FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË TAKIMIN ME STRUKTURAT NË TEPELENË
Së pari ju falenderoj shumë përzemërsisht për këtë pritje vllazërore, dhe përulem me nderim të madh para secilit prej jush. Para të gjithë demokratëve, demokrateve të Tepelenës për ndihmesën, kontributin e gjithsecilit. Në këtë përpjekje të dytë të madhe që ne na takoi detyra dhe nderi si misionarë të përballemi me monizmin e dytë të vendosur në Shqipëri nga një grup individësh të cilët e vërteta absolute është se nuk ka asnjë interes shoqëror, se nuk ka asnjë interes kombëtar dhe se kanë vetëm një interes: pasurimin e shfrenuar të tyre nga mëngjesi deri në darkë në kurriz të çdo shqiptari, çdo demokrati, çdo socialisti, çdo njeriu të pa parti.
Pra, në vijim në këtë fushatë elektorale. Në kushte të monizmit njësoj siç ishim në vitin 91, Edi Rama ka mbërthyer të gjitha pushtetet. Ju e shihni si përdoret parlamenti sot në mënyrën më të shëmtuar, më anti-kushtetuese, më banditeske. Bëhet gjithçka që ne të largohemi nga parlamenti. Krijohet çdo kusht dhe rrethanë që ne të bojkotojmë parlamentin. Por ne nuk do e bojkotojmë parlamentin. Ne parlamenti do na mbajë në betejë brenda dhe jashtë tij. Në nuk e dorëzojmë parlamentin sepse nuk duam që interesat tuaja të pushojnë së mbrojturi. Ky është qëllimi ynë.
Njëlloj si në 91 ne jemi sot në një revolucion në të cilin sigurisht, nuk ka rrevolucion që merr pjesë shumica, duhet t’i qartësojmë disa gjëra. Se nuk mund të themi që shumica bëhet misionare. Jo, misionarë bëhen idealistët të vendosur për të sakrifikuar për idealin e tyre. Revolucionet i firmos pakica. Fitoren e firmos shumica.
Ndaj ne edhe ecim në këtë revolucion. Ne në shumë plane. Në shumë rrafshe, një nga rrafshet më kryesore është që këta kandidatët tanë të jenë fitimtarë në Përmet, Këlcyrë, Tepelenë, Gjirokastër dhe kudo që janë. Revolucioni ynë është paqësor, dhe nuk kemi qëllim tjetër veçse t’i bëjmë shqiptarët të votojnë të lirë.
Por nga ana tjetër, ne do bëjmë gjithçka për përmbysjen e këtij regjimi, i cili mund të listosh një ditë të tërë, por fakti është se i ka varfëruar shqiptarët në këto 9 vite me një shpejtësi marramendëse, dhe i ka varfëruar ata vetëm e vetëm duke i vjedhur.
Do t’ju jap disa shifra të vogla. Nga taksat tuaja atje në Tiranë për fermerin caktohen 48 euro për hektarë, dhe po t’i shikosh, thua epo mirë qenka një mbështetje, sado që është shumë më pak se në vendet e tjera. Po ku shkojnë? Vetëm 3 euro shkojnë për hektarë për fermerin, me statistikë zyrtare kjo të certefikuar edhe nga OKB. 45 euro përfundojnë në xhepat e tyre.
Në Kosovë 69 euro përfundojnë në xhepat e fermerëve. Pra, Në Kosovë fermeri merr 23 herë më shumë se në Shqipëri. Po lexoja një shkrim dhe një zonjë thoshte: Unë do emigroj me dhitë e mia në Kosovë. E vërteta është, se ajo qeveri, me buxhet sa gjysma e buxhetit të Shqipërisë.
Nga taksat tuaja, mblidhet një buxhet prej 4 miliardë euro. Nga taksat në Kosovë mblidhen 2 miliardë euro. Por sot në Kosovë, mjeku paguhet dy herë më shumë se në Shqipëri, sot në Kosovëv të gjitha rrogat janë 30 deri në 50 përqind më të larta se në Shqipëri. Ndërkohë në vitin 2013, rrogat tona ishin më të mëdha edhe se në Rumani dhe Bullgari, që ishin vende anëtare të BE-së.
Këta qeveritarë, këta vjedhin. Do u them një gjë këtu: nga jeta juaj, ai hajduti që futet në një shtëpi për të vjedhur, ai urren viktimën e tij. E justifikon vjedhjen me urrejtjen që ka ndaj tij. Të tillë janë këta, këta ju vjedhin ju dhe ju urrejnë ju. Kjo urrejtje bën që Edi Rama të ulet në drekë sikur të ishte i biri i Sulltanit të Arabisë Saudite.
