FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATËVE NË VAUN E DEJËS
EKSTRAKT
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë në Vaun e Dejës, deklaroi se qytetarët shqiptarë meritojnë një të ardhme më të ndritur dhe një Shqipëri që të ofrojë mundësi dhe dinjitet për të gjithë. Ai theksoi se Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme, por është në duar të gabuar që po e shkatërrojnë me varfëri dhe mjerim.
‘Me një qeverisje të re, opozita angazhohet për ndryshimin e madh që do të sjellë një rritje të nivelit të jetesës dhe një mbështetje të fuqishme për bizneset dhe familjet shqiptare. Shqipëria mund dhe duhet të jetë një vend shprese dhe mundësish, dhe kjo është përpjekja që PD synon të realizojë në çdo qytet dhe fshat të vendit.’- theksoi kryedemokrati Sali Berisha gjatë fjalës së tij.
Për liderin e demokratëve nuk do të ketë pensionist që do të firmosë për pension më të ulët se 200 euro, ndërsa brenda 3 muajsh lista e rimbursimit të ilaçeve do të jetë e njëjta që është në Itali. ‘Ilaçet, e thashë edhe në Malësi të Madhe, e them edhe këtu, në mënyrë absolute brenda 3 muajve, qeveria vendos të miratojë në Shqipëri, listën e rimbursimit të republikës italiane. Ne nuk u japim dot pensionistëve, pensionet e italianëve. Ne nuk u japim dot rrogëtarëve, rrogat e italianëve. Ama ilaçet do ua japim. Le të kushtojnë, por më shumë kushton shëndeti i njerëzve, më shumë kushton jeta e njerëzve’, theksoi Berisha.
Lideri i opozitës ka prezantuar programin e PD gjatë një takimi në Vaun e Dejës. ‘Çdo fermer do mbështetet me subvencione nga qeveria për çdo njësi prodhimi, për çdo fidan, për çdo kokë bagëti të rritur’. ‘I premtoj çdo pronari se 4-vjeçari do i japë zgjidhje përfundimtare problemit të pronësisë në Shqipëri’, tha kreu i PD, Sali Berisha.
‘Mos votoni për pasurimin e Tom Doshit se të gjitha paratë i ndan me Edi Ramën dhe nuk ka bërë asgjë për ju’. Kështu u shpreh kreu demokrat Sali Berisha gjatë nje takimi elektoral në Vaun e Dejës duke u kërkura votën për numrin 1 të shqiptarëve.
‘Prandaj as Bajrët, as Çelët, as Troplinët dhe kush në botë nuk të shpëton ty. Këtu është PD, është edhe kandidati apo kandidatët e Tomës. Tani, iu bëj thirrje banorëve të Trushit, fshatit të Tomës.
Toma, i cili ka pothuajse 20 vjet si argat i Edi Ramës, çfarë bëri për ju o banorë të Trushit përveçse një rrugice, edhe atë përmes bashkisë. Pra, asnjë kontribut’, u shpreh kreut i PD-së, Sali Berisha gjatë fjalës së tij.
Kryetari i PD ka përsëritur nga Vau i Dejës sërish ftesën për debat me kreun e PS Edi Rama. ‘Qëllimi im i vetëm është Shqipëria Madhështore’, tha kreu demokrat. ‘Ta përfundojmë me një ftesë: hajde urdhëro nesër ose hajde këtu po deshe para këtyre burrave dhe grave, të bëjmë një debat. T’u themi shqiptarëve se çfarë do bëjmë ne dhe çfarë do bësh ti dhe jo të kopjosh programin që para 3 muajsh e quaje humnerë.
Nuk vjen dot, nuk mund të dalë se ka nga flokët tek këmbët vetëm mashtrime’, tha gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në prezantimin e kandidatëve për deputetë në Vaun e Dejës.
