FJALA E KRYETARIT TË PD-së, SALI BERISHA NË PREZANTIMIN E KANDIDATËVE NË KORÇË
EKSTRAKT
Në një pritje madhështore, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar kandidatët e PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, në qarkun e Korçës për zgjedhjet e 11 majit. Berisha u prit nga mijëra qytetarë me entuziazëm dhe brohoritje. Në fjalën e tij, Berisha theksoi se ‘familja është tempulli i formimit, i edukimit, i moralit, i virtytit, për çdo shqiptar, për çdo korçar. Njerëz të lirë, korçare dhe korçarë të lirë, mos harroni kurrë se konservator do të thotë tradicional, se tradicional do të thotë besim tek familja, besim tek familja, besim tek familja’.
Nga Korça, kryedemokrati Sali Berisha është shprehur se vrapi i demokratëve dhe aleatëve të saj nis më 11 maj, duke u shprehur se nuk do të ndalet pa bërë të mundur që qytetarët shqiptarë të jenë më të paguarit në Ballkan. ‘Sot për një qytetar korçar në pension, për të blerë ato që blinte në vitin 2013, duhet të kishte një pension 390 mijë lek. Sot rroga minimale duhet të ishte të paktën dyfishi i asaj që është sot. Por qeveritarët, Edi Rama, 3-5-fishoi rrogat e larta dhe të ulëtat i la njerëzit për të numëruar kafshatën. Merr fund kjo. Ne do u kthejmë paratë ju, dhe u garantoj se vrapi ynë që fillon me 11 maj, nuk ndalet gjersa ju të jeni qytetarët më të paguar të Ballkanit. Ky është zotimi ynë para jush, ky është vendimi ynë’, theksoi Berisha.
Gjatë fjalës së mbajtur, lideri i demokratëve Sali Berisha ka bërë thirrje nga Korça për një angazhim të fortë nga diaspora dhe qytetarët shqiptarë në prag të zgjedhjeve të 11 Majit, duke ftuar ata të mbeten të lirë dhe të paanshëm gjatë procesit të votimit. Ai ka theksuar se, përmes një politikë të orientuar drejt zhvillimit të Korçës dhe Shqipërisë, do të zbatohet një ulje e tatimeve dhe mbështetje për biznesin dhe rrogëtarët.
‘I bëj thirrje diasporës që po voton këto ditë, asnjë votë mos fotografoni, qëndroni qytetarë të lirë të këtij vendi, qytetarë të lirë aty ku jeni. Votoni ndryshimin, votoni shpëtimin e Shqipërisë. Dhe ata që nuk mundën të regjistrohen, të bëjnë gjithçka, të vërshojnë drejt Korçës dhe Shqipërisë më 11 maj, ditën e fitores’, nënvizoi Berisha gjatë fjalës së tij.
Përpara mijëra demokratëve në Korçë, lideri i opzoitës Sali Berisha u shpreh se programit ekonomik dhe social që PD dhe Aleanca për Shqipërinë Madhështore, ofron do të jetë i zbatueshëm dhe i prekshëm për të gjithë shqiptarët. ‘Shqipëria Madhështore është Shqipëria e punës, e prodhimit e ‘Made in Albania’. Në ‘Made in Albania’ e para është ‘Made in Korça’, u shpreh Berisha para qytetarëve korçarë.
Kreu i PD, Sali Berisha dha një mesazh të fortë ndaj kundërshtarëve politikë, duke theksuar se ata që po kundërshtojnë rotacionin politik dhe që nuk janë bashkuar me opozitën, në të vërtetë po mbështesin Edi Ramën. Në fjalën e tij, Berisha ka kritikuar ashpër sjelljen e disa liderëve, duke i akuzuar se po heqin maskat dhe po tregojnë mbështetje për regjimin aktual.
‘I ftova vetëm në emrin tuaj dhe në interes tuaj. Se vetë, aspak nuk doja ti ftoja, por nuk doja që asnjë votë e popullit opozitar të përçahej, të ndahej. Nuk erdhën dhe tani thonë; jo, ne nuk jemi për rotacionin, jo ne jemi kundër sistemit.