A mundet që kryeministri i Shqipërisë të drekojë 10 mijë euro në një drekë? A mundet ministrja e tij të porosisë biftekun 1 mijë euro? A mendoni se këta kanë ndjenja për shqiptarët? A mendoni ju se mendojnë për ju dhe fëmijët tuaj? A mendosi se mendon për ju për socialistët, për demokratët, për të pa parti Edi Rama që porosit vazo druri për oborrin e kryeministrisë prej 4.2 milionë euro. A nuk është kjo një praktikë për varfërimin tuaj? Se si të mos rrisi rrogat tuaja, sesi shpërdorojnë taksat tuaja?
Nuk di kryeministër në Europë, por as në botë, që të blejë një instalacion druri 4.2 milionë euro për oborrin e zyrave të tij. E bën ky, se ky nuk mendon për ju, ky nuk mendon për ata pensionistët që nuk marrin dot ilaçet, nuk mendon për ata që nuk mbyllin tre vaktet, nuk mendon për të rinjtë që nuk gjejnë punë dhe detyrohen të ikin e të ikin.
Përkundrazi, ju keni dëgjuar për aferën e djegsave. E keni dëgjuar vjedhjen 420 milionë euro.
Doli pardje Arben Ahmetaj, e pa që Edi Rama e shiti. Ai insistoi të dilte te ai emision se Rama tha se me të ka punë prokurori, dmth e kam dorëzuar unë atë. Çfarë ishte aty?
Ajo ishte një medalje me dy anë.
Në një anë i tha Edi Ramës që kreu i Meduzës për inceneratorët je ti dhe vetëm ti. I tha se nuk jam i fuqishëm sa të lëviz qeverinë, dhe kjo është e vërtetë. Një ministër qeverinë nuk e lëviz dot. Kryeministër kam qenë vet unë. Qeverinë e lëviz kryeministri me sekretarin e përgjithshëm të tij. Po pse e tha ky këtë?
E tha ky këtë, sepse në aferën e djegësave, siç nuk ka ndodhur në historinë e shtetit shqiptar, janë firmosur brenda 24 orëve 17 shkresa vetëm me djegsat. Këto i bën vetëm kryeministri. Vetëm një urdhër i prerë i kryeministrit dhe i ndjekur me fanatizëm nga sekretari i përgjithshëm mund të sjellë brenda 24 orëve 17 shkresa në Këshillin e Ministrave.
E vërteta është se përgjegjësinë më madhore e ka Edi Rama. Përveç asaj, aty Edi Rama ka firmosur fap e fap e bap e bap siç thoshte, duke i thënë drejtori i entit kombëtar të prokurimeve, që kjo metodë prokurimi nuk mund të përdoret se është antiligjore. Ua tregoj unë ju. Kurrë kryeministri nuk mund ta firmosë atë. Sepse ai është gardiani i shtetit shqiptar. Kryeministri mund të shkojë të marrë ligjin, ta çojë në parlament, ta votojë si të dojë dhe pastaj të veprojë, por sa të jetë ai ligj në fuqi, kryeministri ka shkelur ligjin vetëm për vjedhje. Se e kishte ndërmarrje të tij. Se për ndërmarrje të Arben Ahmetajt ju siguroj që nuk e bënte një gjë të tillë.
Pse u thashë me dy medalje? Tha edhe për Erion Veliajn. Ndiqni paratë, se Veliaj ka marrë me thasë. E vërtetë kjo. Ana tjetër e medaljes është se deshi të lajë duart. Nuk kam firmosur. Gënjeshtra!
Tani, në këtë aferë është një ndërtues i kontraktuar nga një kompani private, në djegësin e Fierit, i kontraktuar si supervizor. Dhe ky ndërtuesi është në burg me akuzën e shkeljes së interesit publik, ndërkohë që ky, thoshte Ylli Manjani në kohën e tij, nuk ka pasur asnjë përgjegjësi publike.
Në burg është supervizori. Shteti ka një inspektoriat financuar nën urdhrat e Arben Ahmetajt. Ky inspektoriat i Ministrisë së Financave ka detyrë ligjore dhe shtetërore të kontrollojë çdo lloj abuzimi që sinjalizohet nga mediat, nga punonjësit, nga kushdo me paratë tuaja, me buzhetin e shtetit.
Nga viti 2014 deri ditën kur foli Ahmetaj, ju garantoj që ka pasur të paktën një person që ka bërë 223 denoncime, por të marra së bashku edhe me media shkojnë mbi 1 mijë denoncime për abuzime me djegësin.
Por pse SKAP-i i partisë hesht dhe arreston Arben Dervishin, i cili e meriton, nuk them se nuk e meriton, por nuk shkon te inspektori që paguani me taksat tuaja për të mbrojtur paratë tuaja, buxhetin tuaj?