FJALA E PLOTE:
Të dashur qytetarë dhe qytetare, banore dhe banorë të Bashkisë së Vaut të Dejës, një mirënjohje të pakufishme dhe një përulje me nderimin më të madh para jush për këtë pritje të zjarrtë dhe vëllazërore.
Një përshëndetje të përzemërt dhe përgëzim për këtë atmosferë optimizmi dhe entuziazmi.
Atmosferë frymëzuese që keni krijuar, e cila dëshmon se kjo pranverë do të jetë pranvera e fitores historike të qytetarëve shqiptarë.
Do të jetë pranvera e ndryshimit të madh.
Do të jetë pranvera në të cilën shqiptarët, më të bashkuar se kurrë, do ndalin këtë të keqe të madhe që ka pllakosur anekënd këtë vend.
Këtë të keqe, e cila po i përzë shqiptarët më shumë se çdo pushtues.
Kjo e keqe që po i varfëron shqiptarët në mënyrë të pamëshirë.
Kur mendon se 12 vite më parë, shqiptarët me mundin, me djersën e tyre, dolën nga kombi me të ardhura më të ulëta në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta.
Kur arritën pas shekujsh të kenë rrogat më të larta në rajon.
Kur në Shqipëri, numri i shqiptarëve shtohej nga viti në vit me gjithë vështirësitë dhe problemet.
Pra, Shqipëria ishte një vend shprese dhe mundësish.
Këtë të keqe duhet ta ndalojmë se Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme.
Ju jeni njerëz të shëtitur sot dhe kudo që të shkoni, kudo që të shkelni, nuk keni për të gjetur më tokë pjellore se kjo tokë, gjer në Velipojë, Bushati, Vau i Dejës. Nuk ka tokë më të bekuar nga Zoti se kjo.
Kjo bashki ka potenciale mahnitëse.
Nuk ka fjord që mund të krahasohet me liqenin e Komanit. Asnjë!
Nga bukuritë mahnitëse të turizmit shqiptar vitet e fundit dy u bënë më të famshme në botë,
Ksamili dhe Lumi i Shalës.
Do t’u rrëfej një ndodhi.
Gjatë 12 viteve, rruga Vau i Dejës-Koman mbeti siç ishte duke u shkatërruar çdo vit e më shumë. Një ditë në parlament, deputetët e Shkodrës ia ngrenë Ramës ndërtimin e rrugës. Aty, në përgjigje, ajo që unë e quaj Lubi Balluku, se nuk ka njeri më të papërmbajtur në plaçkitje, del e tha: Ne investojmë në zona turistike. Nuk kishte injorancë më të madhe, të heqësh nga lista e zonave turistike liqenin e Vaut të Dejës, liqenin e Komanit, lumin e Shalës, Alpet, jo shqiptar, por nuk jeton as në planet. Duhet të jesh alien që të flasësh në këtë mënyrë. Por kjo ishte gjuha në parlamentin shqiptar.
Miqtë e mi, ndalimi i kësaj të keqeje është mision historik për çdo shqiptar.
Ndaj dhe ne këtë vit dalim në këto zgjedhje para shqiptarëve me një program, me të cilin ne duam të ndërtojmë Shqipërinë Madhështore.
Shqipëria Madhështore nuk është një fantazi. Jo.
Nuk është një term absurd, jorealist.
Shqipëria Madhështore në të vërtetë qëndron në genin e këtij vendi. Zoti, natyra e ka bërë këtë vend me pasuritë më të mëdha, me bukuritë më të mëdha, me potencialet më madhështore.
Pra, ne nuk kemi fantazuar, por kemi vlerësuar atë që ofron ky vend për t’u ngritur në madhështinë e tij.
Ky vend ka pasuri përrallore, nëntokësore dhe mbitokësore, ka një tokë nga më pjelloret, ka brigje dhe male fantastike, ka rezerva të pafundme nëntokësore, ka naftë, në Shqipëri rritet çdo gjë.
