njerëzit më të varfër, të tretit më të varfër në planet në vitin 1992 me 204 dollarë për frymë gjithsej, ja dolëm të kemi rroga më të larta se serbët, maqedonasit, malazezët, bullgarët dhe rumunët. 

Prap nuk ishim të pasur, por ajo ishte një varfëri në pakësim dhe çdo vit nga viti 2007 deri në vitin 2014, numri i shqiptarëve në Shqipëri u rrit, popullata shqiptare po rritej. Kishte shpresë, shqiptarët besonin se në Shqipëri mund të ndërtohet e ardhmja e tyre dhe çdo vit gjendja mund të përmirësohej dhe duhej të përmirësohej. 

Çfarë ndodhi sot? A jemi sot të varfër si në ’92? Jo, jo, jemi shumë larg, por problemi sot është se kemi një varfëri në shtim, kemi një varfëri që tremb, frikëson, e cila rritet, në të cilën nuk shohim prespektivë se si do të kemi nesër një jetë më të mirë. Duke ardhur këtu lexoja, në muajin shkurt çmimi i ushqimeve krahasuar me 1 vite më parë ishte 12% më i lartë. Çfarë do të thotë, secili prej jush shpenzon 12 % më shumë vetëm për kafshatën e gojës. Në 1 vit kjo. Po të marrim 8 vite sa bëjnë, bëjnë 30-40%, sepse ky njeri që është në pushtet, ngriu rrogat, nuk rriti rrogat, nuk rriti pensionet dhe kjo pastaj shndërrohet në rënkime, në lot mjerimi, në bindjen se ky vend nuk bëhet, se këtu nuk jetohet dhe ndaj shqiptarët ikin. 

Por të gjitha këto nuk janë të vërteta. Nuk janë të vërteta sepse në rast se Edi Rama dhe kjo qeveri, të kishte dëshirë, zemër të shihte ju, të shihte shqiptarët, prap nuk po them të pasur, por të jetonin çdo vit e më mirë, ua them unë këtu ju, në mënyrë absolute me majë lapsi mund të kishte rritur rrogat të paktën 3 herë në 8 vite.

Ku e bazoj unë këtë? Ua them unë ju. Ne 8 vite para këtyre, dyfishuam rrogat, dyfishuam pensionet, ndërtuam 11 mijë km rrugë, ndërtuam 1300 shkolla etj., etj. Ne morëm borxh, por sa morëm borxh? Gjithsej 4.4 % të prodhimit të brendshëm. Borxhin e gjetëm 58.2 dhe e lamë 62.6 %. 

Po ky çfarë bëri? Po i lëmë të ardhurat se ky i dyfishoi taksat, po i lëmë mënjanë, por borxhin e rriti me 43%, është 107% sot. Por ky po të donte me këtë borxh, mund të rriste pa asnjë lloj vështirësie 3 herë rrogat. Vetëm me borxhin që mori në 2021 në shtator, 720 mln euro, rrogat e shqiptarëve mund të ishin rritur 70%.

Por nuk ndodh kjo. Ky vendosi mbi shqiptarët një mekanizëm të tmerrshëm vjedhje që e kryeson vetë. 

Miqtë e mi! 

Ka një ligj që thotë, se po vodhi presidenti të gjithë vjedhin, po vodhi kryeministri të gjithë vjedhin. Kjo ka ndodhur me ne, kryeministri prin me vjedhje, kryeministri firmos duke shkelmuar ligjin për ndërmarrjen e tij, 420 mln euro për djegësate Shqipërisë. Asnjë djegës nuk ekziston sot, as në Tiranë, as në Fier, as në Elbasan. 

Kryeministri  merr portin e Durrësit. Gjen një arab miliarder dhe thotë me vete, pse të mos bëhen edhe unë miliarder. Dhe merr me arabin 820 mijë metra katrorë truall toke, pasuria më e madhe publike sot e shqiptarëve. Pra ky dhe e gjithë ky sekt që quhet rilindje nga mëngjesi deri në darkë vjedhin qytetarët. Ky udhëton me avion dhe ka shpenzuar 22 mln euro, me 137 fluturime, avioni i tij me dhomë gjumi luksoze. 

Zotëria e tij lodhet shumë në një kohë kur nga 48 mbledhje qeverie, ka marrë pjesë vetëm në 19 mbledhje, parazit si ky nuk ka Shqipëria. Kryeministri që nuk kryeson mbledhjet e qeverisë, që nuk i drejton mbledhjet e qeverisë, punon vetëm për vete dhe shkon në mbledhje vetëm kur merr vendime për veten e tij. 