Pse nuk arreston inspektorin që mbylli sytë dhe ministrin prej nga varej inspektori dhe që ishte Arben Ahmetaj?
Po pse? Se ky institucion është i kalbur. U ndërtua krejtësisht si seksion i PS-së.
Kjo a duhet të ndryshojë? A duhet ne të ngrihemi? Ne duhet të ngrihemi me të gjithë forcën tonë. Unë ju dhashë një shembull. Por shembuj të tillë, vjedhjesh, abuzimesh, janë të pafundme.
A i shihni ju mediat, sesi një grup i vogël të quajtuar analistë rendin nga një ekran në një ekran tjetër, nga një studion në një tjetër, që t’u mashtrojnë juve.
E thashë dhe dje, po e them dhe sot këtu.
Zonja në SHBA e denoncoi Edi Ramën se ka darkuar në një lokal në Nju Jork me 10 mijë dollarë darka. Dilte çakalli i tij e thoshte se ka kushtuar 100 dollarë darka. Me paratë e Edi Ramës e bënte këtë ai.
Po si të mos e bëjë këtë ai?
Se vetë Rama ka bërë 137 udhëtime me aeroplan me dhomë gjumi luks aty, se lodhet shumë ky, se në 48 mbledhje në vit të qeverisë, ka marrë pjesë vetëm në 19 mbledhje qeverie. Statistikë zyrtare kjo. Të gjitha të tjerat i ka Ballukja. Po, ajo është kryeministrja. Ajo zbaton porositë me sms. Lodhet shumë ky, na udhëton dhe shpenzon 22 milionë euro, dhhe kthehet dhe thotë, këto udhëtime janë më lirë se tudhëtimet që bënin paraardhësit tim në linja private. Po kujt ia thotë këto? A mund të mashtrojë një njeri në këtë mënyrë, në një kohë kur bllokon, nuk e lejon komisionin hetimor parlamentar për këtë çështje, sepse do nxjerrë se janë më shumë se 22 milionë euro shpenzime për udhëtime, abuzime, e uikende.
Këto ministra absolutisht, 5 herë më shpesh shkojnë në Dubai se sa vijnë në Gjirokastër e Tepelenë.
A e dëgjuat Arben Ahmetajn ju, që i thoshte aty, pasaporta ime nuk është aty. Këta mbajnë nga tre pasaporta në xhep për të mos u diktuar. Këta janë një bandë që nuk e ka toka.
Ku arriti kjo bandë miqtë e mi?
Arriti të paimagjinueshmen, arrin të rekrutojë kryezbuluesin e SHBA, McGonigal. E para njëherë, t’ia bësh një vendi që të ka bërë aq të mira në histori një akt të tillë, je më besëpreri i shqiptarëve që nga koha e Skënderbeut gjer më sot. Edhe sot ju e shihni, ka një luftë që po zhvillohet në Ukrainë, Po lufton me heroizëm populli i Ukrainës. Por mbështetje dhe parzmore janë SHBA, janë taksapaguesit amerikanë, janë armët amerikane. Dhe kjo është e vërteta.
Ky, duke na quajtur ne anti-amerikanë, pse ne po mbronim vlerat e lirisë, vlerat e amerikanëve, vlerat e europianëve në Shqipëri. Ky njeri nuk ka asnjë interes. Ne sigurisht që kemi jo vetëm interesa kombëtare, po kemi ideale dhe forca e idealeve tona është e pamposhtur. Ju garantoj ju se këtë revolucion do e fitojmë.
Misionarët nuk janë shumicë, por ata fitojnë, ata nuk humbasin. Ata nuk humbasin sepse sakrifikojnë.
Demokratët duhet të bindin çdo shqiptar se këtë betejë e kemi për çdo shqiptar.
Ndaj, të ecim të vendosur, të ecim të guximshëm, të sigurt drejt fitores që meritojmë.
Ndaj, rikthehemi edhe njëherë te fillimi.
Revolucioni, misionarët, nuk janë shumicë ta themi të vërtetën. Ata fitojnë dhe nuk humbasin, sepse sakrifikojnë. Fitorja e tyre ka sakrificën, guximin, djersën dhe idealet e tyre.
Të tillë jeni ju! Të tillë janë sot demokratët. Duhet të bëjmë gjithçka. Të bindim çdo shqiptar, se këtë betejë nuk e kemi për veten tonë. E kemi për çdo shqiptar. E kemi për fëmijët tanë, të tyret dhe veten tonë.
Ndaj edhe, demokrate dhe demokratë të ecim të vendosur, të guximshëm, të sigurtë drejt fitores që meritojmë.
Faleminderit shumë!