Atëherë pse ky vend në 12 vite largoi 1 milion shqiptarë vetëm në hapësirën e BE?
Të gjithë u larguan vetëm për dy arsye. Nuk u larguan se nuk ishin të shëtitur. U larguan sepse nuk kishin punë, u larguan nga varfëria. U larguan se në sofrën e tyre nuk mjaftonte ushqimi për të gjithë.
Ndaj dhe ne, me programin tonë kemi vendosur dinjitetin njerëzor të parë. Njeriu dinjitoz është njeriu që nuk flet me vete nga varfëria. Ai që flet me vete nga varfëria, ai është i dënuar. Ai nuk e meriton kurrë atë dënim. Ai nuk e ka atë nga dembelizmi. Jo, ju jeni njerëz të punës.
Mendoni për një moment, në të gjithë fshatin tuaj, sa janë të varfër që nuk punojnë? Absolutisht nuk janë më shumë se 1 në 1 mijë.
Të tjerët janë të varfër se i bën regjimi, se i bën qeveria, se i shfrytëzon qeveria, se i braktis qeveria, se nuk i ndihmon qeveria, se vjedh qeveria pasuritë e tyre.
Nuk ka varfëri se është dembel tjetri, varfëria vjen nga politikat e qeverisë.
Ne kemi vendosur familjen në epiqendër. Merr fund çdo përpjekje për të denigruar familjen shqiptare.
Nuk ka dinjitet pa familje dinjitoze.
Nuk ka dinjitet njerëzor pa një familje dinjitoze.
Ndaj dhe ne do sanksionojmë me ligj shenjtërinë e familjes.
Forca politike konservatore janë forca patriotike. Ato në programin e tyre kanë dashurinë për atdheun, dashurinë për vendin.
Çdo shqiptar, nëna në djep i këndon të rritet, të bëhet i famshëm për vendin e vet. Ndaj dhe ne do bëjmë gjithçka që çdo shqiptar, ëndrrën e tij më të bukur nga fëmijëria gjer në rritje, ta ndërtojë në Shqipëri.
Çfarë ndodhi këto vite?
Nuk them kurrë se në vitin 2013 ne ishim të mëkëmbur. Jo, por ama ishim në përmirësim të vazhdueshëm.
Rrogat u dyfishuan, pensionet pothuajse u dyfishuan.
U investua shumë në arsim, cilësia në arsim pati rritje vertikale.
U investua shumë në shëndetësi, absolutisht nuk ndodhte që në spitale për sëmundje serioze të mungonin ilaçet.
Këto vite, nga në krye të vendeve për rroga dhe pensione, u katandisëm të fundit për rroga dhe pensione.
Malazezët që ishin ndën ne, kanë pensione tre herë më të larta se ne.
Maqedonasit që ishin ndën ne, kanë pensione tre herë më të larta se ne.
Rumunët që ishin ndën ne, kanë rroga sot rrogën minimale 4 herë më të lartë se ne.
Pse kjo? Janë mbledhur gjatë këtyre viteve taksat tuaja, mundi juaj, 67 miliardë euro. Ku shkuan? Çfarë ndodhi? Çfarë u bë?
Nuk po hyj në të gjitha, por po marr vetëm vitin e fundit, 8 miliardë euro.
Ne dërguam në parlament ligjin për minimumin jetik. Për t’i dhënë çdo shqiptari një minimum jetik që të mos jetë në mjerim.
Edi Rama e refuzoi në mënyrë kategorike duke e quajtur se kjo krijon humnerë. Dhe në buxhetin 8 miliardë, la 16 milionë për për 760 mijë pensionistë. La shumë më pak se sa lanë gjermanët për 720 mijë qen shtëpiakë, që u japin çdo muaj 130 euro në muaj për qenin, 120 për macen. Po, kjo është e vërteta.
Ndaj dhe ne duhet të ulemi me çdo qytetar, socialist, demokrat, të paparti, çfarëdo qofshin dhe të arsyetojmë për këto.