Hë, heqin maskat. Por në qoftë se nuk je për rotacionin, je për Edi Ramën. Në qoftë se je kundër sistemit, përsëri je për Edi Ramën. Atëherë qytetarë i leni në vetminë e tyre këta, që të kishin patur në karakter 1/10 e Ilir Vrenozit ishin midis nesh sot, por se patën’, theksoi lideri i demokratëve, Sali Berisha.
Në fjalën e tij në prezantimin e kandidatëve në Korçë, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka paraqitur programin për “Shqipërinë Madhështore”, duke theksuar se ky është një program i mundësive të reja për shqiptarët. Ai e ka cilësuar këtë periudhë si vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë, duke u apeluar qytetarëve të Korçës, Pogradecit, Devollit dhe Kolonjës që të bëjnë zgjedhjen e duhur më 11 maj.
‘Ky program është një mundësi reale, për çdo fermer të Korçës dhe Shqipërisë, për çdo biznesmen të vogël, për çdo biznesmen të madh, për çdo mësues që nuk do marrë kurrë rrogë ndën 1500 euro, për çdo mjek, infermiere që do ti dyfishohen rrogat e pensionet. Pra është programi i mundësive të reja për shqiptarët, i udhëtimit të tyre drejt Korçës, Madhështore, drejt Shqipërisë Madhështore’, tha gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Sali Berisha.
FJALA E PLOTE:
Të dashur, qytetar dhe qytetare të Korçës, Pogradecit, Devollit dhe Kolonjës.
Përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme për këtë pritje entuziaste, për këtë atmosferë të elektrizuar, të njerëzve të lirë, të mbledhur këtu, në një mision të madh të jetës së tyre, në misionin e shpëtimit të Korçës, Pogradecit, Devollit dhe Kolonjës nga ky regjim, nga kjo e keqe që ka shkretuar këto treva të bekuara më shumë se çdo pushtues, më shumë se çdo fatkeqësi natyrore në tërë historinë tonë kombëtare.
I dashur zoti Vangjel Dule, aleat kryetar i PBDNJ-së, aleat i koalicionit për Shqipërinë Madhështore.
I dashur zoti Ivi Kaso, udhëheqës politik i qarkut të Korçës.
E dashur Sorina deputete në Kuvendin e Shqipërisë.
Të dashur kandidate dhe kandidat, përfaqësues të qytetarëve të këtij qarku në parlamentin e ardhshëm, një përshëndetje të përzemërt për ju.
Jeni krenaria e qytetarëve të Korçës, Pogradecit, Devollit dhe Ersekës, jeni krenaria e Shqipërisë.
Të dashur miq!
Koalicioni për Shqipërinë Madhështore ka një projekt për çdo korçare dhe korçar, për çdo shqiptare dhe shqiptar. Ky projekt është Korça, Pogradeci, Devolli dhe Kolonja në zenitin e kohës së tyre, në madhështinë e potencialeve të tyre, në madhështinë e shpirtit të qytetarëve të kësaj treve, të cilët në beteja të tyre për liri, në beteja të tyre për dije, në betejën e tyre për punë dhe mirëqënie qëndrojnë në kurorën e kombit shqiptar, qëndrojnë në kurorën e qytetërimit shqiptar dhe evropian.
Korça dhe korçarë, sot përjetojnë një kohë të cilën ata kurrë nuk e meritojnë.
Korça, korçarë dhe mbarë shqiptarët në 12 vite të këtij regjimi njohën shkretëtimin më të madh në historinë e tyre kombëtare, por njohën edhe një nga periudhat më të zeza të varfërimit që një vend ka njohur në histori.
Por Korça dhe korçarët janë gjithashtu potenciali më i madh për madhështinë e Korçës dhe Shqipërisë.
Miqtë e mi!
Me këtë projekt ne do bëjmë gjithçka, do ti shpallim luftë me zero tolerancë varfërisë ekstreme dhe mjerimit në Korçë dhe Shqipëri.
Ne besojmë se asnjë korçare dhe asnjë korçar, se asnjë shqiptare dhe asnjë shqiptar nuk duhet kurrë më të ndjejë dhimbjen e skamjes.
Nuk duhet kurrë më ti nënshtrohet sëmundjeve.
Nuk duhet kurrë më të mendojë vend tjetër për ëndrrën e tij përveç Korçës, Pogradecit, Devollit, Ersekës dhe Shqipërisë.
