Berisha nga protesta: Rrëzimi i Ramës nga pushteti është misioni ynë i shenjtë! Opozita i kalli tmerrin regjimit

FJALA E KRYETARIT TË PD, SALI BERISHA NË PROTESTËN PARA PARLAMENTIT

EKSTRAKT

Në protestën e mbajtur para Kuvendit të Shqipërisë pas dhënies së vendimit për heqjen e imuniteitt, Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha tha se, rrëzimi i Ramës nga pushteti është misioni ynë i shenjtë. Berisha tha se, opozita i kalli tmerrin regjimit.

Kryetari i PD, Sali Berisha tha para protestuesve se, siç dështoi regjimi i krimit të mposhtë opozitën më 9 shtator, do dështojë edhe sot me shumë më turp.

Berisha tha se, ne nuk mund të heshtim para aferave që arrijnë në 1 miliardë. Ne nuk mund të heshtim kurrë përpara xhelatëve të ligjit, të të drejtës, në zyrat e shtetit, para skapistëve amoralë, të cilët amnistojnë vjedhje që arrijnë dhe do arrijnë në 1 miliardë euro.

Berisha tha se, Edi Rama ka krijuar me reformën e Xhorxh Sorosit, organet e drejtësisë si seksione të Partisë Socialiste. Seksione krimi ato të cilat amnistojnë Erion Veliajn, Ilir Beqajn dhe Edi Ramën.

Berisha bëri thirrje të forta për të vijuar betejën të patundur dhe të pamposhtur  të opozitës.

FJALA E PLOTË

Të dashur demokratë dhe demokrate!

Së pari, një mirënjohje të thellë, të pakufijshme ndaj jush. Një përshëndetje të përzemërt për ju, për demokratet dhe demokratët në mbarë Shqipërinë.

Ju keni lënë çdo gjë dhe jeni grumbulluar sot këtu, në një moment në të cilin bandat dhe krimi i përfaqësuar nga Edi Rama, Taulant Balla, deputetë dhe qeveritarë delinkuentë, menduan se do shpëtojnë duke hequr imunitetin e Sali Berishës dhe autorizuar bandat e tyre për arrestimin e tij.

Kjo është një përpjekje që dëshmon tmerrin që kanë ata sot nga ju, tmerrin që kanë nga opozita e vërtetë, tmerrin që përjetojnë sepse dështuan në sipërmarrjen e tyre më kriminale në historinë e demokracisë, sipërmarrjen e krijimit të opozitës fasadë, sipërmarrjen e realizimit të ëndrrës së Edi Ramës për një narkoshtet pa opozitë, për një paqe në qeverisjen e tij, të njëjtë me atë që kishin etërit e tij barbarë.

Por siç tregoi historia e këtyre dy viteve, opozita shqiptare rezistoi, u ngrit mbi të gjitha pushtetet e krimit në Shqipëri, u ngrit mbi të gjithë agresionin e mafies ndërkombëtare që do një Shqipëri moniste, protektorat të krimit, drogës dhe narkoshtetit.

U ngrit jashtë çdo parashikimi dhe i kalli tmerrin regjimit të krimit në Tiranë.

Ndaj dhe ata, në një përpjekje fund e krye antiligjore, në një përpjekje fund e krye antikushtetuese, në një përpjekje të bazuar në shpifjen, trillimin, manipulimin e mijëra e mijëra dokumenteve zyrtare, mendojnë se duke vepruar në këtë mënyrë si sot, do mund të bjerë në qetësi.

Unë kam bindjen se ky moment, se kjo ditë do jetë një ditë frymëzimi për të gjithë ju, për të gjithë shqiptarët, një ditë që do u rikujtojë atyre se misioni i tyre kryesor është o sot o kurrë, të përmbysim narkodiktaturën, regjimin e krimit, drogës dhe vjedhjes së shqiptarëve.

Ju jeni dëshmitarë se prej muajsh ne kemi denoncuar me fakte, me dokumente dhunimin e tmerrshëm të zgjedhjeve. Ne e kemi bërë atë para të gjithash që shqiptarët të mos mendojnë më kurrë se me Edi Ramën do kenë zgjedhje. Ne e kemi bërë atë në përputhje me vendimin tonë se do mbrojmë votën e shqiptarëve.

