Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar vendimin e Gjykatës së Lartë për çështjen e vulës së PD.
I pyetur nga gazetarët, Berisha tha se, në fuqi është vendimi i Gjykatës së Shkallës së Faktit, pasi vendimi i Apelit u rrëzua.
FJALA E PLOTË
Pyetje: Si e cilësoni vendimin për çështjen e logos dhe vulës së PD?
Sali Berisha: Thjesht, vendimi i Gjykatës së Lartë. Gjykata e Lartë nuk u ngrit në lartësinë e misionit të saj që të rrëzojë përfundimisht vendimin e Apelit. Aktualisht në fuqi është vendimi i Shkallës së Parë, sepse Gjykata e Lartë nuk e çoi për rigjykim në Shkallën e parë, por e çoi për rigjykim në Apel, duke marrë një vendim disiplinues ndaj treshes që mori atë vendim, duke kërkuar që të mos e gjykojë më ajo, për arsye të cilat duhet lexuar vendimi, sepse pa lexuar vendimin vetëm njoftimi nuk mjafton të japësh një konkluzion. Pra, kthehemi siç kemi qenë në fillim, kur vendosi Gjykata e Faktit. Ky është realiteti. Çdo interpretim tjetër është krejtësisht i gabuar.
Pyetje: Mendoni se pas këtij vendimi është Edi Rama?
Sali Berisha: Gjykata e Lartë nuk mund të merrte vendim, nëse do gjykonte në lartësi, përveçse njohjen përfundimtare të Gjykatës së Faktit. Pse e them këtë? Vetë Gjykata e Lartë ka disiplinuar, se kjo quhet disiplinim, sepse të të përjashtojë nga e drejta e rigjykimit, ajo normalisht po të mos kishte probleme të rënda, i takonte ta gjykonte e njëjta trupë, por fakti që u detyrua të përjashtojë trupën dhe pastaj, pra kaq skandaloze ishte gjendja aty në vendim, kaq skandaloze ishte saqë nuk mund të përtypej në asnjë mënyrë dhe u detyrua ta kthejë me një trupë tjetër. Në një kohë kur vendimi i vetëm jashtë diktatit të Edi Ramës, do ishte që lihet në fuqi vendimi i Shkallës së Parë, i cili është në fuqi, por është në fuqi gjersa të gjykohet, që të mos bëjmë interpretime. Të dyshosh tani që Gjykata e Lartë nuk kontrollohet nga Edi Rama, tani mos e pyet…
Pyetje: Si e komentoni shtyrjen e vendimit nga gjykata e posaçme për masën ndaj jush.
Sali Berisha: Jo nuk jam në dijeni, dua të shikoj motivin, të shikoj të gjitha faktet. Nuk jam lidhur me avoketërit që më informojnë me hollësi.
Pyetje: Vendimi i Apelit në datën 3 mars të këtij viti, ju la pa emër dhe pa sigël në fletën e votimit. A mendoni se mund të ketë një zvarritje njësoj edhe në 2025?
Sali Berisha: A e patë ju sot protestën? Protesta sot është fillimi i përballjes, dhe ju garantoj se ka një vullnet dhe një revoltë të jashtëzakonshme te demokratët. Kështu që prisni sepse kjo parti nuk lufton më për veten e saj, lufton për rithemelimin e pluralizmit politik në Shqipëri.
Nuk ka betejë më epike, nuk ka mision më të madh. Unë u kam deklaruar ju dhe shqiptarëve, epoka e pluralizmit që solli revolucioni demokratik i vitit 90 është mbyllur pa asnjë iluzion. Ndaj dhe kthesa, ndaj dhe janë ftuar shqiptarët të marrin kthesën në mënyrën e re, të rithemelojmë pluralizmin. Kjo do ndodhë, do apo nuk do Edi Rama dhe makineria e tij e krimit, drogës dhe vjedhjeve. Kjo parti do e përmbushë këtë mision me vendosmëri absolute. E patë, Edi Rama dhe organet e diktaturës, krimit, drogës dhe vjedhjeve do jenë në përballje konstante me demokratët dhe popullin në këmbë për të rikthyer pluralizmin politik dhe vlerat e demokracisë.