Unë jam këtu para jush për t’u zotuar se në 100 ditët e para, minimumi jetik do jetë një nga aktet më të para.
Nuk do ketë pensionist në Shqipëri që të firmosë pension nën 200 euro. Ky është zotimi ynë dhe ne do e mbajmë atë.
Tani, ju e keni vënë re se gazetarët më pyesin se ku do i marrësh këto lekë, si do i gjesh ato lekë.
Tani u them unë ju se e konsideroj veten se jap llogari para jush. Këto fonde bëjnë 400 milionë euro, por po u jap fjalën e nderit, që edhe 800 milionë po të ishin, do e bëja këtë gjë.
Do t’u them një gjë, do ta bëja këtë para çdo gjëje sepse njerëzit nuk mund të rrinë duke folur me vete për kafshatën. Nuk po rrinë pa mjekuar se nuk marrin dot ilaçet.
Pra, kjo është përparësi absolute.
E thashë edhe njëherë, edhe 800 milionë po të shkonin, do ndaheshin aty. Kur ndahej kjo 8 miliardë, 800 milionë do ndaheshin për këtë. Duhet të jemi të drejtë se ka një padrejtësi ekstreme ndaj tyre.
Jo vetëm kaq, kjo shtresë e vuajtur, kjo shtresë që ka shkrirë jetën e tyre, do ketë mbështetje të tjera të fuqishme. Do ketë kartën e konsumatorit. Nuk do e marrin ushqimin njëlloj si rrogëtarët e tjerë. Ata do e marrin pa TVSH. Paratë do u kthehen dhe këto para janë të llogaritura 450 euro.
Ilaçet, e thashë edhe në Malësi të Madhe, e them edhe këtu, në mënyrë absolute brenda 3 muajve, qeveria vendos të miratojë në Shqipëri, listën e rimbursimit të republikës italiane.
Ne nuk u japim dot pensionistëve, pensionet e italianëve. Ne nuk u japim dot rrogëtarëve, rrogat e italianëve. Ama ilaçet do ua japim. Le të kushtojnë, por më shumë kushton shëndeti i njerëzve, më shumë kushton jeta e njerëzve.
Thashë unë 400 milionë, por sa kushtoi djegësi i Tiranës që nuk ka një tullë, dhe kanë përvetësuar 130 milionë euro?
Kush i përvetësoi?
Lubi Balluku kishte detyrë të kontrollonte vendosjen e çdo tulle. Nuk ka bërë asnjë raport se e dinte se paratë i merrte Edi Rama. Asnjë raport!
Edi Rama me avion personal, dhe thoshte se vetëm ne dhe Kosova nuk kemi avion personal. Po si mund të kesh avion personal kur shqiptarët i janë kthyer parmendës. Le të udhëtojë si shumë kryeministra në botë me linjat tregtare. 21 milionë euro.
5 milionë euro kopshti në oborrin e kryeministrisë se do ai, një pseudoartist, një zhgarravitës, do të kënaqë sytë. Ndan paratë, asgjë tjetër.
Si mund të blej unë një instalacion nën zyrat e mia 5 milionë euro dhe të lë të tjerët të numërojnë kafshatën. Kjo është 100 përqind e vërtetë.
Ndaj dhe kjo paketë e dhembshurisë është një paketë për drejtësi sociale.
Është një paketë për t’u dhënë dinjitetin dhe për të dëshmuar respektin ndaj njerëzve dhe një detyrim.
Ky është vetëm hapi i parë.
Iu garantoj se Made in Albania është dhe do jetë krenaria jonë kombëtare.
Kjo bashki në territorin e saj ka një potencial prodhues të jashtëzakonshëm.
Ka qenë kryetar komune Zef Hila i Bushatit. Fermerët krijuan një koperativë. 30 mijë kuintal shalqi prodhonin së bashku.
Dhe e pushtonin të parët tregun e Kosovës. Unë përmenda një asortiment, një prodhim. Po këtu prodhohet çdo gjë.
Ka rezerva minerale ndër më të rëndësishmet. Ka potencialin turistik të jashtëzakonshëm. Ka rezervat ujore më të mëdha se çod bashki tjetër. Dhe banorët ikin, ikin, ikin.
Kjo merr fund.
Çdo fermer do mbështetet me subvencione nga qeveria për çdo njësi prodhimi, për çdo fidan, për çdo kokë bagëti të rritur.
Çdo fermer do mbështetet me kredi të buta. 80 përqind të interesit do e paguajë qeveria.
Çdo fermer do mbështetet me fondin e garancive të prodhimit.
Çdo fermer do ketë falas këshillimet.
Çdo fermer do përfitojë TVSH-në, sepse TVSH nuk do jetë e njëanshme, por do jetë simetrike, si në blerje, edhe në shitje. Kështu që përpunuesit nuk do mund të preferojnë më prodhimet e importit, por do detyrohen të marrin prodhimet tuaja dhe paratë do u kthehen ju.
Do investohet intensivisht në sistemet e vaditjes dhe kullimit.
Do bëjmë gjithçka për suksesin e biznesit. Do vendosim taksën 10 përqind, taksa më e drejtë e shekujve dhe mijëvjeçarëve.
Do pjesëtojmë me 3 çmimin e energjisë. Sepse energjia që prodhohet nga ju, gjer në Fierzë, ka një kosto që bën plotësisht të mundshme ta shesim me 6 lekë dhe del me fitim përsëri.
Isha në treg në Tiranë, çfarë më thanë, ne e kishim taksën 120 lekë, tani na e kanë bërë 1500 lekë. Shteti i merr biznesit pse ka zënë 5 metra pllaka, 1500 lekë metrin katror. Ajo do zbresë aty ku ishte, 120 lekë.
Bashkitë u vërsulën në verbëri me taksa se si t’i falimentojnë.
Taksat që vënë bashkitë arrijnë në 8-10 përqind të xhiros.
Kufirin tek thana. Kurrë mbi 1 përqind të xhiros.
Se çfarë bëjnë ata, punësojnë patronazhistë, militantë, të paktën 30-40 përqind i kanë jashtë, dhe ndajnë rrogat mes tyre.
Mbi një e treta e punonjësve nuk ekzistojnë. Merr fund.
Ja pra ku gjenden paratë, se kanë hallin këta se ku gjenden paratë.
Ky grup i pamëshirë kërkon të rrëmbejë gjithçka në duart e tyre. Jeton në një luks të shfrenuar. Ndajnë pronat.
Sot në mëngjes në treg, ishte shumë prekëse, takoj një zonë, që kishte qenë komisioneve në zonën ku mundëm Ramiz Alinë, kishte firmosur pra disfatën e diktatorit të fundit. E përqafova.
Përsëri më tha, nuk kam marrë pronat.
Unë i premtova asaj dhe i premtoj çdo pronari, se në mënyrë absolute, 4-vjeçari do i japë zgjidhje përfundimtare problemit të pronësisë në Shqipëri.
Sikundër do i japim përgjigje përfundimtare dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë në total dhe përfundimisht.
Po, ne do e pastrojmë shtëpinë.

Nuk mund të mos pastrojmë ne shtëpinë nga ky grup njerëzish që u lëshuan pas pasurive të shqiptarëve në mënyrën më të papërmbajtur.
Të cilët kanë zhdukur miliarda euro.
A e dëgjuat të fundit ju? Zëvendëskryeministrja Lubi Balluku shpenzon për larjen e makinës së saj 10 mijë euro në muaj.
Iu garantoj që as sulltanesha e sulltanit të Bruneit nuk i shpenzon kaq.
Po si mundet një zyrtare, e njerëzve që marrin 60-70 euro pension, të imagjinojë… po i vjedh ato se këta janë hajdutë xhepash, kjo i ndan me lavazhin se nuk arrij ta kuptoj kurrë.
Fermerët i garantoj se nafta do t’u jepet me çmim simbolik. I keni parë këto jahtet e miliarderëve që vijnë në Durrës dhe Sarandë. Vijnë dhe marrin naftë me 50 lekë litrin. I shtrojnë një drekë kryeministrit dhe kryeministri thotë se Shqipëria po bëhet e famshe se po vijnë. Po në qoftë se vijnë, mirë se të vijnë, por naftë falas nuk u japim dot.
Vetëm naftën e jahteve e miliarderëve në brigjet tona do të mjaftonte për të gjithë naftën e fermerëve shqiptarë.
Ndaj dhe garantoj se nafta do jetë për fermerët me çmimin më simbolik.
Për shqiptarët do ulet në nivelin e çmimit në Kosovë dhe Maqedoni.
Çdo taksë është mbi ju, mbi xhepat tuaja, mbi ekonominë tuaj, mbi të ardhurat tuaja.
Të dashur miq, 35 ditë janë.
Kudo ka një entuziazëm, ka një optimizëm. Një pranverë e vërtetë e demokracisë kjo.
Kam udhëtuar edhe jashtë vendit, kam takuar diasporën, kam takuar emigrantët.
Ka një entuziazëm dhe vullnet të hekurt për të ndaluar këtë të keqe dhe unë me të drejtë e kam quajtur viti i diasporës.
Kështu që u ftoj të bëjmë gjithçka që çdo familjar i ynë të jetë prezent, me regjistrim ose direkt, më 11 maj për Shqipërinë tjetër, për Shqipërinë e ëndrrave të të rinjve shqiptarë, për Shqipërinë Madhështore.
I them këtu para jush Edi Ramës: Ditët e tua kanë mbaruar.
Bëre gjithçka, tejkalove çdo lloj norme, çdo lloj ligji, dëshmove se je një shpirt satan si i ati i tij që firmoste varjen e njerëzve. Bëre gjithçka për një Shqipëri pa opozitë.
I shndërrove pasuritë e këtij vendi në plaçkë dhe i përzure fëmijët e Shqipërisë nga Shqipëria.
I mbajte pensionet më të ulëta dhe bëre një të tretën e kombit të flasë me vete nga varfëria. Nuk ka gjë në botë që të shpëton.
Ke tejkaluar çdo lloj…
Prandaj as Bajrët, as Çelët, as Troplinët dhe kush në botë nuk të shpëton ty.
Këtu është PD, është edhe kandidati apo kandidatët e Tomës.
Tani, iu bëj thirrje banorëve të Trushit, fshatit të Tomës.
Toma, i cili ka pothuajse 20 vjet si argat i Edi Ramës, çfarë bëri për ju o banorë të Trushit përveçse një rrugice, edhe atë përmes bashkisë.
Pra, asnjë kontribut.
Bleu një parti. Po a voton kush për parti të blerë. A votohet për parti të blerë o miq? Po kurrë o miq. Po në qoftë se ka gjë të shtirë, ajo është një parti e blerë.
Pse i them këto? I them këto se çdo votë për Tomën është për pasurimin e Tomës.
Tani ju nuk keni borxh, nuk kanë borxh banorët e kësaj bashkie, as të Shkodrës, të votojnë për pasurimin e Tom Doshit.
A e dini ju se ai fiton 3 mijë tendera në vit nga Edi Rama dhe bashkë me Vilma Nushin me ilaçet e tyre të skaduara, qëndrojnë në themel të gjëmës së shqiptarëve që nuk gjejnë derman nga ilaçet që marrin se i kanë pa efekte.
Ndaj dhe u bëj thirrje, njerëz të mençur, njerëz të mirë, votoni për veten tuaj dhe jo për pasurimin e Tom Doshit se të gjitha paratë i ndan me Edi Ramën dhe nuk ka bërë asnjë gjë as për Trushin, as për Vaun e Dejës, përveçse për veten e tij.
Së fundmi miq, Edi Rama kontrollon të gjitha mjetet e propagandës.
Katër mediat i ka korruptuar me leje ndërtimi, i ka korruptuar në mënyra të ndryshme.
E thashë edhe më sipër, e them edhe këtu, Edi Rama, ke 28 vite në pushtet.
Pas 28 viteve në pushtet, je me saraje me themele më të gjata se Enver Hoxha.
Ai ka 720 metra themelet në sarajet e Surrelit, Hoxha i kishte 410 metra.
Enver Hoxha kishte një kopsht 2 mijë metër katrorë, Edi Rama ka një kopsht 8300 metra katrorë.
Unë u garantoj ju, unë kam një apartament 40 metra më të madh se atë që kisha në diktaturë.
Por, unë nuk mund të kisha më shumë pa marrë kredi.
Dhe kredi nuk doja të merrja. Nuk është se kjo rroga mjafton të ndërtosh saraje, për të mos thënë pallatin në pajë. Mori zonjë me pallat pesëkatësh pa asnjë faturë.
Edi Rama, ke qeverisur 12 vite, kam qenë kryeministër 8 vite. në ato 8 vite, shqiptarët lëvizën në gjithë Europën pa viza dhe kjo ishte arritja e jetës sepse tregu i vizave ishte tregu më i kushtueshëm.
Në ato 8 vite shqiptarët dyfishuan rroga dhe pensione. Ku janë sot pas 12 vitesh?
Në ato 8 vite Shqipëria u anëtarësua në NATO.
Në ato 8 vite u ndërtua TAP-i. TAP është një fat i bardhë për çdo shqiptar sepse kontrata
parashikon gazifikimin e plotë të Shqipërisë.
Nuk kanë investuar një qindarkë. Ne do gazifikojmë Shqipërinë dhe vetëm me gazin do përmirësojmë kushtet e jetës së shqiptarëve.
Çfarë ka bërë ai 12 vite? Ka rrënuar shkollat, ka rrënuar spitalet, të sëmurët vdesin jo nga sëmundja, por nga mungesa e mjekimit. Ka zhdukur miliarda me pasuritë e tij.
Atëherë kthehemi prapë. Sali Berisha u kthye se ti dojë një Shqipëri pa opozitës.
Doje një Shqipëri në të cilën opozitën ta tërhiqje për hunde. Ta kontrolloje. Të ndihmuan edhe të tjerët. Po ja ku është populli opozitar, është populli i idealeve. Shqiptarët janë njerëz me ideale.
Dhe unë ua them ju këtu, nuk jam në politikë absolutisht kësaj radhe për asnjë interes personal.
Jo, jo. Nuk jam në politikë për interesa pasurie. Nuk jam në politikë për asnjë qëllim tjetër, përveçse misionit të Shqipërisë Madhështore.
Përveç bindjes time të thellë se shqiptarët në vendin e tyre duhet të begatohen më shumë, të kenë rroga të larta gjithnjë e më shumë, të kenë punësim gjithnjë e më shumë.
Këto janë qëllimet e misionit.
Por ta përfundojmë me një ftesë: hajde urdhëro nesër ose hajde këtu po deshe para këtyre burrave dhe grave, të bëjmë një debat. T’u themi shqiptarëve se çfarë do bëjmë ne dhe çfarë do bësh ti dhe jo të kopjosh programin që para 3 muajsh e quaje humnerë.
Nuk vjen dot, nuk mund të dalë se ka nga flokët tek këmbët vetëm mashtrime.
Prandaj dhe ne më 11 maj votojmë njishin, numrin hyjnor.
Votojmë njishin, numrin e diellit.
Votojmë njishin, numrin e fitores.
Rrofshi ju, rroftë Vau i Dejës. Rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!