Ne e nxorëm në pah para shqiptarëve dhe botës, shëmtinë e madhe, batërdinë që Edi Rama bëri me votën e këtij vendi. Qëllimi ynë madhor ishte dhe mbetet, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, rrëzimi i tij nga pushteti është misioni ynë i shenjtë. Votimi i lirë i shqiptarëve është qëllimi ynë më madhor.

Miqtë e mi!

Gjatë këtyre muajve ju keni parë se ne kemi denoncuar me fakte, me dokumente zyrtare, vjedhjet e paimagjinueshme të Edi Ramës dhe qeveritarëve të tij. Të Edi Ramës dhe familjarëve të tij. Unë e di çfarë ndjen ai kur nga selia e PD paraqitet dokument pas dokumenti, për abuzimin, për vjedhjet, duke shfrytëzuar pushtetin e tij, që bëjnë anëtarët e familjes.

Por kjo nuk mund të na detyronte ne që të mos i thonim shqiptarëve të vërtetën, se ky shushunjë vjedh me të gjithë tentakulat e tij.

Ne nuk mund të heshtim para aferave që arrijnë në 1 miliardë. Ne nuk mund të heshtim kurrë përpara xhelatëve të ligjit, të të drejtës, në zyrat e shtetit, para skapistëve amoralë, të cilët amnistojnë vjedhje që arrijnë dhe do arrijnë në 1 miliardë euro.

Amnistojnë vjedhje që ju kanë kushtuar ju me mijëra jetë. Amnistojnë vjedhje, për shkak të të cilave çdo muaj, 1 mijë shqiptarë nuk janë operuar dot. Amnistojnë vjedhje, në të cilat 1 kilometër rrugë, kushton njëlloj si të lahesh në flori, 1 km rrugë kushton 24 herë më shumë se në vendet anëtare të BE.

A mundet ne të qendronim indiferent ndaj kësa? Jo, kurrë.

Edi Rama, përveç kabinetit, ka krijuar me reformën e Xhorxh Sorosit, organet e drejtësisë si seksione të Partisë Socialiste. Janë seksione krimi ato që amnistojnë Erion Veliajn, janë seksione krime ato që amnistojnë Ilir Beqajn, janë seksione superkrimi ato që amnistojnë Edi Ramën.

Le t’u themi ne sot këtu se verdikti juaj, verdikti i shqiptarëve nuk do të kursejë asnjërin prej tyre.

Miqtë e mi!

U drejtohem sot drejtuesve të degëve, kryesive të degëve, kryetarëve, të gjithë infrastrukturës drejtuese të PD, është koha të mobilizoheni me të gjithë mundësitë dhe forcën, me anëtarësinë tonë, mbështetësit tanë, simpatizantët tanë. Është koha të bëhemi zëdhënës të atyre që duhet të ngrihen o sot o kurrë për veprim. Është koha të jemi në krye të atyre, në krye të guximtarëve. Është koha të jemi në krye për t’i udhëhequr ata drejt fitores. Në qoftë se ne, nuk i udhëheqim ata, nuk i frymëzojmë ata, ne kryejmë aktin e tradhtisë më të lartë ndaj tyre, ndaj opozitës, ndaj Shqipërisë dhe kombit shqiptar.

Ne jemi shpresa e vetme e tyre.

Në guximin tonë, në trimërinë tonë, në misionin tonë, varet më shumë se nga çdo tjetër, përveç Zotit, fati dhe e ardhmja e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Fati dhe e ardhmja e lirisë së shqiptarëve, e sistemit të tyre që meritojnë.

Ndaj dhe ju ftoj të vazhdojmë betejën të patundur, të pamposhtur dhe ju garantoj se, siç dështoi regjimi i krimit të mposhtë opozitën më 9 shtator, do dështojë sot shumë më me turp.

Fitorja jonë është e sigurt!

Rrofshi ju, rroftë populli opozitar! Rroftë kombi shqiptar dhe Shqipëria!

Fitore, fitore, fitore!

Ndiq intervistat e fundit
Artikuj të ndërlidhur
Ndiqeni Partinë Demokratike në rrjete sociale