Miqtë e mi! 

Pra, jemi prap tek rrogat. Po pse them unë tek rrogat. Se absolutisht rritja e rrogave duhet të jetë qëllimi më kryesor i një qeverie që beson se mirëqënia e qytetarëve të vendit tij është objektivi, detyrimi kryesor i tij, i një kryeministri që beson se të ardhurat që mbledh, borxhi që merr, pasuritë publike, para së gjithash duhet të shndërrohen në mirësi për qytetarët e vendit.

Më thoni mua, ku shkojnë paratë atëherë? Paratë e thashë edhe një herë, vidhen, por si vidhen.

Kjo rrugë që keni ju, nga hyrja e Vlorës gjer në Levan, me gjithë urat mbi Vjosë është ndërtuar me 2.3 mln euro kilometri, me para të bankave europiane. Sa e ndërton rrugën në fushë Edi Rama, 24 mln euro kilometri.

Greqia po ndërton autostradën Janinë-Kakavijë me 4 mln euro kilometrin, Edi Rama po ndërton rrugët anësore Lekaj-Fier, me 7.2 mln euro kilometri. Por këto janë para tuaja, që merren nga kafshata juaj, djersa juaj, e fermerëve, e punonjësve edhe e atyre që nuk punojmë se të gjithë paguajmë TVSH-në në ato që blejmë. Atëherë a mund të ecim ne në këtë rrugë të përgjumur? Jo kurrë, është në detyrimin tonë.

Demokrate e demokratë e kemi një përgjegjësi të madhe ne dhe duhet ta njohim. Në rast se Edi Rama, në rast se kjo hajni mbi shqiptarët arriti këtu arriti, arriti edhe për fajin tonë, sepse bojkotuam zgjedhjet, i dorëzuam gjithë pushtetin. Atëherë në këmbë edhe për të korrigjuar gabimin tonë, edhe për të shpëtuar pluralizmin në Shqipëri edhë për të shpëtuar Vlorën dhe Shqipërinë. 

Kudo njeriu gjen politika shpopulluese. Shkoni në fshat, çfarë ndodh me fermerët tanë, falimentojnë njëri pas tjetrit. E bën ligjin për ti hequr taksat qumështit pluhur që vjen nga Serbia, fabrikat tona punojnë me qumësht pluhur, ne ushqehemi me qumësht pluhur, fermeri ynë ther lopën. Imputet bujqësore me çmime stratosferike. Nuk ja leverdis atij ta ushqejë lopën me bar, detyrohet ta therë. 

Çfarë jep për bujqësinë? Jep 1/6 e asaj që jep Kosova, e asaj që jep Maqedonia, jep 1/10 e Serbisë. Prandaj ne jemi këtu jo vetëm 2-3 fishimin e rrogave dhe pensioneve, por një politikë e cila do të subvencionojë  çdo prodhim të fermerëve, një politikë e cila do të gjashtëfishojë subvencionimet për fermerët. Pse mos po i falim ne? Jo, askush nuk fal, por është e faktuar se për të gjithë ato që duan të zhvillojnë vendin e vet, është e faktuar se ato e kthejnë veten disa herë. Prandaj dhe japin subvencion 6-7 herë më shumë se ne.

Kurse ky me Ballkanin e Hapur, hapi me ato mashtrimet e tij, historinë e kamionit 1200-1100 vite hapi kufijtë. Askush nuk i hap. Çdo vend mbron prodhimet e tij bujqësore, pa përjashtim, përveç Shqipërisë. 

Ka vendosur sistemin e taksimit në bujqësi. Zero në blerje, 20% në shitje, në kundërshtim me ligjin. Po kjo nuk ndodh, çdo prodhues, përpunues në bujqësi ka leverdi të marrë importin dhe të mos ua blejë fshatarëve tanë. Nuk ka më armiqësi se kjo ndaj tyre. 

Ndaj dhe ne duhet të bëjmë gjithçka, sepse ky vend, po pakësohet, po tretet.

Vjen në Vlorë, ky sheshi këtu nuk është vetëm i Vlorës, por i mbarë kombit. Dhe këtu jeni dëshmitar se në 100 vjetor këtu kanë ardhur të paktën 1.5 mln shqiptarë. Nga të katër anët e globit. Ky vjen, pa pyetur njeri, pa asnjë konsultë me ju, pa asnjë konsultë mbarë kombëtare, shkatërron sheshin, ndërton aty një objekt që duket aty si kasaphane kuajsh, që nuk ka asnjë vlerë. 