Në këtë përpjekje ne i adresohemi më së pari asaj që është vlera jonë hyjnor, asaj që lamë mëkuar dhe rritur brez pas brezi, burrat dhe gratë më të shquara të Korçës dhe Shqipërisë, luftëtarët më të vendosur, njerëzit më punëtor, familjes korçare, familjes shqiptare.
Ne besojmë se një familje e fortë është themeli i të gjitha arritjeve tona, se një familje e fortë është kushti i mirëqënies sonë, është kushti i moralit tonë, është kushti i të ardhmes sonë në Korçë dhe Shqipëri.
Ndaj dhe ne duke vendosur pensionin minimal 200 euro, minimumin jetik 200 euro, duke vendosur pagën minimale 500 euro, duke vendosur kartën e konsumatorit, duke vendosur bonuset për fëmijë e parë, të dytë, për të tretin shpenzime të plota nga lindja gjer në 23 vjeç, ne japim, i krijojmë kushte që çdo familje të jetë në paqe, të mbrohësojë veten me punën, mundin dhe djersën e saj.
Familja është tempulli i formimit, i edukimit, i moralit, i virtytit, për çdo shqiptar, për çdo korçar.
Njerëz të lirë, korçare dhe korçarë të lirë, mos harroni kurrë se konservator do të thotë tradicional, se tradicional do të thotë besim tek familja, besim tek familja, besim tek familja.
Miqtë e mi!
Në histori Korça në kulturën e artit e kombit shqiptar, në rilindjen tonë qëndron në krye për kontributin e saj. Por Korça dhe korçarët qëndrojnë në krye të artit botëror. Vëllezërit Belushi, yje në kinematografinë e Hollivudit. Gjergji Leka themeluesi i art-rrokut në SHBA.
Në Shqipëri, artistë të mëdhenj, piktorë të pavdekshëm, skulptorë të shquar, poet, shkrimtarë. Pra, Korça ka të gjithë trashëgiminë mahnitëse për tu ringritur përsëri në zenitin e kohës së vet.
Dhe unë ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që gjenia krijuese e korçarëve, pogradecarëve, devollive, kolonjarëve të shkëlqejë në të gjitha fushat.
Shqipëria Madhështore është Shqipëria e punës, e prodhimit e ‘Made in Albania’. Në ‘Made in Albania’ e para është ‘Made in Korça’.
Askush nuk njeh punën dhe kulturën e saj, askush nuk njeh më mirë se ju, fermerë të mrekullueshëm të këtij qarku, por unë ju jap fjalën ju se ata të cilët rrëzuan fermat tuaja përdhe me Ballkanin e Hapur, ata të cilët shkatërruan mijëra e mijëra ferma në Korçë dhe në Shqipëri, më 11 maj marrin ndëshkimin shembullore.
Kurse ne fermerit korçar, devollit, pogradecar, kolonjar, do bëjmë gjithçka për suksesin e tij.
Do i 5-fishojmë subvencionet për çdo bimë, për çdo njëri prodhimi, për çdo kokë bagëti të rritur.
Do investojmë në vit 70 mln euro në kullime, vaditje dhe mbrojtje të tokës.
Pensionet në fshat, asnjë pension ndën 200 euro.
Linja krediti të buta për çdo fermer që dëshiron të zgjerojë fermën e tij.
Miq, mbrojtja e plotë e prodhimeve tuaja në sezon është zotimi im para jush, fermerë të Korçës, fermerë shqiptar.

Miqtë e mi!
Pastrimi i shtëpisë është kushti i kushteve për Shqipërinë Madhështore.
Tre javë më parë Korça përcolli për në banesën e fundit një bir të shquar të saj, Robert Kotmilen, ish-kryetarin e Bashkisë të viteve ndër më të vështira në historinë e këtij qyteti.
Roberti u nda nga jeta në vetmi, por mori nderimin më të madh nga qytetarët e Korçës, sepse ai jetoi, qëndroi, u shërbeu dhe vdiq si shërbëtor i tyre.
Ndaj dhe unë zotohem para jush se shtëpia do pastrohet nga këta të cilët kanë ndërtuar parajsa, kanë ndërtuar vila, hotele e motele. Nga këta që vodhën, vodhën qindra e qindra milionë euro.
Miq, vetëm me djegësin e Tiranës, Edi Rama 130 mln euro ka zhdukur.
Po ky Nikoja juaj me atë termocentralin e Maliqit. Kur vjen këtu në Korçë, Edi Rama ka turp nga Nikoja dhe nuk e merr afër, e merr vetëm në Kolonjë që të thotë, se Kolonja e bëri Korçën.
Hajdut atje, hajdut këtu, hajdut kudo që të jenë, janë.
Pra, 12 vite çfarë ndodhi me shqiptarët.
Pse shqiptarët u varfëruan? Nuk ishim mëkëmbur, por rroga dhe pensionet i kishin më të lartë se të tjerët, i kishin më të lartë se maqedonasit, serbët, malazezët, Kosova, Bosnja, më të lartë se Rumania dhe Bullgaria.
Po pse? Jemi më të pasur ne, ne kemi pasuri shumë më të mëdha se ata.
Çfarë ndodhi 12 vite? 12 vite u 2-3-fishuan, pensionet mbetën pothuaj ato.
Sot për një qytetar korçar në pension, për të blerë ato që blinte në vitin 2013, duhet të kishte një pension 390 mijë lek.
Sot rroga minimale duhet të ishte të paktën dyfishi i asaj që është sot.
Por qeveritarët, Edi Rama, 3-5-fishoi rrogat e larta dhe të ulëtat i la njerëzit për të numëruar kafshatën.
Merr fund kjo. Ne do u kthejmë paratë ju, dhe u garantoj se vrapi ynë që fillon me 11 maj, nuk ndalet gjersa ju të jeni qytetarët më të paguar të Ballkanit.
Ky është zotimi ynë para jush, ky është vendimi ynë.
Por Korça ka biznesmenë të aftë, të shquar, të zot, të shkathët.
Unë u premtoj atyre se, barra fiskale do të përgjysmohet, tatim fitimi do zbresë në 10%, TVSH do zbresë në 15%.
Garantoj të gjithë rrogëtarët, me rrogë mbi minimale se vetëm me uljen në 10% të tatim fitimit, rrogat e tyre rriten me një vendim, 13%.
Kjo është fushata jonë, ky është projekti ynë.
Krahasoni pak me atë tjetrin seç bën dhe ç’thotë.
Ka qeverisur 12 vite, dhe nuk thotë dot një sukses, sepse edhe ato që ka bërë i ka të zhytura në vjedhje dhe plaçkitje.
Ja ku është rruga Korçë-Ersekë.
Miqtë e mi, 18 kilometrat e para janë ndërtuar me 800 mijë euro kilometri.
17 kilometrat e dyta, janë ndërtuar me 5 mln euro kilometri.
Vidh e vidh nuk kanë të ndalur.
Merrni rrugën Qafë Plloçë-Qukës, e cila kishte dy qëllime madhore. Së pari të afrojë më shumë Korçën me Tiranë, së dyti të urbanizojë Mokrën.
Rruga prej 15 vitesh vazhdon dhe nuk mbaron. Rruga nga 74 milionë euro që ishte e prokuruar me çelësa në dorë, ka shkuar në 250 mln euro dhe vjedhin, vjedhin e nuk ndalen.
Pra vendosja para ligjit e këtyre hajdutëve, pastrimi i shtëpisë, pastrimi i Korçës, është kushti i kushteve për Korçën Madhështore, për Shqipërinë Madhështore.
Miq!
Ju e shifni, Edvin ti themi burreci 2 metra i gjatë, apo memja i gjallë, apo ti themi Edvin batuta, si të doni, por kalon në takime me zyrtarë të tij, të sjellë me detyrim në takime.
Tani kam një mesazh për ta në emër tuaj:
Ju nënpunësit e këtij shteti që zbatoni ligjin dhe u shërbeni qytetarëve, besnikëri ndaj ligjit, ju garantoj se, jeni dhe do mbeteni njerëz të respektuar.
Ndaj dhe thirrja ime për ju është, në takime nuk keni çbëni do shkoni, se ju pushojnë nga puna, por votën mos ja jipni atij, votën mos ja jipni.
Votoni për vëllezërit, motrat tuaja, votoni për dinjitetin tuaj.
Votoni në mënyrë që në 11 maj, të shkojë atje ku e meriton.
I bëj thirrje diasporës që po voton këto ditë, asnjë votë mos fotografoni, qëndroni qytetarë të lirë të këtij vendi, qytetarë të lirë aty ku jeni.
Votoni ndryshimin, votoni shpëtimin e Shqipërisë.
Dhe ata që nuk mundën të regjistrohen, të bëjnë gjithçka, të vërshojnë drejt Korçës dhe Shqipërisë më 11 maj, ditën e fitores.

Qytetarë dhe qytetare.
Nuk ka patur ndonjëherë fushatë, po të kishte një emër Edi Rama, do mund ta quanim mister Banaliteti.
E gjithë psikologjia e tij, një psikologji e të fortit, vini re, ai flet në raste njëlloj si Nuredin Dumani në sallën e gjyqit, me kërcënime, me shantazhe, me sharje, me shpifje.
Pra njeri tërësisht i shfaruar dhe i shthurur.
Ju e patë se çfarë psikologjie mjerane. Erdhi këtu dhe mendoi se tani, Eureka, e bleva Ilir Vrenozin.
Ai mendoi se me strajcat e tij me para, me batalionet që e shoqërojnë, Vrenozin do ta mirrte një ditë në podcastin e tij, apo do të tregonte një fotografi me të.
Por ai nuk di, se më të fortë se çdo gjë, njeriu ka karakterin, ka moralin ka virtytet.
Vërtetë ja ka dalë ndonjëherë, por s’ja doli kurrë nga një njeri, i cili s’ka përfituar asgjë nga Partia Demokratike dhe e ka mbështetur atë 32 vite, që nga themelimi e gjer sot.
Ilir, në një takim të huaj dhe të rinj, më pyetën cili është sekreti i Sali Berishës.
U thashë vetëm kaq: Jeta ime ka qenë përpjekje për të qenë vetja ime, dhe nuk ka gjë më të madhe, ua them të gjithëve ju miq.
Ndaj dhe unë të përgëzoj ty, sikundër u bëj thirrje të dashur qytetarë, asnjë votë, asnjë votë për ata të cilët i ftuam të jenë në koalicion me ne, në mënyrë që çdo votë shqiptare të vinte për fitoren e opozitës dhe kundër Edi Ramës.
Dhe nuk gjetën forca të vijnë.
Jo miq, i ftova vetëm në emrin tuaj dhe në interes tuaj. Se vetë, aspak nuk doja ti ftoja, por nuk doja që asnjë votë e popullit opozitar të përçahej, të ndahej.
Nuk erdhën dhe tani thonë; jo, ne nuk jemi për rotacionin, jo ne jemi kundër sistemit.
Hë, heqin maskat.
Por në qoftë se nuk je për rotacionin, je për Edi Ramën.
Në qoftë se je kundër sistemit, përsëri je për Edi Ramën.
Atëherë qytetarë i leni në vetminë e tyre këta, që të kishin patur në karakter 1/10 e Ilir Vrenozit ishin midis nesh sot, por se patën.
Kanë mbetur tre javë, tre javë vendimtare, tre javë në të cilat mençuria, fisnikëria korçare
duhet të bëjë gjithçka për të bindur çdo korçar dhe korçare, pogradecar e pogradecare, devolli e devollite, kolonjare e kolonjar, që në 11 maj të votojmë për veten tonë.
Ky program është mundësi tjetër për pensionistin shqiptar.
Është mundësi tjetër për çdo të ri shqiptar të cilët i garantoj sot se, shkollimi, punësimi, strehimi, biznesi i tyre do të jenë përparësi e të gjitha përparësive të PD-së.
Ky program është një mundësi e re për çdo nënë, motër, bashkëshorte shqiptare, për të patur një familje, për të patur një punë, për të patur të ardhura më shumë, për të patur fëmijët e vet në Shqipëri ku të ndërtojnë ëndrrën e tyre.
I garantoj se në programin tonë, mbështetja e grave në biznese, në të gjitha fushat është objektiv kryesor.
Ky program është një mundësi reale, për çdo fermer të Korçës dhe Shqipërisë, për çdo biznesmen të vogël, për çdo biznesmen të madh, për çdo mësues që nuk do marrë kurrë rrogë ndën 1500 euro, për çdo mjek, infermiere që do ti dyfishohen rrogat e pensionet.
Pra është programi i mundësive të reja për shqiptarët, i udhëtimit të tyre drejt Korçës, Madhështore, drejt Shqipërisë Madhështore.
Rroftë Korça, rroftë Shqipëria!
Fitore, fitore, fitore.