E gjeti ky, shkon shkatërron sheshin tek Bashkia që ishte simbol i qytetit, ja lidhi sytë Llogorasë me tunelin. Por Vlora dhe Shqipëria pamje më mahnitëse dhe më magjepsëse se sa pamja nga Qafë Llogaraja nuk ka. Nuk ka. 

Më erdhën mua më thane, na bëj tunelin, çfarë tuneli ju thashë unë?? Jo, Llogarasë nuk ja lidh sytë unë. Kush të dojë të vijë këtu të dalë të shikojë sa bukur është. Po erdhe ti turist po vjen, atëherë kalo, urdhëro të zgjerojmë rrugën. Por çfarë bëri? Ai tunel kishte disa variante ishte 3 km pak më sipër Orikumit, ishte tjetra që mund të bëje pa kaluar në Llogara, ky shkoi zgjodhi tunelin që vjedh më shumë, tunelin që vjedh më shumë, tunelin 7 km. 

Tuneli i Llogarasë ka kushtuar  pothuajse dyfishin e tunelit të Kalimashit, ka kushtuar dy herë e gjysmë më shumë se sa tuneli i Krrabës sepse zgjodhi kompaninë vet dhe ndanë paratë me të. 

Ndaj dhe është koha më Hysni Sharrën, të cilit unë i shpreh besimin më të plotë, kam kënaqëisnë më të madhe që ky është kandidati juaj, i zgjedhur nga ju. Miqtë e mi, pas 32 vitesh ne kemi arritur në këtë stad, që kandidatët për qytetarët tuaj të parë, për kryetar partie, për deputet, t’i zgjidhni ju vetë dhe jo kryetari dhe kryesia, dhe ju garantoj ju se ky është standarti, jua them unë ju se ky është standarti më i mirë i lirisë, i përfaqsimit dhe standarti më i mirë për të mbajtur përgjegjësi ata që zgjidhen para jush. 

Hysni Sharra është njëri prej jush, pasardhësi i një familjeje me traditë atdhetare të shkëlqyer, një njeri që e do Vlorën, një njeri që do bëjë gjithçka për tu ju ofruar ju shërbimet më të mira me dashurinë që ka për ju dhe Vlorën, do bëjë transparencën më të plotë për çdo qindarkë të taksave tuaja, do bëjë gjithçka për të mirëmbajtur dhe zhvilluar këtë qytet që ka potencial të jashtëzakonshëm. 

Hysni Sharra qytetari i parë i Vlorës, në një nga aktet e tij të para do të ndërtojë një përmendore vlonjates sot më të shquar në botë, Mira Muratit e cila po pushton në mënyrë të rrufeshme botën me platformën e saj ChatGPT, po e shtron inteligjencën artifiacilae , po e sjell nga laboratori në shtëpitë, në çantat dhe në duart e mbarë njerëzimit. 

Mira Murati për të cilën çdo vlonjate dhe vlonjat, çdo shqiptar dhe shqiptare duhet të krenohet, po ndryshon botën me shpejtësinë më të madhe. Të dashur miq,  me14 maj janë zgjedhje lokale, janë zgjedhje për qytetarin e parë , por janë zgjedhjet më të rëndësishme politike që nga viti 92. Në vitin 92 në e përmbysëm një monizëm me koshiencën dhe bindjen se monizmat janë të këqijat më të mëdha që mund të pllakosin kombet dhe askush më mire se ne nuk  di atë. 

Me 14 maj le të përmbysim monizmin e dytë, të bazuar në drogën, krimin, korrupsionin. Le t’I presim biletën Edi Ramës, i cili është dëshmuar se nuk ka flamuar, nuk ka nder, nuk ka ligj, nuk ka dinjitet. Edi Rama është angazhuar në një luftë pa mëshirë kundër opozitës dhe pluralizmit. Edi Rama kontraktoi si vrasës me pagesë kundër opozitës shqiptare kryezbuluesin e ShBA-ve, kontraktoi parlamentarë, ambasadorë , diplomat, por ja ku jemi ne, të pamposhtur , demokratë. 

Jemi të pamposhtur, jo se jemi mbi njerëzor dhe ne tokësore si të gjithë të tjerët jemi, por e pamposhtur është kauza jonë, e drejtë është kauza jonë , e drejtë është  kauza që mbrojmë, ajo na frymëzon ne, ajo na jep fuqi dhe energji ne.  

Ne do të fitojmë, rroftë Vlora, rroftë Shqipëria!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale